Nga peshku ton, që pas zënies në Mesdhe trajtohet në fermat e detit Jon, e deri te mishi, frutat, produktet e freskëta të bulmetit, sivjet është rritur sasia e transportit me avion drejt tregjeve të huaja. Nga zhvillimi i sektorit të shërbimit të transportit cargo në Shqipëri, eksportuesit po arrijnë shumë shpejt në tregjet e SHBA-së, Arabisë Saudite apo Hong-Kongut, ku po i shesin produktet me çmime tepër të kënaqshme.
Dorina Azo
Prej fillimit të muajit qershor, Shqipëria ka nisur eksportin e peshkut ton drejt tregjeve amerikane nëpërmjet transportit cargo ajror.
Po ashtu, me avion po transportohen drejt tregjeve më të largëta të botës, një gamë produktesh të freskëta, përfshirë qershitë, luleshtrydhet, kërpudhat, si dhe produktet e bulmetit dhe mishit.
Drejtues të kompanive kryesore të sektorit të transportit cargo ajror pohojnë se sivjet është rritur volumi i eksporteve të mallrave të freskëta, veçanërisht të peshkut.
Kjo është ndikuar nga zhvillimi i sektorit të transportit cargo në Shqipëri që jo vetëm u mundëson eksportuesve shqiptarë të çojnë shumë shpejt mallrat e freskëta në tregjet më të largëta, por të gjejnë edhe markatat që ofrojnë çmime tepër të kënaqshme.
Geri Piranjani, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Air Cargo Service”, përfaqësuese zyrtare prej 2014-s e kompanisë “Lufthansa Cargo”, tha për “Monitor” se vitet e fundit është shtuar kërkesa e prodhuesve shqiptarë të produkteve të freskëta, për këtë lloj transporti, veçanërisht nga sektori i akuakulturës, që kryesohet nga peshku ton, të frutave, perimeve, bulmetit, mishit dhe nënprodukteve të tij.
Destinacioni i dërgimit të mallrave të freskëta, sipas z. Piranjani, janë tregjet e Europës, Arabisë Saudite, SHBA-së, Kanadasë apo Hong-Kong.
“ACS, nga fillimi i aktivitetit me ‘Lufthansa Cargo’ në 2014, ka pasur si fokus afrimin e klientëve që kanë produkte të freskëta për eksport në tregun e Europës dhe përtej oqeanit.
Duke u mbështetur në logjistikën e zhvilluar enkas në Frankfurt, Mynih dhe Vjenë nga grupi i ‘Lufthansa Cargo’ për produktet e freskëta me dhe pa temperaturë gjatë transportit, ka qenë mjaft e lehtë edhe për ne që t’ua ofrojmë këtë shërbim tregut dhe prodhuesve vendas”, nënvizon ai.
Z. Piranjani vlerëson se përdorimi i këtij transporti, jo vetëm po u mundëson kompanive vendase të eksportojnë sa më shpejt prodhimet e tyre jashtë, por edhe avantazhin për kthim të shpejtë të investimit.
“Transporti me cargo ajror i sjell avantazh klientit në krahasim me llojet e tjera të transportit, si me det ose tokë në këtë rast, duke qenë se koha maksimale nga destinacioni i nisjes drejt mbërritjes nuk është më tepër se 24 deri në 36 orë”.
Në transportin cargo të mallrave të freskëta, kryeson peshku ton
Peshku ton që po dërgohet drejt SHBA-së kryeson volumin e eksporteve me ajër për produktet e freskëta, sipas kompanive të transportit.
Geri Piranjani i kompanisë “Air Cargo Service, GSSA i Lufthansa Cargo” pohon se prej muajit qershor 2024 kanë nisur eksportin e peshkut ton të kompanisë “Rozafa sh.p.k.” nga Rinasi drejt Nju Jorkut dhe Los Anxhelos me frekuencë ditore nëpërmjet dy linjave ajrore “Austrian Airlines” dhe “Lufthansa”, me një transit prej 24 orësh në total.
