Punëtorët sezonalë përballen me një realitet të ashpër me punësim të gjerë informal dhe mungesë të kontratave formale. Pavarësisht përmirësimeve të lehta, inspektimet e 2023 zbuluan vazhdimin e problemeve. Ekspertët thonë se është koha për reforma ligjore për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve!
Bregdeti shqiptar dhe Shqipëria turistike sezonin veror, që lamë pas, mahniti jo pak njerëz në botë me bukuritë e plazheve të saj dhe koston e ulët të pushimeve, por ajo që nuk u tregua asnjëherë në mediat ndërkombëtare, ishte një pjesë e trishtë e sektorit të turizmit, ky prioritet i qeverisë, me sa duket jo i tillë në të gjitha drejtimet.
Armando M., është një i ri, i cili prej disa vitesh punon në sektorin e turizmit si punonjës sezonal, ku eksperiencën e tij në këtë sektor e ka fituar në Malin e Zi dhe në Kroaci. Vitet e fundit ai ka zgjedhur të punojë në Shqipëri.
“Në Shqipëri kam punuar në restorante me emër, në Vlorë, në Sarandë dhe në Tiranë. Paga ka qenë e kënaqshme, aq sa kam kërkuar, aq kam marrë, por paga që kisha nuk deklarohej”, – tregon i riu, i cili shton se nuk ka firmosur asnjë kontratë në vendet e punës në Shqipëri.
“Në çdo vend, ku kam qenë, nuk kam firmosur ndonjë kontratë dhe kam punuar ashtu për një kohë të gjatë”, – tregon ai.
“Unë punoja recepsioniste në një hotel në Sarandë dhe paga ime, për zonën ku punoja, ishte nga më të lartat dhe shpeshherë pronari i hotelit më thoshte se, “paga është konfidenciale, kështu që mos ia thuaj pjesës tjetër të stafit”, – shprehet Hana, një e re, e cila zgjodhi që ta ndajë historinë e saj me Laboratorin e Gazetarisë Investigative. Ajo tregon se nuk ka firmosur një kontratë, edhe pse ishte një nga personat, që ishte në komunikim të vazhdueshëm me klientët dhe mund të identifikohej shumë lehtë nga strukturat shtetërore, që bëjnë kontrolle.
“Kishim rënë dakord vetëm verbalisht për punën, për kushtet e punës dhe për pagën. Në fillim ne ramë dakord që orët shtesë do të paguheshin. Unë punoja shumë orë shtesë, sepse kishte mungesë stafi dhe për turnin e parë dhe të dytë isha vetëm unë recepsioniste, por orët shtesë nuk u përmendën kurrë dhe nuk u paguan kurrë. E njëjta gjë ndodhte me të gjithë stafin, madje e njëjta gjë ndodhte edhe me punonjës të tjerë, që punonin në hotelet pranë nesh”, – përfundon ajo, duke shtuar se, edhe pse kishte sigurime shoqërore, ato ishin sikur paguhej me një rrogë minimale.
Por, puna në të zezë në turizëm ose shkeljet flagrante të Kodit të Punës nuk janë një problematikë që nuk dihet nga instancat shtetërore. Në vitin 2022 Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore ka kryer kontrolle në 1,115 subjekte me aktivitet të shtuar gjatë sezonit të verës, ku në total punonin 13,023 persona dhe ka rezultuar se 428 punonjës punonin krejtësisht në të zezë, ndërkohë 174 subjekte u ndëshkuan me masë administrative “Pezullim” për shkak të shkeljeve flagrante të legjislacionit të punës, ndërkohë për shkelje të legjislacionit të punës është vendosur masa administrative “Paralajmërim” në 91 subjekte. Ndërkohë, vetëm për 9 biznese është vënë gjobë për të njëjtën shkelje. Sipas ISHPSHSH, gjatë inspektimeve të saj në vitin 2022, 36% e punëmarrësve të evidentuar nga kontrollet siguroheshin me pagë minimale.
Por, le të shohim se si është paraqitur situata për muajin qershor të vitit 2023, përpara se të fillonte dyndja masive e turistëve në korrik dhe në gusht. Gjatë qershorit të vitit 2023, ISHPSHSH ka kryer kontrolle në 303 subjekte, ku nga 3,536 punonjës, rreth 70 prej tyre punonin pa një kontratë individuale. Inspektorati i Punës bën të ditur se 78 punëmarrës punonin krejtësisht në të zezë, ndërkohë që nga 303 subjekte, në shkelje të legjislacionit të punës janë gjetur 84 prej tyre.
Sipas ISHPSHSH, problematikat e informalitetit kanë ardhur në ulje nga viti 2022 në vitin 2023, por ato sërish mbeten një problem për të rinjtë shqiptarë, që punojnë në sezon.
EKSPERTËT TREGOJNË PROBLEMET
Në kushtet kur informaliteti është i lartë në këtë sektor të ekonomisë shqiptare, i cili po njeh rritje, ekspertët ligjorë shprehen se është e nevojshme një ndërhyrje, për të dhënë garanci ligjore për punonjësit sezonalë.
“Në kushtet normale, për sa iu përket nevojave, që paraqet tregu ynë për nëpunës sezonalë, që do të vijë duke u rritur praktikisht dhe do të shtrihet në shumë sektorë, besoj se është e nevojshme që të zhvillohen më tej normat, duke patur minimumi një kontratë tip ose, po them, më mirë do të ishte një vendim i Këshillit të Ministrave për sa iu përket kushteve të kontratave sezonale e me radhë”, – shprehet Jordan Daci, i cili shton se është i domosdoshëm si element, sepse ka shumë pak referenca.
