Qytetarët e Himarës ditën e sotme do të zgjedhin sot kryetarin e ri të Bashkisë.
Janë mbi 23 mijë qytetarë që janë thirrur në këto zgjedhje për të votuar mes dy kandidatëve, Petro Gjikuria i opozitës dhe Vangjel Tavo i Partisë Socialiste. Kutitë e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe qytetarët do të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të zgjedhjes deri në orën 19:00.
Zgjedhjet në Himarë po mbahen, pasi Komisioni Qendror i Zgjedheve vendosi që t’i hiqte fitoren eurodeputetit Fredi Beleri. Beleri u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.
- Rama shtoi numrin e zgjedhësve në Himarë
Sa i takon zgjedhësve në krahasim me vitin 2023 kemi 252 zgjedhës më shumë. Nga viti 2021 deri në 2023 kur del lista për zgjedhjet vendore rezultuan 8 votues më pak ndërkohë para një viti deri më sot kemi 252 më shumë dhe 331 transferime nga bashkitë e tjera jo vetëm për të jetuar por edhe për të votuar.
Kemi 119 zgjedhës pa adresë banimi që do t’u jepet mundësia për të votuar. Mundësi që nuk i mohohet për shkak të kushtetutës.
Vetëm për 5 ditë nga shpallja e dekretit janë transferuar 93 qytetarë me të drejtë vote, por duhet të hetohet nëse mund të kemi sërish.
“Nga 311, 90 janë nga kryeqyteti, si edhe nga Vlora kanë lëvizur brenda këtij harku kohor”, deklaruan për median përfaqësuesit e opozitës.
- Problematikat me kartat e skaduara, qytetarët nuk lejohen të votojnë
Komisionerët kanë marrë udhëzime që mos të lejohen të votojnë ata me karta identiteti të skaduara. Për shkak të tyre është pezulluar për disa minuta votimi në Himarë fshat, por sipas KQZ ka rinisur sërish
Një orë nga nisja e procesit të votimit në zgjedhjet për kryebashkiakun e Himarës, 200 votues nuk arritën të votojnë për shkak të skadimit të kartave të identitetit.
Komisionerët QV 4590/1 vendosën që të mos lejohen të votojnë, derisa të ketë një vendim nga ana e autoriteteve për t’i lejuar.
Në këto zgjedhje ministria e brendshme nuk ka nxjerrë urdhër për shtyrjen e afatit të kartave të ID, sikurse në zgjedhjet e mëparshme. Sipas sekretarit të KZAZ në Himarë, deri tani janë mbi 200 votues që nuk kanë arritur të votojnë për shkak të kartave të ID të skaduara.
“Më kishte skaduar karta. E drejta e votës nuk humbet kur skadon karta. Kudo në botë mund të humbas kartën sot, do të shkoj në polici do më japë një letër e do votoj. Këtu thotë nuk mund të votoj. Unë pyes humb e drejta e votës se më ka skaduar karta”, thotë votuesja.
- Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë kanë sjellë reagimet e para të kampeve politike apo mbështetësve të kandidatëve nga terreni zgjedhor, teksa në 36 qendra po mbahet procesi i votimit për kryebashkiak.
Sipas kryetarit të KZAZ 88 në Himarë mbi 200 votues deri tani për shkak të kartave të skaduara nuk janë lejuar të votojnë.
Për këtë, ka reaguar edhe Dega e Omonias Himarë, që bën përgjegjëse qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke anashkaluar aktet përkatëse ligjore si në precedentët e kaluar.
“Që me nisjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Himarë, me insistimin e komisionerëve të Partisë Socialiste, dhjetëra zgjedhësve u refuzohet e drejta e votimit, me pretendimin e dokumenteve të identifikimit të skaduara. Në kundërshtim me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, Kryeministri Rama refuzoi të nxjerrë aktet përkatëse ligjore, që do të garantonin të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit.
Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit, ishte vënë gjatë ditëve të fundit në shërbim të Partisë Socialiste, duke u shërbyer qytetarëve në mënyre selektive. Antarëve të PS u rinovoheshin dokumentet në mënyrë të organizuar brenda 24 orëve, ndërsa qytetarëve të tjerë u kërkohej të paraqiteshin pas 15 ditësh
ë total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama”, thuhet në reagim.
- Opozita e ka adresuar problemin e kartave por nuk është marrë parasysh
Një problem shumë i madh me të cilin po përballën himarjotët që duan të votojnë është skadimi i kartave të identitetit. Herën e kaluar kur u votuar ishte i lejuar votimi me këto karta.
Ndërsa tani siç duket ushtarët e Ramës kanë menduar të zvogëlojnë numrin e votave të opozitës duke mos i lejuar të votojnë edhe pse në çdo qendër votimi ka identifikues elektronik për zgjedhësit.
Për këtë problem kanë reaguar edhe përfaqësues të opozitës në KQZ. Por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh nga institucioni që administron zgjedhjet. Aty është denoncuar edhe fryrja e listave me të sjellë nga zona të tjera për të votuar në Himarë dhe që më siguri të plotë janë votues të rilindjes.
- Babai në burg, voton djali i Fredi Belerit
Edhe djali i Fredi Belerit ushtroi të drejtën e votës mëngjesin e sotëm në një nga qendrat e votimit në Himarë.
Petro Beleri i drejtohet qendrës së votimit në orën 09:15, ndërkohë babai i tij ndodhet në burgun e Fierit ku po vuan dënimin me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Pasi të mbarojë dënimin do të ulet në karrigen e deputetit të Parlamentit Europian pasi u zgjodh me 237 mijë votat e qytetarëve greke në zgjedhjet e 10 qershorit, si përfaqësues i Partisë Demokracia e Re.
