Gjashtë universitetet publike në rrethe, pavarësisht uljes së numrit të studentëve, i janë sulur ndërtimit të godinave. Në pesë vitet e fundit universitetet e kanë shpenzuar pjesën më të madhe nga të ardhurat e tyre për ndërtim, për rikonstruksion dhe për mobilim godinash dhe shumë pak pará shkojnë për kërkim shkencor, për libra dhe për laboratorë. Përmes shifrave fiktive të studentëve universitetet kanë mbajtur në punë stafet akademike në shkelje të ligjit dhe duke iu larguar përmbushjes së qëllimit si institucione të dijes.
Universitetet shpikin mekanizma, që po asgjësojnë cilësinë
Numri i studentëve në Universitetin e Korçës në 5 vitet e fundit është përgjysmuar; nga 4.261 studentë, që kishte në vitin 2018, sot ka 2.336 studentë. Në të njëjtën situatë gjenden edhe universitetet në Shkodër, në Elbasan, në Vlorë dhe në Gjirokastër. Vetëm Universiteti i Durrësit e ka ruajtur numrin e studentëve.
Qershorin e vitit 2023 Senati Akademik i Universitetit të Korçës vendosi për bashkimin e tij me Universitetin e Tiranës. Rektori i Universitetit të Korçës, që tashmë është kthyer në Universitetin e Tiranës si profesor, Dhimitri Bello, pranoi se gjendja e universitetit kishte arritur në pikën kritike, përtej së cilës nuk mund të vazhdonte të ekzistonte si institucion i pavarur i arsimit të lartë. Bashkimi me Universitetin e Tiranës u konsiderua nga Bello dhe 17 anëtarët e Senatit Akademik si shpëtim për Universitetin e Korçës, por Ministria e Arsimit e ndaloi procesin e bashkimit të të dyja institucioneve. Ministria angazhoi një grup ekspertësh të diasporës për të reformuar dhe për të profilizuar Universitetin e Korçës.
Dyert e Universitetit të Korçës mbahen hapur nga të rinjtë, që zgjedhin programet e Infermierisë dhe ato dyvjeçare, të cilat kompensojnë mungesën e studentëve në programet e tjera. Kuotat e programeve Infermieri dhe Mami plotësohen 100% çdo vit akademik, ndërsa mbetet i lartë interesi edhe për 7 programet dyvjeçare. Pavarësisht fluksit në programet e Mjekësisë dhe në ato dyvjeçare, 15 programe nga 50 në total në Universitetin e Korçës janë mbajtur hapur edhe me 1 student.
Për drejtuesin e Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, orientimi i universiteteve drejt programeve dyvjeçare dhe atyre të Infermierisë cenon cilësinë e produktit akademik dhe stimulon largimin e të rinjve drejt vendeve të Europës.
Në kushtet e krizës për studentë hapja e programeve të reja është përdorur nga Universiteti i Korçës si mekanizëm për të thithur studentë edhe nga rajonet e tjera të vendit. Por, edhe kjo taktikë ka dështuar, sepse të rinjtë nuk i kanë zgjedhur këto programe. Kjo ndodhi me programin Gjuhë dhe Kulturë Pakicash dhe Gjuhë Shqipe, i cili u miratua në verën e vitit 2023 dhe u mbyll në vjeshtë, sepse kishte vetëm 3 studentë të regjistruar.
Matea Blaceri aplikoi dhe u shpall fituese në programin Gjuhë dhe Kulturë Pakicash dhe Gjuhë Shqipe. Thotë se, e zgjodhi, duke parë mundësi të mira punësimi pas diplomimit. Pasi mbetën vetëm tre studentë, administrata iu rekomandoi që të zgjidhnin alternativat e ngjashme, ku mund t`i vazhdonin studimet. Matea zgjodhi programin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
“Dëshira ime ishte që të studioja në Tiranë për Psikologji. Për arsye familjare nuk mund t’i ndiqja studimet në Tiranë, ndaj u detyrova të zgjedh Universitetin e Korçës”, – tregon Matea.
