Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacajn dhe 11 zyrtarë të burgut të Peqinit, ndërsa një prej efektivëve të ndaluar është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bëhet fjalë për efektivin Vilson Shima, 37 vjeç, shefi i regjimit në burg, të cilin gjykata e ka liruar nga burgu me arsyetimin se ka një fëmijë të paralizuar. Seanca e sotme gjyqësore zgjati për rrth 6 orë. Mes zyrtarëve të akuzuar për “shpërdim detyre” që ngelën në burg është dhe drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha.
Më konkretisht janë lënë në masën “arrest me burg” zyrtarët:
-Drejtori i burgut, Kamber Hoxha 59 vjeç
-Shefi i policisë së burgut Qani Muç, 60 vjeç
-Ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç
-Specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç
-3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç,
-4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç, Indrit Dubali, 41 vjeç
Prokuroria kishte kërkuar vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” si për Sokol Mjacaj, po ashtu edhe për 12 zyrtarët e burgut të Peqinit.
Më 15 Dhjetor Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri pistoletë me mulli brenda burgut të Peqinit Arben Lleshin dhe u plagos Indrit Shaqjan. Autoritetet kanë dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë. Vrasja është kryer pas urdhërit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për ta çuar Sokol Mjacajn në regjimin “41 biss”.
Ka dyshime se nga punonjësit e shërbimit, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, në hyrje-daljet e Mjacajt nga qelia, dhe as kur ai është transferuar nga një godinë në një tjetër.
Verifikimet e para kanë zbuluar, se edhe kontrolli me skaner, ka qenë jashtë shërbimit për disa ditë, e po ashtu ka patur probleme dhe me një pjesë të kamerave të sigurisë. Vënia e skanerave jashtë përdorimit e ka “dorëzuar” sigurinë e kontrolleve tek elementi njerëzor që është i ekspozuar ndaj gabimit si për shkak të korrputimit ashtu edhe nga gabimet e mundshme.
Burime bëjnë me dije se shqetësimet për sigurinë në burgun e Peqinit kanë nisur që prej muajit tetor, edhe pse gjithçka është mbajtur larg vëmendjes së publikut, dhe pa transparencë. Si pasojë e këtyre problemeve, rreth tri javë më parë, drejtori i mëparshëm i burgut është shkarkuar. Drejtimin e burgut të Peqinit e ka marrë titullari i ri, Kamber Hoxha, që drejtonte institucioni edhe ditën e ngjarjes së rëndë.
I plagosuri Indrit Shaqja ka dëshmuar për autoritet se i është ofruar 200 mijë euro për helmimin e shokut të qelisë Arben Lleshi. Ky i fundit u ekzekutua nga Mjacaj me armë zjarri brenda burgut të sigurisë së lartë.
Në dosjen e prokurorisë së Elbasanit dërguar në gjykatë, ku paraqitej dëshmia e Indrit Shaqjas, ku i fundit ka deklaruar se ka qenë në ambientet e dhomës duke gatuar kur polici i kollonës e ka thirrur dhe i ka thënë se e kërkonte Sokol Mjacaj: Indrit të kërkojnë tek zgara e kollonës së sektorit. Shaqja deklaroi se ka qenë në ambientet e dhomës duke gatuar kur polici i kollonës e ka thirrur dhe i ka thënë se e kërkonte Sokol Mjacaj: Indrit të kërkojnë tek zgara e kollonës së sektorit.
Në atë moment Indrit Shaqja tregon se ka dalë dhe është afruar për të parë se kush e kërkon dhe aty ka parë se ishte Sokol Mjacaj, i cili i ka thënë: O indrit më njofto pak Ben Lleshin të dalë në dritare tek zgara se kam për t’i thënë diçka. Në atë moment, Indrit Shaqja shton se është kthyer dhe ka parë në korridor të sektorit Arben Lleshin dhe i ka thënë të shkonte në dritare se e donte Sokoli.
