Irani po hyn në një periudhë pasigurie politike pas vdekjes së presidentit të vendit, Ebrahim Raisi dhe ministrit të jashtëm, Hossein Amirabdollahian, pasi helikopteri me të cilin udhëtonin nga kufiri me Azerbajxhanin u rrëzua pasditen e së dielës nën kushte shumë të këqija atmosferike.
Kushtetuta iraniane përcakton se presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet brenda 50 ditëve, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei miratoi emërimin e zv/Presidentit të parë Mohammad Mokhber si president i përkohshëm dhe shpalli pesë ditë zie kombëtare.
“Bazuar në nenin 131 të Kushtetutës, Mohbar merr përsipër të udhëheqë degën ekzekutive dhe duhet, në konsultim me krerët e degës legjislative dhe gjyqësore, të organizojë zgjedhjet për presidentin e ri maksimumi brenda 50 ditëve“, vuri në dukje Ayatollah Ali Khamenei.
Pas këtyre hapave të emergjencës nis një garë e vështirë për të pasuar Raisin, ku disa emra potencialë nga radhët e vijës së ashpër të regjimit do të “përplasin brirët” për presidencën e vendit.
Mohbar, ashtu si Raisi, konsiderohet një bashkëpunëtor i ngushtë i Khameneit, i cili ka fjalën e fundit për çështjet shtetërore të Iranit, por nuk duket se është ai favoriti i një gare për Presidencën.
Për zgjedhjet që priten në fillim të korrikut, tashmë kanë nisur të përgatiten personalitetet më të forta të skenës politike iraniane. Posti i presidentit të vendit – i cili ka kompetenca ekzekutive nën miratimin e liderit suprem fetar të Iranit – është ndoshta më i lakmuari, pasi i jep mbajtësit të tij një drejtim të qartë për të pasuar liderin suprem 85-vjeçar, Ajatollah Ali Khamenei.
Por, cilët janë pretendentët kryesorë për postin?
Mojtaba Khamenei (Djali i Udhëheqësit Suprem)
Një pyetje e madhe për zgjedhjet e ardhshme në Iran është nëse 66-vjeçari Mojtaba Khamenei do të kandidojë për postin e presidentit. Djali i udhëheqësit suprem nuk e ka fshehur dëshirën për të pasuar të atin si lider dhe besohet se për ta bërë këtë do t’i duhet të ngjitet në postin e presidentit.
Mojtaba, një klerik shiit, nuk është i huaj për vendin dhe tashmë ka ndikim të konsiderueshëm si kreu i krahut paraushtarak vullnetar Basij të Gardës Revolucionare. Ai ka ndikim të madh te babai i tij dhe ishte një figurë kyçe duke ndihmuar presidentin e mëparshëm, Mahmud Ahmadinexhad (të cilin më vonë e akuzoi për përvetësim nga thesari i shtetit) të zgjidhej në 2005 dhe 2009. Madje ai u akuzua nga kandidatët reformistë se drejtonte një grup të bashkëqytetarëve që kanë bërë mashtrime zgjedhore.
Mojtaba, megjithatë, ka disavantazhet e tij. Ai kurrë nuk e ka matur popullaritetin e tij, nuk ka ende statusin teologjik të kërkuar për të pasuar të atin (pasi spekulohet se ai do të përdorë një ngjitje në presidencë për ta bërë këtë) por gjithashtu ai është djali i Khameneit. Nepotizmi është diçka që Garda Revolucionare e ka civilizuar dhe nuk e pëlqen.
Mohammad Ghalibaf (Favoriti i madh)
Në mesin e atyre që tashmë kanë filluar të konkurrojnë për pozitën e kandidatit presidencial, Mohamed Bagher Ghalibaf spikat si favoriti më i fortë. Kryetari aktual i Parlamentit të Iranit konsiderohet si kandidati më “i gatshëm” për këtë pozitë, ndërkohë që tashmë di të manovrojë për të zënë një pozicion (madje më të fuqishëm se ai që mban). Meqenëse Ghalibaf nuk ka nevojë të marrë leje (siç kërkohet, nga lideri i Republikës Islamike dhe Këshilli i Ekspertëve) për të dalë si kandidat, as nuk ka nevojë të prezantohet te populli iranian, ai ka një avantazh ndaj rivalëve të tij. Në fund të fundit, ai ka nën kontroll Parlamentin, të cilin analistët besojnë se mund ta përdorë për të fituar garën më lehtë.
