Bluebay shpk, kompania që po realizon investimin strategjik Drymades Beach Resort në Gjilek të Himarës, ka ndërruar pronar. Mentor Mezini aksioneri i vetëm i kësaj kompanie ka vendosur t’i shesë kuotat tek tre shoqëri shqiptare për 12 milionë euro. Shoqëritë blerëse janë Edil Project, Belhaus shpk dhe Hotel Colosseo. Të tre shoqëritë blerëse rezultojnë se kontrollohen nga familjarë të biznesmenit Pjerin Fushaj.
Kontrata e shitjes së kuotave është nënshkruar në fund të vitit të kaluar, por me kusht. Sipas kontratës, tre shoqëritë blerëse do të paguajnë në llogari të shitësit Mentor Mezini, një çmim prej 12 milionë eurosh për blerjen e kuotave të kompanisë Bluebay shpk, i cili do të paguhet në tre këste.
Nga këto, 200 mijë euro në momentin e firmosjes së kontratës, 7.8 milionë euro deri në 31 janar 2024 dhe 4 milionë eurot e mbetura do të shlyhen në natyrë deri në fund të vitit 2024. Tre shoqëritë blerëse kanë marrë përsipër të furnizojnë me hekur në vlerën 4 milionë euro, kompanitë e tjera që zotërohen nga zoti Mezini. Deri në shlyerjen e plotë të çmimit nga pala blerëse kuotat e kompanisë Bluebay do të qëndrojnë të bllokuara në emrin e shitësit.
Investim Strategjik
Bluebay shpk është themeluar në dhjetor të vitit 2019 me pronar të vetëm Mentor Mezinin. Në korrik të vitit 2021, kjo shoqëri përfitoi statusin e investitorit strategjik, procedurë e asisttuar, nga Komiteti i Investimeve Strategjike për projektin e saj Drymades Beach Resort.
Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 5 yje dhe 110 dhoma në Gjilekë të Himarës. Investimi total për ndërtimin e resortit vlerësohet 6.3 milionë euro, ndërsa ndërtimi dhe vënia në funksion e këtij hoteli sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, do të hapë punësojë rreth 165 persona. Drymades Beach Resort është investimi i parë strategjik, që ndërron pronar pas marrjes së statusit e investitorit strategjik./Kapitali.al