Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur 10 persona në lidhje me 7 vilat në zonën e preferuar të Petrelës, shumë pranë qendrës tregtare “TEG”, të cilat në nëntor të vitit të kaluar, u zbulua se ishin përdorur dokumenta të rreme për t’i pajisur me leje ndërtimi, në kuadër të procesit të Rindërtimit.
Të pandehur janë marrë dy arkitektët e arrestuar Armand Prelezi dhe Klevis Bregu, mbi të cilët rëndon akuza për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”. Po ashtu, të pandehur janë marrë dhe shtetasit: Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Mehmet Durishti, Tefta Visha, Dorina Dushku, Arblin Harizi dhe Gani Moka.
“Në zonen e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që ka rezultuar se dokumetacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës është vendosur edhe sekuestro preventive ndaj 7 vilave të paligjshme.
Nga verifikimi i thjeshtë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit ‘Google Maps’, del se të dhënat e pasqyruara në relacione nga arkitektët Armando Prelezi dhe Klevis Bregu, tregojnë vendndodhje të ndryshme krahasuar me vendndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet e bëra pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar në ngastrat e ekonomive pyjore 1/a dhe 2/a, në juridiskionin e Bashkisë Tiranë.
Nga ana tjetër, njëri nga personat në hetim, Gani Moka, administrator dhe ortak i i kompanisë Certi VV South Balkans, ka lidhur kontratë qiraje në datën 14 prill 2021 me Agjencinë e Parqeve dhe rekreacionit për sipërfaqen 2000 m2, e cila është pjesë e fondit pyjor, ngastra 1/a, ku në fakt janë ngritur ndërtimet me të dhënat e rreme.
Gjatë përpilimit të akteve përkatëse, është konstatuar se disa prej strukturave me hekur dhe beton si dhe muri rrethues janë të pozicionuara në një sipërfaqe të fondit pyjor e cila është dhënë në përdorim. Kjo skemë veprimi, sipas prokurorisë ka ndodhur si pasojë e përdorimit të të dhënave të rreme nga arkitektët Armando Prelezi dhe Klevis Bregu nëpërmjet sistemit E-leje.
Si rezultat i hetimit, prokuroria ka sekuestruar tri sipërfaqe nga 370 metër katror secila, në emër të Manush Teqes, Florian Zelës, Abaz Teqes e Arblin Harizit dhe një sipërfaqe 360 metër katror të Dorina Dushkut. Njëri nga personat në hetim, Gani Moka, pronar i kompanisë Certi VV South Balkans në 21 maj 2021 u dhunua nga shtetasit Seit Manahasa dhe Kreshnik Manahasa të cilët i kërkuan që t’u paguante 20 mijë euro.
Autorët mbajtën peng Mokën dhe një punonjëse të tij pasi i zhveshën dhe i filmuan duke i kërcënuar se pamjet do ti bënin publike nëse nuk paguante 20 mijë euro. Moka dhe punonjësja e tij janë lënë të lirë vetëm pasi autorët u morën 12 mijë lekë të reja dhe u premtuan se nuk do ta denonconin ngjarjen në polici. Një ditë pas ngjarjes, RENEA arrestoi 38-vjeçarin Seit Manahasën dhe shpalli në kërkim kushëririn e tij 37-vjeç, Kreshnik Manahasa.
Skema e përdorur nga dy arkitektët është interesante. Ata kanë projektuar vila për klientët e tyre, të ngjashme në volum dhe formë me vilat e një kompleksi rezidencial, të quajtur “Secret Residence”. Godinat e projektuara nga dy arkitektët e arrestuar gjenden saktësisht ngjitur me murin rrethues të kompleksit dhe duken si vijim i tyre.
Ndoshta është menduar si një formë për të fshehur vilat e paligjshme. Por, kujt po ia fshihnin?
“Boldnews.al” ka siguruar pjesë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës, në të cilën dallohet lehtësisht se strukturat e Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj kanë pasur një mbivendosje kompetencash, ose të paktën kështu është justifikimi zyrtar, dhe për këtë shkak nuk është verifikuar situara në terren e këtyre 8 vilave të reja.
Askush nga autoritetet shtetërore nuk i ka parë ato vila duke u ndërtuar ose nuk i ka kontrolluar për ligjshmërinë.
Vetëm në fillim të janarit 2023, kur godinat e reja kishin marrë formën thuajse përfundimtare, në adresën e Komisariatit nr.1, i cili mbulon zonën, mbërritën një seri denoncimesh dhe informacionesh, për ndërtime pa leje ngjitur me “Secret Residence”.
Punonjësit e Policisë informuan Inspektoratin Ndërtimor Vendor Tiranë, i cili deri më atë kohë nuk kishte asnjë informacion. Në datë 12 janar 2023, inspektorët ndërtimorë evidentuan vilat pa leje, vendosën pezullimin e punimeve, gjobitën “pronarët” e tyre, si edhe referuan materialet në Prokurori për “ndërtim të paligjshëm”.
Falsifikim i akt-ekspertizave të tërmetit
Në 17 Qershor 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka miratuar lejen e ndërtimit me objekt “Rindërtimi i ndërtesës së dëmtuar, si pasojë e fatkeqësive natyrore, pa shtim apo ndryshim vëllimi”, në favor të shtetasit Manush Teqia.
