Emisioni Vetting
Nëse qytetarët e thjeshtë, mes të cilëve edhe pensionistë e invalidë, rrezikojnë të penalizohen deri në burg kur nuk arrijnë të paguajnë energjinë e muajit, për zyrtarët e OSHE, KESH e OST-së humbjet në miliona duket se nuk janë aspak shqetësim. Madje, si për ironi, miliona euro që mungojnë në arkat e tyre apo që humbin në tendera plot dritë-hije për fituesit, shënohen si “humbje në rrjet” apo “humbje teknike”, duke bërë që buxhetit të shtetit t’i mungojë një fond i konsiderueshëm të ardhurash. Paradoksi është se mungesa e këtyre parave vjen në një fushë që konsumohet gjithçka që prodhohet apo blihet. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë stok, por me keq menaxhim dhe vjedhje.
Humbjet duken edhe më të pabesueshme kur përmes shifrave faktohet se në ketë fushë janë investuar miliona euro për të përmirësuar këtë sektor të rëndësishëm.
Çfarë ndodh me KESH, OSHEE dhe OST?
Tre institucionet kryesore të varësisë së Ministrisë së Energjisë, OSHEE, OST dhe KESH, prej kohësh janë përfshirë në një hartë humbjesh të mëdha në dëm të buxhetit të shtetit. Këto institucione që duhej të ishin burim të ardhurash janë kthyer në humbësit e mëdhenj të parave publike.
Nuk janë pak, por 1.1 miliardë euro buxhet nga të cilat, fati i 670 milionë Eurove nuk dihet për shkak të bilanceve të padeklaruara nga OSHEE dhe KESH, vetëm për vitin 2021 – 2022. Ndërkohë 257 milionë euro tendera janë dhënë vetëm për një apo dy kompani në garë, ku jo rastësisht njëra prej tyre gjithmonë përjashtohet nga tenderi, duke i hapur rrugën konkurruesit tjetër që mbetet i vetëm për oferta që fitohen zakonisht në 99% të vlerës së fondit limit.
Këto fonde të mëdha janë kthyer në një minierë ari për familjarë të ish krerëve të policisë të përjashtuar nga procesi i vettingut dhe investitorë strategjikë.
Pamundësimi i bursës shqiptare për të funksionuar, transaksionet në kundërshtim me ligjin si edhe sherret ndërinstitucionale për borxhet e pashlyera, janë një pjesë e ajsbergut të parave të shpërdoruara që “Vetting” sjell në këtë episod.
Sherri për borxhet 1.1mld euro dëm në buxhet të shtetit
Borxhet mes KESH, OSHEE dhe OST, kanë krijuar prej kohësh një sherr ndërinstitucional, ku palët janë të ndarë në pretendimet e tyre. Në këtë përplasje, fillimisht OSHEE do të deklaronte se borxhi ishte 104 milionë euro ndërsa OST pretendonte se ishte 129 milion euro.
Diferenca prej 25 milionë eurosh ishte burimi i konfliktit për detyrimet që kompanitë kishin ndërmjet njëra-tjetrës. Sipas burimeve zyrtare “ Vetting “ zbulon se në 15 prill 2021 ndërmjet OSHEE dhe OST u firmos marrëveshja për pagesën e detyrimeve të prapambetura me vlerë 9,68 miliardë lekë ose 96 milionë euro.
Nga informacionet e Ministrisë së Financave, përplasja midis OST dhe OSHEE vazhdon pasi në projekt buxhetin 2024 nënvizohet se detyrimet janë nga 9 miliardë lekë deri në 18.3 miliardë lekë të OSHEE-së ndaj OST-së, e thënë ndryshe 90 deri në 183 milionë euro pasi kompanitë publike akoma nuk bien dakord me njëra-tjetrën.
Ngelet shqetësues fakti dhe krijohen dyshime për abuzime pasi bilancet nuk pasqyrohen dhe fondet i mungojnë buxhetit, ndërsa palët ende kundërshtojnë njëra -tjetrën, duke mos qenë transparente.
