Në korridoret e ngushta të qendrave shëndetësore në Tiranë, po dalin në pah modele shqetësuese: antibiotikët po jepen si karamele. Të moshuarit rreshtohen, letra në dorë, për rimbursimet e ilaçeve ndërsa një grua e gjatë në të tridhjetat, mban në krahë vajzën e saj me ethe, e mbështjellë në një batanije. Pavarësisht që ka kaluar nëpër medikamente të ndryshme pa recetë, temperatura e fëmijës nuk ulet. Kjo është një pasqyrë e një krize më të thellë ku abuzimi dhe mbipërdorimi i antibiotikëve po kultivojnë një rezistencë të rrezikshme, duke bërë këto ilaçe jetësore të pafuqishme. Po shfaqet një shqetësim kombëtar për shëndetin: konsumi i pakontrolluar dhe i shfrenuar i antibiotikëve po krijon kushte për një katastrofë të mundshme të shëndetit publik.
Në të majtë të korridorit të ngushtë të Qendrës Shëndetësore, Selitë, në Tiranë, një rresht i gjatë të moshuarish është mbledhur përpara derës së mjekut të familjes. Me letra në dorë presin recetat e rimbursimeve të ilaçeve, por në radhë qëndron edhe Rajmonda Caco, një grua me shtat të lartë, në të tridhjetat, që mban vajzën në krahë, të mbështjellë me batanije.
“39 e dy e ka temperaturën”, – thotë, megjithëse kaloi nga tachipirina në nurofen, nga paracetamoli në ibuprofen, për t’ia ulur.
“Epo, nurofeni do kohë, që ta japë efektin”, – i ndërhyn një grua në moshë.
Është e alarmuar. Ema, vajza katërvjeçare, që mban në krahë, kishte katër-pesë ditë me temperaturë, që nuk i zbriste nga 38. Mjeku i kishte dhënë augmentin, një antibiotik me veprim të gjerë, që përmban amoksicilinë; më pas i kishte dhënë cefaclor. Asnjëri nga antibiotikët nuk i dha rezultat.
“Do t`i kërkoj mjekes të më japë një antibiotik tjetër. Im shoq është me punë jashtë vendit dhe do ta marr andej. E kam vizituar vajzën në mjekë të ndryshëm, i kam dhënë dy antibiotikë deri tani, nuk e di se çfarë po ndodh. Ndoshta në Shqipëri janë ilaçet e skaduara e nuk japin efekt”, – ngre dyshime mbi efektin e antibiotikëve zonja Caco.
Sipas mjekëve, problemi kryesor që mund të kishte hasur Ema, ishte trajtimi mjekësor me antibiotikë që kanë rezistencë.
“Ka një uri të frikshme të pacientëve, që kërkojnë me ngulm përdorimin e një antibiotiku të caktuar. Ndesh çdo ditë raste të prindërve që kërkojnë antibiotikë për fëmijën e tyre, për shkak se mund të kenë pasur rezultate në një përdorim më të hershëm”, – shprehet Dalina Raseni, mjeke e familjes pranë Qendrës Shëndetësore, Selitë.
Duket se rezistenca ndaj antibiotikëve është një sëmundje, e cila ka bashkëjetuar prej vitesh në vendin tonë, pasi rastet janë të shumta dhe të ngjashme me njëri-tjetrin.
Sadete Byku është një 75-vjeçare nga fshati Synej i rretit të Kavajës. Ajo tregon sfidat me të cilat është përballur pesë vjet më parë dyerve të spitaleve në një moment të vështirë, që lidhej me shëndetin e mbesës gjashtëmuajshe.
“Kisha mbesën me temperaturë; napa dhe çorapet e lagura me uthull thaheshin shumë shpejt. Nga dritarja pashë që po zbardhte, e mbështolla vajzën me një batanije dhe mora rrugën drejt spitalit”, – kështu e nis rrëfimin gruaja nga Kavaja.
E moshuara thotë se shëndeti i mbesës nuk përmirësohej, edhe pse ishte trajtuar disa herë me antibiotikë.
“Mjeku thoshte se nuk i bën efekt ilaçi, ia ndërruam tri herë. Kush po pyeste për lekët! Kisha vetëm merakun e vajzës”.
