Një projekt në Jug të vendit, saktësisht në zonën e njohur si Gjilekë, që ka fituar statusin e investitorit strategjik me një vendim të prillit 2022, ka marrë miratimin nga Komiteti i Investimeve Strategjike në gusht 2023 për mbi 22 mijë metër katror shtesë.
Në vendimet e publikuara nga KIS (me kryetar kryeministrin Edi Rama) sqarohet se projekti i zbatuar nga “WHITE ROADS HOTEL” që kishte sipërfaqe paraprake të miratuar prej 12,157.2 m² (shtet dhe privat) kishte nevojë për hapësirë shtesë. Kjo sipas vendimit vjen si rrjedhojë e një marrëveshjeje të subjektit me një brand ndërkombëtar që kërkon aplikimin e standardeve të tij.
“Subjekti “White Roads Hotel” ka nënshkruar kontratë me brand-in ndërkombëtar HYATT INTERNATIONAL LLC. Për të përmirësuar hapësirat dhe funksionalitetin e këtij projekti, në përputhje me standardet më të mira të brand-it, subjekti kërkon të marrë me qira një sipërfaqe shtesë shtet në ZK. 1739 prej 22,276.4 (njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë pikë katër) m², me koordinata të përcaktuara, përfshirë dhe zonën e brigjeve si dhe regjim special në fushën e turizmit” parashtrohet nga KIS.
Në këto kushte, ky i fundit ka rekomanduar që të jepet kjo sipërfaqe për projektin pasi të jenë respektuar një sërë procedurash ndërkohë që investimi ka kapur një vlerë të parashikuar prej 21.3 milionë euro.
Projekti në Dajt
KIS ka miratuar dhënien e statusit investim strategjik edhe për një projekt në zonën e Dajtit. Referuar vendimit bëhet fjalë për aplikimin e subjektit DAJTI EXPRESS SH.A për projektin DAJTI EXPRESS RESORT.
“Subjekti aplikues propozon zhvillimin e një investimi, i cili synon në ri-jetëzimin e ish Kampit të Pionerëve në një hotel malor me 5 yje, që do të ofrojë shërbime mikse në fushën e turizmit, me kapacitet total prej 77 (shtatëdhjetë e shtatë) dhomash, restorante, bare, SPA etj.
Për të rijetëzuar dhe për të zhvilluar zonën përreth objekteve në funksion dhe njëkohësisht për ta bërë sa më të shfrytëzueshme nga ana turistike hapësirën, investitori propozon edhe vendosjen e 12 viletave me struktura druri, ndërtimin e një stalle kuajsh, zhvillimin e një zone të gjelbër dhe funksioneve rekreative, si dhe një kamp për fëmijë.
Projekti zë një sipërfaqe totale rreth 80,000 m², në fshatin Linzë, Bashkia Tiranë, në Zonën Kadastrale 2460, me numër pasurish 496/420, 496/421 dhe 496/422 të llojit “truall” në pronësi të subjektit “Dajti Express” sh.a.
Vlera e investimit të projektit të investimit “Dajti Express Resort” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 12,000,000 (dymbëdhjetë milion) Euro” thuhet në vendim.
Statusi për një subjekt me procedurë të veçantë
Një vendim tjetër i këtij viti i Komitetit të Investimeve Strategjike përfshin një subjekt i cili tashmë ka marrë statusin e investimit strategjik me procedurë të veçantë. Bëhet fjalë për një investim në zonën e Jalit.
“Vlera e investimit të projektit “Jala Entertainment Park” plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë rreth 72,000,000 (shtatëdhjetë e dy milion) Euro, prej të cilave investimi ekzistues vlerësohet në rreth 7,000,000 (shtatë milion) euro. Projekti plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike.
Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i të punësuarve parashikohet të jetë 620 (gjashtëqind e njëzet) persona. Projekti do të realizohet nga subjekti Soleil & Sea sh.p.k NIPT L21926005F.
Shoqëria ka investuar në ndërtimin e strukturave të hotelerisë, të cilat konsistojnë në forma, duke rikonstruktuar ato ekzistuese, ashtu si dhe duke bërë ndërtime të reja” parashtrohet në projekt.
Subjekti, deri më tani, ka investuar në këtë zonë një vlerë prej 7 milionë eurosh. Avancimi i projektit sipas KIS është kufizuar nga ecuria e procedurave që lidhen me pronat.
KIS në vendim ka përcaktuar “Miratimin e Statusit “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” për projektin e investimit “Jala Entertainment Park” me subjekt aplikues shoqëria “Soleil & Sea” sh.p.k me NIUS L21926005F dhe shtyrje të afatit të vlefshmërisë së statusit për një periudhë 4 (katër) vjeçare, nga data e njoftimit të këtij vendimi, përveç afatit të lejimit të përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse së plazhit si dhe afateve të lejimit të përdorimit të pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat vendosen me Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit të investimeve strategjike.
2. Projekti strategjik parashikon realizimin e një kompleksi turistik, i cili do të zhvillohet në Zonën Kadastrale 3844, në Jalë, Vuno, Himarë.
3. Realizimi i kompleksit turistik ndahet në disa faza ku përfshihen: Belvedere dhe dhoma pushimi; Hotele VIP dhe struktura mbështetëse; Jal New Hill dhe struktura mbështetëse”.
Plazh për 30 vite në Jal
Në zonën e Jalit, ku Concord Investment ka zbatuar një projekt, duket se KIS ka miratuar një specifikë që lidhet me përdorimin e plazhit përballë këtij investimi me afat 30-vjeçar. Gjithsesi në vednim është nënvizuar rakordimi me hallkat e tjera.
/Monitor.al/