“Ndërkohë aty është futur tek dhoma e Indrit Shaqes shtetasi Arben Lleshi dhe është afruar tek dritarja dhe Indriti ka qenë duke parë ushqimin që ishte në sobë. Ka dëgjuar fillimisht një krismë si kapsollë dhe aty ka kthyer kokën nga dritarja dhe ka parë se Arben Lleshin që po tërhiqej në thellësi të dhomës duke humbur ekuilibrin. Ka parë nga dritarja Sokol Mjacën me pistoletë në dorë dhe aty është afruar tek dritarja dhe ka nisur të flasë me Sokolin dhe e ka sharë. Ndërkohë Sokoli është larguar në drejtim të daljes për jashtë ajrimit, doli në korridor. Ndërkohë Indriti e ndoqi me vrap. Kur ka dalë për në ajrim jashtë, ka parë se Sokoli i kishte drejtuar pistoletën një polici ndërkohë që polici i ajrimit hapi derën që të dilte. E ndoqi nga mbrapa dhe ndërkohë policët tentonin të pengonin për të mos e ndjekur, sepse nuk e dinin çfarë po ndodhte. Sokoli i thoshte ‘mos u afro se do të të vras dhe ty’. Sokoli me pas hyri tek dhoma e takimeve me familjarët e dhomës B”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Indrit Shaqja ka deklaruar gjithashtu se gjatë kohës që ka qenë në burg ka gjetur dy herë në sportelin e derës së dhomës dy letra të shkrujtura me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit, me të njëjtën përmbajtje, se “do të paguajmë 200 mijë euro, do të sigurojmë dhe helmin që ta kryesh për vrasjen e Arben Lleshit”.
“Nëse je dakord na kthe përgjigje”, shkruhej në letër, sipas tij.
Ai ka deklaruar gjithashtu se në të dyja rastet letrat ia ka dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilat deklaroi se ka dijeni gjithë burgu.
“Kam pasur marrëdhënie të mira në Fushë Krujë ndërsa më pas i kam prishur për shkak se përbuzte fenë”, tha Shaqja.
Në vijim ai ka deklaruar se një anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit ku e paralajmëronte se “për kokën tënde po plagojnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro”.
Ndërkohë, drejtori i burgut Kamber Hoxha ka treguar se Sokol Mjacaj i ka deklaruar se armën e kishte fshehur në kutinë e qumështit. Sipas Hoxhës, kontrolli është kryer, por mund të ketë pasur neglizhencë. Hoxha shprehet se nga data 1 gusht e deri më sot, Mjacajt i ka sjellë ushqime i vëllai, Paulin Mjacaj dhe Ilda Rapo, e cila në disa raste është prezantuar si kushërirë e tij, e më pas si mikeshë.
Pjesë nga dosja hetimore në lidhje me dëshminë e Kamber Hoxhës
“Siç u shpreha më lartë duhet të kontrollohej. Bëhet regjistrimi i të dhënave të personit, i cili sjell ushqimet tek postoblloku në hyrje të rrethimit të jashtëm të IEVP-së. Shoqërohet personi për në vendin e kontrollit që është para hyrjes në regjimin e brendshëm. Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Po skanohen, por skaneri ka qënë me defekt që nga data 21.10.2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjes policie të cilët bëjnë vezhgimin nga sipër. Ambientet monitorohen me punonjës policie dhe me kamera. Kontrollet bëhen periodike, sipas informacioneve që kemi. Shtetasi Sokol Mjacaj kishte tre ditë.
Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysëm, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Me tha se armën e kam futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. E bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Biz. Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë patur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjëist e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore. Nga verifikimet që bëra sot pas ngjarjes, për vitin 2023 ka bërë 5 (pesë) takime dhe i fundit ka qënë në datën 25 gusht 2023.
Nga verifikimi për futjen e ushqimeve, nga data 01.09.2023 deri sot ka futur ushqime në datën 01.09.2023, 14.09.2023, 22.09.2023, 03.10.2023 dhe 16.11.2023. Në datën 01.09.2023, i ka sjellë i vëllai Paulin Mjacaj, kurse në rastet e tjera i ka sjellë kushërira e tij me emrin Ilda Rapo. Kjo shtetase në katër raste është prezantuar si kushërirë dhe në datën 16.11.2023 është prezantuar si mikeshë. Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakort që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt.”