“Ky është një zhvillim mjaft pozitiv për tregun shqiptar, duke krijuar mundësinë që edhe kompani të tjera të vijojnë ta shohin si një opsion mjaft të mirë këtë mundësi për të arritur klientët e tyre kudo në botë”.
Eksporti i peshkut ton ka një vlerë të lartë krahasuar me produktet e tjera që eksportohen me avion. Në tregun e huaj është rritur kërkesa për këtë produkt, veçanërisht nga ekonomitë e zhvilluara që e përdorin më së shumti në industrinë e sushit.
Edhe eksporti i tij është tejet delikat, që kërkon zbatimin e një procedure të caktuar, që nga përpunimi i peshkut në vaska me ujë deri në 12 orë dhe mbulimi me akull.
Prej rreth 4 vitesh, peshku ton i zënë në ujërat e Detit Mesdhe trajtohet në kosha në fermën e ngritur në Sarandë nga kompania e importit-eksportit të produkteve të detit “Rozafa sh.p.k.”. Pasi trajtohet për 3 deri në 4 muaj në fermë për rritjen e nivelit të yndyrës, peshku eksportohet jashtë.
Gjergj Luca, drejtues i kompanisë “Rozafa sh.p.k.”, ndër më të mëdhatë e importit dhe eksportit të produkteve të detit, tha për “Monitor” se në fillim, destinacioni kryesor i eksportit të peshkut ton ishte tregu japonez, por jo nëpërmjet kontratave të drejtpërdrejta. Eksporti drejt Japonisë, sipas tij, mundësohej pas dërgimit në fermat e ngritura në Detin Mesdhe.
Këta më pas ua shisnin sipërmarrësve japonezë, pasi e copëtonin dhe e ngrinin.
Tregu i dytë i shitjes së peshkut ton, i cili po fuqizohet së tepërmi është markata e produkteve të freskëta, që përfshin vendet e zhvilluara të Europës, si: Londër, Barcelonë, Madrid, Milano, tregun e SHBA-së, Kanadasë, Arabisë Saudite dhe Kinës. Z. Luca thotë se në këtë markatë, kërkesa është më dinamike dhe nuk ka luhatje të fortë të çmimit të shitjes, nëse peshku shkon i freskët dhe jo i ngrirë.
“E ardhmja e eksporteve të produkteve të freskëta të detit do të jetë peshku ton. Për këtë arsye kemi filluar eksportin e peshkut drejt tregjeve amerikane nëpërmjet transportit me avion. Çmimi i shitjes së produkteve të detit në tregun e freskët ka diferencë të madhe nëse ato tregtohen të ngrira.
Ne kemi zgjedhur të bëjmë transportin me avion drejt SHBA-së, pasi përfitimi është më i lartë kur peshku tregtohet i freskët, sesa kur e marrin të ngrirë sipërmarrës nga Japonia, pasi e kemi çuar në fermat e detit Mesdhe, pavarësisht se kostot janë më të larta se me tjetër transport.
Për ta transportuar peshkun ton me avion ndiqet në mënyrë rigoroze një protokoll i caktuar, me qëllim mbajtjen e freskët të këtij produkti delikat. Ambalazhimi ka kosto të lartë, pasi për çdo 1 kg peshk që transportohet duhet të hidhet 1 kg akull dhe tarifat e transportit ajror janë me peshë.
Po ashtu, para se të transportohet, peshku përpunohet, duke qëndruar 10 orë në ujë me akull. Më tej, para se të vendoset në arkë, izolohet me letër alumini dhe qese, pasi akulli që mbulon peshkun, nuk duhet ta prekë direkt në lëkurë, pasi do të dëmtohej”.
Z, Luca shton se alternativa për përdorimin e transportit ajror të cargo-s është e duhura, pasi ndjeshmëria e produktit me çmimin e shitjes përputhen në mënyrë të përkryer me ekonominë e transportit ajror. Po ashtu, dërgimi i peshkut me transportin cargo ajror i krijon avantazh eksportuesit që të jetë i pranishëm edhe në tregje të tjera të largëta.
