Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi ditën e sotme me qytetarët në rrjetet sociale foli për disa çështje aktualiteti.
Berisha komentoi dosjen “Partizani”, solli fakte si është dënuar gjyqtarja Irena Gjoka, si do të vijojë aksioni opozitar dhe protestat që sipas ish-kryeministrit do të sjellin rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Kryedemokrati ka deklaruar se gjyqtarja Irena Gjoka e cila ka në dorë dosjen e hetimit kundër tij, është në konflikt interesi, pasi ish-kryeministri e ka shkarkuar nga detyra në 1996 me akuzën për ‘korrupsion’.
Berisha, ka treguar para mediave dhe qytetarëve sot, një dokument për të cilin tha: “Kjo shkresë është përgjigjia që Ministria e Drejtësisë u jep avoketërve, që pranon se Irena Gjoka, gjykatësja Irena Maneku ka masë disiplinore”.
Dhe më tej, Berisha shpjegoi: “Atëherë pse kjo burgosje politike?! Pse shkel Kushtetutën dhe sanksionon kryetarin e PD, deputet, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën? Se Kushtetuta kërkon që të merret leje në parlament”.
Sipas Berishës, gjyqtarja që ka vendosur masën e sigurisë ndaj kryedemokratit po sillet si mercenare dhe zbaton urdhrat e kryeministrit Edi Rama.
“Edhe njëherë dua të sqaroj se unë në vitin 2012 kam kërkuar ndryshimin e Kushtetutës që të mos merret asnjë leje në parlament. Edi Rama e hodhi poshtë me pretekstin se Sali Berisha na arreston. Sali Berisha voton që tani për çdo masë që do të sugjerojnë organet e drejtësisë. Por Kushtetuta nuk mund të shkelmohet. Këtë e bëjnë banditët. Unë nuk mund të shkel kurrë Kushtetutën, pse një grup i strukturuar kriminal, i përbërë nga një prokuror, ish-oficer i policisë sekrete të Enver Hoxhës, i përbërë nga një gjykatëse, shtojcë e bandave të vendit, e cila konfiskon dosje dhe u mohon qytetarëve të drejtën e procesit gjyqësor. Nga një gjykatëse, pa dinjitet, pa cipë, që fshihet pas krimit të saj.
Unë jam sot këtu para jush, ju më keni dëgjuar me ditë të tëra që t’i kërkoj të bëjë publike a ka qenë apo jo e ndëshkuar nga Sali Berisha në vitin 1996. Është fshehur pas krimit që ka kryer. Është fshehur pas shkeljes flagrante të ligjit të konfliktit të interesit, si një mercenare e Edi Ramës. Atëherë, meqenëse ajo është fshehur, unë po u jap ju, e kam ruajtur për ju, e kam ruajtur për ju këtë shkresë. Kjo shkresë është përgjigjia që Ministria e Drejtësisë u jep avoketërve, që pranon se Irena Gjoka, gjykatësja Irena Maneku ka masë disiplinore.
Shikoni sa qesharake, thonë nuk e dimë nëse është Gjoka kjo Maneku apo tjetër, në një kohë kur kjo është gjykatësja që fshihet pas krimit, sepse ka kryer krim duke shkelur ligjin e konfliktit të interesit. Sepse kur ka shkuar dosja, e tëra me mashtrime, një piramidë mashtrimi, ka qenë e detyruar nga ligji të deklarojë se nuk kam asnjë konflikt interesi në gjykimin e kësaj dosje. Ja ku është shkresa. Dokumente të tjera do i faktojnë se kjo Maneku është Gjoka dhe Gjoka është Maneku, meqenëse ajo kryen krimin e shëmtuar dhe i fsheh ministrit të Drejtësisë faktin se ajo është i njëjti person. Është shkarkuar nga Sali Berisha për shkelje të rënda dhe korrupsion.”, tha Berisha.
- Kur nisin protestat? Berisha: Qeverinë do ta përmbysim njësoj si në 91’
Berisha ka paralajmëruar se Shqipëria do të bëhet gati për të përmbysur regjimin njësoj si në vitin 1991.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët nga rrjetet sociale, Berisha ende nuk dha një datë konkrete por theksoi se shumë shpejt populli opozitar do të çohet në protestë.
