Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar largim nga puna të Ceno Klosit kur ai ishte në krye të Agjencia e Ujësjellës Kanalizimeve dhe të OSHEE. Por në vend të shkarkohej, sipas rekomandimit të KLSH-së, qeveria aktuale e ka ngritur në detyrë.
Si i ngjiti shkallët kryetatimori brenda institucioneve publike?
Karriera e Klosit në administratën publike ka filluar më vitin 2015, ku do të emërohej Drejtor Ekonomik tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, pozicion që e mbajti deri nga mesi i vitit 2021. Në raportin e KLSH, për periudhën 2017-2020, për OSHEE evidentohet mungesa e procedurave dhe afateve të monitorimit të skadencave të detyrimeve të pagueshme, deri tek vonesat në regjistrimin e deklarimin e faturave në sistemin tatimor nga ana e Ceno Klosit. Rasti më flagrant është ai i një fature me vlerë rreth 150 milionë lekë, e cila rëndonte pozitat e kryetatimorit tek OSHEE-ja.
Ekskluzivisht “Vetting” ka zbuluar një faturë të miratuar nga Klosi, kur ka qenë Drejtor i AKUM, me vlerë 140 milionë lekë, për kompaninë “ITS”, e cila ka në zotërim inceneratorin e Fierit. Kjo kompani u hetua nga SPAK si strumbullari i skemës që kryente pagesat fiktive dhe kanalizonte ryshfetet e pretenduara. Në këtë logjikë edhe Ceno Klosi nuk ka hezituar të kalojë një faturë rimbursimi TVSH-je me vlerë 140 milionë lekë. Kjo faturë është lëshuar për kontratën e landfillit të Sherishtës në Vlorë! Midis personave të dënuar për Inceneratorin e Fierit është edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i AKUM-i, Alqi Bllako, i zgjedhur deputet më 2021 dhe tashmë i dënuar për aferën e inceneratorëve.
“Vetting” ka zbuluar se nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës – Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta janë paguar të paktën 2.4 milionë euro drejt kompanisë “Integrated Technology Services” ku kanë firmosur tre drejtorë.
Në qershor 2020, “ITS” në pronësi të Klodian Zotos, në bashkëpunim me kompaninë italiane “Bulfaro Spa”, u shpallën fituese të tenderit me vlerë rreth 10 milionë euro, për ndërtimin e landfillit me kapacitet prej 350 mijë ton mbetjesh. Landfilli i Sherishtës ndodhet 10 km larg qytetit të Vlorës dhe duhej të kishte përfunduar në vitin 2021.
Ngelet mister se si do të hapet landfilli, kur njëra nga kompanitë kryesore e ngarkuar me punimet, e ka në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pronarin e kompanisë, Klodian Zoto.
Lidhjet e dyshimta me kompaninë e Rindërtimit
“Vetting” solli me dokumente se si babai i Spartak Kovaçit do ndërtonte me vëllain e kryetatimorit, Genti Klosin një resort gati offshore. Por kërkimet e “Vetting” alarmuan Genti Klosin, i cili pasi ishte njoftuar nga institucionet publike, shiti aksionet e kompanisë me vlerë 50 mijë lekë tek Petrit Kovaçi.
Vlera e ulët e aksioneve ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK, i cili ka zgjeruar hetimet për drejtorin Kovaçi për çështjen e resortit. Ekspertët kontabël ngrenë pyetje se si është e mundur që të shiten kaq lirë aksionet, kur kompania “ADRIATIC UNION” ka fituar lejen e zhvillimit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndërtimin e një kompleksi luksoz, ku vetë kompania zotëron toka dhe ndërtesa me vlerë 761 milionë lekë.
Por çfarë e lidh Klosin me Kovacin përveç vëllait?
Janë fondet e Rindërtimit, në këtë rast kompania “Vëllezërit Hysa”, ajo e cila zbulon fije të mundshme midis Spartak Kovaçit dhe Ceno Klosit. Fillimisht kompania “Vëllezërit Hysa”, në tetor 2021 së bashku me kompaninë e babait të Spartak Kovaçit, Petrit Kovaçin, “ADRIATIK” dhe “2 T” shpk kanë fituar tenderin e Rindërtimit me vlerë 20 milionë euro nga Bashkia Durrës.
Ky tender është dhënë në konflikt interesi nga kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, ndërkohë që ka kaluar më shumë se një vit nga afati dhe punimet akoma nuk kanë përfunduar nga kompanitë e përfshira, pa marrë asnjë penalitet.
Por kjo kompani nuk është rastësisht në konsorciumin që ka fituar tenderin e Rindërtimit. Historia e kësaj kompanie e ndjek Ceno Klosin gjatë kohës që ka qenë në krye të AKUM-it.
Më vitin 2019, kompania “Vëllezërit Hysa” së bashku me kompaninë “BE IS” shpk do të fitonin tenderin për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në zonën bregdetare në qytetin e Vlorës.
Nga informacioni i siguruar nga raportet e KLSH-së, në kohën që ka qenë Klosi drejtor, rezulton se kompanitë lanë pa realizuar rreth 37% të punimeve, e cila kapte vlerën 163 milionë lekë ose 1,6 milionë euro.
Ky problem është evidentuar nga Ujësjellës Kanalizime Vlorë, i cili ka ç’montuar pompat e reja të vendosura nga kompanitë që duhej të kishin realizuar tenderin.
Në përfundim të raportit për vitin 2022, si në rastin e OSHEE-së, KLSH-ja ka kërkuar largimin nga puna për drejtuesin, por ky rekomandim konsiderohet i ezauruar pasi Klosi ishte larguar nga institucioni për të marrë drejtimin e Tatimeve.