Skeda kriminale e tre të dënuarve që u përfshinë në ngjarjen e rëndë brenda burgut të Peqinit
–Sokol Mjaçaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Prekal të Shkodrës më datë 3 Korrik 2015. Ai iu kishte dalë përpara makinës së turistëve Michael Svatos dhe Anna Kosinova duke i kërcënuar me kallashnikov, me synim për t’i grabitur. Ishte futur brenda fuoristradës së tyre, dhe pas rreth 2 kilometra i ekzekutoi me armë.
“Në fillim nuk doja t’i vrisja, doja vetëm t’i grabisja, të merrja makinën dhe të ikja. Por djali frenonte fort, donte të më përplaste. Pastaj deshi të më merrte dhe armën”, ka thënë Sokol Mjaçaj në atë kohë për hetuesit. Më pas ekzekutoi të parin 27-vjeçarin Michael dhe të dy vajzën.
Në pamundësi për të marrë fuoristradën e turistëve pasi po rrëzohej në greminë, ai mori vetëm celularin e turistëve dhe u arratis në këmbë. Policia mundi ta gjente në një shtëpi të braktisur, pasi gjurmoi celularin. Ai iu dorëzua policisë pasi kërkoi të mos qëllohej. Në momentet e para, nuk shprehu pendesë për krimin e rëndë, por vetëm keqardhje që nuk arriti të realizonte plotësisht grabitjen dhe të merrte makinën e çiftit.
-Viktima Arben Lleshi 37 vjeç ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 29-vjeçarit Agim Hoxha, ngjarje e ndodhur më 10 Prill 2012 në Britani të Madhe. Sipas autoriteteve, Arben Lleshi ditën e ngjarjes, ka blerë një levë, tela si dhe materiale të tjera që më pas i ka përdorur për vrasjen e Hoxhës. Viktima u gjet në sediljen e pasme të një makine “Mercedes”. Për të humbur gjurmët, Lleshi i vendosi flakën makinës pranë Southampton. Pas ngjarjes ai u arratis në Itali ku u kap një muaj më vonë nga autoritetet atje. Pas ekstradimit në Britaninë e Madhe ai u dënua me burg të përjetshëm në vitin 2013. Dyshohet se kjo ngjarje ndodhi si pasojë e çështjeve të drogës.
Në lidhje me këtë ngjarje u dënua me 3 vite burg edhe Afrim Lleshi. Ky i fundit bashkëpunoi në shfarosjen e trupit të viktimës. Ajo që do të pasonte më vonë është akoma edhe më e rëndë. Në familjen Lleshi në Shqipëri, gjatë viteve që kaluan ka pasur disa viktima të tjerë, ku janë vrarë dy xhaxhallarë të Arben Lleshit. Dyshimet në atë kohë për të dyja rastet ishin se u kryen për hakmarrje nga të afërm të Hoxhës
-I plagosuri Indrit Shaqja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 3 Shtator 2014 në Durrës. Nipi i njërës prej viktima, Artur Kaçanolli, besonte se të moshuarat kishin para dhe flori në shtëpi, ndaj organizoi një grabitje në të cilën morën pjesë edhe dy miqtë e tij Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja. Ata hynë me forcë të shtëpi e pasi nuk arritën të gjenin aq shumë para sa mendonin, dhunuan për vdekje të dyja gratë. Dy prej autorëve u arrestuan 15 ditë pas krimit, ndërsa Indrit Shaqja u arrestua një muaj më pas në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.
Indrit Shaqja dyshohet të jetë i përfshirë edhe në rrëmbimin dhe zhdukjen e këngëtarit nga Elbasani, Renato Hamza, i njohur si Reni i Elbasanit. Emisioni Uniko kishte publikuar momentet e fundit të filmuara të Renato Hamzës, ku njëri nga personat me të cilët takohet Reni i Elbasanit është pikërisht Indrit Shaqja më 29 Qershor 2014. Ky takim ka ndodhur 2 muaj para se Indrit Shaqja të ishte përfshirë në vrasjen e kunatave.