Berisha tha se Edi Rama nuk po qeveris në normalitet, pasi sipas tij, votat dhe gjykata në vendin tonë nuk ka vlerë.
Pyetje: Kur do nisin protestat?
“Vota nuk ka vlerë, gjykata nuk ka vlerë. Në parlament opozitë është e ekzekutuar. Cfarë kontributi do të jap ai? Në këtë mënyrë ne do të arrijmë ne një lëvizje popullore. Ne kemi shpallur betejë pa kthim, kontributin e tij pa kthim. Në ’91 ne e përmbysëm pikërisht për një betejë pa kthim. Deputetë janë dhe do të qëndrojnë të pamposhtur. S’ka dyshim se në çdo nevojë e meritojnë këtë mbështetje”, tha Berisha.
Pyetje: ZBerisha, gjyqi publik kundër Edi Ramës sa do të vazhdojë?
Pergjigjet Sali Berisha: “Gjyqi publik i Edi Ramës, i lidhur me sanksionet ndaj Sali Berishës dhe burgosjen politike të Jamarbër Malltezit, do të vazhdojë gjersa unë të paraqes para shqiptarëve, çdo fakt/dokument se Edi Rama dhe larot e tij, organizatë kriminale në organet e drejtësisë kanë kryer një krim të shëmtuar politik. Kanë akuzuar një njeri, i cili ka përfituar mes qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë nga procesi i privatizimit në përputhje me ligjin, 400 metra tokë të konfiskuar familjarëve të tij në 1946. E bëj këtë, jo për vete, ju garantoj, jo për Jamarbër Malltezin, absolutisht. E bëj për ju, si dëshmi se çfarë rreziku të madh përfaqëson Edi Rama me drejtësinë e tij që kontrollon sot totalisht dhe është i aftë të ndëshkojë cilindo prej jush në cilën do mënyrë që ai të dëshirojë. Kjo është shprehje më tipike e diktaturës së bandave që nuk njeh ligj, mora, por thjeshtë urdhrat e atij personi tepër të rrezikshëm për ju, që ka përqendruar të gjitha në duart e tij.”
Pyetje: Doktor a e keni diskutuar për një datë që të fillojnë protestat, që duhen thirrur qytetarët që t’u bashkohemi deputetëve?
Sali Berisha: “Unë të falënderoj shumë Petrit, për mendimin dhe sugjerimin tuaj, dhe kjo do të ndodhë. Por çfarë mendimi dhe sugjerimi kam unë. Çdo ditë secili prej qytetarëve, opozitar ose jo, por njeri i ndershëm, që e sheh vendin e tij, ku vota nuk ka vlerë, ku gjykata nuk ka drejtësi, ku në parlament opozita është politikisht e ekzekutuar, duhet të mendojë se çfarë do të bëjë ai për të shpëtuar Shqipërinë, me se do të angazhohet, çfarë kontributi do të japë ai. Unë jam i bindur se në këtë mënyrë unë i bindur se ne do të arrijmë një lëvizje të fuqishme popullore, në një uragan që nuk ka diktaturë që mund ti rezistojë. Ky është synimi ynë.
Ne kemi shpallur betejë pa kthim. Secili demokrat, demokrate, opozitar, duhet të betohet për vendosmërinë e tij pa kthim, kontributin e tij pa kthim kundër kësaj diktuare. Në 1991 përmbysëm një diktaturë, pikërisht se qëndruam në betejë pa kthim, se arritëm të bashkojmë të rinj, burra, gra, vajza, djem, të moshuar kundër saj. Dhe kjo po ndodh dhe tani. Deputetët do të qëndrojnë të pamposhtur aty ku ju i keni mandatar. Nuk ka dyshim se në çdo nevojë ata do të gëzojnë mendoj unë, dhe e meritojnë mbështetjen tuaj jetike”
Pyetje: Doktor, pse po ndjek rrugën e ankimit sikur nuk e dimë se çka bërë Edi Rama? Aksione sporadike pa vlerë.
