Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, përmes një konference për mediat, ka dhënë detajet nga operacioni i SPAK ku u godit një grup kriminal i falsifikimit të dokumenteve për kalimin e emigrantëve drejt Britanisë së Madhe dhe Irlandës.
Ky operac, i koduar “NOMADA” është ekzekutuar pas një hetimi 2-vjeçar në bashkëpunim me autoritet spanjolle. Gjithsej, SPAK ka lëshuar 31 masa sigurie “arrest në burg” dhe 6 masa sigurie “arrest në shtëpi”. Në pranga janë vënë vetëm 26 persona, teksa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim, ku 4 prej tyre rezulton se ndodhen jashtë territorit shqiptar.
Rrumbullaku shpjegoi dhe skemën si funksiononte grupi, ky qytetarët fillimisht shkonin drejt Spanjës me dokumentet origjinale shqiptare dhe më pas dokumentet e falsifikuara iu dërgoheshin me postë, ku më pas iknin me avion nga aeroportet spanjolle drejt Britanisë dhe Irlandës.
Policia ka sekuestruar 7 automjete; 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; 1 armë gjahu; 10 laptop; 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare; 1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh.
Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku:
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare Spanjolle, pas një hetimi intensiv 2-vjeçar në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore, realizoi operacionin “NOMADA” për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandimit të shtetasve.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK dhe GJKKO, caktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 31 shtetas për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.
Nga 31 shtetas me masë sigurimi personal “arrest në burg” është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për 26 shtetas dhe për 4 shtetasit e tjerë u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton se ndodhen jashtë shtetit, ndërsa 1 shtetas ndodhet brenda territorit shqiptar për te cilat strukturat operacionale janë angazhuar për kapjen e tij. Në mes të personave të arrestuar është edhe një punonjës policie i nivelit zbatues. Gjithashtu, për 6 shtetas, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”. Në vazhdimësi të këtij procedimi penal janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, ndërsa në Spanjë janë arrestuar 35 persona.
Veprimet operacionale u koordinuan me profesionalizëm edhe me homologët tanë në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak.
Gjatë operacionit u sekuestruan: 7 automjete; 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; 1 armë gjahu; 10 laptop; 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare; 1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh.
Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se, subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke.
Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante. Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”.
Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale.
Vlen të theksohet se, operacioni “NOMADA” u përfundua falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, EUROPOL-in dhe Zyrën e Sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Policia e Shtetit falënderon partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin e shpejtë dhe profesional në realizimin e operacionit “NOMADA”.
E kam thënë edhe më parë dhe dëshiroj ta përsëris sërish se, krimi në përgjithësi dhe veçanërisht krimi i organizuar, nuk ka kombësi dhe në botën globale ai po bëhet gjithnjë e më shumë ndërshtetëror.
Ndaj shpreh bindjen se ndërveprimi mes agjencive të zbatimit të ligjit është element thelbësor në përpjekjen tonë të përbashkët për të goditur krimin e
organizuar, kudo ku ai shfaqet.
Konkretisht, bashkëpunimi ynë me Policinë Kombëtare të Spanjës është ngritur cilësisht dhe është konsoliduar tashmë, duke dhënë rezultate domethënëse në luftimin e fenomeneve kriminale që shqetësojnë të dy vendet.
Dëshiroj të falënderoj, drejtuesit e Policise se Shtetit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të angazhuar në këtë operacion, për punën hetimore dhe veprimet organizative e operacionale, që garantuan suksesin e operacionit.
Gjithashtu, janë zbardhur edhe disa prej emrave për të cilët është lëshuar urdhër-arrest:
1-Arnold Shehu
2-Amarildo Luca
3-Ylli Çaushaj
4-Bashkim Sula
5-Besnik Lumaj
6-R. Marashi
7-Redi Salaj
8-Sokol Maloku
9-Fatmir Stankova
10-Gridi Elezi
11-Bajram Xhaja
12-Sibora Rexha
13-Bardhyl Imeri
Në kërkim
P. Canaj
Gjetur ne banesa:
Xhelil Alla
Ylli Ibrahimaj
Leonard Lama