ÇFARË DEKLARON NË BILANCIN E FUNDIT OSHEE NË LIDHJE ME KESH?
Por, dëmi që mund të jetë bërë në këtë fushë shkon deri në 600 milionë euro. Kjo pasi paraprakisht u nënshkrua një marrëveshje në 6 prill 2018 për shlyerjen e 56 milionë eurove detyrime ndërmjet OSHEE-së dhe KESH-it. Aktualisht nga projektbuxheti i vitit 2024 rezulton se OSHEE ka detyrime ndaj KESH nga 554 milionë euro deri në 587 milionë euro.
Ky fakt konfirmon mosnjohjen e detyrimeve reciproke midis dy institucioneve më të rëndësishme të energjisë elektrike, e cila lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
Nga të dhënat e projektbuxhetit 2024 evidentohet se për të përballuar krizën energjetike 2021-2023, qeveria shqiptare ka akorduar disa fonde me vlerë totale 50 miliardë lekë ose 500 milionë euro.
Vetëm duke mbledhur borxhet e OSHEE, KESH dhe OST, krijohet një gropë financiare me vlerë 1,1 miliardë euro, e cila përbën 16% të buxhetit të shtetit për vitin 2024. Por edhe OST ka detyrime ndaj KESH-it, për të cilat palët akoma nuk janë marrë vesh.
Por përse janë fshehur bilancet?
Ishin këto pasaktësi në buxhet që nxitën gazetarët e “Vetting” për të hetuar se si janë mbajtur bilancet dhe a mund të ishte shmangur ky keqkuptim sikurse pretendojnë deri tani të dy ndërmarrjet, për këtë shumë jo të vogël. Bilancet janë të rëndësishme pasi vetëm përmes tyre evidentohet lehtësisht se si qëndron ky hendek borxhesh dhe arkëtimesh.
Sipas ekspertit të energjisë, Klodian Gradecit, në 3 vitet e fundit, çmimet e energjisë kanë qenë të favorshme për bilancet e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
“Këto tregojnë fare mirë, që ka qenë mundësia e shkëlqyer që Shqipëria të dilte me bilance pozitive në sektorin e energjisë. Nuk bën llogjikë, që KESH si prodhues të ketë bilanc negativ, por vendosja e situatës së emergjencës dhe vendosja e disa detyrave KESh-it, për të mbuluar humbjet dhe detyrimet që kishte FSHU-ja ose OSHEE-ja për të furnizuar klientët e tij, ka cuar që KESH-i të ketë një bilanc negativ”, tha eksperti i energjisë, Gradeci për “Vetting”.
Eksperti Gradeci shtoi se bilancet që nuk pasqyrohen, pasi nëse pasqyrohen do të tregojnë që janë bilance me humbje dhe do duhet të dalin përgjegjësitë që lidhen me keqmenaxhimin.
OSHEE, dëmet nga Ceno Klosi
Një tjetër shumë e papërllogaritshme se sa është dëmi u krijua nga përdorimi i valutës së transaksioneve të OSHEE. Nga lëvizjet në bursë rezulton se OSHEE është e detyruar të bëjë konvertimin e lekëve në euro në një bankë të nivelit të dytë me kursin më të favorshëm.
Por ky këmbim u bë vetëm në njërën prej tyre ku kursi i këmbimit është më i ulët. Sipas burimeve zyrtare të informacionit, “Vetting” ka mësuar se, vetëm në periudhën 2018 – 2019, Shqipëria ka këmbyer lekë në euro në vlerën totale rreth 660 milionë euro. Këmbimi rezulton se është bërë me vlerë të ulët të lekut në raport me euron apo dollarin, duke thelluar dëmin në buxhetin e OSHEE-së.
