Vrasja e dy vëllezërve Edmond dhe Albert Nela, ishte planifikuar të kryhej në Kosovë ose në Shqipëri, pikërisht nga Nuredin Dumani dhe grupi i tij i sulmit.
Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora News” del qartë se si Bujar Gërmizi, i cili disponon dy hidrocentrale në Kukës, oficeri i policisë Dedan Gjoni, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani dhe persona të tjerë, impenjohen për gjetjen e vendodhjes së njerëzve të afërm të dy vëllezërve Nela.
Pjesë e grupit për të kërkuar vendodhjen e vëllezërve Nela, bëhet edhe gruaja e Bujar Gërmizit i cili teksa flet me Ismail Zenelin i thotë se:
“…fle o mik, se marr nusen e do t’mi gjejë adresat…se asaj i vjen noresh për këto adresat. E mar me makinë të vet dhe iki….”
Ndjekja dhe survejimi i bëhet motrës së tyre Silvi Nela, edhe kur ajo del me makinë dhe e mbuluar me shami në kokë, nga pika kufitare e Morinës në Kukës.
Për çdo gjë informohet Bujar Gërmizi në Kukës, i cili jep dhe udhëzimet se si duhet të veprohet. Ndërsa Bujar Gërmizi, ka udhëtuar në Kosovë, duke ja kaluar fotot e dy vëllezërve Nuredin Dumanit. Kalimi i fotove kryhej përmes “Sky” në kodin “Alkatraz“ të përdorur nga Dumani.
Bëhet fjalë për kodin “XNLTTP” që Dumani ka folur për vrasje me Bujar Gërmizin dhe Bardhyl Mavraj alias Bajri, me qëllim vrasjen e Dorian Dulit.
Çuditërisht në të dyja rastet si tek rasti i planit të Dorjan Dulit por edhe tek rasti i planit të vrasjes së dy vëllezërve Nela, SPAK, nuk ka vendosur masë sigurisë ndaj Nuredin Dumanit.
Skema ka qënë e qartë, dikush mblidhte informacion dhe dikush tjetër që në këtë rast ishte Nuredin Dumani, ishte kontraktuar për të bërë vrasjen me pagesë të dy vëllezërve Nela.
Por në këtë dosje del dhe një emër tjetër, që ky grup ka planifikuar të vrasë, është pikërisht një personash që thiret me pseudonimin “Qomi”, i cili përshkruhet “mjekroshi” dhe është nga Durrësi.
Ndërsa personi që kërkonte medoemos vrasjen e dy vëllezërve ishte Ismail Zeneli. Në vitin 2020, shtetasi Ismail Zeneli alias Luan Sadria, ka komunikuar me Bujar Ajeti alias Bujar Gjermizi.
Nga bisedat dyshohet se Ismail Zeneli, ka qenë i interesuar në gjetjen dhe vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e vëllait të tij Xhem Krasniqi alias Guximtar Sadria dhe për realizimin e qëllimit kriminal ka kontaktuar, Bujar Ajetin.
Ismail Zeneli, ka kryer disa takime me Bujar Ajeti në Shqipëri dhe gjithashtu ka kryer disa veprime me qëllim identifikimin e banesës së vëllezërve Nela. Ai nëpërmjet Artan Sulejmanit ka krijuar kontakt me punonjës e policisë Dedan Gjoni, identifikuar si përdorues DMI6CF, me të cilin ka vënë kontakt dhe nëpërmjet tij ka arritur të gjejë adresa dhe automjete nga sistemit e Policisë së Shtetit për vëllezërit Albert dhe Edmond Nela.
Marja e adresave dhe fotove nga sistemi TIMS, është kryer pikërisht nga zyra e punës së Dedan Gjonit në Elbasan, gjatë kohës kur ai shërbente në këtë drejtori policie.
“…rezulton se në 9 shkurt 2021, Ismail Zeneli dhe Bujar Ajeti kanë shkuar në Elbasan të takohen me përdoruesin e DMI6CF, Dedan Gjonin, i cili në këtë periudhë ka qenë i punësuar pranë Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.
