Me çfarë vaji gatuajnë shqiptarët? A e njohim? A jemi të sigurtë për atë që blejmë sot në treg? dhe a kanë dijeni shqiptarët për ndikimin që ka në shëndetin e njeriut ky produkt? Çdo vit në Shqipëri importohen miliona litra vaji vegjetal. Kërkesat e vazhdueshme që ka konsumatori shqiptar për vaj gatimi, e kanë kthyer këtë sektor në një ndër bizneset më fitimprurëse, duke sjellë edhe abuzime. Nga kërkimet e “Vetting” zbulohen afera me vajin që përdoret për gatim, ku në vitin 2020 janë importuar sasi të mëdha vaj gjembaçi me vlerë 37 milionë euro, për të cilat Autoriteti Kombëtar të Ushqimit mohon ekzistencën. Por nëse në supermarketet shqiptare nuk ka asnjë lloj vaji që tregohet si vaj gjembaçi, atëherë pyetja që lind këtu është: Ku ka shkuar ajo sasi e importuar? A iu është ndryshuar etiketa dhe shitet si një vaj tjetër?
Sipas ekspertëve ushqimorë, është përgjegjësia e institucioneve që të monitorojnë këto situata.
“Ka shumë situata që institucionet përkatëse të kenë kontroll në survejim produktet në sasi të mëdha, vaji, sheqeri, pra këto që janë produktet bazë, këto duhet të kontrollohen sepse konsumi i tyre është i lartë dhe rreziku për t’u ekspozuar popullata është e lartë në krahasim me të tjera produkte të cilat janë konsum, por në sasi më të vogla”, tha Prof. Dritan Topi.
Nga kërkimet e “Vetting” evidentohet se në Shqipëri janë importuar rreth 34 milionë litra vaj me kod doganor 15121199. Sipas nomenklaturës së mallrave doganore për vitin 2020, ky vaj rezulton të jetë vaj gjembaçi indian, i njohur me emrin latinisht “Sannflower Carthamus tinctorius”.
Cilësia e vajit dhe ekzistenca e tij kanë vendosur përballë njëra-tjetrës Doganat dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Ky i fundit është munduar të mbulojë ekzistencën e këtij vaji, i cili më së shumti zbulohet nga anomalia e çmimeve që zbulohen nga Doganat.
“Nga pikëpamja sasiore nuk mund ta zëvendësojë, nga pikëpamja nutricionale nuk bën sens që ky produkt me cilësi më të mira, me çmim më të ulët të mund të zëvendësojë produktin me cilësi nutricionale më të ulëta dhe të gjejë vlerë në treg”, u shpreh eksperti ushqimor Topi.
Por informacionet zyrtare nga Doganat konfirmohen nga Organizatat Jofitimprurëse dhe ekspertët ushqimorë.
“Në fakt është e njëjta histori me ata çfarë unë kam investiguar para dy vjetësh, me një informacion që kisha dhe sigurisht shifrat janë alarmante. Kjo që thoni ju, përfshirë atë që unë kisha në atë kohë, është alarmante krahasuar me shifrat e vajit të lulediellit që hyjnë në Shqipëri, i rafinuar apo i parafinuar që përpunohet e shpërndahet në tregun tonë”, tha Drejtori Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj.
Sipas Sokolajt, ka një tendencë ose mashtrim të konsumatorëve për shkak të kostos së tij më të lirë se vaji i lulediellit, sidomos që nga koha e pandemisë dhe konflikti në Ukrainë.
Kush po gënjen për vajin në treg?
Për të kryqëzuar të dhënat lidhur me vajin e konsumuar, “Vetting” kontaktoi INSTAT, i cili ka dhënë informacione që mbështesin Doganat për periudhën 2021-2023 për sasitë e vajit të gjembacit. Sipas INSTAT, në Shqipëri në vitet 2021, 2022 dhe 2023 janë importuar sasi vaji gjembaçi nga vendet si Turqia, Italia dhe Hollanda, por nuk jepet asnjë informacion specifik për sasitë e importuara.
Mungesa e transparencës zbulohet nga fakti se INSTAT nuk jep asnjë informacion për importimin e vajit të gjembaçit në vitin 2020. Madje përsa i përket të dhënave për vajin e lulediellit, kemi sasi shumë të ulëta të importuara ndërkohë që vetë doganat për të njëjtin produkt kanë deklaruar sasi më të mëdha.
