• Kontakt
Friday, May 9, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi RAJONI

Pasaportat e Kosovës për serbët – çështje integrimi apo zgjedhjeje

08:08 : 29/11/2023
në RAJONI

Filipi nga Mitrovica e Veriut beson se Qeveria e Kosovës, “për arsye politike”, ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të mos e lejojë liberalizimin e vizave për pasaportat e Administratës Koordinuese, të lëshuara nga Serbia.

“Nuk mendoj se kanë ndonjë arsye [tjetër] për ta kundërshtuar atë; është një gjë pozitive”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë të drejtën e shtetësisë serbe dhe bashkë me të, të drejtën për të pasur pasaportë edhe të Kosovës, edhe të Serbisë.

Megjithatë, Filipi ka vetëm pasaportën e Administratës Koordinuese dhe thotë se nuk ka dashur ta marrë atë të Kosovës, sepse shpreson se do të mund të udhëtojë pa viza edhe me pasaportën e Serbisë.

Lexo edhe:

REL: Lista Serbe jashtë loje! Si do të mbrohen interesat e serbëve në Kosovë?

Skandali i radhës në Kongresin e UEFA-s, tifozët serbë djegin flamurin e Kosovës (Video)

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet evropiane – të njohura si zona Schengen – nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Serbia ka fituar liberalizimin e vizave në vitin 2009, por me kushtin që të mos zbatohet për poseduesit e pasaportave që i lëshon ajo për qytetarët me vendbanim në Kosovë.

A e dëmton propozimi i Komisionit Evropian integrimin e serbëve?

Pasi Komisioni Evropian paralajmëroi në prill të këtij viti se liberalizimi i vizave, i miratuar për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës, i njëjti organ – në mes të nëntorit – dha rekomandimin për heqjen e vizave edhe për poseduesit e pasaportave të Administratës Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Qeveria e Kosovës shprehu më pas “shqetësimin” e saj për një propozim të tillë pa konsultime apo njoftim paraprak.

Prishtina zyrtare nuk i njeh pasaportat serbe të Administratës Koordinuese, sepse e konsideron atë si institucion ilegal.

“Njohja e këtyre dokumenteve cenon integrimin e komunitetit serb, dëmton përpjekjet tona afatgjate [për integrimin e serbëve]”, shkroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, më 21 nëntor.

Ai, gjithashtu, tha se pjesëtarët e komunitetit serb me pasaporta të Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Më 24 nëntor, Komisioni Evropian nuk iu përgjigj konkretisht pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me vërejtjet e Qeverisë së Kosovës, por tha se do t’iu përgjigjet.

A kontribuojnë pasaportat e Kosovës në integrimin e serbëve?

Petri nga Graçanica – komunë me shumicë serbe afër Prishtinës – ka edhe pasaportë kosovare, edhe serbe.

Ai beson se marrja e ndonjë dokumenti të Kosovës nuk do të thotë integrim thelbësor në sistemin apo shoqërinë e Kosovës, por se, sipas tij, ka të bëjë me “arsye praktike” ose “pamundësi zgjedhjeje”.

“Njerëzit duhet të kenë zgjedhje dhe mundësi të barabarta. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje për t’i integruar serbët duke ofruar cilësi më të mira të jetesës, jo me shantazhe ose duke i kufizuar zgjedhjet”, thotë Petri për Radion Evropa e Lirë.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, të cilat i janë ofruar REL-it në fund të tetorit, kërkesat për pasaporta të Kosovës në komunitetet serbe janë rritur gjatë këtij viti.

Interesim të veçantë ka pasur në komunat në veri të Kosovës. Për shembull, në periudhën nga 1 janari 2023 deri më 30 korrik 2023, numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës është rritur për 97 për qind në Leposaviq.

Çfarë thotë sektori civil?

Sektori civil shqiptar dhe ai serb në Kosovë kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta për këtë çështje.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, beson se pajisja me pasaporta lidhet drejtpërdrejt me integrimin e serbëve të Kosovës në shoqërinë dhe sistemin kosovar dhe thotë se ky është standard që vlen në të gjitha shtetet demokratike.

“Është një vlerë dhe një parim që duhen mbrojtur dhe zbatuar”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Marrja e shtetësisë së një vendi, shton ai, u mundëson qytetarëve t’i ushtrojnë të drejtat e tyre, siç është e drejta e votës.

“Kjo lidhje mes shtetit dhe qytetarëve krijon një ndjenjë të interesit të ndërsjellë, ose më saktë, një ndjenjë të thellë të lidhjes mes qytetarëve dhe vetë shtetit”, thotë Miftaraj.

Por, Jovana Radosavleviq, drejtore e Iniciativës së Re Sociale, thotë se “të kesh një pasaportë të caktuar nuk do të thotë integrim”.

“Më duhet të theksoj se problem i madh me të cilin përballemi, është politizimi i çështjes së lëvizjes së lirë të njerëzve. Shtetasit e Kosovës kanë të drejtën e shtetësisë së dyfishtë – pasaportën mund ta marrin, por nuk e kanë të domosdoshme. Po kështu, nëse dikush është edhe shtetas i Serbisë, ai mund t’i marrë të dyja pasaportat, mund ta marrë ose njërën, ose në fund të fundit asnjërën”, thotë Radosavleviq për REL-in.

Ajo, po ashtu, kujton se sektori civil shqiptar ka qenë i pari që ka kundërshtuar propozimin e KE-së për heqjen e vizave për pasaportat e lëshuara nga Administrata Koordinuese dhe konsideron se diçka e tillë është “shqetësuese”.
Çështja e pasaportave serbe “ndan” sektorin civil

Më 21 nëntor, një grup prej rreth 20 organizatash joqeveritare nga komuniteti shqiptar, përfshirë Institutin e Kosovës për Drejtësi, vlerësoi se heqja e vizave për pasaportat e Administratës Koordinuese do ta dëmtonte procesin e integrimit të serbëve, veçanërisht atyre që jetojnë në veri të Kosovës.

