Kriza energjitike mbaroi dhe çmimet janë normalizuar, por kompanitë publike të këtij tregu po vazhdojnë të vuajnë pasojat që shkaktuan çmimet e larta. Këtë vit konsumatorët u treguan të kujdesshëm në konsumin e energjisë, ndërsa Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka arritur të eksportojë dyfishin e energjisë që ka importuar në periudhën e thatësirës. Konsumi i energjisë në Shqipëri për 9 muajt e parë të vitit ishte 5.88 terravat orë nga 6.1 terravat orë që ishte një vit më parë.
Sasia e energjisë që konsumohet në vend ndahet kështu: 4.66 terravat orë është konsumuar nga bizneset dhe familjarët dhe 1.22 terravat orë është energji që ka humbur në rrjetin e shpërndarjes. 1 në 5 kilovat energji elektrike që hidhet në rrjet humb për shkak të gjendjes së amortizuar të tij dhe vjedhjeve
“Shqipëria nuk do të ishte futur asnjëherë në krizë nëse do të administrohej si duhej rezerva hidrike në kaskadën e Drinit. Problemi i krizës gjatë vitit të shkuar, nuk ishte se ndodhi rritja e çmimit në bursa, por sepse krijuam nevoja të mëdha për blerje sepse nuk administruam rezervën.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Nëse do të llogaritim të dhënat e periudhës janar-shtator 2023, vlera e energjisë së humbur në rrjet e llogaritur me një çmim mesatar të këtij intervali prej 109 euro për megavat orë është 132 milion euro. 35 milion euro është energji e vjedhur dhe 97 milion euro ka shkuar dëm për shkak të infrastrukturës të degraduar.
“Këtë vit transaksionet e shitblerjes së energjisë kanë qënë të ulta edhe në aspektin e vlerës, ka qënë në mesataren shumëvjecare dhe nga kjo pikëpamje ka qënë një treg më i qëndrueshëm. Nga ana tjetër dhe prodhimi vendas ka qënë i bollshëm.” thotë gazetari i ekonomisë. Klodian Tomorri.
Prodhimi i energjisë në Shqipëri mbështet te burimet ujore dhe dominohet në masë nga hidrocentralet. Një vit më parë hidrocentralet privatë barazuan prodhimin e energjisë me atë të heceve në pronësi publike. Gjatë këtij viti, raporti ka ndryshuar, hidrocentralet e Kaskadës së Drinit kanë prodhuar 4 terravat orë dhe 2.55 terravat është energji e gjeneruar nga privatët.
“Nuk jemi në të njëjtat kushte kur kemi qënë një vit më parë, kur çmimi i energjisë 2 deri në 3 herë më i lartë në bursa. Megjtihatë nga shitja e energjisë që ka bërë korporata elektroenergjitike nuk ia ka dalë të përfitojë nga këto çmime.” thotë eksperti i energjisë Azmer Duleviç.
Fatura e krizës së energjisë kushtoi gjysëm miliardi euro në vitin 2022, ndërsa në total prej nisjes së saj dhe deri më sot janë paguar 800 milion euro për të blerë energji elektrike. Detyrimet kontigjente do të rriten dhe më shumë në të ardhmen, nëse kontrata për vendosjen në punë të dy anijeve me tece që prodhojnë energji nga nafta do të nisë zbatimin. Qiraja ditore dhe operimi i anijeve, bashkë me lëndën djegëse do t’i kushtojë Korporatës Elektroenergjitike 336 milion euro për dy vjet. Nëse do t’i shtojmë kësaj fature dhe vlerën e humbjes financiare 260 milion euro të KESH vitin e shkuar, atëherë fatura e krizës kap shifrën 1.4 miliard euro.
“Nëse do të kishim investuar 1.4 miliard euro për të ulur humbjet dhe shtuar kapacitetet prodhuese, nuk do të kishim më nevojë për importe. Këto para që janë keqpërdorur.” thotë eksperti Pano Soko.
260 milion euro e kësaj fature është paguar drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit përmes injektimit të kapitalit e dhe një pjesë tjetër nga fitimet e mbartura ndër vite që kishte KESH. Tashmë sfida mbetet te përmirësimi i situatës financiare të kompanive në sektorin energjitik.
OSHEE ka arritur të dalë me 19 milion euro fitim vitin e shkuar, pas 5 vitesh humbje, dhe projekton që edhe 2023 ta mbyllë me një bilanc pozitiv 22 milion euro fitim. Megjithatë kapitali i kompanisë së shpërndarjes është negativ për shkak të detyrimeve të larta që ka mbartur vitet e shkuara.
Operatori i Sistemit të Transmetimit është e vetmja kompani në sektorin energjitik që ka qëndrueshmëri financiare. Vitin e shkuar OST rezultoi me një fitim në vlerën 5 milion euro, por sërish dhe kjo kompani është e përfshirë në zinxhirin e borxheve të hershme dhe të pashlyera mes OSHEE-së dhe KESH-it.
“Ne jemi një vend që për shkak të burimeve natyrore që kemi, që na ka falutr natyra, nuk duhet ta kishim krizë. Fakti që kaluam krizë 7 vjet pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kur kishim mundësi të kryenim investime ne nuk e bëmë dhe në momentin e parë që vjen kriza lejohet të shpenzohet një vlera parash publike kaq e lartë.” sqaron Soko.
dhe nuk e bëmë dhe në momentin më të parë lejohet të
OST ka 198 milion euro detyrime të palshlyera, 107 milion euro ndaj KESH, 900 mijë ndaj OSHEE dhe 82 milion ndaj ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për shlyerjen e kredive të garantuara nga buxheti.
