Nazmi Shuli, një ndër shefat e lartë të Policisë së Shtetit, njëherësh shef i komisariatit të Durrësit, gjatë periudhës së vitit 2012, kur mbeti i vrarë Elvis Dedaj, përmendet si zyrtar i përfshirë në veprimtari kriminale të zhdukjes së provave me qëllim favorizmin e Festim Qolit, njeriut kryesor të dyshuar në vrasjen e Elvis Dedaj.
Shuli, del në dëshmitë e dy bashkëpuntorëve të Drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Skerdi Tasit, të cilët tregojnë se Festim Qoli, kishte një zingjir të gjatë të punonjësve të policisë në Durrës, që e kanë ndihmuar për t’i mbyllur dosjen e vrasjes.
Njëherësh “Ora News” mëson se gjatë verifikimeve të tabulateve telefonike nga prokuroria, është provuar se shefi i policisë në Durrës, Nazmi Shuli, ka komunikime të vazhdueshme me Festim Qolin si para dhe pas vrasjes së Elvis Dedaj nga vetë Festim Qoli.
Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora News” thuhet se:
”…numri celular +8745 i përdorur nga Nazmi Shuli, dilte në kontakte telefonike me numrin +8050 i përdorur nga Festim Qoli (logimet e antenave e konfirmonin këtë) me numrin +6183 të Petrit Qolit, me numrat +4519 dhe +8055 të Agim Gjinit (i identifikuar si kushëri i Festim Qolit e njëherazi punonjës i karburantit), me numrin +1049 e Fatmira Habilit dhe me Edlir Hasën. Veçanërisht Nazmi Shuli, vërehet në kontakte telefonike me Festim dhe Petrit Qolin, para, në dhe pas ngjarjes së vrasjes…”.
Në atë periudhë dosja hetimore hetohej nga prokurori i Durrësit, Ndriçim Troplini, i cili me gjithë vullnetin dhe dëshirën për të zbardhur ngjarjen, por dhe duke pasur një polici që ishte bërë palë me autorët e krimit, polici që zhdukte provat dhe manipulonte dëshmitarët, ka vendosur të pezullojë dosjen hetimore duke lënë letrat e hapura.
Dy bashkëpunëtorët e Drejtësisë, Dumani dhe Skerdi Tasi, tregojnë në rëfimin e tyre para prokurorëve të SPAK, se Nazmi Shuli është njeriu që ka zhdukur automatikun, që u përdor në vrasjen e Dedaj, duke e marë armën nga vendi i “Shkëmbit të Kavajës”, ku e kishin hedhur Henrik Hoxhaj dhe Festim Qoli dhe duke e flakur në një kanal të ujrave të zëza në zonën e “Shën Vlash”.
Dumani ka treguar se gjatë një bisede që ka zhvilluar me Festim Qolin në ambientet e lokalit të tij, ai i ka pohuar se i ka paguar 200 mijë eurove këtyre qenerve në Durrës, për t’i mbyllur dosjen e vrasjes.
Në dëshminë e dy bashkëpunëtorëve të SPAK, veç Nazmi Shulit dhe asistencës në polici që i jepte Festim Qolit, ky i fundit për mbylljen e dosjes ndihmohej dhe nga shumë policë të tjerë, protagonizmin e të cilëve në hetimin e kësaj vrasje do e publikojmë në ditët në vijim.
Madje, në një rast Nuredin Dumani tregon emrat e policëve në Durrës, se për lirimin e të vëllait, Dashnor Dumanit, që në atë kohë punonte si efektiv në Gardën e Republikës dhe kishte qëlluar me armë e shërbimit disa persona, Festim Qoli, ka korruptuar njerëzit e tij brenda në komisariat, të cilët në mesnatë e liruan Dashnor Dumanin.
Të gjithë punonjësit e policisë në Durrës, si Nazmi Shuli dhe persona të tjerë si Ergys Prifti, janë në verifikim nga SPAK, mbi rolin e tyre në këtë vrasje.
Krimi i rëndë tronditi Durrësin, pasi në muajin qershor 2012 disa breshëri automatiku,i morën jetën Elvis Dedaj alias Muharrem Habilit i thirur në Durrës me pseudonimin “Loshi”.
Pas vrasjes së Dedaj, Festim Qoli, që gëzonte një mbështetje të fortë në polici, urdhëron vrasjen e nënës së shokut të ngushtë, Fatmira Habilit.
Përmes dy bashkëpuntorëve të Drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Skerdi Tasi, prokurorët e SPAK-ut,kanë mësuar se vrasja e Dedaj është organizuar dhe financuar kundrejt 100 mijë eurove nga shoku i tij, Festim Qoli që në Durrës thiret shkurtimisht “Feste”.
Por në këtë vrasje veç “Festes” dhe Henrik Hoxhaj, ka marë pjesë dhe shoku i ngushtë i Elvis Dedaj, Enea Prifti, i cili pasi ka drekuar me Elvis Dedaj, sapo është ndarë me të, ka njoftuar Festim Qolin në telefon duke i dhënë koordinatat e vendodhjes së mikut të tij.