Grupi theksoi se nëse propozimi miratohet, ai do ta dëmtojë rëndë qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy vendet kanë rënë dakord në fund të shkurtit të këtij viti.

Me këtë rast u vu theksi te pika e Marrëveshjes lidhur me respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të të dyja palëve.

Disa orë më vonë reagoi sektorit civil serb në Kosovë, duke e konsideruar si “fyes” qëndrimin e kolegëve nga komuniteti shqiptar.

Sipas tij, marrja e pasaportave të Kosovës nuk nënkupton në asnjë mënyrë integrimin e serbëve në shoqërinë dhe sistemin kosovar.

“Asnjë serb i Kosovës më shumë nuk do të integrohet nëse i jepet pasaporta e Kosovës… Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe dëshmi të shtetësisë. Me fjalë të tjera, një person që merr pasaportën e re tashmë ka nënshtetësinë dhe kështu është i integruar”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga rreth 15 organizata, mes tyre edhe Nisma e Re Sociale.

Një tjetër reagim i hapur nga të dyja palët pasoi më 24 nëntor, ndërsa për këtë javë u thirr një takim i përbashkët, në të cilin sektori civil shqiptar dhe ai serb do të bisedojnë për çështjet e diskutueshme.

A është Administrata Koordinuese institucion paralel?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i bëri thirrje BE-së që dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës, t’i trajtojë si të paligjshme.

Jovana Radosavleviq, nga Iniciativa e Re Sociale, thotë se KE-ja duhet të konkludojë nëse Administrata Koordinuese është institucion i paligjshëm ose jo, por nënvizon se, aktualisht, ajo është i vetmi organ që mund të lëshojë pasaporta për qytetarët serbë që banojnë në Kosovë, apo për personat e zhvendosur nga Kosova.

“Nëse ky organ do të shfuqizohej, këta shtetas do të privoheshin nga të drejtat e tyre, në kuptimin që nuk do të mund të udhëtojnë, edhe pse kjo pasaportë [e lëshuar nga Administrata Koordinuese] kërkon ende vizë”, thotë ajo.
Por, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Administrata Koordinuese është një mekanizëm i paligjshëm dhe se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Gabimi apo praktika jo e duhur e Komisionit Evropian në vitin 2009, nuk mund të legjitimohet dhe legalizohet. Ky mekanizëm, të cilin Komisioni Evropian e ka pranuar si zgjidhje politike, nuk mund të pranohet dhe nuk duhet të legjitimohet në vitin 2023”, thotë Miftaraj.

Ai shton se Administrata Koordinuese për dhënien e pasaportave për qytetarët që jetojnë në Kosovë ekziston për shkak se BE-ja nuk e ka detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën dhe të ofrojë një zgjidhje praktike pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Në vitin 2009, Serbia ka formuar Administratën Koordinuese si organ të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme për lëshimin e pasaportave për qytetarët me vendbanim në Kosovë. Ky, në fakt, ka qenë kusht i BE-së që Serbia ta merrte liberalizimin e vizave, me shpjegimin se, në të kundërtën, ka rreziqe sigurie që kanë të bëjnë veçanërisht me migracionin ilegal.

Deri atëherë, pasaportat serbe lëshoheshin nga drejtoritë policore për qytetet e Kosovës, si ajo në Prishtinë, Ferizaj, Pejë e kështu me radhë.

Këto administrata policore nuk përmenden në pasaportat e Administratës Koordinuese, por vetëm thuhet se dokumenti është lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./rel

Etiketa: kosoovepasaporta kosovareserbet

Lajme të lidhura

BOTA

REL: Lista Serbe jashtë loje! Si do të mbrohen interesat e serbëve në Kosovë?

13:57 : 30/04/2025
SPORT

Skandali i radhës në Kongresin e UEFA-s, tifozët serbë djegin flamurin e Kosovës (Video)

16:43 : 03/04/2025
BOTA

Analiza: Ç’do të thotë “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin” e Vuçiç për serbët nga Kosova?

18:13 : 25/03/2025
BOTA

Ambasada gjermane përplaset me komentuesit serbë: Bjeshkët e Kosovës nuk janë serbe

21:11 : 11/03/2025
RAJONI

Nga Vullin deri te Bërnabiç: Fyerjet ndaj shqiptarëve nga zyrtarë serbë ndër vite

15:40 : 06/03/2025
BOTA

Kosova në zgjedhje, analiza e DW: Shqetësimet, Serbia dhe problemet e brendshme

08:43 : 09/02/2025
Para

Sot 29 Nëntori, përkujtohet 79-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë

TË GJITHA

Papa i ri kritikoi administratën Trump më pak se një muaj më parë

08:57 : 09/05/2025

A do të arrijë Kosova të dalë nga ngërçi politik? Sot seanca e 13-të për konstituimin e Kuvendit

08:53 : 09/05/2025

Baret nisin rritjen e çmimit të kafesë, 4.7% më shumë në prill

08:49 : 09/05/2025

U zgjodh Papa i ri i Vatikanit, 10 gjëra që duhet të dini rreth Robert Prevost

08:42 : 09/05/2025

Holanda përgatitet për një luftë të mundshme me Rusinë

08:34 : 09/05/2025

Lëvizja “Bashkë” mbyll fushatën, Qori: Qytetarët do dinë të bëjnë ndryshimin, janë të zhgënjyer

08:32 : 09/05/2025

Gjermani/ DW: Si qëndron Merz pas marrjes së pushtetit?

08:31 : 09/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com