Studentja thotë se në vitin e parë të programit Gjuhë Shqipe dhe Letërsi u regjistruan fillimisht 10 studentë, por vetëm 8 e kanë frekuentuar rregullisht. “Dy studentë të tjerë e ndoqën mësimin vetëm semestrin e parë. Më pas nuk erdhën më”, – pohon ajo.
Universiteti i Korçës nuk iu përgjigj pyetjes në lidhje me numrin e studentëve frekuentues për këtë vit akademik. Ish-rektori, Bello, pranon që ka edhe regjistrime fiktive të studentëve në programe të ndryshme.
“Pavarësisht numrit të të regjistruarve në fillim të vitit, është pagesa e tarifës ajo që nxjerr shifrën reale të studentëve frekuentues”, – thotë Bello.
Ky universitet ka mbajtur hapur programe edhe me më pak se 10 studentë, madje Senati Akademik i Universitetit të Korçës ka shkelur ligjin, duke mbajtur hapur programe edhe me 1 student.
VKM nr. 418, datë 10.05. 2017, përcakton si kusht numrin minimal prej 10 studentësh për të miratuar hapjen e një programi të ri studimi nga ana e Ministrisë së Arsimit. Gjatë gjithë këtyre viteve Universiteti i Korçës, por edhe universitetet e tjera, e ka shkelur këtë parashikim ligjor, duke mbajtur hapur programe me më pak se 10 studentë. Praktika, që është ndjekur rëndom nga universitetet e rretheve, ka qenë sigurimi i numrit minimal të studentëve, sa për të mundësuar hapjen e programit dhe më pas ky kriter i ligjit është shkelur.
“Në pranimin e studentëve Universiteti i Korçës gjithmonë ka përkrahur parimin që të gjithë maturantëve t’iu jepet e drejta e studimit, pavarësisht numrit të studentëve”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për koment të universitetit.
Edhe pse Universiteti i Korçës në 5 vitet e fundit ka humbur rreth 2 mijë studentë, programet e mbyllura janë vetëm katër, dy në Bachelor dhe dy në Master. Përmes dokumenteve ekskluzive INA Media ka arritur që të sigurojë listën e programeve që janë mbajtur hapur 3 vitet e fundit në kundërshtim me ligjin, si dhe numrin e studentëve për secilin prej tyre.
Programi | 2021- 2022 | 2022-2023 | 2023-2024 |
Filozofi- Sociologji | 3 | 5 | 5 |
Matematikë-Fizikë | 7 | 0 | 0 |
Matematikë-Informatikë | 10 | 7 | 9 |
Biologji-Kimi | 9 | 9 | 10 |
Ekonomiks | 11 | 15 | 6 |
MTAE | 16 | 5 | – |
Gjuhë dhe Kulturë Frënge | 1 | 0 | 0 |
Biznes dhe Tregti | 0 | 0 | 0 |
Gjuhë dhe Letërsi Shqipe | 6 | 10 | 11 |
Në përgjigje të kërkesës për koment, Universiteti i Korçës e relativizon këtë shqetësim, duke e konsideruar normale mbajtjen hapur të programeve me pak studentë.
“Gjatë viteve të ecurisë së një programi studimi është normale që në vite të caktuara të ketë luhatje të kërkesave të maturantëve, çka reflektohet në numër studentësh”, – thotë universiteti.
Prof. Dr. Ali Jashari, i cili ka mbajtur postin e rektorit të Universitetit të Korçës në vitet 2016-2020, situatën aktuale në këtë universitet në mënyrë figurative e quan shkretani.
“Japim mësim edhe në programe, ku kanë mbetur 4 studentë dhe kjo nuk është normale. Rënia e numrit të studentëve duhej parë me kohë, sepse tani është fakt”, – thotë ai.
Mbajtja hapur e programeve të studimit me 1 apo 2 studentë rrit në mënyrë të frikshme kostot financiare të universitetit, i cili, nga një institucion që duhet të prodhojë shkencë dhe profesionistë, shërben si ndërmarrje punësimi për pedagogë dhe për administratë. Sot, Universiteti i Korçës ka 300 pedagogë të jashtëm dhe të brendshëm dhe 100 punonjës administrate.