E mitura nga fshati Synej ishte prekur nga një infeksion i theksuar urinar që i shkaktonte temperaturë 39-40 gradë, ethe dhe njolla në lëkurë. Ishte trajtuar fillimisht me amoxicillin e më pas me cefaclor, por situata vijonte e njëjtë.
“Ishte hera e tretë që pacientja prekej nga infeksionet urinare, u detyrova ta shtroj dy herë në spital dhe nuk arrita ta diagnostikoj, siç duhet, edhe pse konsultohesha me kolegët. Vendosa ta dërgoj në Urgjencën e Pediatrisë në Tiranë. Aty kolegët përmes ekzaminimit ekografik zbuluan se vogëlushja kishte refluks urinar”, – përshkruan rastin, duke e konsideruar si ndër më të vështirët e karrierës dhjetëvjeçare, Greta Haxhi, pediatre pranë Spitalit Rajonal të Kavajës.
Më tej ajo shton se raste të tilla ndesh çdo ditë, jo vetëm në Spitalin e Kavajës, por edhe në klinikën e saj, private në Tiranë.
“Nga të dhënat, që kam arritur të mbaj në klinikë, çdo vit ndesh 5-6 raste të rezistencës bakteriale vetëm te fëmijët.”
Dr. Haxhi nënvizon nevojën e ekzaminimeve të sakta, ekografike, analizave laboratorike dhe uljen e përdorimit të lartë e pa kriter të antibiotikut.
“Antibiotiku sot është prezent kudo, sidomos te fëmijët. Njerëzit e marrin në rrugë të ndryshme. Mjafton të shohësh dy analizat rutinore, që kryhen, një kulturë fyti ose mbjellje të urinës, për të kuptuar, nëse kemi të bëjmë me infeksion urinar apo me streptokok. Në fakt, në antibiogramën laboratorike ndesh shumë, shumë rezistenca.”
Rezistenca bakteriale haset edhe te fëmijët, të cilët nuk janë trajtuar asnjëherë me antibiotikë. Sipas mjekes Haxhi, prindërit këmbëngulin dhe përdorin çdo formë, për të marrë një antibiotik në recetën që përshkruan mjeku.
“Prindi shpesh kërkon antibiotikë për fëmijën edhe për një infeksion të lehtë të fytit. – Më ka bërë punë ky dhe dua këtë, – është fjalia që dëgjoj çdo ditë në klinikë. Kurrsesi nuk mund të përdoret një antibiotik i gjeneratës së tretë për një infeksion, që mund të jetë viral, i cili do të bëjë dekursin e vet dhe përkon fillimi i antibiotikut me fillimin e shenjave klinike dhe më pas krijohet besimi, sepse mendon, sapo fillova këtë, më bëri mirë. Më pas fillon edhe zinxhiri i prindërve, i nënave, që ia rekomandojnë njëra-tjetrës”, – përfundon Greta Haxhi.
Rritja e vazhdueshme e rezistencës
Specialistët pohojnë se situata e përdorimit të antibiotikëve është alarmante dhe ka lindur nevoja e shtimit të kontrolleve të vazhdueshme ndaj tregtimit pa recetë të antibiotikëve. Farmacistja Erblina Bozo tregon se në punën e saj të përditshme është dëshmitare e një realiteti shqetësues.
“Të shumtë janë pacientët, të cilët, kur hasin pengesë në farmacinë time për të blerë një antibiotik pa recetën e mjekut, më fajësojnë mua, duke pretenduar se në një farmaci tjetër kanë arritur që të marrin të njëjtin medikament”.
Mjekët dhe specialistët pohojnë përdorimin në masë të antibiotikëve, sidomos gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, por një tjetër shqetësim mbi situatën e përdorimit të antibiotikëve që ngre mikrobiologu Koraqi, lidhet me shtimin e kontrollit mbi përdorimin e antibiotikëve.
“Mungesa e protokolleve shëndetësore, moskryerja e analizave laboratorike, lehtësirat për të marrë një antibiotik pa recetën e mjekut, përdorimi i antibiotikëve edhe për trajtimin e virozave të zakonshme, stinore po iu japin mundësi baktereve që të krijojnë rezistenca vit pas viti”, – thotë Koraqi.
