Gjykata e Posaçme i ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg” ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” rezulton se ka ofruar dhe ka premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarët e drejtësisë në favor të personave të inkriminuar.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Bani, teksa i pranishëm në seancë ka qenë dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani. Burime bëjnë me dije segjatë seancës së sotme Aurel Zarka ka mbajtur qendrim mohues mbi akuzat ndaj tij.
Prokurori Aurel Zarka akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë; “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Gjithashtu, në seancën e sotme, GJKKO me kërkesë të SPAK ka vendosur dhe të ndalojë publikimin e dosjes së Zarkës nga mediat deri në përfundimin e hetimeve paraprake.
“Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i pjesës përshkruese dhe arsyetuese i këtij vendimi, kërkesës së Prokurorisë së Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin e masave të sigurimit personal, si dhe i akteve që lidhen me këtë ҫështje nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.” – thuhet në njoftim.
Bashkë me Aurel Zarkën u lëshuan urdhër-arreste edhe për ish-oficeren e Krimeve të Rënda, Eriona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe shtetasin me inicialet A.V., të cilët vijojnë ende në kërkim nga drejtësia.
Sipas SPAK, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Në njoftimin e organit të akuzës thuhet se shtetasit e mësipërm nuk kanë ndërhyrë vetëm në dosjen “Toyota Yaris” për të lehtësuar pozitat ligjore ndaj kushërinjëve Elvis dhe Alfred Vladi, por edhe për një sërë dosjesh të tjera, mes të cilave edhe një për pasurinë e Suel Çelës.
Konkretisht, sipas SPAK, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme:
- Procedimin penal nr.130, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal;
- Procedimin penal nr.71, të vitit 2020, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;
- Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme;
- Procedimin pasuror nr.1, datë 20.12.2019, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri;
- Procedimi pasuror nr.24, datë 19.02.2020, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj;
- Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xh. M., e akuzuar për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 134/1 dhe 22 të Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;
- Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669, datë 26.03.2020, të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë;
- Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.
Burime për mediat bëjnë me dije se Aurel Zarka ka qenë përdoruesi i 4 adresave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, një aplikacion që është përdorur nga elementët e krimit të organizuar.
Pas dosjeve të ardhura nga Belgjika, SPAK ka zbërthyer bisedat në “Sky Ecc”, ku ka rezultuar se prokurori Aurel Zarka ka ndërhyrë në dosjen e ashtuquajtur “Toyota Yaris”, nëpërmjet oficeres në atë kohë të Krimeve të Rënda, Eriona Daupaj për të lehtësuar pozitat ligjore ndaj kushërinjëve Elvis dhe Alfred Vladi, si dhe shtetasit Alban Mollaymeri.
Bëhet fjalë për dosjen ku në Qershor të vitit 2018 në Portin e Durrësit u zbuluan 3.4 miliona euro të fshehura në dy automjete “Toyota Yaris”, të cilat ishin importuar nga Belgjika.
Pas akuzave politike, hetimi për këtë çështje nisi me bujë në atë kohë nga Krimet e Rënda dhe pesë të pandehurit u akuzuan fillimisht për “Grup të strukturuar kriminal”. Më pas, kjo dosje përfundoi duke liruar të gjithë të arrestuarit dhe u dënua në mungesë me 1.6 vite burgim vetëm Ervis Vladi duke u shpallur fajtor vetëm për akuzën “Mosdeklarim të të hollave në kufi”. I cilësuar si “koka” e trafikut të parave, ai nuk u arrestua asnjëherë.
Vlen të theksohet fakti se çështja mori rëndësi publike në Shqipëri, pasi ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e denoncoi në atë kohë mbërritjen e parave disa ditë para se ato të sekuestroheshin në Durrës. Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”.
Radovan Çela ka shërbyer si përfaqësues ligjor i kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi.
Aurel Zarka më 9 maj të 2022 u emërua në krye të organit të akuzës në rrethin gjyqësor të Vlorës. Ndërkohë, rreth një muaj më parë, më 28 Qershor, Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi kaloi shkallën e parë të vettiungut. Ai dha shpjegime të përmbledhura për dy gjetje në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Zarka u vlerësua pozitivisht.
Ndërkohë, Eriona Daupaj ka qenë oficere e Policisë Gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Më pas ajo kaloi oficere e Policisë Gjyqësorë në Prokurorinë e Tiranës, ku fitoi edhe konkursin për në Shkollën e Magjistraturë, ku është aktualisht studente.