Nga viti 2019 deri në vitin 2023 numri i pedagogëve të brendshëm është luhatur nga 161 në 148, duke shënuar një ulje të lehtë. Po ashtu, në këtë hark kohor rezulton të jetë ulur edhe numri i pedagogëve të ftuar dhe të jashtëm, nga 134 në 117.
Pedagogët e brendshëm dhe të ftuar në 5 vite i kanë kushtuar buxhetit të shtetit dhe Universitetit të Korçës 1.145 miliardë lekë.
Të dhënat nga Universiteti i Korçës, sa i takon kostos financiare për student, tregojnë një trend në rritje. Në vitin 2019, me 3.629 studentë, kostoja vjetore për student ishte 154 mijë lekë. Në vitin 2022 për 2.655 studentë kostoja për një student u rrit në 206 mijë lekë.
Ulja e numrit të studentëve në shumicën e programeve të studimit ka ndikuar në uljen e ndjeshme të raportit student-pedagog, i cili në nivel kombëtar është 1 pedagog për 26 studentë. Universiteti i Korçës rezulton të jetë shumë larg kësaj shifre. Sipas një dokumenti ekskluziv, të siguruar nga INA Media, nga 50 programe aktive, 22 prej tyre e kanë raportin pedagog student 1:1.
Ndërkohë, asnjë të punësuar nuk ka në dy vitet e fundit për të diplomuarit në Mësuesi dhe arsim fillor, në Mësuesi dhe arsim parashkollor, në Gjuhë dhe Kulturë Frënge dhe në Filozofi-Sociologji nga Universiteti “Fan Noli”. Programet e Infermierisë, që janë më të kërkuarat, e kanë punësimin vetëm 3,8%, pasi të diplomuarit ikin jashtë.
Pedagogia e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, Anyla Saraçi, thotë se të gjitha universitetet rajonale prej disa vitesh po përballen me mungesën e theksuar të studentëve. Veç faktorëve të tjerë ajo e vë theksin te nevoja për riorganizimin e programeve tradicionale dhe te përshtatja e tyre me kërkesat e tregut.
“Universiteti është shkollë, është institucion kërkimor, trajnues, biznes, është motor i ndryshimeve ekonomike dhe sociale. Nëse nuk konceptohet në këtë mënyrë, universiteti do të mbetet thjesht një shkollë e mesme, ku nxënësi quhet student dhe mësuesi pedagog”, – thotë Saraçi.
Universiteti i Shkodrës rezulton të jetë universiteti më i prekur nga hemorragjia e studentëve. Sipas të dhënave të INSTAT, në 5 vitet e fundit ka humbur rreth 5.000 studentë. Pavarësisht uljes drastike të studentëve, Shkodra ka vijuar të shtojë pedagogë. Sipas të dhënave të universitetit për vitin 2019-2020, numri i pedagogëve të brendshëm ka qenë 193, ndërsa të ftuar kanë qenë 8.
Për vitin aktual numri i pedagogëve të brendshëm është rritur në 196, ndërsa numri i pedagogëve të ftuar nuk ka ndryshuar.
Nga ana tjetër, ulja e numrit të studentëve nuk është reflektuar në mbylljen e programeve të studimit.
“Në 5 vitet e fundit nuk është mbyllur asnjë program studimi”, – thuhet në përgjigje të kërkesës për informacion nga universiteti. Nga verifikimi i të dhënave në faqen zyrtare të institucionit rezulton se universiteti ka 63 programe, 10 prej të cilave kanë 1-7 studentë.
Mbajtja hapur e programeve me pak studentë dhe rritja e numrit të pedagogëve thellon krizën financiare të Universitetit të Shkodrës. Sipas të dhënave të siguruara nga INA Media, institucioni harxhon 15 milionë lekë çdo vit për të mbajtur hapur 10 programe, që kanë numër të ulët studentësh.
