Zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të bashkisë Himarë zhvillohen të dielën, ku marrëdhënia e vendësve me një grusht njerëzish të cilëve, socialistët i referohen si “investitorë” ndërsa demokratët si “oligarkë” duket se është tema kryesore, krahas marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Në të djathtë të rrugës kryesore, sapo kalon fshatin Nivicë në Njësinë Administrative Lukovë të Bashkisë së Himarës, një tabelë të sinjalizon ekzistencën e një gjiri dhe plazhi në një segment bregdeti, që përndryshe është shumë i thepisur dhe i papërshtatshëm për plazh.
Vizitori gjithsesi do të zhgënjehet, siç është zhgënjyer përgjatë njëzet viteve të fundit, pasi në fund të kësaj rruge të re pjesërisht të papërfunduar, një derë hekuri dhe roje private sigurie ndalojnë aksesin në plazh, ndërsa i gjithë gjiri në një sipërfaqe që ngjan se përfshin me dhjetëra hektarë tokë, është e rrethuar me rrjetë teli, me kabina rojeje një në disa qindra metra.
Një tabelë te dera e pret rrugën diagonal dhe të njofton se hyrja është e ndaluar dhe sugjeron se zona në fjalë është një kantier ndërtimi. Përndryshe, asnjë tabelë që të njoftojë ekzistencën e ndonjë lejeje ndërtimi, siç kërkohet si rregull i detyrueshëm për t’u vendosur në çdo kantier ndërtimi, nuk gjendet. Nuk gjendet as ndonjë dokument që të sugjerojë se dikush e ka nën pronësi territorin, apo se si e ka fituar këtë pronësi. E vetmja gjë e qartë është që një apo disa roje private sigurie qëndrojnë aty gjatë të gjithë kohës dhe e kanë bërë këtë që prej dy dekadash.
Historia e Gjirit të Kakomesë është pjesa më e dukshme e historive të shumta të shtypjes së popullsive të vogla vendëse në zonën e bregdetit të jugut nga të ashtuquajturit biznesmenë që kanë mbështetjen apo duket se punojnë për llogari të politikanëve të Tiranës.
Njëzet vjet më parë, qeveria, e drejtuar në atë kohë nga Fatos Nano për Partinë Socialiste, deklaroi se kishte në plan të jepte me koncesion gjirin e Kakomesë për të ndërtuar një kompleks turistik. Personi kryesor ishte një biznesmen shqiptar, por projekti u prezantua si interes i një kompanie turistike franceze të quajtur Club Med.
Banorët vendës protestuan, u përleshën me policinë dhe kërkuan që ata vetë të kishin të drejtë të shfrytëzonin për biznes gjirin e vogël. Club Med deklaroi tërheqjen nga projekti. Që nga ajo kohë, besohet se ideja e ndërtimit të një resorti aty ka kaluar dorë më dorë mes biznesmenëve të ndryshëm shqiptarë, derisa në qershor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit i drejtuar nga kryeministri Rama miratoi një leje ndërtimi për kompleksin “Kakome Bay Resort”. Zhvilluesit në dokumentin e lejes janë z.Luan Leka,kompania AgiKons dhe z. Dritan Çelaj.
Informacione të qarkulluara mes banorëve të zonës sugjerojnë se dikush ka arritur të nxjerrë titull pronësie duke përdorur një proces legalizimi, pasi ndërtoi disa karabina betoni. Siç ndodh shpesh në këto kohë, banorët i kanë sytë nga SPAK. Një parrullë e shkruar përgjatë rrugës i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme të hetojë.
Të dielën më 4 gusht, banorët e Nivicës, rreth njëqind e pesëdhjetë që kanë mbetur, do të duhet të votojnë për njërin nga dy kandidatët, Vangjel Tavon nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikurinë nga opozita. Pyetur nga BIRN, secili nga kandidatët nuk u shpreh qartë se si e mendonin çështjen e Kakomesë. Pasi përgëzoi niviciotët për rezistencën, Gjikuria tha se ai priste të hynte në bashki për të kuptuar se mbi çfarë baze ligjore gjiri është rrethuar dhe plazhi është ndaluar apo se nga kush.