Ghalibaf ishte tashmë një pretendent i fortë për pozicionin e Raisit, duke treguar një gatishmëri për të qenë më aktiv në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv. Ai për më tepër ka treguar se është me “shtatë shpirtra”, përsa i përket mënyrës si ka mbijetuar në jetën politike të vendit. Shumë herë kanë tentuar ta largojnë nga posti i kryetarit të Kuvendit, megjithatë ka arritur të manovrojë, duke anashkaluar edhe akuzat apo dyshimet për korrupsion. Ai gjithashtu ka mbështetjen e një pjese të madhe të ushtrisë iraniane, por dilema është a do të jetë në gjendje të manovrojë efektivisht për postin e presidentit?
Ali Larijani
Favorit i fortë për postin e presidentit të Iranit konsiderohet edhe paraardhësi i Galibaf, Ali Larijani. Ish-kryetari i parlamentit të Iranit ka përvojën dhe popullaritetin për të kandiduar dhe marrë postin, por ai përballet me një sërë disavantazhesh domethënëse. Ai duhet të marrë lejen për të kandiduar. Në rastin e Ali Lariajnit, “çelësat” i mban lideri i Republikës Islamike, Ali Khamenei. Ndonëse në të kaluarën nuk e ka bërë një gjë të tillë, këtë herë spekulohet se mund të lëshojë një urdhër për të konfirmuar kualifikimet e Ali Larijanit, duke dëshmuar në këtë mënyrë se ai ka vullnetin për të bërë një ndryshim në punët publike dhe për të “përzier kartat e liderëve”. A do ta bëjë, mbetet për t’u parë!
Javad Zarif (Diplomat për të gjitha punët)
Ish-ministri i Jashtëm i Iranit gjatë viteve 2013-2021, njëherësh ish- përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB. Akademik, botues dhe diplomat karriere, Mohammad Javad Zarif, projektohet si një nga zgjedhjet më ideale për këtë pozicion. Zarif konsiderohet si “ekspert” në zgjidhjen e krizave, të brendshme dhe të jashtme, dhe ndoshta jo rastësisht. Në karrierën e tij shumëvjeçare, është i vetmi që nisi negociatat e drejtpërdrejta me homologët e tij perëndimorë, si amerikani John Kerry, por edhe ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, si dhe Rusisë dhe Kinës. Ai ka zgjidhur disa kriza dhe ka dhjetëra suksese diplomatike në rezymenë e tij, më e rëndësishmja negociatat e P5+1 që çuan në heqjen e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare kundër Iranit për programin e tij bërthamor.
E gjithë kjo, pa e ekspozuar kurrë Khamenei-n dhe administratën e tij të ashpër islamike, pasi e mbrojti atë publikisht disa herë, edhe nëse ai erdhi në një pozicion të vështirë: si në vitin 2019, kur gjatë intervistës së tij të përbashkët me homologun gjerman në atë kohë, Haiko Maas, u pyet pse homoseksualët ekzekutohen në Iran për shkak të orientimit të tyre seksual. Ai u përgjigj: “Shoqëria jonë ka parime morale. Dhe ne jetojmë sipas këtyre parimeve. Kjo do të thotë se ligji respektohet dhe ligji zbatohet.”
Avantazhi i tij i madh nuk është vetëm se ai projektohet si një zgjedhje ideale për të zgjidhur çdo krizë, si një figurë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe se në sytë e Khameneit, ai ka më pak gjasa të ndërhyjë në çështjen e trashëgimisë së lidershipit. Megjithatë, kandidimi i tij në zgjedhje do të kërkonte një ndryshim të rëndësishëm në atmosferën dhe këndvështrimin e qeverisë.
Mahmoud Ahmadinejad (Kthim në presidencë?)
