Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka depozituar këtë të mërkurë një tjetër padi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres, deputetes Olta Xhaçka për konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik.
Ky vendim i Bardhit vjen pasi 72 socialistë ngritën në Kuvend me urdhër të shefit të tyre Edi Rama kartonin e kuq, për të mbrojtur Xhaçkën që mandati i saj mos shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese. Votimi në Kuvend ndodhi më 11 Prill, pasi socialistët e zvarritën dhe e mbajtën për më shumë se një viti në sirtarin e kryeparlamentares Lindita Nikolla vendimin e Kushtetueses.
Pas dorëzimit të padisë, Gazment Bardhi deklaroi nga dera e Gjykatës Kushtetuese se padia është firmosur nga 44 deputetë të opozitës, teksa i bëri thirrje gjykatës që të mblidhet me urgjencë dhe të vendosë në vend dinjitetin e përdhosur nga Kuvendi.
“Bashkë me kolegët e grupit parlamentar jemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën e 44 deputetëve të opozitë sikundër vendimit politik të Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Olta Xhaçkës. Për herë të parë Kuvendi ka shpallur veten sovran. Kjo është një çështje që nuk ka të bëjë më me 1/10 e për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë. Ka të bëjë me autoritetin e Gjykatën Kushtetuese. Është në nderin e kësaj gjykate që pa asnjë vonesë, pa zgjatur proceduar me muaj të tërë, të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga Kuvendi. Nuk ka ndodhur kurrë, pavarësisht kundërshtimeve që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e Gjykatën Kushtetuese.
Së dyti ndodh për herë të parë që ndërsa SPAK po heton grabitjen e 11 m2 tokë nga familjarë të ish-ministres Olt Xhaçka, Kuvendi i përcjell një mesazh që refuzon të zbatojë vendimet e drejtësisë. Shkelje flagrante e Kushtetuese dhe e vetmja mënyrë për ta rivendosur në vend këtë të drejtë është ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë kërkesë janë bërë bashkë gjithë deputetët e opozitës. Gjithë deputetët e opozitës që e kanë pasur seriozisht mocionin e paraqitur për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës.”– tha Bardhi.
Në lidhje me akuzat e Lulzim Bashës, se mandati i Xhaçkës ishte pazar politik, Bardhi e akuzoi atë se nuk ka firmosur asnjë padi kundër ish-ministres së Ramës dhe se një mikeshë e përbashkët mes tyre ka ndërhyrë që Basha të pengojë mocionin kundër Xhaçkës.
“Çdo deputet i opozitës ka patur detyrë ta ndjekë këtë çështje deri në fund. Ju keni ndonjë dyshim që Ori Nebiaj, Tase apo me radhë nuk janë deputetë opozitarë? Janë deputetë opozitarë, do bëjnë gjithmonë opozitë.
Basha, edhe pse nuk do të doja të merresha me të sepse do të duhet të flasim për gjëra serioze, jo për individ që i ka hyrë shumë në qejf të flasin me vete. Se kush flet me veten ju e dini, e kam parë edhe që i shkon ky lloj modeli. Basha nuk ka firmosur as herën e parë për mandatin e Xhaçkës dhe arsyet ai i di fort mirë. Basha nuk ka pranuar të firmosur edhe mocionin e 1/10 që në nisje të kësaj procedure. Pyeteni për Bashën për arsyen dhe se kush janë bashkëpunëtorët e tij, që kanë miqësi me Olta Xhaçkën dhe i kanë ndërhyrë Bashës për të penguar mocionin kundër Olta Xhaçkës. Arsyet shkoni pyesni Bashën se kush janë bashkëpunëtorët e tij që kanë miqësi me Xhaçkën dhe që i kanë ndërhyrë Bashës për të penguar mocionin kundër Olta Xhaçkës.
Janë 44 deputetë që kanë firmosur, lajmi nuk është a ka firmosur Ori Nebiaj apo jo? Po ka firmosur. Çdo deputet që e ndjen veten në opozitë, do të bëjë opozitë dhe do t’i shkojë gjërave deri në fund ka firmosur. Çdo kush tjetër që që në nisje ka dashur të marrë në mbrojtje Xhaçkën, ai s’ka firmosur dhe as ka lejuar ata që ka në influencë. Ka firmosur edhe Kryemadhi. Nuk i përgjigjem askujt që flet me vete, i shkon ky pozicion. E vetmja rrugë për të zgjidhur krizat kushtetuese është kjo derë. Kush do të varrosë çështjet dhe ti bashkohet aksionit të Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Xhaçkës, mund të shkojë te byrektorja e Bashës. Basha ka refuzuar nënshkrimin e mocionit kundër Xhaçkës që në qershor 2022. Arsyet i di ai, do duhet t’i shpjegojë. Është miqësia e një prej bashkëpunëtoreve të tij me Olta Xhaçkën. Politika nuk është Pazar, aq miqësi, është parim kushtetutshmëri “ – tha Bardhi.
Investimi strategjik
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor të vitit 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj. Kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.
Më vonë, Gjykata kushtetuese i kërkoi Kuvendit të dërgonte në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës, por në qershor të 2023-it, anëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan që të rikthejnë në pikën zero diskutimin për këtë çështje duke propozuar rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
Prej më shumë se një viti, kjo çështje rrinte në sirtarët e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, duke moszbatuar vendimin e Kushtetueses. Tashmë, edhe më keq, publikisht, jo vetëm Nikolla, por e gjithë mazhoranca në bllok, me urdhër të Ramës u kthyen në mburojë të mandatit të Olta Xhaçkës dhe nuk zbatojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës.
Për çështjen në fjalë, SPAK ka sekuestruar të gjithë sipërfaqen e tokës që i ishte falur ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.
Gjithashtu, në burg për këtë çështje ndodhet dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi.
Po ashtu, edhe vetë Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij deputete Olta Xhaçka kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me këtë çështje që vijon të jetë në hetim.