A mundet të jetë kjo një nga vrasjet më të sofistikuara, ku grupi kriminal që kreu ekzekutimin e Gentjan Bejtjas, brenda oborrit të banesës së tij, të jetë treguar aq i kujdesshëm në lëvizje, sa të ketë fshirë çdo gjurmë të mundshme të vrasjes.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj nga dita e ekzekutimit dhe krimi mund të duket deri diku perfekt, dhe pavarësisht mënyrës gati sterile të të bërit të punës, duket se jo gjithçka ka shkuar në perfeksion për togën e qitësve dhe porositësit e vrasjes.
Mesa duket gjatë largimit të tyre nga vendi i ngjarjes, në arratinë për ti shpëtuar policisë, nuk kanë mundur t’i shpëtojnë kamerave të sigurisë, por edhe syrit të dëshmitarëve okularë. Ata i kanë parë të maskuar jo shumë larg vendit të ngjarjes, vetëm pak minuta pasi krimi u konsumua pasditen e datës 15 mars në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Për herë të parë, emisioni ‘Në Shënjestër’ do të publikojë nëpërmjet këtij rrëfimi se çfarë ndodhi në orët që pasuan vrasjen e Gentjan Bejtjes, ku të arrestuar tashmë janë Ilir Beqaraj i cili mban edhe mbiemrat Brahimi dhe Mancellari, lindur në Milot, por banues në Tiranë si dhe Edison Haxhiu, edhe ky lindur në Milot dhe banues në kryeqytet. Të dy me arsim 8 vjeçar, ndërsa i pari jeton në një nga vilat e komplekseve luksoze në periferi të Tiranës.
Por ajo çka duket se i ka tradhtuar dy të ndaluarit e parë mbi këtë ngjarje kriminale, ka qenë lëvizja e një automjet tip Golf i Zi, pranë vendit ku u dogj makina e autorëve. Ky automjet është parë të lëvizë me shpejtësi pranë fshatit Hasan, ku edhe u gjet i shkrumbuar mjeti tip Land Rover i dyshuar, se u përdor në krim.
“Më datë 15 Mars 2024, rreth orës 16:14 persona të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri, në ambientet brenda oborrit të banesës së tij në fshatin Larushk, Fushë-Krujë, shtetasin Gentjan Bejtja. Ku autorët pasi kanë realizuar qëllimin kriminal janë larguar me një automjet të markës ‘Land Rover Discovery’ me ngjyrë të zezë, që pak minuta më pas e kanë braktisur dhe djegur në fshatin Hasan, Fushë Krujë”, thuhet në dosje.
Por ndërsa mendohej se krimi u krye nga një makinë e vetme, në këtë rast Land Rover Discovery, grupi i hetuesve ka bindjen se në këtë ngjarje të pranishme kanë qenë dy automjete, që më pas kanë ndarë rrugët e tyre. Një nga këto automjete të identifikuara edhe nga kamerat e sigurisë është edhe një Golf i Zi, që më pas u verifikua se i përkiste shtetasit Edison Haxhiu, tashmë i ndaluar nga policia.
“Nga këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë të marra nga një subjekt privat në rrugën kryesore, që lidhet me rrugicën që të dërgon në banesën e shtetasit Gentjan Bejtja, rezulton se në orën 16:14 aty futet një automjet në dukje i markës ‘Land Rover’ Discovery me ngjyrë të zezë, që dy minuta më pas, në orën 16:16 largohet duke dalë në rrugën kryesore dhe lëvizur në drejtim të mbikalimit të Fushë- Krujës. Nga të dhënat e siguruara ně rrugë operative, është mësuar se autorët pasi kanë djegur mjetin e markës ‘Land Rover’, në fshatin Hasan, Fushë-Krujë janë ndarë dhe larguar në drejtime të ndryshme. Përkatësisht me një automjet tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë pa targë në pjesën e pasme dhe një mjet tjetër”, thuhet në dosjen hetimore.
Po ndërsa automjeti tip ‘Land Rover’, që u pa të hynte dhe të dilte në harkun kohor të dy minutave në rrugicën që të çon në banesën ku më pas u vra Gentjan Bejtja, u verifikua që ishte i vjedhur në muajin korrik të vitit 2023 në qytetin e Shkodrës, ndërsa targat në Tiranë, në fillim të vitit 2024, mjeti tjetër tip ‘Golf’ i zi i dyshuar se është përdorur në krim, është parë të lëvizë pa targa të pasme pranë vendit ku po digjej makina e autorëve.
“Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të subjekteve private pranë vendit ku po digjej makina ‘Land Rover Discovery’, në fshatin Hasan të Fushë-Krujës, është parë të lëvizë me shpejtësi një automjet tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë. Që më pas konstatohet në autostradë, në sens lëvizje Fushë Krujë-Vorë, dhe teksa futet në fshatin Bubq. Mjeti tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë, që rezulton se nuk ka targa të pasme”, thuhet në dosje.
