Paralajmërimet për rritjen e çmimit të naftës me pakicë në Shqipëri janë spekulative. Në tregun vendas nafta shitet më shtrenjtë se në rajon dhe në shumë vende të pasura të Europës. Gjatës javës së parë të dhjetorit, 1 litër naftë në vend tregtohet në kufijtë e 200 lekëve (199), ndonëse në tregjet botërore, ka pasur vazhdimisht një tendencë rënëse. Që pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës, në maj të këtij viti, çmimi i naftës vetëm është rritur.
Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri mbetet e pajustifikueshme për sa kohë, dy faktorët që vendosin fatin e saj i ka kundër; çmimi në bursë dhe kursi i këmbimit.
Çmimi i naftës në Shqipëri vs në botë
Frika për një recesion të mundshëm, uli kërkesën për naftë në vendet e mëdha, duke ulur kështu edhe çmimet. Ndërhyrja e SHBA-ve me disa miliona fuçi rezervë në treg, po ashtu mbajti karburantin në një nivel të qëndrueshëm. Si rezultat, shkurtimet e prodhimit të OPEC, nuk rezultuan të suksesshme dhe çmimi pati një rritje të lehtë dhe vetëm të përkohshëm.
Në kontrast, në Shqipëri tregu i karburanteve vetëm është shtrenjtuar, kur ai botëror bëhej më i lirë. Ironikisht fenomeni nisi pak ditë pasi ish-ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se “Bordi do të shfuqizohet sepse tregu i naftës është stabilizuar”.
Në anën tjetër, çdo rritje që ndodh në tregjet botërore nuk vonon të reflektohet në vend. Një javë më herët, kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, tha në një intervistë për TV Klan se rritja e çmimit në fund të nëntorit në bursat e huaja, do të reflektohet në pikat e furnizimit në Shqipëri javën e parë të dhjetorit.
Më herët ai kishte shpjeguar se ndonëse kompanitë kanë rezerva që janë blerë në një periudhë tjetër dhe me çmim tjetër “dalin çdo ditë me bursën korrente dhe marrin rritje graduale të koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri. Sqarojmë se rezerva tre mujore që mbahen si mbas ligjit është gjithnjë në depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund të mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum”, thoshte Aliaj në marsin e 2022-shit, kur një litër naftë në vend shitej me 234 lekë .
Zhvlerësimi i dollarit nuk uli çmimin e naftës në vend
Një dobësim i përgjithshëm i dollarit në fund të vitit të shkuar frikësoi grosistët e naftës globalisht, që do të detyroheshin ta shisnin atë më lirë në monedhat vendase. Përveç atyre shqiptarë.
Nga dhjetori 2022 deri në atë 2023, dollari përballë lekut ka humbur më shumë se 10% të vlerës së tij, por grosistët e naftës, që bëjnë tregti në dollarë, nuk janë ankuar, sepse kursi ‘i tyre’ i këmbimit nuk u prek. Pra, në një situatë normale ata duhet të ishin përkrah me eksportuesit, që shprehen se kanë humbur milion euro nga zhvlerësimi i saj përballë lekut.
Tregu shqiptar i naftës si kartel
Nga një pikë në një tjetër, karburantet në vend shiten me një çmim të unifikuar ose diferencë pothuajse të papërfillshme, duke lënë hapësirë për akuzat e operimit si kartel. Ishte fillimisht, Konfederate e Industrive Italiane në Shqipëri, Konfindustria që e cilësoi këtë treg kartel, ku çmimi nuk mund të ulet sepse nuk ka konkurrencë, por marrëveshje.
I dyti ishte deputeti socialist Erion Braçe, që këmbëngulte se tregu i karburanteve në Shqipëri është kartel. Sipas tij këtë e vërteton çmimi i naftës në pikat e bardha (jo grosist), rreth 6-8 lekë më pak. Ai madje i sugjeroi qeverisë t’i marrë kompanive të naftës fitimet ekstra, siç bëri me ato të energjisë sepse “kompanitë e naftës nuk sjellin asgjë në buxhet”.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, po ashtu e sheh këtë treg si kartel. Në një komunikim me Gazetasi.al, Soko thotë se të gjitha kompanitë e naftës në vend bashkëpunojnë për të mos ulur çmimin e karburanteve, por vetëm për ta rritur atë. Dhe fajin e ka…Bordi i Transparencës!
“Kjo është vazhdimësi e praktikës së Bordit. Ai hapi kutinë e Pandorës dhe u mësoi e u mundësoi kompanive se çdo të thotë të operosh në kartel. Kur Bordi u shkri, ata u kujtuan se kur bëhen të gjithë bashkë, të gjithë fitojnë”, shprehet eksperti.
Më tej, ai krahason zhvillimet e tregut të huaj me atë shqiptar, si një tjetër fakt që vërteton marrëveshjen midis grosistëve.
“Në muajt e fundit në bursë ka patur shumë oshilacone dhe dinamika, ndërsa këtu ka mbetur çmimi i fiksuar, mbi 2 muaj. Momentalisht në indeksin e Platts, ku Shqipëria bazohet, nafta është 13-14% më poshtë dhe këtu nuk është reflektuar. Kemi një bord ku nuk është më shteti, por janë vetë kompanitë” argumenton Soko, duke shtuar se rënia e dollarit është një tjetër indikator që vërteton dakordësim të çmimit.
“Në një monitorim që unë kam bërë, nga veriu në jug, çmimi i gazit ka muaj që po qëndron në 59 lekë. ky është fiksim. Nuk ka asnjë shans që ta kenë të gjithë njësoj sepse kostot për pika të ndryshme, janë të ndryshme”, përfundon analizën e tij për Gazetasi.al, eksperti Pano Soko.
Shtrenjtimi i papritur i naftës në fillim të vitit 2022 (pa u krijuar Bordi), nxiti Autoritetin e Konkurrencës të niste një hetim, që përfundoi me “nuk u gjetën shkelje dhe nuk u konstatua ekzistenca e një sjelljeje të bashkërenduar midis ndërmarrjeve për tregtimin e karburantit.”
Pak muaj më vonë, në një raportim në komisionin e Ekonomisë, kreu i Konkurrencës tha se “Bordet e limituan aftësinë dhe mundësinë e AK-së për të hetuar objektivisht tregun e karburanteve.”
Deri në tetor të vitit 2023, në Shqipëri janë importuar më shumë se 512 mijë tonë karburant, me një rritje rreth 11% nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Kërkesa e shtuar në vend, por edhe çmimet më të favorizuara gjatë këtij viti kanë rritur edhe importet.
Nafta, si lënda kryesore e transportit, ndikon drejtpërdrejtë në inflacionin e përgjithshëm, nga ushqimet tek ndërtimi. Shqipëria ka përjetuar një rënie më të ngadaltë të inflacionit sesa në vendet e BE-së, (në tetor inflacioni në Shqipëri ishte më i lartë se mesatarja europiane). Në raport vjetor, çmimi i naftës raportohet më i ulët, sepse një vit më parë ai ishte në nivele rekord. Në raport mujor, “transporti” vijon të kontribuojë me rritje në inflacionin vendas.
/Gazeta Si