Kanina i njohur ndryshe si fshati i kryeministrave, prej nga ka lindur Ismail Qemali, përballet me braktisje totale nga ana e shtetit.
Banorët ankohen se nuk dinë ku të çojnë prodhimin e ullirit, nuk dinë çdo të bëhet me të ardhmen e tyre në një kohë që duhet të kishte bujtina dhe agroturizëm.
Emisioni “Fol” u ndalën në fshatin turistik të Vlorës, ku banorët kanë dy ankesa: titujt e pronësisë dhe pikat e grumbullimit të produkteve të tyre.
Njëri nga fermerët thotë se janë shqiptarë dhe nuk i dëgjon askush dhe se janë prodhues dhe nuk i dëgjon askush.
“Jemi fermerë por të pambrojtur, punojmë por nuk gëzojmë, qajmë 365 ditë, se s’dimë si do na vejë halli, se sa do shkojë litri i qumështit, kilja e vajit të ullirit dhe në fund ku do e maganizojmë dhe a do bëhemi ndonjëherë ne që të kemi brandin Made in Albania. Dhe pse jemi fermerë, ne na mungojnë titujt e pronësisë. Nuk bëjmë dot asnjë lloj investimi, nuk kemi asnjë lloj titulli pronësie, me përjashtim të AMTP-së të 8 gushtit 1991. Sepse askush nuk merret me pronën tonë, askush nuk ka vënë dorë. Kanë kaluar disa qeveri dhe asnjë nuk ka menduar që në Kaninë të japë titujt e pronësisë.
Ajo që është më ulëritësja është se ne dhe shtëpitë i kemi pa certifikata pronësie, ato që janë qindra vjeçare. Në Kaninë janë afërsisht 630 familje të trajtuara me pronë në 8 gusht 1991, nga këto familje, dikush që mund të ketë bërë certifikatë pronësie, e ka bërë në mënyrë individuale, pa kontaktuar me gjitonin dhe ata mund të numërohen me gishtat e dorës deri në pesë. Gjithë ai fshat është në ajër. Se po të kesh certifikatën e pronësisë së pronës dhe të kërkosh të zhvillosh pronën, për ndërtiminm e kapanoneve, për grumbullimin e ullirit, do kreditohesh dhe do kesh mundësi ta zhvillosh më tepër biznesin. Mungesa e tregjeve zonal dhe rajonal. Pikat e grumbullimit janë një pjesë e tregtisë dhe tregtia e lirë është një praktikë. Vendet fqinje kanë tregje për fermerët. Këto tregje i vijnë në ndihmë fermerit se i përkushtohen vetëm fermave blegtorale, qoftë prodhimin e ullirit, qoftë agrumet, kur këto tregje janë të mbushur me tregtarë që shesin produkte importi, kjo do të thotë që ne jemi drejt falimentimit.
Në Kaninë janë rreth 100 mijë ton vaj ulliri pa shitur, stok. Po të flasim me çmim minimal, sikur 600 lekë litri, janë rreth 600 milionë lekë. Duke thënë që jemi të trajtuar me 7501 dhe çdo fermer i lindur deri në 8 gusht 1991 ka rreth 17 rrënjë ullinj për frymë, Kanina ka rreth 65 mijë rrënjë ullinj që janë jo më pak se 1 mijë vjeçarë, përveç pjesës së fuqisë punëtore që kemi kultivuar ullishte të reja. Vërtetë kishte rënie me 70% të prodhimit të ullirit nga 2022, por kjo nuk do të thotë që të jetë shitur. Në Kaninë kanë arritur deri te 600 lekë kilogrami i kërkesës. Vajin e llogarisin me kilogramë jo me litra. Që në çmim të vjedhin rreth 540 lekë të vjetra. Nën 7 euro litri i vajit të ullirit del me humbje. Janë ndryshuar pesë qeveri, asnjëra nuk ka punuar për fshatin. Me shpopullimin Kanina rrezikon shkollën. Dikur kishim gjimnaz, sot janë 57 fëmijë. Nuk kemi pika grumbullimi të ullirit dhe vajit të ullirit. Të na thonë sa vlen ulliri i Kaninës, ta na i certifikojë, të na thonë moshën. Ministrat dhe çdo nëpunës i shtetit janë kalimtarë, ullinjtë aty ngelen. Mali i Zi ka të njëjtin vaj ulliri dhe është jo më pak se 24 euro litri.