Tashmë 67-vjeçar, Mahmoud Ahmadinejad konsiderohet “i vjetër në këtë punë” dhe besohet se shpreson të rizgjidhet nga Khamenei. Si presidenti i gjashtë i Republikës Islamike të Iranit, nga viti 2005 deri në vitin 2013, lideri nacionalist është tashmë i organizuar, me një grup njerëzish që mund të marrin punët qeveritare të nesërmen. Megjithatë, që kjo të ndodhë, ai duhet të marrë miratimin, gjë që konsiderohet mjaft e vështirë. Ai konsiderohet i “paparashikueshëm” dhe ka një të kaluar të keqe. Kur ai u zgjodh për mandatin e tij të dytë, në vitin 2009, zgjedhja e tij u kontestua shumë dhe shpërthyen protesta në qytetet më të mëdha të vendit, të cilat zgjatën deri në vitin 2010!
Parviz Fatah (I huaji nga e kaluara)
Parviz Fatah konsiderohet si një nga të huajt e procesit aktual, pasi ka kohë që ka qëndruar larg punëve publike. Por ai në të kaluarën – dhe veçanërisht në zgjedhjet e parafundit, në 2017 – është propozuar nga lideri suprem i Republikës Islamike si një kandidat i aftë për presidencën e vendit. Megjithatë, ai zgjodhi të mos merrte pjesë në zgjedhje.
Një nga avantazhet e Fatah-ut ndaj disa kandidatëve të tjerë është tërheqja e tij ndaj votës iraniane turqishtfolëse, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e kaluara dhe ndonjëherë ka prishur ekuilibrat politikë.
Hossein Deghan
Kreu aktual i Fondacionit Mostazafan (një institucion për të paprivilegjuarit, i cili është gjithashtu entiteti i dytë më i madh i biznesit në Iran pas kompanisë shtetërore të naftës), Hossein Deghan, nuk ka nevojë për prezantim të veçantë.
Thjesht fakti që ai është emëruar CEO i Fondacionit Mostazafan është i mjaftueshëm për të vërtetuar se ai është një person me besim absolut të qeverisë iraniane. Për më tepër, ai mund të tërheqë një gamë më të gjerë mbështetësish sesa Raisi, pasi, ashtu si Ghalibaf, ai ka mbështetjen e disa fraksioneve të ushtrisë. Në të kaluarën ai ishte zgjedhja e Rouhanit për postin e sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, të cilën ai e refuzoi.
Disavantazhi i tij kryesor është se ai mund të mos ketë kohë për të bërë fushatë për të qenë një nga opsionet për postin e presidentit në periudhën e shkurtër deri në fillim të korrikut.
Ushtruesi i detyrës dhe… të tjerët
Në garën për zgjedhjen e presidentit të ri, natyrisht që hyjnë dhjetëra persona të tjerë. Disa bien në sy, mes tyre presidenti i përkohshëm i vendit deri në zgjedhje, 68-vjeçari Mohammad Mokhber .
Ai është një person shumë i afërt me Khamenei, ishte më i besuari i Raisit dhe është ai që mbylli marrëveshjen me Moskën për furnizimin nga Teherani të raketave tokë-tokë dhe dronëve. Ai ishte më parë kreu i fondit të investimeve (i lidhur me Khamenein) Setad dhe konsiderohet një figurë kyçe në programin bërthamor të Iranit. Megjithatë, synimet e tij nuk janë të qarta dhe nuk ka gjasa që ai të bëjë fushatë ndërsa shërben njëkohësisht si ushtrues detyre i presidentit të vendit.
Opsionet e tjera (më pak të mundshme) përfshijnë centristin e fuqishëm iranian Ezatollah Zaryami, i cili megjithatë kurrë nuk arriti të vendoset si një zgjedhje e mundshme për një rol kaq të rëndësishëm, si dhe politikanë më të rinj, ambicioz si Alireza Zakani, Mehrad Bazrpas, Mohsen Rezai dhe Amirosein Gazizade Hashemi. Në mesin e kandidatëve të mundshëm në garën për zgjedhjet presidenciale, përfshihen edhe klerikë si Mustafa Pourmohammadi. Sepse një surprizë nuk duhet përjashtuar kurrë…