Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike kanë vendosur në mbledhjen e sotme datën dhe orën e protestës kombëtare. Mësohet se është vendosur që opozita ta mbajë protestën kombëtare në datën 11 Korrik, në orën 20:00 para godinës së Kryeministrisë.
Gjithashtu, Kryesia ka vendosur edhe që ditën e premte, datë 28 Qershor Partia Demokratike të mbledhë Këshillin Kombëtar , ku në fokus të diskutimeve do të jetë dhe protesta e 11 Korrikut.
Kjo protestë vjen pasi Gjykata e Apelit vendosi t’i rikthejë vulën e Partisë Demokratike grupit të Sali Berishës, teksa mbetet të shihen edhe deputetët kritikë që pritet të rikthehen në parti.
Prej disa javësh Partia Demokratike po proteston para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet largimi i Erion Veliajt, ndërsa prej 6 muajsh protestohet çdo pasdite në atë që njihet si “Rruga e Shpresës” dhe ku protestuesve iu drejton mesazhe nga ballkoni i banesës ku ndodhet në “arrest shtëpie”, Sali Berisha.
Mbledhja e sotme e kryesisë së PD-së nisi me fjalimin online të liderit demokrat Sali Berisha, ku gjatë fjalës së mbajtur theksin e ka vënë tek
bashkimi i demokratëve, ku pas marrjes së vulës nga gjykata u ka hapur derën edhe “kritikëve” të cilët ndër vite kanë kontribuar për PD-në.
Berisha deklaroi se ky nuk do të jetë një bashkim në festë, por një bashkim në një betejë jetike për fatet e Shqipërisë. Lideri i opozitës u bëri thirrje edhe anëtarëve të Kryesisë që të mirëpresin demokratët, teksa sipas tij, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të shohë asnjë prejt “kritikëve” që do të rikthehen në PD me sy vëngër apo me hatërmbetje apo me skepticizëm.
Sali Berisha: Mirëdita dhe përshëndetje, përshëndes anëtaret dhe anëtarët e PD, drejtuesit e saj. E konsideroj këtë mbledhje shumë të rëndësishme, në një moment të veçantë të PD, në një moment kur një kalvar i vërtetë, i imponuar në mënyrë antikushtetuese, antiligjore nga Edi Rama dhe regjimi i tij merr fund. Kryesia mblidhet sot me moton më kryesore të bashkimit të të gjithë demokratëve rreth flamurit të partisë së tyre. Domethënë rreth idealeve, rreth kontributeve dhe mendoj se mesazhi më kryesor që përcjell kjo mbledhje sot është, mirëpritja e të gjithë aty të cilët ndër vite dhanë kontributet të pamohueshme në këtë parti dhe që për një arsye apo një tjetër, për një arsyetim, apo një tjetër, kanë hezituar të bashkohen me shumicën duke përdorur, ose duke patur si shkak çështjen e logos, flamurit të cilat si një padrejtësi e madhe, morën fund këto ditë. Ndaj dhe unë siç e kam bërë në mënyrë të përsëritur, e bëj përsëri thirrjen për të gjithë demokratët që besojnë në idealet që kanë mbrojtur në kontributin që kanë dhënë, të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Theksoj këtu ky nuk është një bashkim në festë, por një bashkim në betejë. Në betejë të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Duke theksuar këtë unë ju drejtohem ju, anëtarëve dhe anëtareve të kryesisë së PD, është në detyrën tuaj më të parë sikundër të të gjithë strukturave të partisë sonë, të bëjmë gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre, të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë, dhe duan të bashkohen me ne.
Asnjëri nga ne, nuk ka të drejtë të shohë asnjë prejt tyre në sy vëngër apo me hatërmbetje apo me skepticizëm. Nëse kemi parasysh faktin se ky është bashkim në betejë, secili para se ti lejojë vetes skepticizmin apo shpërfilljen, duhet të mos harrojë se i bën një shërbim armikut tonë të përbashkët, armikut të egër të shqiptarëve, Edi Ramës. PD ka nevojë të bashkohet jo vetëm me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet sot më shumë se kurrë me të gjithë spektrin opozitar. Sot në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria dhe shoqëria shqiptare, një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar është i një rëndësie vendimtare.
Berisha theksoi se detyra e demokratëve është shpëtimi i Shqipërisë nga regjimi i Edi Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike. Sipas tij, Edi Rama ka humbur legjitimitetin dhe qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës.