“Kur të vete në zyrë, do ta gjej se pse është mbyllur,” tha ai. “Do të mundohem të ndaloj vjedhjen,” shtoi.
Kandidati Tavo tha se priste që problemi i Kakomesë të zgjidhet përmes “angazhimit të aktorëve dhe faktorëve në këtë çështje, fshati, investitori dhe qeveria, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare”. I pyetur më specifikisht se çfarë nënkuptonte me zgjidhje dhe nëse mbështeste apo jo pretendimin e niviciotëve, Tavo nuk u shpreh prerazi ndërsa pyetur nëse kishte dijeni se kush ishte investitori tha: “As që ia kam haberin”.
Deri më tani, tre kryeministra dhe pesë kabinete qeveritare janë ndryshuar që nga koha kur plazhi i Kakomesë u mbyll. Turistët jo të paktë që zgjedhin freskinë, qetësinë dhe bukurinë e fshatit Nivicë, duhet të shkojnë për në Sarandë, rreth 15 kilometra në jug, ose në Lukovë, rreth 15 kilometra në veri, për plazh.
Në fakt, Nivica duket se është fshati që mund të shërbëjë si shembulli më i mirë i zhvillimit të turizmit të qendrueshëm. Fatmirësisht këtu, ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, rruga nuk i ka rënë përmes. Rruga kombëtare gjendet pak më poshtë se qendra e fshatit, ku një kishë, një shkollë, një shesh me një rrap, një tavernë shumë e këndshme dhe dy apo tre kafene ofrojnë qetësi dhe kënaqësi. Vendësit janë kujdesur të mos betonizojnë. Shtëpitë e vjetra janë ruajtur aq mirë sa mundet, punimet e gurit dominojnë. Rreth dhjetë operatorë turistikë ofrojnë dhoma në AirBNB apo Booking. Në fshat dukshëm ka ende shtëpi të vjetra që presin të riparohen, por edhe nëse do të dalë nevoja për zgjerim, kujdesi që vendësit kanë demonstruar deri tani për të ruajtur traditën, jep shpresa se zgjerimi do të mund të bëhet në respekt të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë.
Uji, uji dhe uji
Në kohën e komunizmit, qeveria qendrore vendosi të zhvillojë zonën e Lukovës dhe fshatrave përreth në formën e një Ndërmarrjeje Bujqësore. Në emër të vetëmjaftueshmërisë ushqimore, duket se u vendos profilizimi i bujqësisë në ullishte dhe agrume, në përmirësimin përmes vaditjes së prodhimit të ullinjve si dhe taracimit të zonës. Të burgosurit e burgut të Shën Vasilit, një fshat që në atë kohë thirrej me emrin sarkastik “Përparim”, u përdorën si krah pune.
Mes shumë gjërave, një tunel çau malin nga një zonë e njohur si Burimet e Lumit Tatzat, për të nxjerrë në bregdet, në lartësi të konsiderueshme, një sasi të konsiderueshme uji për t’u përdorur për vaditje. Kanale të shumta të veshura me beton e morën ujin me rrjedhje të lirë nga fshati Sasaj, i cili gjendet në goxha lartësi, për në dy drejtime, nga Lukova dhe nga Piqerasi, ndërsa tepricat u derdhën përgjatë luginës së Bunecit për në det.
Zyrtarët komunistë të kohës u mburrën me mrekullinë e shpimit të malit dhe krahasuan taracat e vaditura në Lukovë, Piqeras, Borsh e Shën Vasil, me Kopshtet e Varura të Babilonisë, një nga shtatë mrekullitë mitike të botës së lashtë.
Fshati Lukovë, i cili gjendet vetëm pak kilometra në jug të tunelit të Sasajt, apo ai Piqeras që gjendet pak më në veri, që të dy thahen sot për ujë.
“Vjen një orë në ditë, mbushim depozita dhe bëjmë si të mundemi,” thotë një banore vendëse ndërsa kujdeset për pak dhoma me kushte spartane, por shumë të pastra dhe me çmim shumë ekonomik për turistët.
