Këtë të hënë është mbajtur mbledhja e parë e Komisionit Hetimor Parlamentar për Koncesionet në Shëndetësi, më konkretisht do të hetohet për 4 muaj koncisioni i sterilizimit dhe ai i check up-it, të cilët po ashtu janë nën hetim edhe nga organet e drejtësisë.
Komisioni Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi mori 95 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër të enjten e kaluar në Kuvend, teksa ishte pjesë e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës që riktheu normalitetin në Kuvend.
Ashtui siç pritej, mbledhja është shoqëruar me debate mes palëve, teksa kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka publikuar listën e dëshmimtarëve që do të merren në pyetje, si edhe kalendarin e punës së hetimi.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi në nisje të mbledhjes deklaroi se korrupsioni është në të gjitha nivelet e qeverisë, teksa u kërkoi deputetëve socialistë që të mos bëhen mburojë. Por, këto fjalë duket nuk i kanë pëlqyer deputeti socialist Plarent Ndreca, i cili është përplasur me Vokshin. Deputetja e PD-së tha se këto dy koncesione janë abuzive, ndërsa Ndreca kërkoi që të mos dalin në konkluzione pa mbaruar punën.
Vokshi: Ky komision shihet nga opozita parlamentare si një mjet për të nxjerrë në pah situatën që ndodhet sektori i shëndetësisë. Denoncime që nga vijnë, tregojnë situatë të rënduar në barna, në kurra. Shqiptarët paguajnë mbi 60% të shërbimit shëndetësor nga xhepi. Janë dhënë 4 koncesione në shëndetësië që janë kthyer në gropa të zezë.
Plarenc Ndreca: Po bën konferencë për shtyp. Duhet të bëjmë mbledhje. A jemi mbledhur për të konstituuar?
Vokshi:Të lutem se nuk ua kam dhënë fjalën, duroni. Por duhet të bëj një hyrje…. mos u shqetësoni. Mos më ndërhyni ju lutem. Por informoj se çfarë është ky komision.
Ndreca:Nuk shqetësohem fare mund ta bësh çdo herë këtë gjë.
Vokshi; Nuk është vetëm shpërdorim detyre, por është korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë. Nuk duhet të bëhemi mburojë për këtë proces. Me 200 milionë euro mund të ishin bërë spitale të reja, qendra shëndetësore dhe të ishin rritur pagat e mjekëve dhe infermierëve. Si pikë e parë e rendit të ditës është konstituimi i këtij komisioni. E deklaroj hapjen e këtij komisioni, përbërja e tij komisioni është miratuar.
Ndreca: Referuar deklaratave del e qartë që ju keni paragjykuar veprimtarinë, nëse ju vijoni më tutje të konkludoni pa filluar puna e komisionit, keni fyer parim kushtetues mos paragjykimin e një çështje që është arsyeja përse ne jemi ngritur për te hetuar. Nëse vijojmë me deklarata partiake ndërkohë që ne jemi këtu për të kryer një proces të rregull ligjor, e kemi nisur me këmbë jo të ndarë. Ju lutem respektoni parimet kushtetuese. Për konstituimin e mbledhjes, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare. Duhet të kishim një vendim të zbardhur.
Vokshi: Kam diskutuar me drejtoreshën juridike dhe përfaqësues të Kuvendit dhe vendimi është zbardhur. Por për shkak të një numri në këtë vendim, është vonuar kjo çështje. Kush e përmendi fjalën dhunë? E paskeni në subkoshiencë të që mendoni ju se do të themi, Por ne nuk themi atë që mendoni ju. Shpresoj dhe mendoj se deputetët e këtij komisioni do të ngrihen në lartësinë e duhur për të zbardhur dy prej aferave dhe skandaleve në gjykimin jo vetëm tonin, por dhe të mbarë opinionit publik.
Gjithashtu, Plarent Ndreca bëri me dije se në mbledhjen e sotme mungon deputetja socialiste Klodiana Spahiu, e cila është zëvendësuar nga anëtarja tjetër Mirela Pitushi.
Më pas, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka akuzuar nënkryetarin e komisionit, deputetin e PS-së, Plarent Ndreca, duke pretenduar se ky i fundit është në konflikt interesi, pasi ka qenë avokat i një prej të akuzuarve për koncesionin e sterilizimit, ku bëhet fjalë për Arben Gjatë. Por, Ndreca tha se në konflikt interesi është kryetarja e komisionit Albana Vokshi, pasi ka depozituar në SPAK kallëzimin penal për këto koncesione.
Zhupa: Nuk kemi paragjykuar, kryetarja citoi kërkesën që ka ardhur nga PD dhe i referohet auditit të kryer nga KLSH. Sipas KLSH, nga viti 2015-2018, janë 930 mln lekë për shërbime të pakryera vetëm për check up. Kjo shumë është katërfishuar deri në 2024. Janë paratë e taksapaguesve. Kjo duhet t’iu shqetësojë. Atyre që s’u pëlqejnë të dhënat të sqarojnë a kanë konflikt interesi që ndodhen në këtë komision. Për mua ka konflikt interesi se ka qenë avokati i njëri prej të akuzuarve në koncesion. Të sqarojë Ndreca pozicionin e tij dhe të vazhdojmë punën për interesin publik.