Por kjo nuk është lëvizja e vetme që mjeti tip ‘Golf’ kryen përgjatë këtij intervali kohor. Edhe pse në momentin e parë, grupi hetues nuk mundi të shquajë nëpërmjet pamjeve filmike, targën në pjesën e përparme të automjetit, në mungesë të atyre të pasme, kjo gjë u mundësua pasi kjo makinë shikohet teksa lëviz në një tjetër itinierar. Këtë herë vetëm 25 minuta pasi ishte kryer vrasja e Gentjan Bejtjas, në zonën e Ishmit në Durrës. Nëpërmjet targës u arrit të identifikohej edhe pronari i automjetit.
“Në orën 16:40, automjeti ‘Golf’ shfaqet në lëvizje në Ishëm, nga ku dallohet targa e parë ‘AB 960 GG’. Nga verifikimet në sistemin E-gjoba, rezulton se targa ‘AB 960 GG’ i përket automjetit të markës ‘Wolksvagen’, modeli ‘Golf’ me ngjyrë të zezë, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Automjet që figuron ‘Alert’, pasi më datë 12 Gusht 2022 është konstatuar nga radarët e policisë rrugore, duke qarkulluar në aksin rrugor Laç-Thumanë, me shpejtësi tej normave të lejuara”, thuhet në dosjen hetimore.
Do të ishte pikërisht ky konstatim që do të çonte edhe në identifikimin e një personi të dytë, që edhe ky dyshohet se është një nga personat që ka marrë pjesë si bashkëpunëtor në vrasjen e Gentjan Bejtjas, pasditen e 15 marsit në serën në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Ky person do të ishte Ilir Beqaraj që mbante edhe mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, i cili del se kishte hyrje-dalje të shumta nga pikat kufitare me mjetin tip ‘Golf’ të zi, bashkë me pronarin e këtij automjeti, Edison Haxhiu dhe një person të tretë të identifikuar me inicialet A.M.
“Nga verifikimet në sistemet që administrohen nga Policia e Shtetit, rezulton se me automjetin e markës ‘Golf’ me targa ‘AB 960 GG’, kanë udhëtuar dhe janë regjistruar në hyrje-dalje, të vendkalimeve kufitare përveç pronarit Edison Haxhiu dhe shtetasi A.M dhe Ilir Beqaraj (alias Brahimi, apo Mançellari) lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Ku në vijim janë administruar dhe këqyrur pamje filmike përgjatë intenerarit që dyshohet se kanë përshkruar autorët për t’u afruar dhe larguar nga vendi i ngjarjes”, thotë dosja.
Por dëshmia më me interes për grupin hetues në lidhje me atentatin, është ajo e një shtetasi të huaj me banim në Shqipëri, i cili gjatë orës ku ndodhi krimi, ka mundur të shikojë persona të dyshimtë të maskuar në rrugë. “Gjatë fazës së hetimeve, janë administruar dëshmi të familjarëve të viktimës si edhe të dëshmitarëve okularë. Ndër të cilët edhe shtetasi J. L, lindur në Jordani dhe banues në Tiranë i cili ndër të tjera ka deklaruar se: ‘Më datë 15 Mars 2024, rreth orës 16:30, ka qenë duke udhëtuar nga ura e Gjoles në drejtim të fabrikës së ‘Çimentos’ Fushë-Krujë duke ndjekur itinerarin: Ura e Gjoles-North Park më pas rrugën dytësore përmes fshatit Hasan që të nxjerr tek karburant ‘K…..’ në aksin kryesor Fushë Krujë-Thumanë”, thuhet në dosje.
Pikërisht në këtë aks rrugor ai thotë se ka parë të ndaluar në rrugë, dy makina. Midis tyre edhe një ‘Golf’ të zi, ku ajo që dallohej ishte se ky automjet nuk kishte targa në pjesën e pasme të tij. Ndërkohë që në këmbë pranë mjeteve, midis tyre edhe një motor katër rrotësh, qëndronin tre persona me kapuç të zi në kokë. Ndërsa dy të tjerë ndodheshin në mjetin ‘Golf’ të zi. “Sapo kalova kryqëzimin e rrugës dytësore, në rrugën që të nxjerr te karburant ‘K….’, përpara automjetit tim unë pashë dy motorë katër rrotësh, një automjet ‘Golf’ të zi, model 5 ose 6 tip i ri, pa targa në pjesën e pasme si dhe një automjet tjetěr me ngjyrë gri, që targën nuk ia fiksova dot”, ka deklaruar ai.
Më tej në dëshminë e tij, dëshmitari okular, tregoi se në këmbë përpara këtyre mjeteve qëndronin edhe tre persona, të cilët ishin të mbathur me veshje jo normale për përditshmërinë. Gjë që atij i bëri përshtypje dhe i dha mundësinë ti dokumentojë si imazhe. Një skenë që për të dukej më shumë si një skenë xhirimi filmi, se sa një mendim se këta njerëz ishin këtu si personazhe të një ngjarje kriminale që kishte ndodhur vetëm pak minuta më herët, jo shumë larg vendit ku ai i pa. “Ajo që konstatova më tej është se në afërsi të këtyre automjeteve dhe motorëve ndodheshin tre persona që qëndronin në këmbë. Ndërsa dy të tjerë, shoferi dhe pasagjeri i përparmë, ndodheshin në mjetin tip ‘Golf’ të zi. Ajo që munda të dalloj me tej është se të tre personat që qëndronin në këmbë në rrugë pranë motorëve, kishin kapuçin e xhupave në kokë, dhe nuk i kanë hequr për asnjë moment. Dhe ata po qëndronin pothuaj ngjitur me mjetin tip ‘Golf’ dhe po flisnin me njëri tjetrin”, ka deklaruar ai.
