Ka përfunduar tubimi i mbështetësve të Partisë Demokratike, ku ka zgjatur për më pak se dy orë, ku fillimisht u vendosën para godinës së Gjykatës së Lartë, aty ku po zhvillohej seanca gjyqësore për vulën e Partisë Demokratike.
Tubimi ka qenë kryesisht paqësor me disa incidente të vogla, pasi protestuesit kanë tentuar të bllokonin qarkullimin e automjeteve në rrugën “Myslym Shyri”, por sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, nuk ishte marrë leje për këtë protestë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka qenë i vemti që ka mbajtur fjalime në këtë protestë, ku pasi foli para Gjykatës së Lartë, lideri demokrat u drejtua më pas bashkë me mbështetësit e tij, para godinës së Partisë Socialiste dhe më pas drejt selisë blu, ku u mbyll dhe tubimi.
Duke folur para protestuesve nga selia blu, Berisha paralajmëroi se protestat do të përhapen në të gjithë vendin dhe para çdo institucioni të krimit, duke përmendur dhe Kryeministrinë. Ai u shpreh i bindur në fitore.
“Sot në betejën tonë pa kthim, kundër diktaturës, çelëm një faqe të re. Sot, ne nisëm protestën kundër institucioneve të shndërruara në armë të diktaturës. Kjo protestë, e para në historinë 32-vjeçare të pluralizmit, para gjykatës supreme, Gjykatës së Lartë, e cila ka shënuar me qëndrimet e saj, një tradhti të lartë kombëtare ndaj ligjit, Kushtetutës dhe pluralizmit, shënon vetëm fillimin e betejave tona. Sot, protesta jonë para selisë së partisë së krimit, shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie, e cila me të gjithë qëndrimet e saj, e udhëhequr nga Edi Rama është përgjegjëse për dramën e madhe të shqiptarëve. Edi Rama në krye të kësaj partie, kërkon të zhdukë PD-në, por ne do qëndrojmë dhëmb për dhëmb. Ne jemi të pamposhtur. Protestat tona do përhapen në të gjithë vendin dhe së fundmi do përqendrohen përpara të gjitha institucioneve të krimit, para kryeministrit, do përqendrohen në çdo skaj të vendit për të mbrojtur liritë tona. U jam shumë mirënjohës, keni lënë çdo gjë dhe jeni sot këtu si luftëtarë lirie. U garantoj se shumë shpejt ky fillim do shndërrohet në një ortek të fuqishëm Sot ju vratë frikën e shqiptarëve për të protestuar përpara atyre organeve që janë shndërruar në xhelatë të të drejtës dhe ligjit, organe që funksionojnë si në diktaturë me urdhrin e diktatorit, organe që shndërrohen në hanxharë në duart e diktatorit. Fillimi është jashtëzakonisht premtues, fillimi ynë është shpresa e vetme e shqiptarëve. Sot të gjithë shqiptarët e trembur, të gjithë shqiptarët e strukur, e frikësuar, sytë i kanë te ju dhe vetëm te ju. Natyrisht ne sot fillojmë një kapitull të ri, por ju garantoj ju se forcë në botë që të më ndajë mua nga ju, nuk ka. Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, unë do bëj gjithçka që së bashku me ju, të ecim të sigurt drejt fitores. Edhe njëherë, dua t’u them këtu ju, se besimi që më dhatë ju, unë e pranova, e pranova me dy qëllime më kryesoret. E pranova sepse ju ishit demokratët që donit të qëndronit si opozitë e vërtetë, që donit të qëndronit për idealet tuaja të lirisë, që nuk donit pazare, që nuk donit t’u kontrollonte kush, cilido qoftë ai, mik apo jo mik. Nuk donit në asnjë rrethanë që Shqipëria, opozita, të kontrollohej nga një bandë mafioze. Ndaj ju votuat Sali Berishën.
