Arben Vyshka nga Elbasani denoncon në “Stop” mbesën e tij Sonila Leci, me profesion avokate, po në këtë qytet.
Konflikti mes xhaxhait dhe mbesës ka lindur për shkak të pronësisë. Në vitin 1994 dy vëllezërit Vyshka vendosën që të ndërtonin një shtëpi 3 katëshe në oborrin e shtëpisë së vjetër.
“Meqë shtëpia ishte rrënuar me mirëkuptimin e prindërve ramë dakord që unë të zhvilloja shtëpinë në fushën ku ishte shtëpia e vjetër. Ndërtova shtëpinë. Më propozoi edhe vëllai tjetër që jetonte në pallat tek lagja “29 Nëntori” në katin e pestë me dy dhoma e një kuzhinë dhe pretendoi që edhe ai ka qejf të zhvillojmë shtëpinë bashkë”, tha ai.
Me dokumentet e shtëpisë u mor vëllai i madh Aliu, pasi Arbeni më shumë punonte në Greqi. Dokumentet e pronës u bënë te noterja Majlinda Lato, gjithsej tre dokumenta.
“Ramë dakord me prindërit bashkë dhe me vëllain që shtëpia të zhvillohej tre kate dhe në katin e parë dhe të dytë propozoi vëllai që meqë jam lodhur me pallatin, të rri unë në katin e parë dhe të dytë. Nuk ka problem se unë isha i ri, 30 vjeç. Me një kusht thashë unë që do kemi të ndara dhe hyrjet. Ti do kesh hyrjen tënde dhe unë do kem hyrjen e shtëpisë ekzistuese me shkallë më vete dhe nga jashtë”, tha ai.
Konflikti mes vëllezërve nisi për tendën, që u vendos mbi katin e tyre.
“Ndërtoi një tendë përpara katit të 3. Bëra shumë debat. Erdhi policia. Më thanë o Arben ti je vetë në institucion se atëherë punoja në institucion të bashkisë edhe më thanë që merr rrugën ligjore. Në fund fare nuk e prishi sepse këta hapën gjyq”, tha Vyshka.
Në këtë moment hyn në lojë mbesa avokate Arbenit, Sonila Leci, e cila hapi një proces gjyqësor kundër INUK Elbasan, që vendosi prishjen e tendës së vendosur nga i ati Ali Vyshka, që sot nuk jeton më.
“Gjyqi zgjati dy vjet. Fitoi institucioni. Me vendim të Shkallës së Parë, të Apelit dhe me vendim të Gjykatës së Lartë u la në fuqi për prishje. Vjen urdhri i ekzekutimit, paralajmërimi, brenda harkut 5 ditor kjo bëri të mundur që hapi gjyq dhe tha pavlefshmëri absolute. Hapi gjyq tjetër. Këtu u pretenduar pavlefshmëri absolute të njërës prej kontratave”, tha ai.
Por në skenë ka dalë një tjetër kontratë, me emrin e noteres Majlinda Lato, sipas të cilës Arbeni ia ka falur të gjithë shtëpinë të vëllait, Aliut. Ka dyshime të arsyetuara, që kjo kontratë është e falsifikuar dhe nuk është firmosur nga noterja dhe këtë e konfirmon ajo vetë.
Noterja Majlinda Lato: Beni, unë kam qenë gjithmonë korrekte në punën time dhe ti s’ke pasur asnjë herë vërejtje për mua…
Denoncuesi Arben Vyshka: Si korrekte?! Ka filluar procesi gjyqësor, ti s’ke qenë korrekte dhe me ato, që ke deklaruar në proces-verbal… Kontrata, që ata pretendojnë, që më ka goditur, nuk ka ekzistuar këtu, që Beni i ka falur të gjithë shtëpinë 3-katëshe. Shiko firmën, që është false edhe e jotja edhe timen. Kjo s’është firma ime, kjo s’është firma jote…ok? Vetëm këtu është firma e Aliut…E shikon? Po unë tani u dogja…, si ta hedh poshtë?
Noterja Majlinda Lato: Në rregull o Beni! Vazhdoni gjyqet! Hidhe poshtë këtë! Hidhe poshtë, po me gjyq, o Beni!
Denoncuesi Arben Vyshka: Unë në datën 24 dal nga shtëpia, e kam në Gjykatë të Lartë…, po e kanë marrë mo ato… Dëgjo bëje firmën këtu! Bëje firmën Majlinda këtu!
Noterja Majlinda Lato: Kjo është firma ime, çfarë do të të them tani?
Denoncuesi Arben Vyshka: Po si e keni futur këtë kontratë këtu?
Noterja Majlinda Lato: Nuk kam fut gjë, i keni sjellë ju…, po i keni sjellë ju …, mo Beni.
Denoncuesi Arben Vyshka: Po me këtë ma morën shtëpinë.
