Përveç Sotës, që duket më pranë largimit sesa qëndrimit, Partizani pritet të ndahet edhe me Bozo Mikuliç.
Mbrojtësi kroat 1.97 metra i gjatë erdhi në muajin janar si një element që mund të rriste lidershipin dhe nivelin në mbrojtje, por rezultoi të ishte thjesht dështimi i radhës në mbrojtjen e kuqe.
Trajneri Orges Shehi nuk e ka preferuar thuajse fare gjatë këtyre muajve dhe largimi është zgjidhja e vetme.
Klubi dhe mbrojtësi aktualisht janë në negociata për ndarjen me konsensus, pasi lojtari ka kontratë edhe për një sezon me të kuqtë dhe s’kërkon të heqë dorë lehtë sa i përket financave.
Pritet të gjendet një rrugë e mesme dhe gjithçka të përfundojë brenda kësaj jave, pra para 10 qershorit, kur skuadra do të kthehet në stërvitje.