Situata komplikohet sepse INSTAT nuk pranon të japë sasitë e importuara nga këto vende, nën parimin e konfidencialitetit.
Megjithatë, informacionet nga Doganat dhe INSTAT zbulojnë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fsheh informacionin.
“Vetting” iu drejtua me kërkesë për informacion për sasinë e vajit të gjembacit që është importuar në vendin tonë, por AKU-ja deklaroi se në Pikat e Inspektimit nuk rezulton të jetë importuar Vaj “Sannflower Carthamus Tonctorius”, por vaj Sunflower oil (Vaj luledielli).
Por kjo nuk është hera e parë, që AKU-ja deformon informacionet, që lidhen me sigurinë ushqimore, që ndikojnë drejtpërdrejt te shëndeti i konsumatorëve.
“Fatkeqësisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fsheh herë pas here të dhëna sepse është ai insticucion, i cili përsa kohë bëhet fjalë për një institucion ushqimor, i cili duhet të ketë database e vet të dhënave të importit, të produkteve ushqimore”, deklaron për “Vetting”, Drejtori i Qendrës Alert, Granit Sokolaj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është vendosur shpeshherë në qendër të vëmendjes për problemet e evidentuara me inspektimet, jo vetëm nga organizatat për mbrojtjen e konsumatorit, por edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Por kush janë kompanitë që kanë importuar vaj gjembaçi indian?
Në kërkesën për informacion, Doganat deklaruan se nuk ka asnjë kompani që ka importuar vaj gjembaçi në vitin 2020, ndërkohë që kanë pranuar se janë importuar 34 milionë litra vaj gjembaçi. Sipas Doganave, për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë 3 kompani, të cilat kanë importuar sasi të vogla nga vaji i gjembaçit.
Konkretisht, subjektet “Tirana Cash & Carry”, “JURREI” sh.p.k dhe Festim Abdyli si person fizik kanë importuar vaj gjembaçi nga Italia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.
“Vetting” kërkoi të dhëna të tjera nga Doganat për të kuptuar sasitë totale të vajërave vegjetale që janë importuar në Shqipëri. Bie në sy fakti se sasia e vajit të lulediellit të importuar ka qenë e ulët në vitet 2020, 2021 dhe 2022. Megjithatë zbulohet se pas vitit 2020, sasitë e mëdha të vajit të gjembaçit indian janë zëvendësuar nga vaji i panjohur me kod specifik “15121990”. Është ky vaj, i cili ka mbuluar nevojat për import nga viti 2021 deri në gusht 2023 sipas korrespondencës me Doganat.
Por çfarë deklarojnë Doganat për këtë vaj?
Sipas Doganave, janë importuar rreth 65 milionë litra vaj vegjetal, për të cilin informacioni është i kufizuar. Nga informacionet zyrtare, vlera e këtij vaji arrin shifrën 10.7 miliardë lekë ose rreth 107 milionë euro.
“Ka produkte, që kanë një kod specifik, të cilat kanë një kod që është unik për produktin, por ka nga ata që kur ka kode të shtuara apo të përgjithësuara. Çdo lloj produkti ka një kod, kudo që tregtohet. Produkte pa kode nuk ka!”, deklaroi eksperti ushqimor Kapllan Sulaj.
Nga të dhënat e siguruara nga Nomenklatura e Mallrave, që jep informacione për kodet specifike sipas llojit të produktit, për këtë kod shkruhet “të tjera”, duke ngritur shumë pikëpyetje për këtë produkt.
Sipas Doganave, me këtë emërtim gjatë periudhës 2021-2023 është importuar produkti me emërtesën “vaj luledielli”, por tabela e Doganave flet për një sasi të vogël, e cila është e papërfillshme dhe e paqartë.
“Vetting” kontaktoi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të marrë informacione për produktin me këtë kod, por AKU-ja refuzoi nën pretekstin se nuk ka kodin doganor për produktet, por emërtimet.
Nga informacionet e siguruara nga nomenklatura doganore e Bashkimit Europian, ky kod ka patur informacione shtesë përsa i përket natyrës së produktit. Sipas këtyre informacioneve, ky kod me emërtimin parësor “të tjera”, përfshin vaj luledielli dhe vaj gjembaçi të rafinuar. Pra, duke iu referuar nomenklaturës të Bashkimit Europian, ky vaj mund të ketë në përbërje vaj luledielli dhe vaj gjembaçi. Por ku bazohemi që ky vaj mund të jetë vaj gjembaçi?
