Vendet në kufi me Izraelin veçse përballen me kriza ekonomike, por lufta Izrael-Hamas rrezikon ta përkeqësojë edhe më shumë stabilitetin financiar, shëndetësor dhe politik në Egjipt, Jordani dhe Liban, si dhe të krijojë probleme shtesë më gjerë.
Secila prej tri shteteve përballet me presione të ndryshme financiare, dhe kjo situatë e ka nxitur Fondin Monetar Ndërkombëtar që t’i paralajmërojë ato në raportin e shtatorit se mund ta humbin “stabilitetin socio-politik”.
Ky paralajmërim ka ardhur pak pasi Hamasi e ka sulmuar Izraelin, më 7 tetor, duke e nxitur një luftë që lehtësisht mund të shkaktojë kaosin me të cilin më pas duhet të merren presidenti amerikan, Joe Biden dhe Bashkimi Evropian.
Por, përkeqësimi eventual i situatës veçse ka nisur të analizohet nga liderë botërorë dhe analistë politikash.
Për administratën e Bidenit, e cila është e përkushtuar për parandalim të zgjerimit të luftës Izrael-Hamas, konflikti mund t’i shumëfishojë problemet dhe mund të shkaktojë kolaps qeveritar në disa vende.
Nëse konflikti përshkallëzohet, ai mund ta përfshijë rajonin, i cili është jetik për furnizime globale me naftë.
“Sa më jostabile që janë gjërat në aspektin ekonomik, aq më e lehtë është për aktorët e këqij në rajon që t’i lëvizin gjërat”, ka thënë Christopher Swift, avokat ndërkombëtar dhe ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit.
“Përkufizimi që ju mund të divorcoheni prej politikës është pak miopi dhe naivitet. Politika, ekonomia dhe siguria janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën”.
Shefi i Bankës Botërore, Ajay Banga ka paralajmëruar në një konfernecë në Arabinë Saudite se lufta e vendos zhvillimin ekonomik në “nyje të rrezikshme”.
Situata financiare është mjaftueshëm serioze, pasi Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, është takuar me zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) javën e kaluar, dhe u ka thënë zyrtarëve se duhet bërë më shumë për ta mbështetur Qeverinë e Egjiptit, e cila, sipas tij, është nën preson të madh për shkak të mundësisë së rritjes së numrit të refugjatëve nga Gaza, si dhe nga Sudani, pasi banorët atje janë duke i ikur luftës civile.
“Le ta mbështesim Egjiptin”, ka thënë Michel pas takimit.
“Egjipti ka nevojë për mbështetjen tonë dhe ne duhet ta mbështesim Egjiptin”.
Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi refuzon të pranojë refugjatë palestinezë, duke u frikësuar se Izraeli dëshiron dëbimin e tyre të përjetshëm, në mënyrë që t’ua pamundësojë palestinezëve jetësimin e kërkesës për shtetësi.
Lideri i Egjiptit ka thënë, po ashtu, se eksodi masiv mund të rrezikojë me dërgimin e militantëve në Gadishullin Sinai.
Deri më tani, mbi një milion njerëz janë zhvendosur brenda Gazës, dhe kërcënimi i përshkallëzimit të luftës është ende real, pasi Izraeli ende përleshet, me raste, në kufi me militantët e Hezbollahut, me bazë në Libanin fqinj.
“Ideja që nuk do të ketë lëvizje të njerëzve është naive dhe e pamatur”, ka thënë Swift.
“Çdo goditje në regjimin e el-Sisit prej jashtë, qoftë ajo goditje ekonomike, apo prej migrimit të papritur të shumë njerëzve nga Gaza në Sinai, mund të ketë efekte destabilizuese”.
Swift ka thënë se ndonëse regjimi i el-Sisit varet shumë prej ndihmës ekonomike dhe ushtarake amerikane, do të jetë disponimi i popullit brenda Egjiptit, ai që do t’i përcaktojë vendimet e tij, një mësim i marrë prej protestave të Pranverës Arabe, të cilat kanë rezultuar me rrëzimin e Mubarakut prej pushtetit më 2011.
Në muajin prill, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se nevojat financiare të Egjiptit për një vit, janë të barabarta me 35 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Mirette F. Mabrouk, drejtore e programit për studime të Egjiptit në Institutin e Lindjes së Mesme, ka thënë se “Egjipti është duke e përjetuar krizën më të rëndë ekonomike që më kujtohet, në pesë dekadat e fundit”, dhe kjo vetëm sa e komplikon trazirën e fundit prej luftës.
“Nëse ekziston ky zjarr në Gaza, atëherë duhet që i gjithë rajoni të jetë stabil, në mënyrë që të gjithë të marrin veprime të duhura”, ka thënë Mabrouk.
“Nuk ka nevojë për më shumë jostabilitet në një rajon që veçse është jostabil”.
Mabrouk ka thënë se një prej shenjave të menjëhershme të rritjes së tensioneve, është se Banka Qendrore e Egjiptit, ka vënë javën e kaluar kufizime në kartelat me valuta të huaja, të cilat janë të lidhura me llogari bankare lokale.
Një dëm i madh tjetër potencial për Egjiptin nga lufta Izrael – Hamas mund të jetë humbja e numrit të turistëve, që shkojnë atje për t’i vizituar piramidat e lashta.
Turizmi është një prej sektorëve kyçë për ekonominë e Egjiptit.
Në afërsi është edhe Jordania, e cila po përballet me ngadalësim të ekonomisë dhe më pak investime të huaja, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Situata me borxhin e përgjithshëm është më premtuese në krahasim me Egjiptin, por shkalla e papunësisë është në shkallë dyshifrore, sipas të dhënave financiare të platformës FactSet.
Ndërkohë, ekonomia e Libanit është tkurrur për shumë se përgjysmë në periudhën 2019-2021, sipas Bankës Botërore.
Valuta e Libanit, e cila prej vitit 1997 është treguar me normën një dollarë amerikan për 1.500 paundë libanezë, tani tregtohet me 90.000 paundë.
Ndonëse shumë biznese tani tregtojnë me dollarë, punëtorët e sektorit publik, që ende i marrin pagat në lira, janë përballur me vështirësi të mëdha ekonomike dhe varen prej remitencave të familjarëve jashtë shtetit.
Donatorët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Katarin, i kanë subvencionuar pagat e ushtarëve të Libanit.
Liderët e këtij shteti e kanë nënshkruar një marrëveshje me FMN-në, në prill të vitit 2022, për një paketë financiare shpëtuese, mirëpo nuk kanë arritur t’i realizojnë shumicën e reformave të kërkuara për ta finalizuar marrëveshjen.
FMN-ja ka paralajmëruar, në një raport më herët gjatë javës, se pa reforma, borxhi publik në këtë shtet të vogël, të mbërthyer nga kriza, mund të arrijë në 550 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Para luftës Izrael-Hamas, disa zyrtarë kanë diskutuar për mundësinë e ringjalljes së industrisë së turizimit, si mundësi për ringjallje ekonomike.
Mirëpo, prej kur konflikti rrezikon ta përfshijë edhe Libanin – për shkak të përleshjeve të shkallës së vogël mes militantëve të Hezbollahut – të lidhur me Hamasin – dhe forcave izraelite, ambasadat e huaja kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të largohen dhe i kanë anuluar fluturimet e kompanive të tyre në këtë vend.
Paul Salem, president i Institutit për Lindje të Mesme, me seli në Uashington, ka thënë se nëse “tensionet përhapen në Gjirin Arab, ky konflikt do të ketë ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare, por edhe në ekonomitë dhe popullsinë e gjithë botës”./rel