Së dyti, ju garantoj se ne do ecim drejt fitores. Ju keni konstatuar se ne ndoqëm proceset, ne pranuam të hynim në zgjedhje në kushtet më të pabarabarta. Por donim ta kapnim për fyti hajdutin e votës, armikun e votës, për t’u betuar se nuk do i ndahemi kurrë derisa të qërohet nga pushteti. Ai e kuptoi këtë, ndaj dhe kaloi në masa ekstreme. Por përsëri ju siguroj se do dështojë. Ne nuk mashtrohemi nga Edi Rama. Ne nuk jemi ata të cilët u themi shqiptarëve se me Edi Ramën mund të fitohen zgjedhjet. Ne u themi shqiptarëve që të rrëzojmë Edi Ramën që të fitojmë zgjedhjet. Të votojnë shqiptarët të lirë. Dhe ne do e realizojmë këtë. Kjo kërkon guxim, kërkon sakrifica, kërkon vendosmëri, por ne së bashku të tillë jemi dhe ju garantoj ju se çdo ditë e më shumë do bashkohen shqiptarët rreth nesh. Fitore, fitore, fitore!” – u shpreh Berisha.
Në fjalimin e mbajtur para Gjykatës së Lartë, Berisha hodhi akuza drejt këtij institucioni si të kapur nga kryeministri Edi Rama, duke shtuar më tej se po përdoret njëlloj si bisturia në duart e kriminelit, për të masakruar simbolin e pluralizmit politik.
Ai tha më tej se të gjithë e dinë, që është Berisha në krye të Partisë Demokratike dhe se asnjë gjykatë nuk mund të vendosë ndryshe. Gjithashtu, pati një mesazh edhe për Lulzim Bashën, duke lënë të nënkuptohet se askush nuk e mendon se ai mund të bëjë opozitë.
“Një përshëndetje të përzemërt për ju luftëtarë të lirisë që nisni ditën në revoltën tuaj kundër diktaturës, që nisni sot ditën me revoltën tuaj në mbrojtje të vlerave të lirisë. Në jetën time kam pasur privilegjin t’i shërbej Shqipërisë në postet më të larta, kam shërbyer si president, kam shërbyer si kryeministër. Kjo karrierë e gjatë në postet publike, zhvillon te njeriu natyrën e tij të dytë për respektimin e ligjit. Zgjohesh me ligjin, punon gjithë ditën me ligjin, fle me ligjin dhe vetëm me ligjin vazhdon jetën e përditshme. Për Sali Berishën, ligji ai ka qenë thuajse një përcaktim gjysmë hyjnor. Një porosi kam pasur për bashkëpunëtorët e mi dhe nuk jam lodhur duke e përsëritur: respektoni ligjin. U bë vite që armiqtë dhe kundërshtarët e mi kanë nxitur hetime shterruese ndaj meje. Dhe ka një arsye pse mbas kaq kohësh, mbas kaq përpjekjesh, nuk kanë gjetur asnjë fakt, asnjë provë, asnjë shkelje në mijëra e mijëra vendime të Sali Berishës. Sepse unë gjithnjë kam respektuar ligjin dhe vetëm ligjin. Unë kam respektuar ligjin me bindjen më të thellë se ai respekt është mënyra më e sigurt për garantimin e lirive tuaja, për funksionimin e shtetit ligjor, pa të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci. Kështu që në këtë aspekt, mund t’u them para jush sot se vështirë të gjendet një tjetër të ketë konsideratë më të lartë se unë për ligjin. Ky është fakt! Por sot është koha kur secili prej nesh duhet të kujtojë diçka thelbësore që duket se është harruar. Çfarë është ligji? Ligjet, Kushtetuta, gjykatat, janë të gjitha instrumente për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Ashtu si kirurgu ka bisturinë në dorë për të shpëtuar jetën e të sëmurit, zyrtari ka ligjin në dorë për ët garantuar jetën e njerëzve. Por, meqenëse përmenda bisturinë, çdo njeri e di se ashtu sikundër bisturia shpëton jetë në dorën e mjekut, bisturia mund të marrë jetë në duart e kriminelit. E njëjta gjë ndodh dhe me ligjin. Në duart e zyrtarit të përgjegjshëm, ligji garanton liritë dhe të drejtat e njeriut. Në duart e kriminelit, ligji është arma më efiçente për shtypjen dhe asgjësimin e të drejtave të njeriut. Mos harroni kurrë këtë. Ishte me gjykata që Adolf Hitleri urdhëronte persekutimin e hebrenjve. Ishte me gjykata që Enver Hoxha urdhëronte burgosjen dhe ekzekutimin e armiqve të tij. Është me gjykata që Putini burgos sot opozitën e vendit të tij. Është kjo gjykatë mbrapa meje, mbrapa nesh, vegël e Edi Ramës, e cila sot po përdoret njëlloj si bisturia në duart e kriminelit,l për të masakruar arritjen më të madhe të shqiptarëve, simbolin e pluralizmit politik.