Mikrobiologu shkon më tej dhe thotë për INA Media-n se trajtimi i rezistencës ndaj antibiotikëve në vendin tonë po kthehet në një mision të pamundur, për shkak se antibiotikët në Shqipëri nuk po merren vetëm nga farmacia.
“Ne marrim antibiotikë në mënyrë të vazhdueshme nga qumështi, nga veza, nga mishi, nga perimet. Mbi 80% e antibiotikëve përdoren në shërbimin veterinar e bujqësor. Përdoret antibiotiku në të gjithë zinxhirin ushqimor, sepse jepet si faktor rritjeje, kryesisht për rritjen e masës trupore te kafshët”, – thotë Koraqi.
Profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Andi Koraqi, thekson më tej nevojën e një regjistri kombëtar për sasinë e antibiotikut që përdoret për qeniet njerëzore dhe për kafshët, si dhe shtimin e kontrolleve edhe ndaj farmacive bujqësore e veterinare.
“Sektori veterinar është totalisht pa kontroll. Mund të marrësh çfarë të duash. Farmacitë veterinare shesin çfarë të duan. Në rreth një ton tetraciklinë vetëm 0.5% përdoren për humanë, pjesa tjetër përdoret te kafshët. Kafshët nuk e kanë as me doza fikse dhe, sasinë që merr kafsha, ia përçon njeriut përmes produkteve që konsumon”, – shprehet i shqetësuar mikrobiologu Koraqi.
Pavarësisht shqetësimeve të specialistëve dhe situatës së rezistencës bakteriale në vend, INA Media i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të dhëna konkrete në lidhje me nivelin e rezistencës në popullatë dhe mori këtë përgjigje:
“Pas rishikimit vitin e kaluar të Planit Kombëtar të Veprimit, janë hartuar udhëzues e protokolle të survejancës së AMR në fushën e shëndetit human, si dhe kemi finalizuar e shpërndarë udhëzues e protokolle për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore”, – thuhet në komunikimin përmes postës elektronike.
Rezistenca në popullatë
Denada Laçej, mjeke mikrobiologe, thotë se periudha më kulminante e përdorimit të antibiotikut ishte pandemia që shkaktoi virusi Covid-19, por rreziku më i madh vjen nga shtamet multi-rezistente; shtame, të cilat bëjnë, që mjekësia të zhvishet nga qëllimi i saj dhe të ndihet e pafuqishme.
“Këto shtame* po rriten çdo ditë, pacientët, që preken, janë të destinuar të vdesin dhe kjo gjendje po e kthen rezistencën ndaj antibiotikëve në sëmundjen më të rrezikshme të globit. Vdekshmëria nuk do të vijë më nga sëmundjet kancerogjene, kardiovaskulare, por nga rezistenca ndaj antibiotikëve”, – thotë Denada Laçej.
Specialistët e shëndetësisë pohojnë mungesën e një politike, që ndalon dhënien e antibiotikut, si dhe mungesën e studimeve kombëtare për nivelin e rezistencës në popullatë.
Një studim i mikrobiologut Koraqi, që i përket vitit 2006, flet për shifra të larta të nivelit të rezistencës bakteriale. Konkretisht, studimi flet për rezistencën e florës bakteriale të escherichia coli te një kampion i caktuar me fëmijë nga mosha 6-14 vjeç në një shkollë të Tiranës.
“Ishte totalisht iniciativë personale dhe e kam zhvilluar në tri periudha të ndryshme. Në vitin 2006, në rreth 100 kampione, përjashtova fëmijët që kishin marrë antibiotikë në gjashtë muajt e fundit. Rezistenca ndaj antibiotikëve arrinte deri në 42%, një nivel shumë i lartë që do të rritej frikshëm në studimin e radhës”, – shprehet Koraqi.
I nxitur nga kureshtja për t`u njohur me nivelin e rezistencës bakteriale, qoftë edhe te një kampion i vogël, mikrobiologu Koraqi vendosi ta përsërisë studimin pas më shumë se pesë vitesh. Në studimin e vitit 2012 rezultatet e rezistencës bakteriale u rritën në 45%.