Vetë drejtuesi i Qendrës “Alert”, konfirmoi se para dy vjetësh ka denoncuar prezencën e vajit të gjembaçit indian në Shqipëri. Në lajmin e publikuar në media, në dokumentin e publikuar për vitin 2022 vaji i gjembaçit referohej me kod 15121990, pra vajit që mbulon të gjithë furnizimin me vaj për vitin 2021-2023. Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë në Kamëz, Pr. Dr. Kapllan Sulaj deklaroi se UBT-ja po përgatit laboratorin e parë të certifikuar në Shqipëri për analizat e vajrave, i cili është një domosdoshmëri me situatën aktuale të sigurisë ushqimore.
“Gjetja e falsifikimeve të vajit është një moment jo i thjeshtë sepse kërkon pajisje dhe kërkon njerëz të kualifikuar, por ka ardhur koha që ne duhet të marrim masa të tilla dhe duhet që të ngremë kapacitete të tilla analitike për t’i dhënë fund ose për të frenuar të gjithë falsifikimet dhe manipulimet që mund të bëhet me lloje të ndryshme, me parti të ndryshme me vajra, të cilat mund të vijnë të hyjnë në vendin tonë dhe mund të përzihen në receptura të ndryshme”, tha eksperti ushqimor Sulaj.
Ligji nuk e ndalon përzierjen e vajrave, por mungesa e evidentimit të vajit në etiketat e produktit jo vetëm që është shkelje, por cënon seriozisht jetën e njeriut.
“Çdo njeri duhet të dijë çfarë konsumon, çfarë ha. Prodhuesi e ka detyrim ligjor të japë informacion ligjor lidhur me përmbajtjen, tregtuesi, importuesi e ka detyrim ligjor lidhur me përmbajtjen e produktit. Por mjafton të përmendim rastin këtu që në popullata, një përqindje edhe pse të ulët kemi individë të cilët janë alergjikë n.q.s konsumojnë produkte të caktuara. Dhe nqs në etiketë nuk është e specifikuar, mban këtë substancë, ai personi nëse e konsumon, jeta e tij është në rrezik”, deklaroi Prof. Dritan Topi.
AKU-ja nuk e di se çfarë vaji ka hyrë në Shqipëri me këtë kod, ndërsa Doganat japin disa informacione, të cilat në vetvete nuk specifikojnë saktësisht llojin e vajit. Pra, shqiptarët nuk e dinë se çfarë vaji po konsumojnë.
*
Sipas progres raportit të vitit 2023, Shqipëria ka ende probleme në sektorin e sigurisë ushqimore. Në raport theksohet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet plotësojë nevojat për staf, të cilat evidentojnë në kohë rreziqet ushqimore dhe sigurojnë që të dhënat kombëtare të jenë transparente.
Në fakt, nuk janë vetëm raportet e Komisionit Europian, por edhe deklaratat ekspertëve ushqimorë ato që zbulojnë problemet e AKU-së.
“Ajo që vihet re është fakti që ato që janë të shkruara nuk zbatohen 100% ashtu siç janë shkruar. Akoma kemi mangësi, jo vetëm në plotësimin e spektrit ligjor të tyre, por edhe zbatimit”, tha eksperti ushqimor Kapllan Sulaj.
Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdimisht ka evidentuar problematika të ndryshme, që lidhen me sigurinë ushqimore.
Në raportin e fundit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është audituar nga KLSH-ja për vitin 2022 dhe 2023. Sipas qendrës “Alert”, raporti paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit i është dërguar AKU-së në tetor 2023 dhe mbi gjetjet e tij, çdo sektor duhet të bënte observacionet e tij për rastet e konstatimit të shkeljeve, të cilat në raportin paraprak zbulojnë situatën me abuzimet e sigurisë ushqimore.
Nga rekomandimet e vendosura për AKU, zbulohet se ka patur problematika me analizat që merren nga produkte të ndryshme.
Audituesi deklarojnë se në rastet kur analiza mund të rezultojë me ngarkesë bakteriale apo mikrobiologjike, në sistem krijohet një autorizim i ri duke humbur kështu gjurmën me rekordin e inspektimit që ndodhet në sistem regjistruar nga inspektorët të cilët kanë kërkuar kryerjen e një analize laboratorike.