Aktualisht, Ceno Klosi vazhdon të jetë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve në konflikt interesi me detyrën, tashmë, siç mësohet, edhe nën hetim.
Ceno Klosi është emëruar në krye të Tatimeve më 22 tetor 2021 në kundërshtim me ligjin. “Vetting” sjell dokumentat ekskluzive të kompanisë “FIRST BAR LIMITED”, të cilat faktojnë konfliktin e interesit, në fillim dhe në vazhdimësi të detyrës së Klosit si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Pasuritë e padeklaruara që zotëron në Londër nëpërmjet kompanisë private, duhet të ishin një arsye tjetër edhe më madhore për ta dërguar drejt hetimeve dhe jo drejt Tatimeve.
Kompanitë në Londër
Më janar 2019, bankieri nga Fieri do të bëhej aksioner në parajsat offshore të Londrës te kompania “FIRST BAR LIMITED”, e cila ka si qëllim menaxhimin e restoranteve në Londër.
I sigurt nga anonimati që ruajnë offshoret e Londrës, Klosi ka deklaruar se zotëron 33% të kompanisë “FIRST BAR LIMITED”, në kohën që ishte Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, por nuk ka deklaruar detaje të tjera.
Gazetarët investigativë kanë zbuluar transaksione masive nga kompania “FIRST BAR LIMITED” e Klosit, e cila ka marrë kredi dhe ka krijuar fond likuiditeti, duke ia mbajtur të fshehura shtetit shqiptar.
Përpara se të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, si çdo zyrtar i lartë, Klosi duhej të bënte deklarimin e të dhënave me vetpërgjegjësi, bazuar në ligjin nr. 138/2015 për Garantimin e Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë Funksione Publike. Ky formular dorëzohet pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e më pas ILDKPKI, duhej ta kishte pasur pjesë të verifikimit.
Megjithatë, nga ajo çfarë ka mundur të sigurojë “Vetting”, rezulton se në vetdeklarimin e kryetatimorit ka fakte të fshehura.
Nga dokumentat zyrtare rezulton se më 5 maj 2020 “FIRST BAR LIMITED” ka marrë 50 mijë paund kredi, si mbështetje e siguruar nga qeveria britanike për shkak të pandemisë.
Në deklaratën fillestare të deklarimit të pasurisë së Ceno Klosit në ILDKPKI më 2021, nuk gjenden të dhëna për kredinë e marrë nga kompania. Por kjo është veç maja e ajsbergut sepse kompania ka me qindra mijëra paund kredi dhe hua të padeklaruara.
Në dokumente evidentohet se për vitin 202O, “First Bar Limited” ka patur 157 mijë paund borxhe ndaj subjekteve të panjohura, të cilat kanë shkuar në 200 mijë paund në 2021, pas kredisë nga bankat.
Situata me mosdeklarimin e të ardhurave pasohet me faktin se Ceno Klosi nuk e ka shënuar në formular fondin e përbashkët të aksionerëve me vlerë 120 mijë paund.
Konflikti i interesit
Shkeljet nuk ndalen me kaq, sepse Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk mund të kryejë kontrollin e biznesit të vet në Londër, të cilin e ka deklaruar për herë të fundit në ILDKPKI kur ishte tek AKUM-i. Në këtë rast, fusha e tij e veprimit bie ndesh me fushën e biznesit.
Sipas ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, neni 26, pika 2 për shmangien e konfliktit të interesit, “nënpunësit e administratës tatimore nuk mund të kontrollojnë apo vlerësojnë tatimet e veta apo të personave të lidhur me ta, me përjashtim të rasteve të vetëvlerësimit”
Ajo që faktohet në bazë të dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, është se Ceno Klosi, ka qenë dhe vazhdon të jetë aksioner i kompanisë “FIRST BAR LIMITED” në Britani. Pra, Klosi nuk ka dhënë dorëheqje nga të qenit aksioner tek kompania, ç’ka bie ndesh me pikën 3 të ligjit për Procedurat Tatimore.
Gjithashtu në momentin e propozimit të detyrës, kryetatimori nuk duhej të kishte pranuar postin, pasi ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike e ndalon në mënyrë kategorike të marrë këtë post..
Ky ligj jo vetëm që evidenton shkeljen ligjore nga Klosi në momentin e pranimit të postit publik, por zbulon se konflikti i interesit është në vazhdim pasi ai nuk ka hequr dorë nga aksionet e kompanisë.
Ky fakt zbulon shkelje të tjera të ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit sipas nenit 22 të këtij ligji, i cili i ndalon zyrtarët të kenë aksione në mënyrë aktive nga shoqëritë tregtare dhe kur kanë kompetenca thelbësore në trajtimin e këtyre kompanive.
“Vetting” ka arritur të zbulojë, një tjetër kompani fantazëm, ”RCR BARS LIMITED”, ku Klosi ka qenë administrator (Drejtor) dhe aksioner me të njëtët ortakë si te kompania “FIRST BAR LIMITED”.
Më prill 2019, katë muaj pas krijimit “RCR BARS LIMITED” është mbyllur, pa patur asnjë bilanc të deklaruar. Kjo kompani ka adresën fillestare të kompanisë aktuale, adresë e cila është ndryshuar nga të dhënat historike të kompanisë.
Ngelet për tu verifikuar nëse Klosi e deklaruar këtë kompani tek Tatimet në 2019, kur ishte drejtor te OSHEE-ja.
/Emisioni Vetting – News 24/