Vokshi: Do të propozoja që secili prej anëtarëve të firmosë një formualar që s’kanë konflikt interesi për çështjet që do trajtohen dhe dëshmitarët që do thirren. Nëse janë në konfikt interesi të rishikojnë përbërjen e anëtarëve të tyre në këtë komision
Ndreca: Do ishte mirë të kuptojmë që kush është në konflikt interesi, unë apo kryetarja, që është kallëzuese. Nëse do kishte vend për konflikt, do ishte kryetarja që është kallëzuese se ka krijuar bindje për rrethanat që janë objekt hetimi.
Gjithashtu, Plarent Ndreca ka pretenduar se është bashkëkryetar i komisionit, por sipas Albana Vokshit, komisioni hetimor ka vetëm një kryetar.
Vokshi: Ka vetëm një kryetar komisioni dhe po dezinformoni publikun.
Ndreca: Ligjërisht jemi bashkëkryetarë të drejtimit të këtij komisioni. Po më ndërprisni fjalën, po ma ndërprisni. Unë nuk marr pjesë në këto komisione hetimore. Më lër ta mbaroj, unë po jap argumente. Ke argumente partiake, nuk po thoni asgjë.
Vokshi: Për sa kohë sa jam unë do e drejtoj unë këtë komision. Ka një kryetar. Nuk kemi dy bashkëkryetarë, përndryshe do të ishin dy. Do të ishit dhe ju këtu për të drejtuar. Drejtohet nga kryetari. Kur unë mos të jem, do të jeni ju zoti Ndreca. Kjo është nisur mbi bazën e raporteve dhe akuzave. Qetësohu se kemi katër muaj.
Ndreca: Nuk kemi ardhur për të të dëgjuar ty.
Vokshi: Jemi ne që e kemi denoncuar. Jemi bazuar në një sërë raportesh. Nëse ju kanë urdhëruar të vini të bëni zhurmuesin….Bëni detyrën e deputetit.
Në mbledhjen e sotme, u zgjodh edhe Sekretari i Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të merret me çështjet administrative. Në atë pozicion është zgjedhur deputeti i PS-së, Klevis Xhoxhi, ku të 15 anëtarët e komisionit kanë votuar pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetarja e Komisionit, Alabana Vokshi prezantoi edhe kalendarin e punës së hetimit, ku sugjeroi që dëshmitarët të merren në pyetje brenda datës 10 qershor.
“Sugjeroj që mbledhja e dokumentacionit të behet brenda datës 5 prill, shqyrtimi i dokumentacionit brenda datës 20 prill. Pyetje e dëshmitarëve të bëhet brenda datës 10 qershor, analizimi i akteve dhe dokumenteve brenda datës 25 qershor. Shqyrtimi përfundimtar dhe mbyllja e hetimit brenda datës 15 korrikut. Prezantimi brenda datës 20 korrik”, tha Vokshi.
Gjithashtu, Albana Vokshi lexoi edhe emrat e personave që do të thirren si dëshmitar, ku lista nis me kryeministrin Edi Rama dhe vijon me ish-ministrin nën hetim nga SPAK, Ilir Beqaj. Po ashtu, do të thirren dhe ortakët dhe administratorët e dy komisioneve.
LISTA
1-Edi Rama
2-Ilir Beqaj
3-Ogerta Manastriliu
4-Shkëqlim Cani
5-Anila Denaj
6-Albana Kociu
7-Klodjan Rjepaj
8-Geraldina Prodani
9-Ortaket dhe administratorët e të dy koncesionarëve
10-Nisma Thurje; Endri Shabani, Pano Soko, Artan Koni
11-Drejtuesit e qendrave spitalore universitare që nga nisja e zbatimit të dy komisioneve
12- Drejtorët e Fondit të Sigurimit të detyrueshem që nga firmosja e kontratave deri në zbatimin
13-Kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për dhënien e koncesioneve
14-Anëtarët e KPP që kanë trajtuar ankimimet
15-Drejtuesit e Agjencisë së Prokurimit Publik
16-Avokatura e Shtetit
17-Çdo person që ka dijeni rreth objektit të hetimit dhe që rezulton i përfshirë nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar
Ata do të merren në pyetje nga komisioni hetimor parlamentar brenda datës 10 Qershor. Sa i përket emrave të ekspertëve, komisioni vendosi që t}i caktojë në mbledhjen e ardhshme, që do të njoftohet në vijim.
Përbërja
1- Albana Vokshi Kryetar PD
2- Plarent Ndreca Nënkryetar PS
3- Klodiana Spahiu Anëtar PS
4- Milva Ekonomi Anëtar PS
5- Ilirjan Pendavinji Anëtar PS
6- Ilir Metaj Anëtar PS
7- Edona Bilali Anëtar PS
8- Petro Koçi Anëtar PS
9-Klevis Xhoxhi Anëtar PS
10- Zheni Gjergji Anëtar PD
11- Ina Zhupa Anëtar PD
12- Edmond Spaho Anëtar PD
13- Saimir Korreshi Anëtar PD
14- Xhelal Mziu Anëtar PD
15- Petrit Vasili Anëtar PD
1- Lavdrim Krashi Anëtar zëvendësues PS
2- Mirela Pitushi Anëtar zëvendësues PS
3- Emilia Koliqi Anëtar zëvendësues PD
4- Ilda Dhori Anëtar zëvendësues PD