Kjo problematikë i është vënë në dijeni OSHEE edhe në vitin 2019 nga auditi i cili sipas tij, fajin nuk e kanë vetëm drejtuesit OSHEE, sipas audituesve, përgjegjës, është departamenti ekonomik i këtij institucioni, ku në krye në atë kohë ishte Ceno Klosi. Sipas ekspertëve ekonomikë, rasti është më flagrant pasi kemi të bëjmë me shkelje të ligjit “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Korporata Elektro-energjetike Shqiptare, asetet e saj janë nën sekuestro. Mbajtja e bilanceve në mënyrë të rregullt është një domosdoshmëri jo vetëm për KESH e OSHEE, por për çdo institucion publik e privat.
Kaos me bilancet, çfarë po ndodh?
Historia dëshmon se Ceno Klosi ka ndjekur të njëjtën metodologji edhe në vitet 2016 dhe 2017. Sipas KLSH “mospërputhja midis sistemit “SAP” dhe sistemit të faturimit, arkëtimit dhe kontabilitetit më fund të vitit 2017-ës, arrijnë në vlerën 1.1 miliardë lekë ose 11 milionë euro. Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting” rezulton se hartuesi i këtyre pasqyrave është Ceno Klosi. Për të gjitha këto shkelje të konstatuara, zoti Klosi jo vetëm që nuk u përgjigj gjatë kohës që drejtonte këtë sektor, por tashmë pas bilanceve të dritave, po mban bilancet e tatimeve në nivel kombëtar.
Por pse ka kaq shumë borxhe OSHEE?
Sipas një studimi të dhënave të OSHEE-së, vetëm gjatë vitit 2019, borxhet që ka ky institucion nga të tjerët shkon në 1.14 miliardë euro. Një pjesë e këtyre arkëtimeve jo pak herë janë fshehur përmes termit “humbje në rrjet”. Kjo do të thotë se këto borxhe ende nuk janë mbledhur për aq kohë sa deri në vitin 2022 niveli i humbjes së energjisë elektrike nuk ndryshon. Edhe persë numri i abonentëve është ulur nga largimi i shumë familjeve jashtë vendit. Ndërkohë që janë investuar miliona lekë në sistemin e shpërndarjes, shifrat do të duhej të ishin më të ulëta nga këto humbje në rrjet. Por sërish, në shpjegimet e bilanceve ka klasifikim të humbjeve si, teknike dhe jo teknike.
Nga njëra anë humbja teknike ekspozon cilësinë e dobët të sistemit të shpërndarjes. Ky fakt tregon gjithashtu se edhe tenderat e fituar për këto procedura nuk kanë pasur sukses në përmirësimin e situatës së shpërndarjes, pavarësisht investimeve të kryera. Ekspertët e energjisë këmbëngulin se, humbja jo teknike konsiston në abuzimet me energjinë dhe vjedhjen duke ndërhyrë në sistem. Nga të gjitha mosfunksionimet e përmendura, nga vitit 2018 deri në 2020, OSHEE ka deklaruar se i janë shtuar detyrimet me 101 milionë euro. Detyrimet mes institucioneve nuk janë të pakta. Vetëm borxhi i OSHEE ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është 4,37 miliardë lekë ose 43 milionë euro.
KESH, nga ana tjetër, ka borxhe 34 miliardë lekë ose 340 milionë euro ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë që borxhe ndaj OSHEE-së kanë edhe ujësjellësit me vlerë 28.1 miliardë lekë ose 281 milionë euro. Borxhin më të madh për OSHEE-në e ka Ujësjellësi i Durrësit që drejtohet nga Spartak Kovaçi dhe kap shifrën e 51 milionë eurove.
Përveç këtyre detyrimeve, ujësjellësat kanë detyrime me vlerë 10,3 miliardë lekë ose 103 milionë euro edhe ndaj Ministrisë së Financave kjo sipas projektbuxhetit 2024.