“Mbyllja e rekordeve kryhet në të gjitha rastet, nisur nga fakti se përgjigjet laboratorike nuk kthehen brenda afateve, dhe masat e marra në vazhdimësi të këtij inspektimi të kryer janë në kundërshtim me aktet ligjore, duke detyruar kështu krijimin e një tjetër inspektimi, por këtë herë bazuar në rezultatin e mostrës. Vonesa e përgjigjes së laboratorëve vë në rrezik konsumatorët, por njëkohësisht arritjen e objektivave të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, shkruhet në raportin e KLSH-së për AKU.
Në raport evidentohen të njëjta të dhëna për të gjithë inspektorët, ku shumica nuk kanë gjuhë të huaj si aftësi dhe kodet e identifikimit në sistem janë shumë thjeshta për thyer nga jashtë.
Në sistemin e AKU-së zbulohet se persona që janë larguar nga sistemi rezultojnë aktiv dhe rasti më flagrant është kur profili i punonjësit nuk përputhet me pozicionin e punës.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj, problemet që ka AKU-ja lidhen me mënyrën se si është vepruar nga politika ndaj këtij institucioni.
“Është për të ardhur keq që një institucion, i një rëndësie kaq të madhe për shëndetin e publikut dhe të konsumatorëve është akoma një ent publik që shërben si tortë politike për të bërë qoka të atyre që kanë shërbyer më mirë. Qoftë për të ndarë partitë, apo për t’iu dhuruar postet”, tha Sokolaj .
Ai shtoi se në 2020, AKU-ja doli nga shërbimi civil, duke funksionuar me kod pune. Drejtuesi i Qendrës “Alert” thotë se kjo e ka bërë më të ekspozuar institucionin ndaj lëvizjeve politike, që më pas kanë pasoja në cilësinë e ushqimeve që konsumojnë shqiptarët.
Por çfarë thonë raportet ndërkombëtare për sigurinë ushqimore në Shqipëri?
Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), çdo njeriu që jeton në Shqipëri i duhet të shpenzojë 440 lekë në ditë ose 4.4 dollarë vetëm për ushqim për të plotësuar nevojat e një diete normale.
Vlera e kësaj kostoje, e cila është për vitin 2021, rezulton me vlerën më të lartë në Europë dhe në Rajon.
Sipas dietologëve, mbas viteve 2010, studime të cilat kanë qenë gati 30-vjeçare, të iniciuara nga kompani të ndryshme farmaceutike, kanë zbuluar se epigjenetika është një sektor që ndryshon edhe gjenet tona.
“Ne lindim me një material gjenetik, e cila thotë “Po, ti ke predispozitë për kancer, ti jo nuk ke!”. Kur t’i ndikon te ushqyerja jote, kjo është epigjenetika. Mënyra se si ndikojmë ne te gjenet tona përmes ushqyerjes, ke gjasa që këto gjene që mund të jenë pro kancerogjene, t’i lësh gjithë jetën në fjetje, pra mos t’i aktivizosh, ose duke u ushqyer keq, ti ke gjasa t’i aktivizosh shumë herë, prandaj sot është rikthyer e gjithë vëmendja e mjekësisë, e industrisë farmaceutike, e industrisë ushqimore drejt një ushqyerje sa më të shëndetshme”, tha dietologia Matina Çobo.
Në Rajon, pas Shqipërisë kostot më të larta dietës ditore për ushqim i ka Serbia me 4.3 USD për person në ditë, e ndjekur nga Bosnja me 4.1 USD në ditë, Mali i Zi me 3.7 USD në ditë dhe Maqedonia e Veriut me 3.6 USD në ditë.
Në përgjithësi, kostot e larta të dietës ushqimore i kanë vende e varfra dhe vendet në zhvillim.
Studimet kanë treguar se cilësia e vajrave të gatimit ka impakt të drejtpërdrejtë te sëmundjet e zemrës ose qarkullimit të gjakut.
Vetëm duke analizuar të dhënat nga INSTAT për shkaqet e vdekjeve zbulohet se kemi rritje të numrit të vdekjeve nga sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut. Konkretisht, nga viti 2018 deri në vitin 2021 është rritur me rreth 30 % më shumë numri i vdekjeve ose 168 më shumë vdekje në vit nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.
Sipas raportit të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), rreth 16% e popullsisë në Shqipëri ose 400 mijë banorë nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e një diete të shëndetshme.
Burimi: Emisioni Vetting në News24