Pas Shkodrës, Universiteti i Elbasanit në 5 vite ka humbur rreth 4.000 studentë. Efektet e krizës në Universitetin e Elbasanit janë reflektuar edhe te mbajtja hapur e 26 programeve me më pak se 10 studentë. I pyetur në lidhje me koston financiare për programet e studimit me pak studentë Universiteti i Elbasanit sqaron se llogarit koston për student dhe jo për program studimi.
“Kosto mesatare, vjetore për një student është 195.743 lekë”, – përgjigjet universiteti.
Për këtë vit akademik në Universitetin e Elbasanit nuk u aktivizuan 14 programe, për shkak se nuk e plotësonin numrin minimal prej 10 studentësh. Universiteti sqaron se mbyllja e këtyre programeve erdhi pas udhëzimit nr. 12, datë 30. 06. 2023 të Ministrisë së Arsimit, e cila urdhëronte Senatet Akademike të universiteteve që të mos aktivizonin programe me më pak se 10 studentë.
Universiteti i Elbasanit është rasti tipik, që tregon se universitetet publike kanë pasur prioritet punësimin e qindra pedagogëve pa kriter, përtej nevojave dhe përtej mundësive financiare.
Të dhënat e siguruara nga INA Media tregojnë se në vitin 2018-2019 në Universitetin e Elbasanit ishin të punësuar 785 pedagogë, prej të cilëve 560 të ftuar. Sot, Universiteti i Elbasanit ka 213 pedagogë të brendshëm dhe 323 pedagogë të ftuar, për rrogat e të cilëve duhet të shpenzojë rreth 520 milionë lekë të reja në vit.
E pyetur në lidhje me respektimin ose jo të ligjit nga ana e universiteteve, që kanë mbajtur hapur programe me pak studentë, Ministria e Arsimit deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ktheu përgjigje.
Universiteti, që e ka ruajtur thuajse të pandryshuar numrin e studentëve, është ai i Durrësit me 19.278 studentë në vitin 2018 dhe 19.262 studentë në vitin 2023. Megjithëse është universiteti më i madh pas atij të Tiranës, 10% e programeve të tij janë jo-aktive për shkak të mungesës së studentëve. Pavarësisht interesit të lartë të të rinjve për të ndjekur studimet në këtë universitet, sipas raportit Metamorfoza e Universiteteve, 25.81% e studentëve të regjistruar në vitin 2023 zgjodhën programet dyvjeçare.
Veç programeve të mbyllura, dhjetëra programe studimi, sipas Universitetit të Durrësit, janë riorganizuar. Riorganizimi nuk ka sjellë asgjë të re, por ka qenë retushim i programeve të mbyllura, pasi kurrikulat kanë mbetur thuajse të njëjtat dhe stafi po ashtu. Pavarësisht se Universiteti i Durrësit nuk ka pasur ndryshim në numrin e studentëve gjatë 5 viteve të fundit dhe ka joaktive 10% të programeve të studimit, megjithatë ky universitet ka rritur numrin e pedagogëve. Nga llogaritja e të dhënave të vëna në dispozicion nga universiteti, rezulton se për vitin 2019 kanë qenë të punësuar 308 pedagogë me kohë të plotë dhe 41 të ftuar, ndërsa për këtë vit akademik janë 314 pedagogë të brendshëm dhe 50 të ftuar.
Ndryshe nga universitetet e tjera, Universiteti i Vlorës ka gjetur një mekanizëm të ri për të mbushur auditorët. Në vitin 2020 Senati Akademik vendosi hapjen e tri programeve njëvjeçare me karakter profesional, të cilat u miratuan nga Ministria e Arsimit.
Programi “Udhërrëfyes turistik për rajonin e jugut” synon përgatitjen e guidave turistike, ndërkohë që në përfundim të programit universiteti pajis studentët me Certifikatë profesionale.
Universiteti i Vlorës përmes programeve profesionale, njëvjeçare ofron të njëjtin kualifikim, që të rinjtë mund ta marrin edhe nga Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional, ku kurse të tilla ofrohen falas.