Festim Qoli së bashku me Henrik Hoxhaj, me makinën që i kishin marë Agim Gjinit, janë drejtuar menjëherë në segmentin rrogur ku udhëtonte Elvis Dedaj, duke lëshuar drejt tij disa breshëri automatiku dhe lënë të vdekur në vend.
Në dëshminë e tij Nuredin Dumani ka deklaruar se:
“…Henrik Hoxhaj, ka qënë personi që pat qëlluar mbi viktimën sapo ai kishte qenë duke hyrë në makinë. Henriku e Festimi ishin pas larguar me automjetin “Mistubishi” të cilit më pas i kanë vënë flakën. Makina “Mitsubishi” ishte parkuar në garazhdin e Agim Gjinit, i cili e kishte nxjerrë ditën e ngjarjes dhe dhënë Festim Qolit, për të mbaruar punë. Pas ngjarjes Festim Qoli, ishte pas larguar për në Shkozet dhe tek hotel “Aleksandria” kishte marrë makinën tip “Linkoln”. Për krimin që kreu Festimi, i kishte dhënë Henrikut shumën prej 100.000 euro. Ndërsa dy armët që u patën përdorur në krim i patën hedhur tek “Shkëmbi i Kavajës”, mbi rrugën kryesore. Njërën prej armëve më pas e kishte pas marrë nga aty një punonjës policie Nazmi Shuli, bashkë me një person tjetër të panjohur, të cilët e kishin pas hedhur në një kanal të ujërave të zeza tek mbikalimi në “Shën Vlash”. Shkak për kryerjen e kësaj vrasjeje sipas Nuredinit kishte qenë fakti se Festim Qolit i kishte rënë në vesh nga Plaurent Dervishaj, se Eivis Dedaj kishte pas ofruar rreth 700.00 euro për të vrarë Festim Qolin…”.
Ndërsa në dëshminë e tij i penduari tjetër Skerdi Tasi ka deklaruar në SPAK se:
“…ne po diskutonim, se si do ta kryenim atentatin ndaj Agim Boriçit, ku Henriku më thotë “…unë nuk zbres dot nga makina dhe më tregoi duke më thënë në vijim: “…unë kam bërë një punë me vëllain tim në Durrës, atë e goditëm në parakalim…”, vijoi duke më shpjeguar ngjarjen “…e godita që nga pasagjeri me “Skorpions”, ai vdiq direkt që në goditjen e parë pasi ra në timon dhe makina e tij u përplas diku, unë zbres dhe i afrohem atij me një këmbë duke çaluar i afrohem afër te xhami dhe e godas edhe njëherë tjetër në kokë dhe kthehem largohem te makina duke ikur me vrap te makina me një këmbë, jo me të dyja duke kërcyer…”. Kur kemi diskutuar një herë tjetër Henriku më ka treguar se personi për të cilin ai kishte kryer vrasje dhe që e konsideronte vëlla, ishte Festim Qoli. Festim Qoli, vinte shpesh dhe takohej me Henrikun te lokali i Tonit (çamit) i cili ka emrin “One Top” në Bllok, por unë asnjëherë nuk e kam takuar aty sepse nuk doja të takohesha me të sepse Henriku, më tha mua do të prezantoj me vëllain tim, (Festimin) të cilit do ti them se ty të kam njeriun tim dhe bën punë për mua. Pra këtë mënyrë prezantimi, unë nuk pranova të takohem me Festimin sepse më pëlqente mënyra se si Henriku donte të më prezantonte…”.
Më tej Skerdi Tasi, ka shtuar se:
“…Henriku, më ka thënë se Festim Qoli, ka shumë lidhje në polici. Henriku, më ka folur për një person që ka patur pozicion në Policinë e Durrësit si dhe më pas në Tiranë, tek komisariati Nr. 2 ose Nr. 3…”.
Rasti i mos hetimit në mënyrë të pavarur e vrasjes së Elvis Dedaj, solli pas disa veteve rregjistrimin e një krimi akoma më të rëndë, pasi Festim Qoli, urdhëroi dhe pagoi 40 mijë euro Nuredin Dumanin, Talo Çelën dhe persona të tjerë për të vrarë Fatmira Habilin, nënën e Elvisit.
Fatmira u ekzekutua vetëm për faktin se shkonte në mënyrë të vazhdueshme në polici dhe prokurori, duke kërkuar llogari tek Nazmi Shuli e policië të tjerë në Durrës për ti zbardhur ngjarjen e të birit dhe arrestuar, autorin e krimit Festim Qoli.
Por interesi i saj në organet e drejtësisë solli reagimin e Festim Qolit që qëndronte i lirë, i cili i lodhur nga pagesat e shumta që kishte bërë në polici, vendosi të paguajë Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën për të vrarë Fatmira Habilin.
Vrasja e saj është kryer me thikë dhe autori i ka marë çantën, duke lënë përshtypjen se krimi kishte ndodhur për motiv grabitje.
/Ora News