Siç vihet re dhe nga tabela, humbjet kanë pësuar rënie nga viti në vit, por kemi një lidhje të zhdrejtë për vitin 2019 për sa i përket humbjeve jo teknike në raport me faturimet dhe vitet e mëparshme. Humbja jo teknike konsiston në abuzime me energjinë nga abonentët (vjedhja). Rritja e humbjes jo teknike për vitin 2019 nuk e arsyeton punën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
SHITBLERJA E ENERGJISË ME KOMPANITË SHQIPTARE
Nëse çmimet e energjisë të viteve paraardhëse duke iu referuar bursës hungareze janë të shtrenjta, vlera e tyre në tregtimin e drejtpërdrejtë me kompanitë shqiptare është alarmante. Me vendosjen e Ergys Verdhos në krye të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare “ Vetting ” zbulon se më datën 9 korrik 2022, brenda ditës janë shpenzuar plot 16.65 milionë euro për 33.600 Megavat-orë energji të ndarë në 4 lote.
E njëjta proçedurë u ndoq edhe me 15 korrik duke shpenzuar jo pak por 17.5 milionë euro të tjera me TVSH. Domethënë 34.1 milionë euro brenda javës.
Por sa ishte çmimi në hupx?
Me 9 korrik çmimi më i lartë i energjisë në HUPX ka qenë 350 euro për mega Vat Orë por ne e kemi blerë me 586 euro. Gati dyfish më shtrenjte ose me çmim 41% më të lartë krahasuar me atë të bursës hungareze.
Pra, vetëm nëse bëjmë llogaritë për 150 euro më shumë, duke zbritur dhe komisionet për transmetimin, KESH ka paguar 4,2 milionë euro më shumë se tregu. 16.6 milionë euro u shpenzuan nga KESH me 15 korrik për 28,560 Megavat orë energji. Këto para të dhëna nga buxheti i shtetit janë shpenzuar që KESH-i të blejë energji elektrike me çmim 560 euro kur çmimi referues në tregun ndërkombëtar ka qenë 100 euro më pak. Sipas ekspertit Gradeci, kompanitë publike nuk kanë realizuar transaksione të volitshme me shitblerjen e energjisë.
“Ne kemi dështuar! Këtë e them me bindje absolute, ne kemi dështuar në optimizimin e tepricave të prodhuara nga KESH-i. Në shumicën e rasteve, ne kemi shitur në fasha të gabuara dhe kemi marrë gjithmonë rezultate të gabuara.
Kemi shitur më lirë, kemi blerë më shtrenjtë! Nuk kemi ngritur një program konsumi me bazë vjetore, pro kemi ngritur një program shitjeje me bazë ditore, I cili ka sjellë këto rezultate të gabuara,” deklaroi inxh. Gradeci.
MARRIM BORXHE PËR TË SHLYER BORXHET
Për të mbuluar të gjitha këto hendeqe të lëna hapur në sektorin energjetik, shteti ka vënë në dispozicion 220 milionë euro nëpërmjet garancisë sovrane dhe 280 milionë të tjera borxh. Domethënë, marrim borxhe për të shlyer borxhet.
Në vitin 2023 ka më pak konsum të energjisë elektrike për të njëjtin numër abonentësh. Ndërsa në vitin 2022 importi i energjisë ka qenë i shtrenjtë.
Por Shqipëria u detyrua të mbulojë me importe 11% të energjisë elektrike për konsum, ndërsa vjedhjet në emër të humbjeve” teknike, kanë qenë në masën 18,3% ose 1,4 TË.
E thënë thjesht, teksa shqiptarët janë të detyruar të paguajnë shuma të lartë për të paguar energjinë e importuar me çmim të lartë, ndërkohe që këto para kanë shkuar vazhdimisht për të mbuluar humbjet e OSHEE-së.
Nga të dhënat zyrtare për rrjetin e shpërndarjes, një pjesë e mirë e humbjeve rezultojnë, si gjithmonë, humbje jo teknike. Humbje jo teknike janë vjedhjet e energjisë elektrike dhe ndërhyrjet e paautorizuara në rrjetë apo matësa elektrikë.