- Celibashi: Procesi i votimit vijon normalisht në të 36 qendrat e votimit
Zgjedhjet e pjesshme të Himarës janë në proces dhe gjatë dy orëve të para nuk është regjistruar asnjë incident i dukshëm. Edhe procesi teknik duket se po kalon pa shqetësime dhe këtë e konfirmon kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Ai thekson se nuk ka pasur asnjë problematikë dhe procesi do mbyllet sipas orës së parashikuar, 19:00 dhe po vijon procesi i votimit në të 36 qendrat e Bashkisë Himarë.
“Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika. Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës”, shkruan Celibashi.
- Voton Vangjel Tavo: ID e skaduara? Askush s’mund të dalë mbi ligjin
Kandidati i Partisë Socialiste për Himarën, Vangjel Tavo votoi në qendrën e votimit në Palasë.
Përpara se të hyjë në QV, Tavo është përshëndetur në greqisht dhe shqip me banorët. Në një prononcim për mediat, Tavo e konsideroi procesin e deritanishëm të votimit si të qetë dhe uroi që edhe në orët në vijim deri në përfundim, të vijojë e njëjta atmosferë.
Tavo i ka drejtuar një thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë masivisht në proces dhe të zgjedhin alternativën më të mirë.
“Sot Himara dhe himariotët kanë fjalën për të votuar. Procesi ka qenë shumë i qetë, uroj që ky proces të vijojë kështu deri në fund të procesit të votimit. i bëj thirrje të gjithë himariotëve të dalin masivisht në votime dhe të votojnë alternativën më të mirë”, tha Tavo.
Lidhur me problematikën përsa i takon zgjedhësve me karta identiteti të skaduara që nuk janë lejuar të votojnë, Tavo tha se gjithçka përcaktohet në ligj.
“Nuk kam asnjë koment, ligji ka të parashikuar gjithçka”, tha Tavo.
Kandidati i opozitës për kryebashkiak të Himarës Petro Gjikuria, i cili votoi në Dhërmi tha se trajtimi i qytetarëve në Himarë ka qenë i diferencuar lidhur me kartat e skaduara.
- Voton kandidati i opozitës në Himarë, Gjikuria: Kartat e skaduara, është një problem
Në një deklaratë për mediat pas votimit, Gjikuria tha se një vit më parë qytetarët me karta ID të skaduara u lanë të votojnë.
“Vitin e kaluar u lejuan me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin. Ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve ishte i diferencuar; socialistësve u jepnin karta brenda 24 orëve kurse të anës tjetër u thoshin për dy javë. Kjo nuk është punë fushate. Ne një javë fushatë na lanë. 10 ditë kam bredhur fshat më fshat, kemi folur me qytetarët, nuk ishte problemi i kartave. Kartat e skaduara vitin e kaluar i lanë. Këtu i bëjnë ligjet si të duan vetë. Ata llogarisin numrat dhe nxjerrin ligjet si të duan”, tha Gjikura .
Po pavarësisht kësaj, Gjikura thekson se kjo nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.
“Nuk mendoj që do të ndikojë në rezultat. Do të jetë një rezultat i mirë. Koalicioni Bashkë Fitojmë do të fitojë këtë herë. Do të fitojë demokracia”, tha Gjikura.
- Himara zgjedh kryebashkiakun e ri, Fredi Beleri ka një mesazh nga burgu
Ish-kryebashkiaku i arrestuar i Himarës, Fredi Beleri, nga burgu ka reaguar në lidhje me zgjedhjet e pjesshme që po mbahen sot në këtë Bashki.
Ai është shprehur se zemra e tij sot është në Himarë, atje ku “pjesëtarët e minoritetit etnik grek po luftojnë betejën përfundimtare për Demokraci dhe të drejtat e tyre”.
Ndër të tjera Beleri ka bërë apel për pjesëmarrje në votim, teksa shton se historinë e shkruajnë ata që marrin pjesë.
“Qendrat e votimit janë të hapura! Zemra ime është sot në Himarë. Ku sot pjesëtarët e minoritetit etnik grek po luftojnë betejën përfundimtare për Demokraci dhe të drejtat e tyre. Nga qelia e burgut shqiptar ku po qëndroj 425 dite, mendimet e mia gjithe diten do te jene me vellezerit e mi dhe te gjithë ata qe kuptojnë se shteti i Ligjit dhe Demokracia jane te panegociueshme.
Me të gjithë ata që kanë shprehur simpatinë e tyre dhe kanë qëndruar pranë meje përmes kësaj sprove. Me të gjithë ata që nuk u përkulën para metodave të grushtit të shtetit dhe logjikës par-demokratike dhe sot do ta vërtetojnë edhe një herë.
Suksese nga zemra Petro Gjikuria. Ai u tregua një kandidat i denjë i Himarës tashmë. Jam i sigurt se duart e veta do ta udhëheqin sigurt Bashkinë tonë të nesërmen.
Suksese OMONOIA jonë. Dhe një apel i fundit: shkoni dhe votoni. Historinë e shkruajnë ata që marrin pjesë”, thuhet në postimin e Belerit.
- Deri në orën 11:00 pjesëmarrja është 17.26%
Pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 11:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 17.26%.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se deri më tani kanë raportuar 29 nga 36 qendra votimi në total. Po ashtu theksohet se kanë votuar 3358 nga 19 454 zgjedhës në listën e qendrave të votimit të raportuara.
Pjesëmarrja 17.61% deri në mesditë konsiderohet e lartë, me rreth 900 votues më shumë se zgjedhjet e nje viti me pare. Kujtojmë që më 14 maj 2023 deri në orën 11:00, pjesëmarrja ishte 14.6%,.