Një grup profesionistësh protestuan sot paradite para Kuvendit, kundër projektligjit për krijimit e urdhrave profesional të inxhinierit dhe të inxhinierit hidroteknik.
Ata përsëritën arsyet pse këta urdhra nuk i shërbejnë profesionit, madje synojnë të marrin atribute të cilat aktualisht janë të rregulluara me ligj.
“Ne tashmë operojmë nëpërmjet licencimit që marrim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërkohë që një grup njerëzish pretendojnë të marrin në dorë licencimin e inxhinierëve dhe ta kalojnë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në duart e një grupi individësh”,-shprehet Dëshira Mena, drejtuese e Unionit të Inxhinierëve Shqiptarë.
Ajo ngre pikëpyetje edhe për procesin e financimit.
“Ata kërkojnë që vitin e parë të punës të marrin 1.2 milionë euro nga buxheti i shtetit. Po vitet e tjera, si do të vazhdojë kjo histori?”
Sipas tyre, procesi i konsultimit me grupet e interesit nuk funksionoi siç duhet.
“Të gjitha shoqatat janë shoqata që të paktën grupi maksimal i tyre mund të arrijë në 30-40 individë. Ndërkohë që nuk kanë informuar asnjë nga grupi i interesit që të paktën nga një llogari që ne kemi bërë janë diku te 14 mijë deri në 15 mijë inxhinierë të të gjitha fushave. Të paktën rreth 4 mijë janë të licencuar, por asnjë nga këta nuk është informuar nga ata që duhet të informojnë, nga ata që duan të bëjnë një ligj të cilët duan të fusin duart si në profesion ashtu edhe në buxhet të shtetit’,-shprehet Gjergji Caca.
Sipas inxhinierëve, kjo fushë menaxhon 70% të ekonomisë, ndaj menaxhimi nga një ent i posaçëm do të sillte situatë shkatërruese.
“Të krijosh një ent dhe të gjithë strukturën e menaxhimit të 70% të ekonomisë së vendit t’ja lësh në dorë një enti që është një institucion pa emër. Është katastrofë dhe do të çonte në shkatërrimin total të vendit”,-argumenton Dëshira Mena.
Një prej inxhinierëve të pranishëm në protestë u shpreh se vetë dokumenti i projektligjeve është i shkruar keq.
“Kjo duket shumë qartë, që në momentin që e merr ato pak fletë të shkruajtura me një emër urdhër që e kanë atje sipër për rregullimin e profesionit të inxhinierëve, por që në brendësinë e saj është një dokument shumë dobët i shkruar. Është edhe dokument që të vjen dhe turp të thuash që ky përfaqëson inxhierët nga mënyra se si është shkruajtur”, -shprehet ai.
Sipas inxhinierëve pjesëmarrës në protestë, krijimi i urdhrave heq menaxhimin e profesionit nga publikja.
“Nuk mund të bëjmë gjëra për të mbivendosur dhe më kryesorja, ta heqim nga publikja, t’ja japim një grupi që fshihen pas publikes por janë privatë. Dhe kjo shihet te raporti që është bashkëngjitur projektligjit ku thuhet se shoqatat krijuese, pra vetë këta që e kanë gatuar janë asambleja e parë”,- shprehet Gjergji Cara.
Dëshira Menas tregon se ndërsa pritej që të merreshin në konsideratë argumentet e tyre nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, procesi kaloi në diskutim edhe në Komisionin e Ligjeve, duke krijuar kësshtu dy fronte diskutimi.
Si ka nisur propozimi për projektligjet?
Kjo nismë ligjore nisi të diskutohet që në 2019-ën, ndërsa të përfshirë në projektligj ishin edhe arkitektët, të cilët u shkëputën më pas.
“Nevoja e propozimit të këtij Projektligji vjen si pasojë direkte e boshllëkut ligjor krijuar që prej miratimit të ligjit nr.10171 “Për profesionet e rregulluara në RSH”, është një nga argumentet e paraqitura në relacionin e projektligjit për krijimin e Urdhrit të Inxhinierëve.