Sipas ekspertëve, humbjet janë shumë të larta, në një kohë që OSHEE ka investuar në ristrukturimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Përqindja e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet për OSHEE-në ka ngelur pothuajse e pandryshuar nga viti 2018 deri më sot, duke ngritur pikëpyetje se ku kanalizohet energjia elektrike.
Për periudhën 2017-2020, OSHEE rezulton me probleme të shumta me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili ka borxhe dhe detyrime ndaj Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
OSHEE ka deklaruar se ka disa të ardhura, që kanë si burim penalitetet ndaj KESH pasi nuk ka respektuar kontratën e firmosur midis palëve në mars 2018 me vlerë 5.5 miliardë lekë ose 55 milionë euro.
Sipas audituesve, këto penalitete ndaj KESH, OSHEE i ka deklaruar si të ardhura në bilancet e veta, duke deformuar fitimin real të OSHEE. KLSH ka deklaruar se përgjegjësi në këtë rast ka ish-ministri Damian Gjiknuri, duke sjellë shtrembërime të pasqyrave financiare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë përmes një vendimi i cili bie ndesh me ligjin.
Sipas KLSH: “Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori i shoqërisë duhet të marrë masa që në të ardhmen, përgatitja dhe hartimi i pasqyrave financiare të kryhet me përgjegjshmëri, vërtetësi e në afatet përkatëse, duke pasqyruar situatën financiare dhe performancën ekonomike, për disponimin e informacioneve palëve të interesuara në kohë, për vendim- marrjet përkatëse. Për sa më sipër mbajnë përgjegjësi ish-ministri i MIE, në cilësinë e ortakut të vetëm të OSHEE dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë”.
Loja e OSHEE me HUPX
Për vitet 2020, 2021 vihen re disa elementë të çuditshëm në procedurën e mbajtjes së tenderave për blerjen e energjisë në bursën ndërkombëtare, HUPX. Nëse çmimi i energjisë elektrike ka një mesatare të qëndrueshme, ditën që Shqipëria shpall tender dhe ditën që e mbyll çmimi është shumë i lartë. Në shumicën e rasteve, dyfish më shumë nga ditët e zakonshme në bursën hungareze por edhe bursat e tjera në rajon, si Çekia, Rumania, Greqia apo Italia.
Konkretisht, në këtë tender të mbajtur me datë 2 korrik 2021 çmimi i energjisë është 122.50 euro për megavat-orë por vetëm një ditë para shpalljes së tenderit, pra me datë 1 korrik ai ishte vetëm 75.90 euro.
Në tenderin e radhës për blerjen e energjisë elektrike me 8 korrik, energjia ka kapur vlerat e 106.99 euro kur një ditë para shpalljes së tenderit çmimi ishte vetëm 75 euro. Vlerat vazhdojnë të qëndrojnë të ulëta për të gjitha ditët kur nuk është mbajtur asnjë procedurë shitblerjeje deri në ditën e 26 të muajit korrik kur çmimi pëson sërish një rritje stratsferike duke u blerë me çmim referencë të bursës hungareze me 108 deri në 111 euro për MW në orën e mbajtjes së tenderit.
Shitblerja e energjisë elektrike me referencë në bursën HUPX rezulton në dëm të buxhetit të shtetit kur në fakt vendi duhet të kursejë para duke blerë drita me çmim më të ulët.
Bursa hungareze merret si referencë edhe sot për blerjet e KESH, megjithëse nuk ka asnjë arsye. Shqipëria nuk ka asnjë marrëveshje apo detyrim për t’iu referuar HUPX.
Për të shmangur këto çmime abuzive dhe të dyshimta, në tetor të 2020-ës Shqipëria themeloi bursën ALPEX.