Ismail Zeneli, ka hyrë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në zyrën e Dedan Gjonit dhe ka marrë informacione nga sistemet TIMS dhe E-Gjoba lidhur me vëllezërit Albert dhe Edmond Nela…”-thuhet në dosjen hetimore.
Ndërkohë në datën 13 shkurt 2021, në orën 03:23:14 Ismail Zeneli komunikon me Bujar Gërmizin. Pasi përshëndeten,Gërmizi i tregon që motra e vëllezërve Nela, Silvi Nela, ka qenë në Kukës ditën që Ismaili dhe Bujari janë ndarë, që dyshohet për datën 9 shkurt 2021 një ditë para se Ilmail Zeneli të largohej nga Shqipëria.
Bujar Ajeti i shpjegon se Silvi Nela ka qenë në Kukës me një makinë Citroen të kuq dhe se ka kaluar kufirin me shami në kokë, dhe për të kaluar kufirin e ka nxjerrë djali i tezes së saj, të cilit nuk ja përmendin emrin.
Ata diskutojnë se si ta gjurmojnë Silvi Nelën duke diskutuar nëse do i vënë pajisje “GPS” apo do e ndjekin. Bujar Ajeti kërkon që ta ndjekin dhe ti vendosë një rojë nga pas për të mësuar shtëpinë se ku ndodhet.
Madje në bisedë tregon që një miku i tij, e ka takuar Silvi Nelën dhe ka shpresa që ai ti japë informacione Bujarit rreth lëvizjeve të saj.
“…nga verifikimet në sistemin TIMS, referuar edhe bisedave, rezulton se Silvi Beqir Nela ka udhëtuar më 10 shkurt 2021 nga Pika e Kalimit Kufitar Morinë drejt Kosovës me automjetin AA892IA së bashku me Mirgena Veseli.
Në bisedë përmendet që ka udhëtuar me shami në kokë, dhe në fotografinë e sistemit TIMS, Silvi Nela ka një fotografi, në të cilën ka shami në kokë si ato që mbajnë besimtarët e fesë muslimane.
Nga verifikimet e kryera deri në këto momente, dyshohet se Mirgena Veseli është vajza e tezes së Silvi Nelës…”-thuhet në dosjen e prokurorisë.
Vetëm një ditë pas udhëtimit të Silvi Nela në Kosovë, në 14 Shkurt 2021 ditën e Shën Valentinit, Ismail Zeneli bisedon me Bujar Gërmizin. Ky i fundit i thotë se bashkë me bashkëshorten e tij ka kërkuar adrresat e dy vëllezërve Nela, bisedë të cilën ja ka thënë edhe në 13 shkurt.
“…fle u mik se marr nusen e do tmi gjejë adresat…se asaj i vjen noresh për këto adresat. E mar me makinë të vet dhe iki….”-i thotë Bujar Gërmizi, Ismail Zenelit.
Në datën 17 shkurt 2021 Ismaili i dërgon Bujar Gërmizit fotografinë e Edmond Nelës. Gërmizi, këto fotografi nga sistemi TIMS për vëllezërit Edmond dhe Albert Nela si dhe fotografinë e sistemit E-Gjoba për automjetin me targë AB021AE, ja ka dërguar përdoruesit të XNLTTP, që rezulton të jetë Nuredin Dumani.
Gërmizi komunikon me Ismail Zenelin dhe i tregon që fotografitë e vëllezërve i ka shpërndarë tek disa miqtë të tij, ku më parë i ka dërguar fotografi Nuredin Dumanit.
Ata kanë zhvilluar bisedën:
Gërmizi: Qysh je… O mik?
Zeneli: Mirë mik kalojmë…Ja ktej punë mik non stop.
Gërmizi: Kam nja tre dit që kam ardh me taku këto shokët….Ua shpërndava fotot… E atyne, Ti kenë në tel.
Zeneli: Po mirë ma qo foton e mjkrroshit…Po e pate…
Gërmizi: Po po… Të dyja…
Zeneli: Po qomi?
Gërmizi: Të dyja…Po po…Qetash…”
Në vazhdimësi Bujar Gërmizi i dërgon Zenelit fotografi të nxjerra nga TIMS të shtetasve Edmond Nela dhe Albert Nela.
/Ora News