Noterja Majlinda Lato: S’është firma ime. Hidhe poshtë! E ka bërë Islam Vapi, more Beni.
Denoncuesi Arben Vyshka: Po ç’më duhet mua? Ti je notere. Kush e noterizon? Avokati mund të thotë, çfarë të dojë.
Noterja Majlinda Lato: O Beni! 30 vjet përpara, bjere dorën këtu, 30 vjet përpara…
Denoncuesi Arben Vyshka: Jo, nuk ta jap dorën, se ti më shkatërrove mua…
Sipas Arbenit, mbesa e tij ka ndikuar te gjyqtari Ilir Pashai përmes një kolegu të këtij të fundit.
“Tani ajo pretendon që të më marrë shtëpinë time, të më nxjerrë fishek. Ti tha do i bish tha babit tim policinë ndërtimore. Unë do të të nxjerr fishek tha ty. Ashtu ndodhi.
Gjyqin e zhvilloi me Ilir Pashain, njeriu më i lakuar në qytetin e Elbasanit. Pesë vjet më mbajti në gjykim. Më bëri proces penal edhe për falsifikim. Në seancë gjyqësore i them Ilir Pashait, ore gjyqtar a ke sens ti? Ti ke vëlla, a mundesh ti t’ia falësh vëllait tënd gjithë shtëpinë? Kaq m’u përgjigj”, tha Vyshka.
Ilir Pashai i dha të drejtë mbesës, bazuar mbi një kontratë noteriale të falsifikuar. Me anë të kameras së fshehtë, “Stop” konfirmon këtë fakt, përmes një bisede mes xhaxhait dhe mbesës avokate, Sonila Leci.
Xhaxhai Arbeni tregon se Sonila ka ndikuar edhe tek Gjykata e Apelit Durrës tek gjyqtari Petraq Dhimitri. Ky ndikim provohet me faktin, se avokatja Sonila Leci ka udhëtuar me gjyqtarin Dhimitri dhe me 2 gjyqtarë të tjerë, për të parë një ndeshje në Barcelonë, fakt për të cilin gjyqtarët e Durrësit u përjashtuan nga sistemi i drejtësisë.
Arben Vyshka: Petraq Dhimitri!
Mbesa Sonila Leci: Tani, ti mos më hajde mua në gjykatë, të më ngresh zërin me emrat…! Shko, ik në Gjykatë të Lartë, fito!
Xhaxhai Arben Vyshka: Me Petraq Dhimitrin ke qenë në Spanjë ti, në Barcelonë?
Mbesa Sonila Leci: Po, ku më ka dashur qejfi mua! Çfarë halli ke ti?
Xhaxhai Arben Vyshka: Mirë! Dakord!
Mbesa Sonila Leci: Po çfarë halli ke ti, mo vëlla?!
Xhaxhai Arben Vyshka: Po s’ke turp mi?
Mbesa Sonila Leci: Unë të kem turp?
Xhaxhai Arben Vyshka: Po je mbesa ime…
Mbesa Sonila Leci: Po le të jem mbesa jote, mo…
Sipas dyshimeve të tjera, mbesa avokate ka ndikuar edhe në Gjykatën e Lartë ku data e këtij gjykimi është përshpejtuar dhe shumë shpejt në Gjykatën e Lartë pritet që të gjykohet ky konflikt mes mbesës dhe xhaxhait, ku kjo e fundit kërkon që xhaxhait t’i marrë të gjithë shtëpinë.
Xhaxhai Arben Vyshka: Në datën 24 kam gjyqin në Gjykatë të Lartë. Më kanë thënë, që ke ndërhyre ti, për ta përshpejtuar…më dëgjo deri në fund!
Mbesa Sonila Leci: Unë nuk e di fare, që ka gjyqe mo…, çfarë do ti të të bëj unë…? Ti çfarë do?
Xhaxhai Arben Vyshka: Po të rrimë ashtu si dikur. Sikush shpi të vet…siç i kemi pasur letrat.
Mbesa Sonila Leci: S’po të ngacmon njeri…
Xhaxhai Arben Vyshka: Po ti më ke sjellë zyrën përmbarimore.
Mbesa Sonila Leci: Unë ta solla zyrën përmbarimore…
Xhaxhai Arben Vyshka: Ti je Sonila Leci, që hape gjyqin me Ilir Pashain me të gjitha…
Mbesa Sonila Leci: Nuk dua! A e kupton, që nuk dua..? A e kupton?
Xhaxhai Arben Vyshka: Po ti je kokrra e mashtrueses. Po mbaje mend! Unë të drejtën do ta fitoj…
Mbesa Sonila Leci: Aty ku dua, unë jam kokrra e mashtrueses. Po te im atë, po te im atë, nuk fal njeri. Shko në Gjykatë të Lartë, ke 10 avokatë.