Programet dyvjeçare dhe Infermieria janë gjithashtu ato që e mbajnë hapur Universitetin e Vlorës. Sipas Qëndresës Qytetare, për këtë vit akademik 41.19% e studentëve zgjodhën programet e Infermierisë dhe 10% u regjistruan në programet dyvjeçare. Nëntë programe të këtij universiteti mbahen hapur, edhe pse kanë nga 1 deri në 7 studentë, ndërsa në tri programet – Gjuhë Italiane, Gjuhësi e Aplikuar në Fushën e Turizmit dhe Kimi – nuk është regjistruar asnjë student.
Si të gjitha universitetet edhe Vlora vuan tkurrjen e numrit të studentëve. Prej vitit 2018 dhe në vazhdim universiteti ka humbur 1.700 studentë, sipas të dhënave të INSTAT.
I vendosur në vështirësi financiare për shkak të numrit të ulët të studentëve, Universiteti i Gjirokastrës, ashtu si të tjerët, ka gjetur shpëtimin te programet dyvjeçare dhe te programet e Infermierisë. 57.13% e studentëve të regjistruar zgjodhën një nga këto programe, sipas raportit të Qëndresës Qytetare, por rol jo pak të rëndësishëm për të shpëtuar një pjesë të programeve nga mbyllja luajti edhe vendimi i qeverisë për programet Prioritet Kombëtar.
Universiteti i Gjirokastrës ka arritur në pikën që mban hapur disa programe me të njëjtën kurrikul. Skandali është konstatuar nga një grup kontrolli i Ministrisë së Arsimit në vitin 2021.
“Kurrikula e tri programeve të studimit Bachelor në Fakultetin e Ekonomisë (Financë, Administratë Publike dhe Turizëm) është e njëjtë në dy vitet e para dhe në vitin e tretë ndryshon vetëm një lëndë me përzgjedhje”, – thuhet në Raportin e Vlerësimit të Akreditimit për UGJ.
I pyetur në lidhje me këtë çështje, Universiteti i Gjirokastrës sqaroi se ka bërë ndryshimet e nevojshme në të tria programet, ku u konstatua kurrikul e njëjtë.
Universitetet në rrethe po sforcohen përtej mundësive për të mbijetuar, por për aktivistin Migen Qiraxhi ato nuk mund të mbahen hapur për nostalgji dhe folklorizëm, në kushtet kur nuk i plotësojnë as kriteret ligjore për t’u quajtur institucione të arsimit të lartë, publik.
Miliona euro për ndërtim godinash, që nuk ka kush t`i mbushë
Pavarësisht përgjysmimit të studentëve në Universitetin e Korçës ndërtesa e ish-sanatoriumit, e cila ndodhet në krah të Fakultetit të Shkencave Humane dhe të Natyrës, ka filluar ndërtimi i një korpusi universitar me vlerë 4.5 milionë euro. Këtë objekt bashkë me territorin dy vite më parë Universiteti i Korçës ia kërkoi Ministrisë së Arsimit për ta vënë në funksion të mësimdhënies. Sipas dokumentit ekskluziv, të siguruar nga INA Media, Ministria e Arsimit e ka refuzuar kërkesën, me argumentin se universiteti nuk kishte paraqitur asnjë projekt për këtë pronë, e cila i përkiste Ministrisë së Shëndetësisë.
Në vitin 2022 qeveria ia kaloi ish-sanatoriumin në pronësi Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili në vitin 2024 nisi punimet për ndërtimin e Kompleksit të Dijes.
Ish-rektori i Universitetit të Korçës, Dhimitri Bello, i pyetur në lidhje me nevojën për ndërtimin e Kompleksit të Dijes, thotë se investimi është i panevojshëm, për shkak se ambientet, që ka universiteti, janë të mjaftueshme për studentët që e frekuentojnë atë.
Në të njëjtën kohë, kur nisi investimi për ndërtimin e Kompleksit të Dijes, Universiteti i Korçës tenderoi rikonstruksionin e Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë me vlerë 30,4 milionë lekë nga të ardhurat e veta. Afati për dorëzimin e këtij objekti është shtyrë për shkak të nevojës për punime shtesë.