Ky ishte një sukses mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Shqipëri së bashku me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës. Kjo marrëveshje për krijimin e bursës shqiptare u firmos nga drejtuesi i OST-së, Skerdi Drenova dhe drejtuesi i KOSTT Ilir Shala.
Me aktivizimin e ALPEX do të ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të tregut, të cilat shmangin marrëdhëniet dypalëshe. Në këtë mënyrë, çdo kompani që vepron në tregun e energjisë elektrike bazuar në licencën e marrë nga Enti Rregullator i Energjisë do të shesë ose blejë energji nëpërmjet bursës, e cili i orienton çmimet në bazë të tregut të liberalizuar (tregu i BE-së), duke rritur konkurrencën mes kompanive.
Për të siguruar procesin e shitblerjes së energjisë elektrike në avancë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ALPEX do të hartonte tenderin për përzgjedhjen e “Platformës Elektronike të Tregtisë për Tregun në avancë dhe brenda ditës, Infrastrukturës dhe Shërbimeve të kërkuara për operimin e tregut të organizuar në Shqipëri dhe Kosovë”.
Duhet theksuar se brenda vitit 2021, ALPEX do të hapte tre herë garën për të siguruar fituesin dhe pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, më 27 gusht 2021, ALPEX do të riniste garën për tenderin, e cila kësaj radhe do të kishte fitues, bashkimin e kompanive “HELLENIC ENERGY EXCHANGE S.A.”, “ENEX CLEARING HOUSE” S.A. dhe “HELLENIC EXCHANGES – ATHENS STOCKCHANGE” S.A me vlerë 225 milionë lekë ose 2.2 mln euro.
Por sa e kemi arritur qëllimin e ALPEX, që të kemi një treg që prodhon, transmeton dhe konsumon energji elektrike në mënyrë efikase, si dhe një treg që çon në fitime më të larta të organizuar sipas modelit të BE-së?
Pavarësisht deklaratave publike të Ministres Balluku për ALPEX, bursa e energjisë elektrike nuk ka funksionuar.
Sipas ekspertit Gradeci, institucionet nuk kanë dëshirë për të pasur një proces transparent, duke vazhduar me metodologjinë e vjetër.
“Nëse bursa shqiptare do të funksiononte, sot autoriteti prokurues i energjisë elektrike, KESH do e blinte atë me çmime më të favorshme, ndryshe nga ajo që e gjen në bursën hungareze. Me pak fjalë, ky ishte një investim i cili nuk i shërbeu as ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e as qytetarëve shqiptar”, tha inxh. Gradeci përsa i përket ALPEX.
Vetëm për periudhën 2020-2021, nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë tenderuar 139 milionë euro me tendera të paracaktuar, ku në shumicën e procedurave të prokurimit marrin pjesë vetëm 1-2 kompani dhe vlera e ofertave fituese ka qenë 98%-99% e fondit limit.
Kompanitë që marrin pjesë te tenderat e OSHEE
Nga tenderat e OSHEE, tashmë të fshira nga faqja zyrtare, rezulton se ka pjesëmarrje të dyshimta. Ajo që evidentohet nga “Vetting” është se një kompani, e quajtur “EN-EL” ka marrë pjesë në shumë gara, duke mos fituar asnjëherë, ndërsa oferta e fituesit, në të gjitha rastet kap vlerën e fondit limit nga 98 deri në 99%.
Kompania “EN – EL” dhe roli i saj i dyshimtë
EN-EL u themelua në 2012-ën nga Loreta Shkëmbi e Artan Kapexhiu me kapital 1000 euro, të cilët menjëherë morën administrimin dhe shfrytëzimin e godinave për dhënie me qira me vlerë 1.3 milionë euro. Ato i përkasin kompanisë “Aci Mobile”, ish ACI Enginering, e cila administrohej nga Petraq Shomo.