Sali Berisha: Edi Rama është në pushtet, dhunon çdo ligj dhe kushtetutë të këtij vendi, edhe për faktin e vetëm se ne e lejojmë atë. Ne sigurisht nuk jemi një institucion ligjzbatues, por ne jemi mbrojtës të pamposhtur të kushtetutës dhe rendit të saj në Shqipëri si opozitë. Edi Rama është sot armiku më i egër i pakrahasueshëm në historinë e këtij vendi, me përzënien nga Shqipëria, duke përdorur termin e tij, si mish të freskët të 35% të shqiptarëve në 8 vite. Nuk ka mënxyrë që të ketë njohur kombi shqiptar në tërë ekzistencën e tij më të madhe se sa kjo. Nuk ka motiv më të fuqishëm për çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë të luftojë me forcën më të madhe këtë regjim ç’njerëzor për shqiptarët. Por ky është aspekti më tragjik kombëtar. Aspekti i tillë është edhe narkoshteti dhe përpjekja e tij demoniake për një Shqipëri pa opozitë.
Sot tre drejtuesit e partive kryesore opozitare të vendit janë në arrest shtëpie, ndjekje penale, ose në hetim, në mënyrë absolute në kundërshtim me ligjin, kushtetutën, pa asnjë provë, fakt e dokument. Ky qëndrim vjen pasi ai dhunoi masivisht zgjedhjet e 14 majit. Ky qëndrim vjen pasi çdo ditë nuk ka të ndalur zinxhi i skandaleve të kësaj qeverie. Atëherë a nuk është e domosdoshme që secili prej nesh të shtrojë pyetjen, ku jemi ne, cila është detyra jonë. Detyra jonë është një dhe vetem një, shpëtimi i Shqipërisë nga ky regjim dhe krijimi i qeverisë teknike. Rëndom shtrohet pyetja se si mund të krijohet qeveria teknike. Së pari u them shqiptarëve se qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme, sepse Edi Rama nuk ka më legjitimitet. Edi Rama dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i aftë të shkelë çdo ligj, normë kushtetutë. Një qeveri që zbaton ligjet, kushtetutën, ajo qeveris gjer në zgjedhjet e radhës. Një qeveri që nuk ka ligj, normë e moral, ajo qëndron në pushtet vetëm për shkak të dobësisë së opozitës. Ajo nuk meriton as 24 orë të qëndrojë në pushtet në vend dhe ne duhet të ua bëjmë të qartë të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve tanë, se në rast se sot qeveris Edi Rama ai qeveris për shkak të dobësive tona dhe këto dobësi duhet të marrin fund sa më shpejt. Opozita është në provën e saj më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Do të arrijë ajo të imponojë një qeveri teknike apo të shkojë dhe të firmosë fitoren e radhës së Ramës dhe të ndëshkojë shqiptarët, alternativë tjetër nuk ka. Unë them se ne duhet të zgjedhim të parën.
Nuk ka asnjë motiv, arsye që Edi Rama të vazhdojë të qeverisë më tej, përveç dobësisë së opozitës, mungesës së aksionit të opozitës. Opozita duhet të angazhohet dhe do të angazhohet në një mobilizim të paparë. Unë garantoj shqiptarët se shumë më shpejt se ata mund ta mendojnë, qeveria teknike krijohet në Shqipëri. Natyrisht asgjë nuk arrihet pa sakrifica, por asgjë nuk meriton më shumë sakrificën se sa shpëtimi i Shqipërisë nga një regjim që po bën shfarosjen e ëmbël të shqiptarëve duke i përzënë ata në dhera të tjera, sa asnjë pushtim tjetër në historinë e këtij vendi. Që po shtyp, burgos opozitën dhe zhduk çdo hapësirë demokratike për të. Edhe njëherë them, meqenëse jemi në këtë kampionat futbolli; topi është në anën e opozitës. Edi Rama ka humbur çdo gjë, ka humbur ligj, moral dhe ka vetëm narkobandat e tij me pushtet dhe jashtëpushteti që qëndron në zyrë. A është bërë prova? Jo nuk është bërë prova. U bashkuam, tani duhet të përgatitemi për provën dhe fitoren. Nuk bëjmë provë për të dështuar, ne bëjmë provë për të fituar dhe ne do të fitojmë. Ju përshëndes dhe përgëzoj për punën që bëni, si dhe shpresoj që Këshilli Kombëtar që thirret nga kjo mbledhje dhe mblidhet për të miratuar rezolutën që diskutoni sot, tu japë përgjigjen më të merituar, problemeve me të cilat përballet shoqëria shqiptare, përballet Shqipëria.