Eksportuesit nuk kanë arritur që ngrenë kokë në muajt e parë të këtij viti, duke parë një rënie të ndjeshme të të ardhurave të tyre, të ndikuara si nga koniunktura e pafavorshme e çmimeve dhe kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe rënies së euros në tregun e brendshëm.
Për tekstilet e këpucët, grupi kryesor i eksporteve dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, tkurrja sa vjen e po thellohet, duke dhënë efektin kryesor në ecurinë negative të marsit. Ndërkohë, për herë të parë në shumë vite, të gjitha grupet ishin me rënie, që ishte dyshifrore, përveç ushqimeve e pijeve që e kishin tkurrjen njëshifrore.
Sipas INSTAT, Gjatë muajit Mars 2024, në uljen e eksporteve prej -21,0%, negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,8 pikë përqindje, Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,6 pikë përqindje etj.
Tkurrja është e fortë për gjithë tremujorin. Sipas INSTAT, në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 95 mld lekë, duke u ulur me -22,3%. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -11,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,6 pikë përqindje, etj.
Tekstilet dhe këpucët nuk ngrenë kokë, ecuria më negative edhe se në pandemi
Në mars, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend (me 29% të totalit), ranë me 25.6%, nga 15.7%, që ishte tkurrja për shkurtin. Për tremujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 27 miliardë lekë, me një tkurrje prej 20% me bazë vjetore.
Prej muajsh industria po kalon një periudhë të vështire e ndikuar nga shumë faktorë si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Ecuria është më negative edhe se gjatë periudhës së pandemisë, kur ekonomia globale u bllokua përkohësisht.
Florjan Zekja, nga Shoqata e Eksportuesve tha se ka disa arsye për këtë tkurrje të fortë. Së pari, rënia e euros ka demoralizuar tregun dhe ka krijuar mungesë besimi për të ardhmen e klientëve.
Së dyti, rritja e kostove të brendshme dhe të jashtme, si rritja e pagave dhe kostove të tjera siç janë transporti nga Kina si pasojë e luftërave apo dhe apo me vendet e tjera si Gjermania apo Austria me rritjen e taksave rrugore të karbonit.
“Këto çojnë në humbjen e konkurrencës në rajon dhe spostimin klientëve në vende më të leverdishme të cilat kanë fuqi punëtore më të lirë dhe lëndë të parë në vend”, tha Zekja.
Aktualisht një euro këmbehet me më pak se 102 lekë, nga 116 lekë që ishte në shkurt-mars 2023.
Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve. Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.
Materiale ndërtimi dhe metale vijojnë tkurrjen
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i dytë më të madh në vend për tre mujorin, me 19.4% të totalit. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në mars ky grup ra me 23.3%, ndërsa për 3 mujorin tkurrja është 19.3%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.
Minerale, lëndë djegëse, energji me rënie të fortë
“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i tretë më i madh në vend, me 19.2% të totalit, si rrjedhojë e tkurrjes së fortë në muajt e parë të vitit. Në mars grupi i reduktoi shitjet me 27.2%, ndërsa për 3 mujorin rënia është 43%, e ndikuar nga ecuria negative në janar dhe shkurt. Ecuria e këtij grupi është e varur nga shitjet e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin.
Ushqime pije e duhan shënon rënie
“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit iu rikthye rënies në mars, pas një rritjeje modeste në dy muajt e parë të vitit. Në mars, eksportet e këtij grupi ranë me 4.2%, pas rritjes së dobët prej 1.5% në shkurt. Pavarësisht potencialeve, sektori po ndikohet nga rritja e kostove, që po e bëjnë atë më pak konkurrues në rajon si dhe nga ecuria e motit. Negativisht ka ndikuar dhe rënia e çmimeve të produkteve të eksportuara.
Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në mars eksportet ranë me 11.6%, ndërsa për 3 mujorin tkurrja është 10.6%.
Rritet deficiti tregtar
Sipas INSTAT, Në Mars 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 miliardë lekë, duke u ulur me -21,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 3,4%, në krahasim me Shkurt 2024. Importet e mallrave arritën vlerën 75 miliardë lekë, duke u ulur me 7,0%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 1,3%, në krahasim me Shkurt 2024. Deficiti tregtar i këtij muaji është 42 miliardë lekë, duke u rritur me 8,3%, krahasuar me Mars 2023 dhe duke u ulur me -0,4%, në krahasim me Shkurt 2024.
Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 95 miliardë lekë, duke u ulur me -22,3%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 209 miliardë lekë, duke u rritur me 0,4%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 114 miliardë lekë, duke u rritur me 32,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Eksportet bien me Italinë e Kosovën, rriten me Maqedoninë e Veriut e Mbretërinë e Bashkuar
Në muajin Mars 2024, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2023 janë: Maqedonia e Veriut (8,5%), Mbretëria e Bashkuar (39,7%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (10,9%), Kosova (15.1%) dhe Greqia (22.6%). Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (11,7%), Kosova (7,3%) dhe Greqia (37,5%).
Në muajin Mars 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Turqia (7,1%), Kina (0,9%) dhe Gjermania (7,2%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (1,5%), SHBA (26,6%) dhe Maqedonia e Veriut (27,5%). Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (21,6%), Greqia (25,8%) dhe Gjermania (10,5%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (3,1%), Kina (10,0%) dhe Spanja (5,2%)
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 60,3%, të gjithë tregtisë. Në Mars 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,0%), Turqia (8,9%), Greqia (7,2%) dhe Gjermania (7,0%).
Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 58,8% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,6% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,7% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6%), Turqia (9,6%), Greqia (7,3%) dhe Gjermania (7,1%)./Monitor