Deri në vitin 2021, Shkëmbi ka shërbyer në administratën publike si drejtore në drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore ndërsa bashkëshorti i saj u shkarkua nga strukturat e policisë përmes procesit të vettingut për shkak se të dy kishin kryer disa transaksione të dyshimta duke mos arritur të justifikojnë pasurinë e tyre. Më tej në gusht të vitit pasardhës kompania u shit për vetëm 1000 euro ndaj shtetasit Arben Taipi, ndërkohë që menaxhonte asete me vlerë 1.3 milionë euro.
Taipi po ashtu është edhe një investitor strategjik. Jonian Heaven, e cila e ka gjurmën brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, duke mos respektuar rëndësinë e veçantë të kësaj pasurie historike.
Në shkurt 2023 bashkëortakët, Taipi e Kapexhiu, administrator të kësaj kompanie emërojnë ekspertin e financave, Bujar Bendo si likujdues. EN-EL nuk është një emër i panjohur për Bujar Bendon pasi ai ka qenë audituesi i pasqyrave financiare të kësaj kompanie, por jo vetëm. Edhe në OSHEE ka pasur të njëjtin rol edhe në vitin 2019.
Pra audituesi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë i njihte mirë pronarët e kompanisë që garonte në tendera duke u skualifikuar gjithmonë dhe fitues mbetej vetëm kompania konkurruese e cila i ka fituar tenderat në masën e 99% të fondit limit.
Sipas të dhënave të administruara nga Open Data Albania, këto tendera janë kualifikuar me flamur të kuq duke ngritur dyshime për natyrën e mbajtjes së tenderave në OSHEE dhe pjesëmarrjen e EN-EL fiktivisht për të shmangur mungesën e konkurrencës. Bëhet fjalë për procedurat gjatë muajve shtator 2020-mars 2021 të cilat kapin vlerën e gati 143 milionë eurove.
TENDERA NË SHKELJE TË LIGJIT
Dëmi financiar i shkaktuar nga dritat shpesh të munguara, thellohen edhe më shumë .
Për vitin 2018 janë evidentuar shkelje me kontrata të shitblerjes së energjisë nga operatorët, të cilët kishin lidhur marrëveshje me OSHEE.
– Konkretisht, më 4 tetor 2018, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hap procedurën e blerjes së energjisë elektrike për lotet 1 dhe 2 për sasinë 112 000 MegaËat Orë për periudhën 7-20 tetor 2018.
Njëra nga kompanitë që është shpallur fituese në lotin 1 me vlerë 1.5 milionë euro, GEN-I TIRANA, ka dështuar të furnizojë me energji elektrike OSHEE. Për të paktën 7 ditë në tetor 2018, kjo kompani nuk ka furnizuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sipas kërkesave.
– Më 14 nëntor 2018, OSHEE hap tenderin e radhës për blerjen e energjisë elektrike për lotin 2 në sasi 75 000 Mega Wat-Orë.
Disa nga kompanitë fituese, EFT AG dhe GEN-I TIRANA në lotin me vlerë 7 milionë euro shkelnin përsëri kushtet e kontratës, duke mos furnizuar në kohë energjinë elektrike.
– Për muajin nëntor 2018 kompania EFT AG për ditë të ndryshme të muajit nuk ka furnizuar me energji në përputhje me kushtet e sipërpërmendura të kontratës.
Për vitin 2019 është konstatuar shkelje e kontratave të shitblerjes së energjisë nga kompanitë që kanë furnizuar me energji Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
– Më 14 janar 2019, OSHEE hap tenderin për blerjen e energjisë nëpërmjet lotit 1 dhe lotit 2 për periudhën 22 deri me 31 mars 2019, për sasinë totale 73 000 Mega Wat Orë me vlerë totale 4.4 milionë euro.
Dy nga kompanitë EFT AG dhe GEN-I TIRANA kanë qenë pjesëmarrës dhe fitues në lotet 1 dhe 2, për sasi të ndryshme energjie.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se GEN-I TIRANA dhe EFT-AG nuk kanë respektuar kushtet e kontratës.