Berisha: “Jo zotëri, asnjë ankesë nuk ke nga unë dhe mendoj se denoncimi nuk është ankesë. Po, unë natyrisht në pozicionin që kam, e kam detyrim moral, ligjor, të gjithanshëm, t’u faktoj shqiptarëve sot gjëmën e madhe që po i bën demokracisë shqiptare, Edi Rama. Këtë nuk mund ta merrni për ankim. Ankimi ka karakter krejt tjetër. Kjo që bëj unë është pikërisht për mbrojtjen tuaj, për ndërgjegjësimin tuaj.
Ju thoni se këto i dini, mund t’i dini ju, po ju jeni një. Përgjegjësia ime është të bind masivisht shqiptarët. Dhe këtu nuk ka asnjë ankim, por një dëshmi, një demaskim i të keqes më të madhe që ka pllakosur vendin. I katandisjes së tij në një diktator bande. Që akuzon një njeri se pse ka marrë 400 metër në përputhje me ligjin nga 1 miliard e 577 milionë metër katrorë tokë. Ai nuk e ka me mua, e ka me ju, e ka me çdo qytetar. Imagjinoni se çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë me këtë drejtësi që kontrollon Edi Rama. Zbërthimi i Edi Ramës është detyrë parësore, sepse duhet vendim. Dhe ai vendim po vjen.
Nuk e marr vesh se si e vlerësoni ju, por beteja njëmujore në parlament ka bërë që parlamenti monist të mos ekzistojë. Është futur në Zoom, në kundërshtim me ligjin. Pra, nuk ka asnjë ankesë këtu. Ai që e interpreton si ankesë, e ka gabim. Ka një përballje dhëmb për dhëmb me njeriun, i cili është shndërruar me aktet, qëllimet e tij në të keqen më të madhe të Shqipërisë, pas Enver Hoxhës”.
- Berisha: Dosja Partizani ka vetëm një shkelje, mban firmën e Ramës
Lideri i opozitës nënvizoi sot se pas sulmeve ndaj opozitës, kryeministri Edi Rama kaloi në akte të mirëfillta politike diktatoriale. Gjatë bashkëbisedimit live me qytetarët në rrjetete sociale, Berisha ndër të tjera veçoi:
“Rama urdhëroi larot e tij që funksionojnë në SKAP dhe drejtësi si një organizatë kriminale, të privojnë kryetarin e PD nga liria e lëvizjes jashtë shtetit, të burgosin anëtarin e Këshillit Kombëtar dhe kryetarin e Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, vetëm për motive politike. Pas 3 vitesh hetim, nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore. Asnjë shkelje ligji, procedure në trajtimin e kompleksit Partizani nga Sali Berisha apo administrata e tij.
Po, ka një shkelje, duhet të jem i sinqertë me ju. Dhe kjo shkelje mban firmën e Edi Ramës. Është Edi Rama që në kundërshtim me ligjin e urbanistikës, në një kohë kur klubi Partizani nuk i ishte kthyer pronarëve, por ishte pronë shtetërore, vendos me firmën e tij për t’i ndërruar destinacionin nga terren sportiv, në zonë ndërtimi.
E bëri me valixhe eurosh këtë, nuk e di, por ai këtë e bëri në shkelje të plotë të ligjit.
Përpiqet të paraqesë reformat e thella transformuese të qeverisë së PD, 2006-2013, sikur ato janë bërë për të favorizuar Jamarbër Malltezin, i cili ka përfituar nga këto reforma dhe ka marrë 410 metra tokë. Trashëgimi familjare, e konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist.
Por këto reforma në 6 vite, iu rikthyen shqiptarëve, 1 miliard e 577 milionë metër katrorë tokë. Iu rikthyen shqiptarëve rreth 120 milionë metër katrorë truall. Nga të cilat një ish-pronar, siç ishte Jamarbër Malltezi, nga familja Begaja, ka marrë 400 metra. Dhe kjo familje, Begeja, e cila është në toplistën e familjeve të konfiskuara nga regjimi komunist për floririn, ka disponuar mbi 1 milion metër katrorë tokë në Tiranë. Ka marrë më pak se 8 përqind të tyre.”, tha Berisha