Relacioni sqaron se mes të tjerash projektligji synon të zhvendosë përgjegjësitë e shërbimeve dhe punëve inxhinierike nga administrata publike te mekanizmi i ri i Urdhrit Profesional të Inxhinierit, rregullimin e profesionit në funksion të interesit publik, korrektësinë dhe cilësinë e shërbimit si dhe lirinë e konkurrencës në këtë profesion.
Urdhri, sipas relacionit do të shërbejë si një ent publik kombëtar, jo fitimprurës dhe me një autonomi të plotë financiare dhe funksionale.
Projektiligji për Urdhrin e Inxhinierëve është propozuar në Kuvend në vitin 2022 nga deputetja Luljeta Bozo.
Më 13 qershor të 2023, shoqata Unoni i Inxhinierëve Shqiptarë iu drejtuan me një letër Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese dhe atij të ligjeve ku argumentonin pse ishin kundër këtij projektligji. Bashkëngjitur letrës, Unioni dorëzoi edhe 400 firma të njoma të inxhinierëve dhe 2939 të tjera të mbledhura online përmes platformës change.org që ishin kundër projektligjit.
Sipas relacionit në hartimin e projektligjit është marrë në konsideratë eksperienca e urdhrave ekzistues të Italisë që daton 100 vite më parë dhe i Holandës.
Sipas propozueses së projektligjit, deputetes Luljeta Bozo, ky projektligj vjen si një nevojë për të rregulluar tregun e punës.
“Ngrihet për të rregulluar tregun e punës, Që do të thotë që në tregun e punës hyjnë vetëm profesionistë dhe publiku që mund të jetë shtet ose privat merr një shërbim që është brenda kushteve teknike, standardeve, brenda kushteve ose standardeve etike morale dhe ligjore. Pra publiku është i garantuar për shërbimin që ofron inxhinieri, i cili përfshihet në këtë urdhër të inxhinierit”,– u shpeh Lujleta Bozo për Citizens Channel.
Sipas Bozos ky projektligj vjen 14 vite me vonesë. Ajo sqaroi për Citizens se gjithkush që ka përfunduar 5 vite shkollë apo ata që kanë licencën mund të bëhet pjesë e Urdhrit. Ndërsa për të rinjtë që nuk kanë licence ende, do ti nënshtrohen një provimi shteti.
Për projektligjin e propozuar, në vitin 2022 ministritë kanë dërguar mendimet përkatëse përmes shkresave zyrtare te Kryeministria apo Këshilli i Ministrave.
Ministria e Drejtësisë ka kërkuar rishikimin dhe strukturimit e projektligjit duke mos lejuar që Urdhri të marrë kompetenca licencimi për ushtrimin e profesionit, apo edhe për sa i takon zgjedhjes së këshillave drejtues dhe kompetencat e tyre.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vuri në dukje se është në dijeni të diskutimeve dhe argumenteve pro dhe kundër, ndërsa u shpreh se do të vijojë takimet publike me aktorët e interesuar.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon të rishikohet statusi juridik dhe financiar për strukturën që do të krijohet dhe për mënyrën se si do të funksionojë kjo strukturë sidomos në aspektin financiar, ndërsa kërkon edhe rishikim e disa neneve që lidhen kryesisht me provimin e shtetit apo pjesëmarrjen e urdhrit në projekte.
Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka sugjeruar që inxhinierët për pyjet, pavarësisht se mbajnë titullin inxhinier të mos jenë pjesë e këtij ligji, pasi që ka një legjislacion në fuqi për pyjet që i pajis ata me certifikatën e ekspertit.
Bashkë me projektligjin për Urdhrin Profesional të Inxhinierëve, në Kuvend është depozituar edhe një tjetër projektligj që synon të krijojë një Urdhër të posaçëm për inxhinierët hidroteknikë.
Projektligji është propozuar nga deputetët Ismet Beqiraj dhe Andrea Marto. Sipas këtij projektligji, i takon Urdhrit të japë licenca, certifikim apo kategorizim të profesionistëve të fushës. Sipas këtij projektligji asnjë inxhinier hidroteknik nuk mund të ushtrojë profesionin e tij pa qenë anëtar i Urdhrit.
/Citizens