Disavantazhi i këtyre dhomave të ndërtuara në pjesën e sipërme të fshatit është një rrugë shumë e rrëpirtë dhe e paasfaltuar. Në mungesë të investimeve të qeverisë për pak qindra metra rrugë, banorët vendës janë angazhuar për të betonuar pjesët më të vështira ndërsa shpresojnë për ndonjë sezon të mirë turistik për të mbledhur një grusht parash për të betonizuar pjesën e mbetur, sepse nga qeveria nuk presin gjë.
Arsyeja se pse ujësjellësi i dikurshëm për vaditje nuk përdoret sot për të furnizuar fshatrat me ujë të pijshëm lidhet me faktin që qeveria paraardhëse e ish-kryeministrit Sali Berisha, e dha ujësjellësin e dikurshëm me koncesion për një hidrocentral të vogël. Hidrocentrali e merr ujin që nga tuneli dhe e derdh drejtpërsëdrejti në det. Ndërkohë, qeveria është duke investuar nga paratë e taksapaguesve dhjetëramiliona euro për të marrë ujë tridhjetë apo dyzet kilometra larg për të furnizuar kërkesën e komplekseve të vilave të rrethuara me roje dhe me plazhe private, të ndërtuara gjatë viteve të fundit në Dhërmi, Drimadhë apo Palasë.
Tavo thotë se problemi i ujit do të zgjidhet së shpejti. “Në vitin 2025 mbarojnë investimet,” thotë ai.
Gjikuria, i cili ka emigruar në SHBA në vitin 1991 dhe është marrë atje me biznes pronash të patundshme, shprehet i çuditur se si mundet që në çezmë të mos ketë ujë, kur paratë për ujësjellës janë dhënë. “A mban njeri përgjegjësi kontraktuale në këtë vend?” pyet ai duke iu referuar çështjes së furnizimit me ujë në fshatrat Kuç e Tërbaç.
Pak fëmijë të mbetur
Në shumë nga fshatrat e bregut ku BIRN ndaloi për të pyetur banorët, fakti i parë që u kuptua është se, pavarësisht se bregdeti, ullishtat dhe kullotat premtojnë jetë të mirë dhe të ardhme me shpresë në pamje të parë, zona është e gjitha në braktisje masive, ku pjesa dërrmuese e popullsisë zgjedh të emigrojë në vend që të jetojë aty. Pamjet më të trishta të këtij largimi masiv, i cili maskohet disi nga sytë e vizitorëve kur vizitojnë zonën gjatë sezonit turistik, duket te shkollat.
“Këtu në Piqeras ka dy mësues dhe tre nxënës,” thotë një mësues në pension, ndërsa shkëmbejmë dy fjalë bisedë në qendër të fshatit. Shkolla e fshatit Qeparo, dikur një fshat i madh, tashmë është braktisur përgjysmë. Dritaret e katit të parë janë ende në vend, dukshëm të bëra me duralumin të lirë, ndërsa dritaret e katit të dytë mungojnë, siç duket sepse klasat janë parë të panevojshme.
Vetëm në Nivicë shkolla është e rregulluar më së miri. Këtu dallohet se dritaret nuk janë blerë me tender të qeverisë, sepse duralumini është i cilësisë së lartë. Por edhe këtu, si në të gjitha fshatrat e tjerë, fëmijët janë të paktë.
Në territorin e Bashkisë Himarë janë aktualisht 24 fshatra dhe qyteti Himarë. Në censin e vitit 2023, popullsia rezidente ishte gjithsej 8300 vetë dhe nga këta, fëmijë nën 14 vjeç ishin gjithsej 900. Në një vit të zakonshëm, në këtë bashki ka 2.5 herë më shumë vdekje se sa lindje, gjë që do të thotë se, nëse nuk do të ketë kthim të emigrantëve të larguar përgjatë viteve, popullsia në këtë zonë do të vijë drejt rrudhjes së mëtejshme.