Në kushte të tilla drejtuesi i mjetit, thotë se i ndjerë i frikësuar, mendimi i parë që i shkoi nëpër mend ishte të largohej menjëherë nga ai pozicion ku kishte ndaluar me makinën e tij. Ai tregon se pavarësish se lëvizi nga aty, frika e shoqëroi edhe më pas. Pasi në një moment mjeti tip ‘Golf’ I zi, iu vu nga pas. Ose ashtu ai pati ndjesinë në atë moment, se po e ndiqnin.
“Në këtë situatë unë u ndjeva i frikësuar, dhe vendosa t’i kaloj anash mjeteve të dyshimta që kishin ndalur në rrugë. Por vetëm pasi lëviza rreth 100 metra, para se të dilja në rrugën kryesore, unë vura re pas meje mjetin tip ‘Golf’ të Zi, që po ma bënte me drita. Dhe që po kërkonte ti hapja rrugën dhe të kaloja përpara. Kjo ishte hera e fundit që e pashë mjetin ‘Golf’ të zi. Pasi ndërsa më parakaloi, ky mjet shtoi shpejtësinë deri në kryqëzimin e aksit kryesor rrugor Fushë Krujë-Laç dhe më pas u kthye djathtas në drejtim të Fushë-Krujës”, shton më tej.
Do të ishte kjo dëshmi dhe pamjet filmike të siguruara në itinerarin ku mendohet se lëvizën vrasësit e Gentjan Bejtjas, pasdrekën e datës 15 mars 2024, ku krahas automjetit ‘Land Rover Discovery’, pranë fshatit ku u dogj kjo makinë, u pa të lëvizte edhe një ‘Golf’ i zi, që përkonte me atë të deklaruar nga dëshmitari okular, që çuan grupin hetues në ndjekjen e këtij automjeti. Dhe lëvizjet që kjo makinë kishte kryer gjatë këtij intervali kohor. Ku vetëm disa ditë pas krimit, grupet e vëzhgimit të policisë, mundën të ndalojnë pronarin e këtij automjeti, që siç thamë ishte Edison Haxhiu, i cili u shoqërua në polici, ndërsa po lante makinën e tij pranë një qendre tregtare në Tiranë. E njëjta makinë thuhet se u pa të lëvizte pranë automjetit të djegur nga autorët, në fshatin Hasan të Fushë-Krujës.
“Falë metodave speciale të hetimit u bë e mundur që rreth orës 21:20, të datës 19 Mars 2024, të ndalohej shtetasi Edison Haxhiu. I cili në këtë moment u konstatua në ambientet e një lavazhi automjetesh pranë një qendre tregtare, teksa po lante automjetin e markës ‘Wolsvagen Golf’ me ngjyrë të zezë me targa AB 960 GG”, thuhet në dosje. Gjatë kontrollit në banesën e Edison Haxhiut, por edhe të Ilir Beqaraj që mban edhe mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, policia mundi të gjejë edhe një arsenal armësh si edhe një sërë dokumentesh me siguri të falsifikuara.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ilir Beqaraj që mban edhe mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, në një nga komplekset luksoze në Tiranë, u gjetën; Një pistoletë ‘Walther’ me tetë fishekë; një armë gjahu ‘Benelli’; një brez me 29 fishekë armësh zjarri; 5 pajisje si ato radio marrëse-dhënëse me mbishkrim ‘Midland XT’ 70, një pasaportë lëshuar nga Republika e Kosovës në emër të shtetasit B.A, e dyshuar e falsifikuar; një kartë identiteti e Republikës së Kosovës në emër të shtetasit B. A, e dyshuar e falsifikuar; 2 celularë të markave Iphone dhe një i markës Samsung etj”, sqaronte policia.
Po ndërsa ndaj Ilir Beqaraj, rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje dhe falsifikimit të dokumenteve, akuza ndaj Edison Haxhiut, nëse vërtetohet është edhe më e rëndë. Ai mendohet se ka siguruar kushtet si edhe mjetet për të kryer vrasjen e Gentjan Bejtjas, më datë 15 Mars 2024, në oborrin e banesës së këtij të fundit në fshatin Larushk në Fushë-Krujë.
“Trupi Gjykues çmoi si të ligjshëm masën e ‘arrestit me burg’ ndaj shtetasit Ilir Beqaraj alias Brahimi alias Mançellari, të arrestuar në flagrancë i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit’, si edhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ si edhe vleftësimin e ligjshëm të ndalimit ndaj shtetasit Edison Haxhiu, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’, dhe caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ ndaj tij”, thuhej në vendimin e Gjykatës.
/Emisioni “Në Shënjestër”