Gjatë qeverisjes “Rama” mund të jenë regjistruar shumë arritje të diskutueshme, por një pranohet (gjerësisht si e padiskutueshme) edhe prej kundërshtarëve më të egër të qeverisjes: arritja në fushën e propagandës, shkëlqimi i së cilës synon që të lerë në hije manipulimin e së vërtetës.
Më poshtë po rendisim nëntë mashtrime që shpërndan qeveria me qëllim vijimin e ndërtimit të aeroportit, në kushtet kur një pjesë e faktorit politik dhe mjedisor ndërkombëtar ka kërkuar ndalimin e ndërtimit të tij.
- Që aeroporti quhet: Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA), duke krijuar përshtypjen se po ndërtohet në Vlorë.
E vërteta është se aeroporti po ndërtohet brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, e cila konsiderohet një trashëgimi e spikatur ligatinore me interes të lartë konservimi. Peizazhi në fjalë është pjesë e Rrjetit Emerald, i mbështetur nga Këshilli i Europës që operon nën mbikqyrjen e Konventës së Bernës, një prej traktateve më të rëndësishme për mbrojtjen e jetës së egër. Ai shërben si një itinerar ekologjik për kalimin e shpendëve migratorë, i njohur si Korridori i Fluturimit të Adriatikut (AF).
Emërtimi Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, është një fabrikim i autoriteteve për të shkëputur vëmendjen dhe ndjeshmërinë e publikut nga territori i mbrojtur ku mbështen për mbijetesën e tyre me mijëra shpendë dhe kafshë.
- Që vendi ku po ndërtohet aeroporti shërbeu si aeroport ushtarak gjatë Monarkisë e më pas, në periudhën e Luftës së Ftohtë nga i cili u ngritën në fluturim avionë luftarakë Mig 17.
E vërteta është se vendi ku po ndërtohet aeroporti u përdor për herë të parë në maj të vitit 1962 si një pistë mësimore sezonale për kursantët e shkollës së aviacionit. Asnjë avion luftarak (Mig 17) nuk fluturoi aty. Ajo shfrytëzohej vetëm në muajt e verës deri në vjeshtë, kur përmbytej nga ujërat. Pista nuk u shtrua kurrë me asfalt dhe funksionoi si e tillë deri në vitin 1992, kur u braktis.
- Që vendi ku po ndërtohet aeroporti nuk është zonë e mbrojtur çka do të thotë se aeroporti mund të ndërtohet.
E vërteta është se hapësira prej 300 ha e cila u vu në dispozicion të zhvilluesit të aeroportit gëzon statusin e peizazhit të mbrojtur, i shpallur si i tillë në 22. 10. 2004, përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 680. Një shkallë e tillë mbrojtjeje nuk e lejon ndërtimin e aeroportit. Por në 28. 10. 2020, krahas nisjes së procedurave të koncesionit për ndërtimin e aeroportit, autoritetet ia kaluan sipërfaqen prej 300 ha kompanisë e cila do të ndërtonte aeroportin, Më pas pohuan se sipërfaqja nuk kishte status mbrojtës. Procedura për lënien pa status të kësaj hapësire treqind hektarëshe ishte e paligjshme.
- Që procedurat e koncesionimit të aeroportit ishin të ligjshme dhe transparente, gjersa dhe çelja e punimeve u përurua nga vetë kryeministri Rama në 28. 11. 2021.
E vërteta është se fillimi i punimeve për ndërtimin e aeroportit u bë pa një leje ndërtimi. Leja u bë e mundur vetëm në 7. 2. 2023, nën presionin e institucioneve ndërkombëtare, duke i dhënë sakaq kompanisë, mundësinë për të përfunduar pjesën më madhe të veprës në mënyrë të paligjshme.
- Që vendi ku do të ndërtohet aeroporti përbëhet nga toka joproduktive dhe moçalore, të cilat në pjesën më të madhe të vitit zhyten nën ujë.