Gabimi më i madh që mund të bëjë qytetari është që ta marrë ligjin të mirëqenë, liritë e tij të mirëqena. Kosto e këtij gabimi është vetë liria. Njeriu i lirë është ai që zbaton ligjin, por duke qenë vigjilent se mos ai ligj po përdoret kundër tij. Vetëm skllavi do pranonte që gjykatat, që shkelin ligjin, që shtypin lirinë e tij, të përcaktojnë fatin e tij. Kjo është diferenca mes njeriut të lirë dhe skllavit. Kështu që a ka njeri të lirë sot të mos pranojë se shumica e demokratëve kanë zgjedhur si kreun e tyre, si lider të PD-së, Sali Berishën. Kjo është e faktuar me dy palë zgjedhje dhe me tre votëbesime. Kjo është e faktuar me mbi 500 mijë vota jo më larg se 7 muaj më parë. Kjo është e faktuar nga një proces votëbesimi jo më larg se një muaj më parë. A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se PD, vula, sigla, selia e saj, u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve? A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata dhe jo demokratët, duhet të vendosin se e kujt është PD, vula, logoja e saj, se kush është kryetari i PD? A ka njeri të lirë sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare të vendit mund të jepet sikur të ishte një plaçkë një njeriu që ka tradhtuar gjithçka, duke nisur nga qenia e tij gjer te mbështetësi më i fundit i tij? A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD? A ka njeri të lirë sot që të tresi rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD? Cili është ai skllav që thotë se ky vendim duhet zbatuar vetëm pse doli nga gjykata, armë e diktaturës së re, e diktaturës së bandave, diktaturës së krimit? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit, me urdhër të Edi Ramës, t’i konfiskojë Shqipërisë opozitën, për të cilën ka nevojë, siç ka nevojë zogu për ajrin për jetën e tij? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri? Ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë. Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim, do pranojë një nënshtrim poshtërues. Janë 600 mijë shqiptarë që këtë vendim nuk mund ta pranojnë kurrë. Janë 2 milionë shqiptarë që me këtë vendim duan t’i lënë pa një opozitë për t’i mbrojtur një regjim.” – deklaroi Berisha.
Gjyqi për vulën e PD-së
Që prej orës 09:00 ka nisur në Gjykatën e Lartë seanca gjyqësore për vulën e Partisë Demokratike, ku po zhvillohet në Dhomë Këshillimi. Çështja po shqyrtohet nga gjyqtarët, Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina.
Vendimi i parë për logon dhe vulën e PD-së u mor nga gjykatësi i Tiranës, Agron Zhukri në 25 mars 2022. Ai e konsideroi të ligjshëm kuvendin që ish-kryeministri Sali Berisha në 11 Dhjetor 2021. Sipas Zhukrit, procedura e ndjekur ishte e rregullt dhe e bazuar në statutin e kësaj force politike. Gjykatësi përcaktoi detyrimin që të gjitha ndryshimet statutore dhe ato për riorganizimin e strukturave partiake deri në zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të reflektoheshin në regjistrin e partive politike.
Ky vendim i Zhukrit u dërgua në Gjykatën e Apelit nga grupimi i Enkelejd Alibeaj, i komanduar në atë kohë në krye të partisë nga Lulzim Basha. Në 3 mars të këtij viti, Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi që të rikthejë çështjen në Shkallën e Parë pasi më parë kishte pranuar si palë edhe grupimin e Alibeajt. Vendimi Apelit u ankimua në Gjykatën e Lartë nga grupimi i Themelimit. Tashmë fati i vulës së PD-së është në Gjykatën e Lartë.