Në shqip dhe greqisht
Zyrtarisht, shteti shqiptar nuk njeh ekzistencën e minoritetit grek në asnjë nga fshatrat e Bashkisë Himarë. Që nga themelimi, Shqipëria ka njohur 85 fshatra të minoritetit grek, kryesisht në zonën e fushës së Vurgut dhe në krahinën e Dropullit më në jug. Gjatë kohës së komunizmit, qeveria dhe historiografia nacionalkomuniste këmbënguli që të gjithë banorët e Himarës janë të vendosur në të nga zona të tjera shqipfolëse, ndërsa media proqeveritare e sotme, shpesh përpiqet të aludojë se arsyeja se pse një numër qytetarësh që deklarohen se i përkasin minoritetit grek lidhet me përfitime monetare dhe jo me përkatësi etnike.
Në zgjedhjet e mëparshme, nacionalizmi grek apo nacionalizmi shqiptar shkaktuan disa konflikte ndërsa bashkia u qeveris nga Vasil Bollano për dy mandate, një politikan që shpesh ndezi konflikte nacionaliste. Edhe kandidati i mëparshëm i Omonias, Fredi Beleri është dënuar dikur për nxitje të urrejtes nacionaliste.
Mohimi zyrtar i ekzistencës së grekëve në këtë bashki nuk e ka ndaluar gjithsesi kandidatin socialist Vangjel Tavo që t’i drejtohet në broshurat e fushatës banorëve njëkohësisht në shqip dhe në greqisht. Gjikuria, zyra elektorale e të cilit gjendet në zyrën e organizatës Omonia, thotë se në shtëpinë e tij të lindjes, në lagjen Gjilekë të Dhërmiut, e ëma i fliste në greqisht ndërsa gjuhën shqipe e mësoi në shkollë. Ai gjithsesi thekson se politika e konfliktit nacionalist në Himarë tashmë i përket të shkuarës dhe hedh poshtë me përbuzje aludimet e qeverisë se ai është nga ana e ultranacionalistëve grekë.
“Asnjë qelizë e trupit tim nuk është nacionaliste,” i tha Gjikuria BIRN.
“Kur një qeveri përdor nacionalizmin, kjo tregon që është me të vërtetë e kalbur,” shton ai.
Referendum apo zgjidhje
Në një nga broshurat e tij të shpërndara në Himarë, Vangjel Tavo thekson se në zgjedhjet e 4 gushtit, në këtë bashki nuk duhet të ketë referendum, “por zgjidhje”.
Tavo është një politikan shumë i zënë. Para se të jepte një intervistë të shkurtër për BIRN të premten, ai tha se e kishte axhendën shumë të ngjeshur. Qytetarë të ndryshëm po e prisnin për të pirë kafe, ndërsa më vonë i duhej të merrte pjesë në një funeral në Borsh, rreth gjysmë ore larg me makinë.
“Njerëzit votojnë për njeriun që i dëgjon, që i takon, që i shtrojnë problemet dhe i zgjidh problemet,” i tha ai BIRN. Ndërsa Tavo fliste, një skuadër elektorale e socialistëve ishte e zhytur në punë, duke picëruar sytë para ekranëve të kompjuterëve, duke bërë telefonata e duke mbajtur shënime.
Edhe kryeministri Rama, në një takim elektoral të xhiruar nga ai vetë, u dëgjua duke i thënë pjesëmarrësve se Tavo është personi që të përgjigjet në telefon, “mjafton t’i dërgjosh një SMS”.
Në fakt është vetë kryeministri Edi Rama që përballet me njëfarëlloj referendumi, më shumë se sa Tavo. Dhe nëse njerëzit të dielën do të votojnë kandidatin e opozitës, ka gjasa që do të jetë Rama humbësi më shumë se sa Tavo.