Aplikimi për këtë leje në emër të Teqias është bërë nga arkitekti Armand Prelezi. Në dosjen e aplikimit të ngarkuara në sistemin elektronik përkatës gjenden, ndër të tjera, akti i ekspertizës së thelluar të kryer nga Instituti i Ndërtimit, hartuar në dhjetor 2019, cili përbën dokument vendimtar për Rindërtimin.
Në bazë të këtij akti, godina e Manush Teqias në Petrelë është dëmtuar në nivelin DS5 dhe duhet rindërtuar.
Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimit të saj, ka marrë një shkresë nga Instituti i Ndërtimit në qershor 2023, në të cilën thuhet se nuk rezulton të ketë kryer asnjë inspektim në prona apo në emër të Manush Teqia.
Ky detaj krijoi dyshimin e prokurorëve se dokumenti i Institutit të Ndërtimit është i falsifikuar.
Në të njëjtën mënyrë, Instituti i Ndërtimit informoi Prokurorinë e Tiranës se nuk ka kryer asnjë lloj ekspertize për llogari të Arblin Harizi, Abaz Tegja dhe Florian Zela, të cilët gjithashtu rezultojnë të kenë aplikuar dhe të jenë pajisur me leje ndërtimi në kuadër të Rindërtimit në të njëjtën zonë.
Ndryshimi i koordinatave
Në kuadër të të njëjtin hetim, Prokuroria e Tiranës krijoi dyshime se aplikimet e kryera nga Armand Prelezi dhe Klevis Bregu për rindërtimin e godinave të shtetasve të mësipërm, si edhe të Dorina Dushku, Gani Moka, Tefta Vishi dhe Mehmet Durishti, janë kryer duke abuzuar me koordinatat e sheshit të ndërtimit dhe volumin e vilave në kate dhe sipërfaqe.
Nga verifikimet e kryera nga ana e Prokurorisë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit “Google Maps”, rezulton se të dhënat e pasqyruara ne relacione nga arkitekti Armand Prelezi apo Klevis Bregu, tregojnë vendodhje të ndryshme, karahasuar me vend-ndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), apo edhe pa vend-ndodhje, duke mos reklamuar koordinata.
Bashkia “nuk ka sy”
Prokuroria e Tiranës ka pyetur disa inspektorë ndërtimorë vendorë, për të kuptuar më mirë se si ka ndodhur që askush nuk i ka parë ndërtimin e shtatë vilave pa leje në një prej zonave më të rrahura nga “bosët” e kryeqytetit, por edhe të Shqipërisë.
Inspektorët e pyetur i janë referuar kryesisht një organizimi të brendshëm të Bashkisë së Tiranës, i cili në rastin më të mirë rezulton defektoz. Ata kanë deklaruar se nuk është ushtruar kontrolle në këto objekt përpara muajit Janar 2023, pasi kontrolli i lejeve të Rindërtimit nuk ka qenë kompetencë e Drejtorisë së Terrenit.
Sipas tyre, Lejet e Rindërtimit kanë detyrim ligjor që godinat duhet të ndërtohen në gjurmën e objektit të vjetër dhe duhet të njoftojnë Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit Bashkia Tiranë, për fillimin e punimeve, pasi objekti duhet të ndërtohet me përmasa të njëjta dhe në vendin e njëjtë.
“Deri në muajin janar 2023, Lejet e Rindërtimit kontrolloheshin nga Drejtoria e Kontrollit të Lejeve dhe nuk ishte kompetencë e Drejtorisë së Terrenit”, kanë deklaruar në mënyrë të njëjtë para prokurorëve, inspektorët E. Belalla, R. Myrta dhe L. Alushi.
Pra, duket se për shkak të këtij organizimi, strukturat e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë shumë vigjilente për ndërtimet pa leje të mureve të oborreve apo hapjes së dritareve, nuk kanë parë ndërtimin e paligjshëm të shtatë vilave në zonë luksoze.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal nr. 1285, të vitit 2023 (I bashkuar), për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshem” parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive, si marja në pyetje e personave, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe ne përfundim është arritur në konkluzionin, se bëhet fjalë për konsumim të elemeteve të veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonen e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që ka rezultuar se dokumetacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.
Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova dhe dyshim të arsyeshëm për të proceduar me marjen si të pandehur, për veprat penale shtetasit si më poshtë:
- Armand Prelezi, arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal;
- Klevis Bregu, arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal;
- Manush Teqja, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
- Florian Zela, i akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
- Abaz Teqja, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
- Mehmet Durishti, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
- Tefta Visha, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal;
- Dorina Dushku, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i K.Penal;
- Arblin Harizi , akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Falsifikim i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal; dhe
- Gani Moka, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 dhe “Moskallezim i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.
Njëkohësisht, referuar parashikimeve të nenit 274 të Kodit Procedurës Penale, nga ana e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është kerkuar sekuestrimi i objekteve të paligjshme dhe me vendimin nr 3625 datë 20.11.2023 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridikisonit të Përgjithshëm Tiranë ka disponuar vendosjen e sekuestros preventive mbi objektet e ndërtuara.
Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosverimeve të enteve publike si dhe bashkpunëtorëve të mundshëm për veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 186/3 dhe 248 të Kodit Penal.