E vërteta është se të ashtuquajturat toka joproduktive (një keqinterpretim i qëllimshëm, për shkak edhe të prodhimit të ulët të tyre në drithëra) dëshmojnë të kundërtën: një ekosistem jashtëzakonisht vital që garanton mbijetesën e gjallesave. Nën presionin e ndryshimeve klimatike, të tilla ekosisteme ofrojnë një diversitet biologjik themelor për zbutjen krizës globale mjedisore. Pikërisht këto hapësira ligatinore shërbejnë si depozita grumbulluese të gazit metan (shumë herë më i rrezikshëm se dioksidi i karbonit); mbushin akuaferet, duke krijuar rezerva ujore në brendësi të tokës, si dhe luajnë rol në zbutjen e agresionit detar që sulmon brendatokën.
- Që Aeroporti i Mynihut do të operojë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), e pohuar nga vetë kryeministri Rama në maj të 2023, gjatë një interviste të drejtpërdrejtë televizive.
E vërteta është se autoritetet e Aeroportit të Mynihut (MA) e mohuan këtë fakt, por sqaruan se një tjetër filial i saj mund të ofrojë në të ardhmen vetëm shërbime konsulence.
- Që banorët pranë vendit ku ndërtohet aeroporti, janë pro ndërtimit për shkak të zhvillimit ekonomik, duke krijuar përshtypjen se jo të gjitha grupet janë kundër.
E vërteta është se kontrata të tilla të korporatave të mëdha financiare, projektohen shpesh nëpër territore relativisht të varfëra, e më pas propagandohen si mjet zhvillimi për komunitetin lokal. Në esencë, të ashtuquajturit “banorë të aeroportit”, janë një grup i vogël militantësh, mbështetës të partisë në pushtet që në më shumë se një herë, më të flaktët, organizohen në fushata të nxitura nga drejtuesit vendorë për të kërkuar vazhdimin e punimeve. Ka dhe të tjerë mes tyre, farefis me një-tjetrin.
- Që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të krijojë 1500 vende pune.
E vërteta është se numri i punëtorëve që punojnë në kantierin e aeroportit është jashtëzakonisht i ulët. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), mesatarja e punëtorëve të regjistruar gjatë periudhës dyvjeçare të deritanishme është më pak se 6.
- Që kundër aeroportit janë vetëm një grup ambientalistësh të çartur të cilët janë kundër çdo zhvillimi.
Është e vërtetë që protestat dominohen nga konservues të natyrës dhe përfaqësues të botës akademike shkencore, por nga ana tjetër, shkatërrimi i mundshëm i peizazhit përreth Lagunës së Nartës ka alarmuar përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të Komisionin Europian. Konventa e Bernës, traktati më i rëndësishëm për natyrën i Këshillit të Europës (KE), pjesë e së cilës janë edhe vendet e Bashkimit Europian, kërkuan unanimisht, pak javë më parë, ndalimin e punimeve të aeroportit.
Nëse ka njerëz që besojnë, së paku në një prej nëntë narrativave të mësipërme, kjo tregon se qeveria ia ka dalë, që përmes propagandës të mashtrojë publikun. Si çdo qeveri, ajo synon të zhvillojë vendin. Por ky zhvillim po ndodh brenda zonave të mbrojtura; po ndodh shpejt dhe me ritme të larta; një model zhvillimi të cilin e lakmon çdo qeveri. Të shfrytëzosh burimet për të luftuar varfërinë, për të mbështetur të ardhmen ekonomike të gjeneratave, kjo përbën pa asnjë dyshim, një interes të ligjshëm. Asnjë udhëheqës nuk e fsheh një dëshirë të tillë. Por ajo që nuk mund të pranohet është imponimi përmes dhunës dhe mashtrimit, për të ushqyer një narrativë që mund t’u shërbejë interesave të ngushta ose afatshkurtra.
Ajo që duhet theksuar, nuk është thjesht, që të ekspozohet propaganda, por që të tregohet se çfarë fshihet pas saj. Të mos pranojmë a priori një model zhvillimi, por në radhë të parë të diskutojmë, bashkarisht, sa i qëndrueshëm është ai.
Por asnjë diskutim nuk mund të ndodhë nën propagandë!
/ Artan Rama / Citizens Channel