Për eksperten e punësimit, Kumrie Zika, problematikë shumë e madhe janë edhe oraret e punës, që nuk zbatohen. “Në kontratë ose në intervistë thuhet që do të punojë në një orar të caktuar dhe më pas i shtohen orët e punës dhe mbingarkohen me punë të tjera. Përveç këtyre i hiqen edhe të drejtat e pushimit javor, gjë që e bën të vështirë jetën e një punonjësi në atë pozicion pune; si dhe kur punëtorët kanë nevoja fiziologjike ose familjare, punëdhënësi nuk iu jep leje”, – shprehet ajo, duke shtuar se, ka raste, kur shumë punëtorë kanë vuajtur nga COVID-i dhe kanë qëndruar në punë, duke iu shërbyer klientëve. “Gjë që është për t`u marrë në konsideratë, sepse një punonjës me COVID mund të infektojë shumë klientë dhe punëtorë të tjerë”, – shton ajo.
Nga ana tjetër, për ekspertin e tregut të punës, Erion Muçaj, problemet në sezonin turistik për sa iu përket punonjësve në tregun e punës janë të shumëllojshme, por, ajo që theksohet, është problematika me kontratat e punës.
“Më tepër marrëdhënia kontraktuale përcaktohet mbi bazë verbale dhe komunikimi, ku palët bien dakord bujarisht mbi marrëdhënien e punës, se sa realisht me kontrata të dedikuara për shërbimin e punës dhe kjo nxit apo ndikon në informalitetin e punës sezonale në sektorin dhe në industrinë e turizmit”, – thotë ai.
Nga ana tjetër, Inspektorati i Punës, i cili kryen monitorime të vazhdueshme në tregun e punës, mungesën e kontratave të punës e ka hasur shpesh nëpër bizneset, që lidhen me sektorin e turizmit, por kontrollet, që ky Inspektorat kryen, janë vetëm në një pjesë të vogël të bizneseve, që operojnë në këtë sektor.
Problemi, sipas zotit Daci, është se nuk ka parashikime ligjore për punën sezonale.
“Në dijeninë time, duke mos qenë absolut, besoj se jam i saktë, nuk ka parashikime. Kemi, për shembull, parashikime për sa i përket kontratës së shërbimeve turistike, ndërsa për sa i përket punës sezonale nuk kemi”, – përfundon ai.
Erzen Keta, nga agjencia Njoftimepune.al, bën një pasqyrim më të qartë të tregut të punës në sektorin e turizmit në Shqipëri.
“Kërkesat për staf janë rritur, duke pasur parasysh që edhe bizneset po shtohen dita-ditës, që do të thotë, po hapen biznese të reja, por ama ka dhe shumë problematika”, – thotë ai, duke treguar se punonjësit, që gjejnë punë nëpërmjet kësaj kompanie, janë më të mbrojtur në këtë treg.
“Biznesi duhet të sigurojë pikat që ne kërkojmë; është strehimi, orari i punës dhe pagesa e pasqyruar. Në sezon po flasim gjithmonë, paga për një kamerier ka qenë diku te 800 mijë lekë të vjetra ose 80 mijë lekë të reja, që do të thotë se biznesi nuk mund të paguajë më pak se kaq. Nëse biznesi shkel kontratën, jemi të detyruar që t`i njoftojmë të gjithë punëtorët tanë, të cilët i kemi dërguar atje, te ky biznes, që të tërhiqen nga aty dhe kjo është një mënyrë se si ne kemi arritur që ta mbajmë nën kontroll situatën”, – thotë ai.
Ndërkohë, për sa i përket pjesës së zbatimit të kontratave, zoti Keta shprehet se këtu hasin më shumë probleme. “Sepse, pjesa e kontratës nuk është shumë funksionale dhe sugjerimi ynë është që me këtë pjesë të punohet pak më shumë, sepse në kontratë vjen e specifikuar çdo gjë, si pjesa e pagesës, edhe pjesa e orarit të punës”.
DREJTORIA E TATIMEVE NUK E DI SE SA JANË PUNONJËSIT SEZONALË
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri pyetjes se sa ka qenë numri i punonjësve për vitet 2020-2023 në hoteleri-turizëm, i jep përgjigje me një numër mesatar. Për shembull, për vitet 2020, 2021, 2022 respektivisht numri mesatar i punonjësve, sipas Tatimeve, ka qenë 47,144, 47,854, 47,955, ndërsa për vitin 2023 vihet re një rritje me pothuajse 10 mijë punonjës më shumë, duke arritur në 57,608.
“Për sa iu përket punonjësve sezonalë, nuk disponohet një kategori e veçantë për ta, por gjatë qershorit të vitit 2023 janë rreth 11,029 punonjës, të cilët mund të kenë punuar me kohë të pjesshme”, – thotë zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Në një kohë kur as institucionet shtetërore nuk kanë statistika për punonjësit sezonalë, është e vështirë të thuhet numri i tyre dhe del qartë nevoja e një vendi, që synon të kthehet në kampion në Ballkan për turizmin, për një paketë ligjore në këtë sektor, që do t`ua lehtësonte punën bizneseve dhe do t`iu garantonte të drejta punëmarrësve.
/Qendra për Gazetari Cilësore