“Testimet e transportit në rrugë të reja po na mundësojnë për të mos mbetur peng vetëm i një tregu, me qëllim rritjen e fitimeve dhe investimeve në teknologji bashkëkohore. Përveç tregut amerikan po synojmë edhe tregun në Kanada dhe Kinë.
Kërkesa në këto shtete për peshk të freskët ton dhe produkte të tjera të detit është e lartë”, theksoi ndër të tjera z. Luca.
Sot kuota e zënies së peshkut ton është 272 tonë/vit. Ndërsa kuota e lejuar e shitjes, pas trajtimit në zënie për të arritur nivelin e kërkuar të yndyrës, është 400 deri në 500 tonë/vit.
Sokol Bunjaku, drejtuesi i kompanisë “Albanian Cargo Logistic”, tha se dërgimi i peshkut ton nëpërmjet transportit ajror me cargo po ndihmon në rritjen e volumit të eksportit të mallrave të freskëta.
Z. Bunjaku, njohës i sektorit të transportit ajror të mallrave, thotë se në vend volumi më i lartë në këtë lloj transporti është i përqendruar tek importi i mallrave, sesa eksportit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tërësi sasia e mallrave të dala me avion për vitin 2023 ishte 391 tonë. Krahasuar me vitin paraardhës, volumi ka rënë me 11%. Ndërsa volumi i mallrave të hyra për 2023 ishte në sasinë e 1,308 tonë. Me vitin paraardhës, importet u ulën 3%.
Nga frutat, perimet e deri te bulmeti, produktet e tjera të freskëta që po eksportohen me avion
Me avion po eksportohen jashtë edhe shumë produkte të tjera të freskëta.
“Gjatë këtyre viteve, eksportet e produkteve të freskëta me temperaturë në transport kanë përfshirë një varietet të gjerë siç janë qershitë, luleshtrydhet, kërpudhat e freskëta, si dhe fruta e perime nga më të ndryshmet. Gjithashtu në më pak raste është kryer edhe transporti i mishit dhe i djathit të freskët”, pohon z. Piranjani.
Destinacionet kryesore për këto produkte kanë qenë në disa shtete të Europës: si Gjermani, Austri, Francë, Belgjikë, etj. Por kërkesa kryesore ka qenë kryesisht në SHBA, Kanada, Hong-Kong, Arabi Saudite.
Ndër produktet e tjera që eksportohen drejt Zyrihut me avion janë edhe erëzat e freskëta, përfshirë majdanozin apo koperin, nënproduktet e mishit, djathi, si dhe kërpudhat e freskëta, sipas drejtuesit të kompanisë “Albanian Cargo Logistic”, z. Sokol Bunjaku.
Potencialet e zgjerimit të eksportit të mallrave me avion
“Lufthansa Cargo, ACS” operon edhe në tregun e Kosovës nga viti 2016 në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.
“Në tregun e Kosovës ka pasur ecuri mjaft të mirë të eksporteve të produkteve të freskëta, ku kryesisht mbizotëron eksporti i kërpudhave të freskëta për SHBA dhe Kanada”, tha z. Piranjani.
Nga muaji mars i këtij viti, po ashtu kompania ofron shërbimin cargo ajror edhe në tregun e Maqedonisë së Veriut, në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.
“Në vijim presim që edhe në sajë të investimeve të ndryshme që po kryhen në Aeroportin e Rinasit, të ketë rritje të kapaciteteve aktuale në mënyrë që të kemi mundësi për t’u rritur volumet përkatëse, si në produkte të freskëta dhe në produkte të tjera që kryhen me cargo ajror”, tha z. Piranjani.
Rritja e investimeve me qëllim përmirësimin e kushteve në terminal për transportin ajror të mallrave rekomandohet edhe nga përfaqësuesit e industrisë përpunuese të peshkut.