Një banor i fshatit Piqeras i tha këtij gazetari se ai ndjehej i bezdisur nga qeverisja e gjatë e socialistëve, të cilët nuk e kanë lëshuar pushtetin këtu që nga viti 2011. “Duhet të ndërrohet nganjëherë se qelbet,” tha ai, duke folur më shumë për Ramën se sa për Tavon. Por banorët e paktë dhe kryesisht të moshuar që kanë mbetur në këto fshatra janë vetëm njëra anë e çështjes. Shumë gjëra të dielën do të përcaktohen nga numri i votuesve që nuk banojnë zakonisht në Himarë, por që më datë 4 mund të jenë kthyer për pushime, mund të gjenden sepse kanë aktivitete ekonomike të turizmit apo mund të vijnë posaçërisht për të votuar.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në zonë janë të regjistruar rreth 23 mijë votues. Zakonisht vetëm një e treta e këtyre merr pjesë në zgjedhje, por pjesëmarrja mund të jetë më e lartë të dielën për shkak se kjo është hera e parë që zgjedhjet mbahen në verë. Socialistët fituan zgjedhjet e vitit 2011 me 35% të votave, pasi përballë kishin një mori kandidatësh ndërsa në zgjedhjet e vitit të kaluar, humbën jo pse morën më pak vota vetë, por për shkak se kishin përballë vetëm një kandidat, i cili arriti të mobilizojë votuesit veçanërisht në territorin e njësisë administrative Himarë.
Natyrisht që në këtë bashki, zënka të vogla lokale luajnë një rol. Kryebashkiakët e mëparshëm në qytezën e Himarës, e cila përfshin fshatrat Dhërmi, Qeparo, Vuno, Palasë e Iljaz, si dhe fshatrat malorë Pilur e Kudhës, kanë qenë nga vetë qyteza e Himarës. Ndërsa tani kandidati i djathtë është nga Dhërmiu dhe ai i majtë, nga Dropulli. Nëse banorët e qytezës Himarë, të cilët janë më të shumtë në krahasim me fshatrat e tjerë, do të ndjehen më mirë me një kandidat nga Dhërmiu apo me një nga Dropulli, kjo mbetet për t’u parë.
Konflikti kryesor që himariotët kanë jo aq shumë me Tavon, se sa e kanë me Ramën, lidhet me pronat. Dhe premtimet e të dyja palëve lidhen më së shumti me pronat. Gjikuria premton lejimin e rrethimit të pronave të marra me ligjin 7501 dhe premton gjithashtu se do të japë leje ndërtimi, siç ia lejon ligji i miratuar nga Rama, për deri në 250 metra katrorë. Tavo premton “përshpejtim të procesit të legalizimit”, i cili në fakt vijon që nga viti 2004, ndërsa premton gjithashtu që vendësit nuk do të kenë nevojë të japin ryshfet në këtë proces.
Nxjerrja e titujve të pronësisë dhe zhvillimi normal i një prone duket një punë e pamundur për vendësit, të cilët, në kushtet kur nuk sigurojnë dot jetesë normale, largohen për në emigrim. Pa tituj pronësie janë edhe shtëpitë e reja, edhe ato historiket. Vetë kryeministri Edi Rama deklaroi pak javë më parë se po shpërndante certifikata pronësie për shtëpitë prej guri të fshatit Dhërmi, shtëpi që janë ndërtuar njëqind apo dyqind vjet më parë. Ndërsa për tokat bujqësore, situata është më e komplikuar për shkak se ullishtet janë shpërndarë me ligjin 7501. Një prej banorëve i shpjegoi BIRN se qeveria duket se e ka bërë situatën edhe më lëmsh së fundmi me një hartë digjitale, e cila ka krijuar një pafundësi me mbivendosje, duke mos marrë parasysh se matjet e bëra me ligjin 7501 kanë qenë fshatçe me litar dhe jo me topograf apo me ndonjë shkencë të madhe.
Ndërsa qeveria duket se dëshiron të përdorë ligjin “Për Legalizimet”, i cili u bë fillimisht për të legalizuar ndërtimet pa leje të kohës sonë, për të prodhuar certifikatat e pronësisë të ndërtesave historike. Në një rast, një zyrtar socialist u mburr në televizion kombëtar duke deklaruar se një kishë e shekullit të nëntëmbëdhjetë në Himarë “ishte legalizuar”.
Situata për banorët e qytezës Himarë ka edhe më shumë telashe për shkak se këta banorë supozohej se nuk ishin pjesë e kooperativave dhe nuk mund të përfitonin tokë bujqësore.