KESH ka shlyer të gjitha detyrimet financiare ndaj kompanive të sektorit, por janë 345 milion euro borxhe ndaj buxhetit të shtetit për kreditë e dhëna në periudhën e krizës dhe për pagesën e disa linjave kreditimi të mëparshme.
Kompania me borxhet më të mëdha është ajo e shpërndarjes së energjisë elektrike me 700 milion euro detyrime, ku 526 milion janë ndaj KESH, 99 milion ndaj OST, 46 milion euro ndaj tatimeve dhe 27 milion euro për ministrinë e Financave. Situata e rritjes së detyrimeve në 1.2 miliard euro, ndryshe nga një dekadë më parë që zgjoi aksionin e qeverisë kundër informalitetit dhe lidhjeve të paligjshme, është krijuar nga kriza dhe keqmenaxhimi.
Konsumatorët kanë përmirësuar sjelljen e tyre në disa tregues.
Humbjet për shkak të lidhjeve të paligjshme të energjisë janë ulur nga 2.1 terravat orë në vitin 2013, në 0.47 terravat në fund të vitit 2022. Pra, vjedhja e energjisë ka rënë me 4.4 herë ose 440%. Për nëntë muajt e parë të këtij viti, pesha në totalin e humbjeve për vjedhjet e energjisë rezultoi 30% kundrejt 70% që ishin humbjet për shkak të rrjetit të amortizuar. Humbjet teknike janë ulur me vetëm 10% nga viti 2013. Nga 1.1 terravat orë në 0.98 terravat në vitin 2022, dhe 0.73 terravat në 9 muajt e parë të këtij viti.
“Në pjesën më të madhe të vendit kemi transformatorë të amortizuar që sjellin humbjet në këto shifra. Në këto kushte ku jemi nuk kam parë ndonjë planifikim për të rritur investimet me synim që të ulen humbjet. Bëhen shpenzime operative që nuk sjellin përfitime financiare për kompanitë.” thotë eksperti i energjisë Azmer Duleviç.
“Fatura financiare që kalon 1 miliard euro është e konsiderueshme dhe deri tani është amortizuar në përkeqësimin e bilancave të kompanive publike të sektorit por dhe nëpërmjet parave publike që qeveria injektoi Korporatën Elektroenergjitike. Humbjet në kompanitë e sektorit kanë vite që ndodhin në Shqipëri dhe nuk kemi qënë të aftë të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm, por herë pas herë kompanitë kanë akumuluar borxhe, detyrime dhe kanë kërkuar ndihmë nga buxheti qëndror.” sqaron gazetari Tomorri.
Këtë vit importet e energjisë kanë qënë 4 herë më të ulta se humbjet në rrjet. Thënë ndryshe, Shqipëria nuk do të kishte nevojë fare të importonte, madje do të kishte eksportuar dy herë më shumë energji nëse do të ishte investuar në gjendjen teknike të rrjetit.
Energjia e humbur një vit më parë na kushtoi me 446 milion euro me çmimet e stratosferike që pësoi tregu. Nëse këto para, bashkë me 135 milion euro që është shkaktuar dëm nga humbjet e këtij viti, do të ishin investuar, hapësirat për mirëmenaxhimin e sektorit do të ishin më të shëndosha, si në planin teknik dhe në atë financiar.
“Rezultati financiar është në varësi me situatën meterologjike, kur kemi vite me reshje KESH akumulon fitime dhe kur kemi vite të thata bilancet përkeqësohen” shton Klodian Tomorri.
Por pavarësisht reformës që u ndërrmor në sektorin e energjisë elektrike, borxhet e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve të ujësjellësave shtohen. Në total ndërmarrjet shtetërore dhe institucionet publike kanë 228 milion euro fatura të pashlyera ndaj OSHEE-së, pjesa më e madhe e tyre, 183 milion euro, janë detyrime të kompanive të ujësjellësit. Që nga Vendimi i Këshillit të Ministrave në vitin 2014, i cili fshiu të gjithë detyrimet e kompanive publike ndaj OSHEE, borxhi është rritur me 141 milion euro.
“Ujësjellësat, spitalet, administrata dhe bashkitë debitorë, por ujësjellësat kanë detyrimet më të mëdha. Të gjitha borxhet e këtyre do të shlyhen nga rritja e çmimit të ujit për qytetarët. Këtu kemi të bëjmë dhe me dy standarde, se nëse qytetari nuk paguan i ndërpritet energjia, por nuk ndodh me institucionet publike.” thotë eksperti Duleviç.
Edhe institucionet buxhetore kanë rritur detyrimet. Nga 25 milion euro që ishin në vitin 2014, në 47 milion euro në fund të shtatorit të këtij viti. Rritjen më të ulët e kanë detyrimet e sektorit privat, nga 94 milion euro në 118 milion. Tashmë reforma në sektorin e energjisë duhet të nisë duke përmirësuar situatën financiare dhe menaxhimin nga brenda të kompanive të sektorit të energjisë, por dhe përmirësimit të sjelljes së institucioneve publike dhe ndërmarrjeve shtetërore në shlyerjen e faturave. Reforma bëhet e domosdoshme nëse shoqëritë vendosen në kontekstin e humbjeve që i shkaktoi kriza, kohë ku borxhet u shtuan dhe më shumë krahasuar me gjendjen që kishin kishin trashënguar nga krizat e të kaluarës.
/Emisioni “Kronos”