“Është tepër e rëndësishme të investohet për kushtet e transportit cargo ajror, pasi po i jep një impuls zhvillimi eksportit të produkteve të freskëta të peshkut. Kërkesa për eksport të peshkut të specieve të ndryshme është e lartë në tregjet e huaja.
Kërkesa e lartë mundëson të përballojmë tarifat e transportit cargo, edhe pse janë më të shtrenjta se lloji tjetër i transportit. Por investimet për transportin cargo janë urgjente”, nënvizon Gjergj Luca.
Nga kompanitë e transportit cargo ajror u tha se në vend ka interes për eksportin e mishit dhe nënprodukteve të tij drejt BE-së, por që është i pamundur për shkak të legjislacionit. Aktualisht mishi i freskët dhe nënproduktet e tij eksportohen jashtë me avion vetëm në shtetet jo anëtare të BE-së.
Luan Leka, drejtuesi i një prej kompanive më të mëdha të përpunimit të mishit EHW shpjegon se pengesa kryesore që ka çuar në mbylljen e portave të BE-së për eksportin e kësaj kategorie produktesh është mosunifikimi i legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE-së.
Ai rendit një sërë efektesh negative të krijuara në 18 vite nga mungesa e unifikimit të legjislacionit, që nga dëmtimi i investimeve të kompanive përpunuese të mishit për rritje kapacitetesh, humbja e konkurrueshmërisë në rajon dhe frenimi i rritjes së blegtorisë.
“Ky proces ka filluar në vitin 2006 me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, me synim ‘përafrimin’ e legjislacionit, ndërkohë që sot, pas 18 vitesh duhej të ishte kaluar në ‘unifikim’ të legjislacionit, gjë që nuk është realizuar.
Vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia e kanë realizuar këtë proces. Edhe Kosova ka fituar të drejtën e eksportit të disa produkteve.
Ndërsa ne, kjo prapambetje na ka penguar eksportin e mishit të prodhuar në vend dhe sidomos eksportin e produkteve të përpunuara si sallamet dhe proshutat.
Për pasojë, zhvillimi i blegtorisë dhe prodhimi i mishit, në vend kanë pasur tendencë negative dhe industritë prodhuese ndodhen në një periudhë stanjacioni.
Ndërkohë kompani të rëndësishme vendase kanë investuar në teknologji moderne dhe janë certifikuar nga certifikues prestigjiozë europianë për plotësimin e standardeve të BE-së.
Kompania EHW ka qenë e para ndërmarrje e industrisë ushqimore që ka mbyllur këtë proces, disa të tjera e kanë ndjekur më pas. Por për fat të keq i gjejnë portat e tregut europian të mbyllura.
Për më tepër, jemi në disavantash konkurrues edhe me fqinjët e rajonit, vende të CEFTA-s. Të gjithë këto vende blejnë lëndën e parë kryesore, mishin, me taksë doganore zero nga vendet e BE-së, ndërsa te ne shtohet taksa doganore 10%. Kjo çon në mbikosto, të cilat na penalizojnë edhe eksportin në këto vende”, pohon ai.
Përveç produkteve të freskëta, me transportin cargo të ajrit nga Shqipëria eksportohen edhe mallra të tjera përfshirë ato të veshjeve dhe këpucëve të industrisë fason, si dhe bimët mjekësore dhe erëzat e paketuara.
Filip Gjoka, drejtuesi i kompanisë eksportuese të bimëve mjekësore “Filip and Co”, tha se çdo vit eksporton jashtë sasi të konsiderueshme të çajeve apo erëzave, duke përdorur transportin cargo ajror. Sivjet kompania ka eksportuar bimë mjekësore të paketuara nëpërmjet avionit në shtetet e largëta, si: Australi, SHBA dhe Singapor.
Ai tha se sasitë e transportuara arrijnë deri në 350 kg dhe transporti me avion është përdorur, për kontrata të posaçme kur klientët kanë kërkuar mbërritjen sa më të shpejtë të sasisë së kërkuar./ MONITOR