“Kjo gjykatë mbrapa nesh, vegël e Edi Ramës, sot po përdoret njëlloj si bisturia në duart e kriminelit, për të masakruar simbolin e pluralizmit politik”.
Kështu u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalimin e mbajtur para protestuesve para Gjykatës së Lartë ku po zhvillohet seanca për vulën e PD-së. Berisha u shpreh me bindje se ka respektuar ligjin dhe këtë porosi ka patur edhe për bashkëpunëtorët e tij.
Ai shtoi se të gjithë e dinë, që është Berisha në krye të Partisë Demokratike dhe se asnjë gjykatë nuk mund të vendosë ndryshe. Gjithashtu, pati një mesazh edhe për Lulzim Bashën, duke lënë të nënkuptohet se askush nuk e mendon se ai mund të bëjë opozitë.
Berisha: Një përshëndetje të përzemërt për ju luftëtarë të lirisë që nisni ditën në revoltën tuaj kundër diktaturës, që nisni sot ditën me revoltën tuaj në mbrojtje të vlerave të lirisë. Në jetën time kam pasur privilegjin t’i shërbej Shqipërisë në postet më të larta, kam shërbyer si president, kam shërbyer si kryeministër. Kjo karrierë e gjatë në postet publike, zhvillon te njeriu natyrën e tij të dytë për respektimin e ligjit. Zgjohesh me ligjin, punon gjithë ditën me ligjin, fle me ligjin dhe vetëm me ligjin vazhdon jetën e përditshme. Për Sali Berishën, ligji ai ka qenë thuajse një përcaktim gjysmë hyjnor. Një porosi kam pasur për bashkëpunëtorët e mi dhe nuk jam lodhur duke e përsëritur: respektoni ligjin. U bë vite që armiqtë dhe kundërshtarët e mi kanë nxitur hetime shterruese ndaj meje. Dhe ka një arsye pse mbas kaq kohësh, mbas kaq përpjekjesh, nuk kanë gjetur asnjë fakt, asnjë provë, asnjë shkelje në mijëra e mijëra vendime të Sali Berishës. Sepse unë gjithnjë kam respektuar ligjin dhe vetëm ligjin. Unë kam respektuar ligjin me bindjen më të thellë se ai respekt është mënyra më e sigurt për garantimin e lirive tuaja, për funksionimin e shtetit ligjor, pa të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci. Kështu që në këtë aspekt, mund t’u them para jush sot se vështirë të gjendet një tjetër të ketë konsideratë më të lartë se unë për ligjin. Ky është fakt! Por sot është koha kur secili prej nesh duhet të kujtojë diçka thelbësore që duket se është harruar. Çfarë është ligji? Ligjet, Kushtetuta, gjykatat, janë të gjitha instrumente për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Ashtu si kirurgu ka bisturinë në dorë për të shpëtuar jetën e të sëmurit, zyrtari ka ligjin në dorë për ët garantuar jetën e njerëzve. Por, meqenëse përmenda bisturinë, çdo njeri e di se ashtu sikundër bisturia shpëton jetë në dorën e mjekut, bisturia mund të marrë jetë në duart e kriminelit. E njëjta gjë ndodh dhe me ligjin. Në duart e zyrtarit të përgjegjshëm, ligji garanton liritë dhe të drejtat e njeriut. Në duart e kriminelit, ligji është arma më efiçente për shtypjen dhe asgjësimin e të drejtave të njeriut. Mos harroni kurrë këtë. Ishte me gjykata që Adolf Hitleri urdhëronte persekutimin e hebrenjve. Ishte me gjykata që Enver Hoxha urdhëronte burgosjen dhe ekzekutimin e armiqve të tij. Është me gjykata që Putini burgos sot opozitën e vendit të tij. Është kjo gjykatë mbrapa meje, mbrapa nesh, vegël e Edi Ramës, e cila sot po përdoret njëlloj si bisturia në duart e kriminelit,l për të masakruar arritjen më të madhe të shqiptarëve, simbolin e pluralizmit politik.
Gabimi më i madh që mund të bëjë qytetari është që ta marrë ligjin të mirëqenë, liritë e tij të mirëqena. Kosto e këtij gabimi është vetë liria. Njeriu i lirë është ai që zbaton ligjin, por duke qenë vigjilent se mos ai ligj po përdoret kundër tij. Vetëm skllavi do pranonte që gjykatat, që shkelin ligjin, që shtypin lirinë e tij, të përcaktojnë fatin e tij. Kjo është diferenca mes njeriut të lirë dhe skllavit. Kështu që a ka njeri të lirë sot të mos pranojë se shumica e demokratëve kanë zgjedhur si kreun e tyre, si lider të PD-së, Sali Berishën. Kjo është e faktuar me dy palë zgjedhje dhe me tre votëbesime. Kjo është e faktuar me mbi 500 mijë vota jo më larg se 7 muaj më parë. Kjo është e faktuar nga një proces votëbesimi jo më larg se një muaj më parë. A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se PD, vula, sigla, selia e saj, u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve? A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata dhe jo demokratët, duhet të vendosin se e kujt është PD, vula, logoja e saj, se kush është kryetari i PD? A ka njeri të lirë sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare të vendit mund të jepet sikur të ishte një plaçkë një njeriu që ka tradhtuar gjithçka, duke nisur nga qenia e tij gjer te mbështetësi më i fundit i tij? A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD? A ka njeri të lirë sot që të tresi rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD? Cili është ai skllav që thotë se ky vendim duhet zbatuar vetëm pse doli nga gjykata, armë e diktaturës së re, e diktaturës së bandave, diktaturës së krimit? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit, me urdhër të Edi Ramës, t’i konfiskojë Shqipërisë opozitën, për të cilën ka nevojë, siç ka nevojë zogu për ajrin për jetën e tij? Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri? Ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë. Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim, do pranojë një nënshtrim poshtërues. Janë 600 mijë shqiptarë që këtë vendim nuk mund ta pranojnë kurrë. Janë 2 milionë shqiptarë që me këtë vendim duan t’i lënë pa një opozitë për t’i mbrojtur një regjim.