“E përsërita tri herë këtë studim dhe në vitin 2020-2021 rezultati ishte i frikshëm, norma e rezistencës kishte tejkaluar çdo parashikim. Kur te fëmijët, të cilët nuk kanë marrë asnjëherë antibiotikë, rezistenca është 65%, e imagjinoni se çfarë ndodh me pacientët që janë trajtuar minimalisht një herë me antibiotikë?, – citon të dhënat e studimit Koraqi.
Mikrobiologët Laçej dhe Koraqi nga studimi i realizuar mbi rezistencën ndaj antibiotikëve konkludojnë se këto janë nisma individuale dhe nevoja thërret për një plan kombëtar masash emergjente dhe një rregullator të këtij zinxhiri, që rrezikon shoqërinë.
“Mungesa e një udhëzuesi për mjekimin me antibiotikë në sistemin parësor iu jep të drejtë mjekëve që të rekomandojnë atë lloj antibiotiku që duan. Pra, nuk ekziston një hierarki, që në fillim duhen përdorur antibiotikët më të vjetër dhe pastaj të rinjtë. Veç kësaj mjeku i familjes nuk ka një historik të pacientit, nuk ka një sistem që të monitorojë rezistencën; se çfarë shtamesh ka…”, – përfundoi Denada Laçej.
Veç nevojës së monitorimit të këtij zinxhiri të rëndësishëm, Koraqi shton se duhet rritur edhe kontrolli mbi tregtimin e barnave në Shqipëri.
“Në morinë e gjithë këtyre problemeve, farmacitë janë një tjetër shqetësim, ka raste që edhe nuk e japin antibiotikun pa recetë, por e merr lehtësisht.”
Me aq sa duket, hallkat e zinxhirit nuk kanë funksionuar siç duhet me gjithë alarmin e ngritur nga OBSH. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e pyetur nga INA Media për monitorimin dhe planin e masave për luftën kundër antibiotiko-rezistencës, nënvizon:
“Rezistenca antimikrobike sot në botë është një kërcënim global, që po përpiqet të adresohet me veprime konkrete, si strategji globale dhe rajonale, plane kombëtare veprimi dhe sigurisht raportime të vazhdueshme pranë OBSH, CAESAR dhe së shpejti në GLASS, dhe implementimi i aktiviteteve i ka bërë bashkë të gjithë aktorët, që kjo luftë të jetë sipas qasjes One health.”
Nga ana tjetër, në shtator të vitit 2022, gjatë një takimi të zhvilluar me Komitetin Kombëtar të Ekspertëve për Testimin e Ndjeshmërisë Antimikrobike, ish-ministrja Manastirliu apeloi për shtim të masave dhe të kontrolleve në farmaci dhe në depo farmaceutike.
“Zero tolerancë për farmacitë, të cilat i shmangen rregullit të shitjes së antibiotikëve dhe barnave të tjera që duhet të shiten vetëm nëpërmjet recetës së lëshuar nga mjeku”, – deklaroi asokohe Ogerta Manastirliu.
Më tej, Ministria e Shëndetësisë, në përgjigje të kërkesës tonë për raportet e monitorimit dhe problematikave të hasura, thekson se ka kryer kontrolle të vazhdueshme në spitale rajonale, ku janë kryer edhe raportime për infeksionet spitalore nga shtamet rezistente.
“Po punojmë në drejtim të hedhjes në sistem të recetave jo të rimbursueshme, në mënyrë që të kemi në vëmendje edhe sasinë dhe llojin e antibiotikëve të përdorur në parësor.”
Nga ana tjetër, specialistët raportojnë për një numër të lartë të antibiotikëve të dalë nga përdorimi për shkak të nivelit të ulët të efektivitetit dhe prodhimi i antibiotikëve të rinj, jo vetëm kërkon kohë, por ka edhe kosto të lartë.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë ka listuar antibiotikët, që mund të përdoren dhe ata që nuk mund të përdoren. Jemi në fazën që duhet t`i japim rëndësi diagnostikimit të sëmundjes dhe në veçanti viruseve apo mikro-baktereve, për të pasur një rezistencë sa më të qëndrueshme”, – përfundoi Andi Koraqi.
/INA MEDIA