Të gjitha këto duket se janë probleme të kapërcyeshme për biznesmenët që kanë para. Ata janë në gjendje të regjistrojnë, të legalizojnë, të shesin e të blejnë si t’ua dojë qejfi dhe procedurat administrative nuk i kanë aq hall.
Normalisht që toka në të gjithë bregdetin e jugut nuk është e mangët. Në fakt, nëse bëhet fjalë për ndërtim, toka është e pafundme. Ajo që mungon atje janë njerëzit për t’u shërbyer turistëve apo për t’u ndërruar çarçafët, njerëz që aktualisht janë në emigrim, në pamundësi për të zhvilluar një jetë normale në vend.
Natyrisht që konflikti nuk bëhet tamam për tokat, ai është për pronësinë e tokave në plazhe dhe në vijën më të afërt me plazhet. Dhe banorët e fshatrave historikë, të cilët gjenden zakonisht në lartësi dhe në distancë nga deti, shohin se si vilat dhe hotelet ndërtohen në bregun e detit ndërsa ata nuk kanë certifikatë pronësie për shtëpinë e ndërtuar nga gjyshi apo nuk marrin dot leje ndërtimi për asgjë.
“Aparteid turistik”
Në zyrën e vogël në të cilën Tavo dha intervistën për BIRN, elefanti në dhomë ishte padyshim marrëdhënia mes popullsisë vendëse dhe një grushti biznesmenësh, të cilëve, njëra palë i referohet si “oligarkë” ndërsa Tavo pëlqen që t’u referohet si “investitorë”.
“Me ata investitorë që kanë ardhur për të zhvilluar, do të jem marrëdhënie shumë korrekte, institucionale,” tha Tavo. “Me ata që vijnë këtu dhe pa ardhur akoma mendojnë se mund të zaptojnë, do t’i kthej nga vijnë,” shtoi ai.
Tashmë është një sekret që e dinë të gjithë që qeveria qendrore nuk ka kursyer paratë e taksapaguesve për të furnizuar me çfarë kanë nevojë “investitorët” apo “oligarkët”. Së fundmi, në Agjencinë e Prokurimit Publik u njoftua tender për projekte për impjante të përpunimit të ujërave të zeza për disa nga zonat ku investitorët apo oligarkët kanë interesa, ndërsa Himara nuk ka ende një impajt trajtimi të ujërave të zeza në funksion.
Në Dukat, tubat e ujit që pritet të furnizojnë vilat përtej qafës së Llogarasë janë vënë stivë. Për fshatrat e tjerë të zonës nuk duket sikur ka kaq shumë interes.
Në dy raste, banorë të zonës pranë fshatit Palasë kanë shkruar parrulla në mure: “Ky është aparteid turistik” shkruhet në këto parrulla, dukshëm në referencë të komplekseve të rrethuara të vilave të të pasurve, në të cilat, asnjë investim nuk kursehet për shërbime publike, nga uji te kanalizimet e ujërave të zeza apo te një helipad, si dhe, në anën tjetër, të shkollave të rrënuara e të braktisura, ujit me orar dhe ujërave të zeza që derdhen në një nga të paktat plazhe publike të të gjithë bregdetit.
Olga, një gjeorgjiane që jeton aktualisht në fshatin Pilur, shau politikën vendore dhe qendrore shqiptare pjesërisht në shqip, pjesërisht në greqisht e pjesërisht në gjuhë të tjera më ekzotike ndërsa ofroi një pjatë patate të vërteta me aromë dhe shije nga ato që nuk gjenden dot te seksioni i ushqimeve të ngrira që shërbehen zakonisht në supermarkete.
“Nuk ka ujë, nuk ka tituj pronësie, nuk ka njerëz,” tha ajo. “Këtu ka nevojë për dhoma që njerëzit të flenë, këta bëjnë vila. Vend i mrekullueshëm, det po, mal po, frutat po kalben në pemë. Po kush do të punojë. Plaku apo plaka?” tha teta Ollga ndërsa qëronte patate në dyqanin e saj modest, ndërsa shtoi ”Pleqtë vdesin”!/BIRN