Universiteti “Fan Noli” ka investuar gjatë 5 viteve të fundit edhe për rikonstruksionin e Fakultetit të Ekonomisë 39.3 milionë lekë dhe për mobilimin e tij 16.6 milionë lekë.
Ndërsa të ardhurat e Universitetit të Korçës zvogëlohen vit pas viti për shkak të uljes së numrit të studentëve, institucioni detyrohet të shpenzojë çdo vit gati 200 mijë euro për sigurinë e 6 godinave që ka në administrim.
Universiteti i Durrësit gjatë periudhës 2021-2024, nga verifikimet e APP, ka lidhur 13 kontrata me operatorë ekonomikë për projekte në infrastrukturë dhe shërbime. Në vitin 2023 Universiteti i Durrësit lidhi kontratën prej 8,1 milionë eurosh me objekt “Ndërtimi i godinës së re të Fakultetit të Studimeve Profesionale”, 4.8 milionë euro të së cilës financohen nga buxheti i shtetit dhe 3.3 milionë euro, nga të ardhurat e universitetit.
Qartazi financat e UAMD janë orientuar drejt infrastrukturës, ndërkohë që rezulton vetëm një kontratë me vlerën 2.5 milionë lekë, e lidhur për blerje librash.
Universitetet nuk shpërdorojnë lekë vetëm për ndërtime, por edhe për digjitalizimin. Kështu ka vepruar Universiteti i Vlorës. 24.5 milionë lekë të investuara nga institucioni në vitin 2020 për krijimin e bibliotekës digjitale kanë rezultuar shpërdorim, pasi biblioteka është e aksesueshme pjesërisht për studentët.
I pyetur në lidhje me këtë investim, rektori, Roland Zisi, sqaroi se investimi ka mbaruar në vitin 2022 dhe prej atij momenti dhe në vazhdim është duke vijuar procesi i skanimit të librave.
“Procesi i skanimit po ecën ngadalë, pasi fondi i bibliotekës ka mbi 20 mijë libra, ndërkohë që kryhet vetëm nga dy punonjëse”, – sqaron Zisi.
Edhe pse dy fakultete të Universitetit të Elbasanit, ai i Shkencave Humane dhe ai i Shkencave të Natyrës, janë drejt mbylljes për shkak të mungesës të studentëve, institucioni nuk heq dorë nga ndërtimet e godinave. Universiteti i Elbasanit ka në administrim 12 godina dhe ka tenderuar ndërtimin e godinës së 13.
Ky objekt, ku do të vendoset Fakulteti i Shkencave Mjekësore, Teknike, do të kushtojë 738 milionë lekë. Projekti parashikon ndërtimin e një objekti me 4 kate mbi tokë dhe 2 kate nën tokë në një sipërfaqe prej 1.000 m2, që ndodhet në afërsi të Spitalit Rajonal të Elbasanit.
Universiteti i Shkodrës nga të ardhurat e veta mesatarisht siguron një buxhet prej 100 milionë lekësh. Institucioni në përgjigje të kërkesës për informacion sqaron për INA Median se më shumë se gjysmën e buxhetit vjetor e përdor për sigurinë e ndërtesave dhe për mirëmbajtjen e tyre.
23 milionë lekë në vit institucioni i harxhon për mirëmbajtje godinash dhe 29 milionë lekë, për ruajtjen e tyre. Ky universitet për vitet 2019, 2020, 2021 nuk shpenzoi asnjë lek për të blerë libra.
Universiteti i Gjirokastrës, që është edhe universiteti me buxhetin më të varfër nga rrethet, të ardhurat e veta, të cilat në 4 vitet e fundit arrijnë një mesatare prej 40 milionë lekësh, i ka administruar me nikoqirllëk, duke ruajtur balancën mes shpenzimeve për infrastrukturë dhe atyre për kërkimin shkencor. Prej vitit 2020 dhe në vazhdim Universiteti i Gjirokastrës i ka lënë godinat, që ka në administrim, pa siguri fizike.
/INA MEDIA