Morëm pjesë në panairin e New York individualisht, marketimi ishte i dobët nga ana jonë nga shishja dhe etiketa por cilësia ishte nga më të admirueshmet. Atje vendosin 200 shefa kuzhine. Iniciativa jonë ishte private, çuam shishen atje, ne arritëm te vendi i 30. Penalizimi ynë i vetëm ishte ambalazhimi. Me një linjë ambalazhimi shkonim shumë mirë. Kishte 280 pjesëmarrës nga të gjitha vendet e botës. Duke përfituar edhe statusin e 100 fshatrave, ne jemi fshat turistik pa turistë, pa infrastrukturë, pa certifikatë pronësie dhe pa fshat zhvillimor dhe me tkurrje të jashtëzakonshme.
Kanina nuk ka një qendër administrative, është si në Afganistan. Në 33 vjet ministria e Bujqësisë dhe sot bashkia Vlorë, zero investime në bujqësi. Janë hedhur rreth 1 milionë euro për një kanal vaditës, dhe sot zero pikë ujë, zero vaditje dhe zero investim. Infrastrukturë zero. Shkolla e parë Shqipe e hapur në jug të Shqipërisë është ajo e Kaninës, falë patriotëve Jani Minga dhe Mustafa Ramadani, ndërsa sot është gërmadhë. Në kohën e sistemit u kthye në kafeneja, kafeneja u shit iu dha shitësit të kooperativës. Kalaja jonë është kala serbe. Në hyrje të kalasë është një tabelë që kalanë e Kaninës e kanë rikonstruktuar serbët. Ne thamë do e presim tabelën, por ka insistim nga ministria që të mos hiqet. Historinë e kalasë së Kaninës ia fshinë, nuk ka histori, as në Google dhe as në Wikipedia. Kanina është me histori 3 mijë vjeçare, atë duan turistët, jo Lungomaren. Kërkesa ka por nuk ka ku ti çojmë. Turistët nuk e njohin fare që këtu ka kështjellë antike.” – thotë banori.
Ndërkohë një tjetër banor thotë se nuk ka vaj bio në botë bën 20 euro litri.
“Ai për mua nuk është vaj, është ilaç. Shteti nuk ka promovuar kurrë vajin në panaire, nuk është bërë asgjë për Kaninën, fshati i Ismail Qemalit.”
Ndërsa një blegtor thotë se nuk e lënë të bëj një dhomë ku të rri ku ruaj bagëtitë, por e ka me llamarina.
“Na premtuan edhe akademi për çobanë, por nuk vjen çobani as me 60 mijë lekë të reja rrogë. Kullotat na i japin 6 mujore, jo 10-vjeçare siç ka thënë kryeministri. Brenda tre vitesh do shkatërrohen tufat.”
Nga ana tjetër një fermer shprehet se ka 1 mijë rrënjë ullinj, por se do detyrohet që të iki jashtë.
“Kam 10 vjet që jam kthyer, por ky vend nuk bëhet. Për blegtorinë të jep 12 mijë lekë për dele. Por babai im nuk mund të merret nëpër zyra, ata janë të humbur. Mund t’i mbajnë 2-3 vjet, por janë të zhdukur ne do hamë mish të huaj. Kur mishi ynë është bio. Mishi vjen nga Bullgaria, Rumania dhe shitet me emrin tonë, mish bio.”