EMERGJENCË ENERGJETIKE PA ARSYE?
Në tetor 2021 u shpall situata e Emergjencës Energjetike për shkak të mungesës së prodhimit të energjisë kryesisht prej mungesës së reshjeve. Kjo situatë qëndroi aktive deri me 31 dhjetor të vitit 2023 përmes dy vendimeve të nënshkruara nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, edhe pse ky vit ka qenë me prodhim pozitiv.
Për 6 mujorin e parë të 2023, KESH ka arritur të prodhojë, duke mbuluar të gjitha nevojat e vendit.
Prodhimi i rregullt i energjisë bie ndesh me vendimin e 26 korrikut të vitit të shkuar nga zëvendës kryeministrja Balluku për zgjatjen e emergjencës së energjisë kur realisht nuk ka pasur krizë. Sipas ekspertëve, lufta Ukrainë-Rusi nuk qëndron si motiv për zgjatjen e emergjencës energjetike pasi nuk cënohej siguria kombëtare e Shqipërisë në asnjë rrethanë.
“Në vitin 2023 ishte e pakuptimtë zgjatja e emergjencës pasi Shqipëria prapë rezultoi një vend neto eksportues, çmimi në treg ra, arriti në vlerën 107 euro/MËH. Pra, nuk kishte më kushte për të patur një emergjencë”, deklaroi eksperti Gradeci.
Kjo shkelje nga Balluku është në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në të përfshihet edhe Ergys Verdho si administrator. Kjo pasi të dhënat e siguruara nga raporti i Entit Rregullator të Energjisë zbulojnë se KESH ka prodhuar dhe ka shitur energji, pra është net eksportues.
ERE- PALA MBI PALËT
Nga ana tjetër, Enti Rregullator i Energjisë, si palë mbi palët, kërkon llogari nga trekëndëshi OSHEE – OST – KESH për deklarimet e tyre, të cilat me sa duket nuk janë të plota. Në raportet e ERE ka mangësi në dokumentim pasi nuk ka fakte konkrete nga ana e institucioneve kryesore, duke krijuar mungesë transparence për informacione zyrtare, të detyrueshme për publikim. Sipas ekspert i energjisë, Klodian Gradeci, te raporti i ERE-s nuk gjenden të dhëna për energjinë rinovues.
“Është detyrë e OSHEE t’i raportojë në ERE sepse të gjitha këto kapacitete të instaluara janë të lidhura në rrjetin e OSHEE-së dhe nuk raportohen ndërkohë, këto zënë një volum të rëndësishëm, në konsumin e vet prodhuesve, të cilët I kanë vet investuar me paratë e tyre, këto kapacitet dhe përfitojnë nga energjia e përfituar nga vet ata.
Por nëse këto do të raportoheshin, atëherë do të duhet të rishikohej edhe bilanci i OSHEE-së, edhe raporti i OSHEE-së, do të duhet të rishikohej edhe niveli i humbjeve teknike të OSHEE-së sepse këto kapacitete instaluese janë direkte në pikën e konsumit dhe pikën e ngarkesës, që do të thotë dhe humbjet në këtë rast janë të papërfillshme, janë gati 0”, tha inxh. Gradeci për “Vetting”.
Eksperti Gradeci shtoi se nëse këto do të raportoheshin, do të zbulohej se ka disa boshllëqe në raportet që OSHEE dërgon.
Në këto kushte rezulton se Enti Rregullator i Energjisë, nuk arrin të bëjë pasqyrime të sakta dhe profesionale jo vetëm për qytetarët, por edhe për parlamentin, siç e ka edhe detyrim ligjor. Mos përmbushja e kësaj detyre nga ERE duket se është edhe një arsye më tepër se përse ka një mungesë kaq të lartë të transparencës me fondet që ka në zotërim trekëndëshi OSHEE-OST-KESH.