Me një ton të pazakontë pajtues, Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje në në mesazh për bashkëpunim më të afërt dhe marrëdhënie më të qëndrueshme ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë paqësore.
Mesazhi, i përfshirë në një letër drejtuar të martën Komitetit Kombëtar për Marrëdhëniet SHBA-Kinë me seli në New York, vjen në një kohë kur pritet një takim i mundshëm mes Presidentit kinez dhe Presidentit Joe Biden në San Francisko në takimin e organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor në nëntor.
Në letër, Presidenti Xi tha se “si dy shtete të mëdha në botë, paqja botërore, zhvillimi dhe e ardhmja e njerëzimit do të varet nga fakti nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara do ta gjejnë mënyrën e duhur për t’u kuptuar me njëra tjetrën.”
“Kina është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara mbi tri parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe një bashkëpunimi të dobishëm për të dyja vendet për të avancuar bashkëpunimin e ndërsjellë, menaxhuar siç duhet dallimet, që bashkarisht t’u përgjigjen sfidave globale dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën të kenë sukses dhe të përparojnë në dobi të të dyja vendeve, si dhe botës,” tha ai.
Në një letër të ngjashme, Presidenti Biden tha se “të dyja shtetet Kina dhe Shtetet e Bashkuara e kanë për detyrë të punojnë për të zgjidhur sfidat ndërkombëtare që ndikojnë në jetët e popujve tanë, përfshirë forcimin e sigurisë globale të ushqimit dhe shëndetit, ballafaqimin me krizën klimatike dhe luftën ndaj trafikimit të narkotikëve.”
“Amerika gjithashtu do të vazhdojë të menaxhojë në mënyrë të përgjegjëshme garën mes dy vendeve tona ndërkohë që avancojmë vizionin tonë të përbashkët për një botë të lirë, të hapur, të sigurtë dhe të begatë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të punojmë në partneritet me të gjitha ato vende që tregojnë të njëjtin përkushtim për të mbrojtur institucionet ndërkombëtare dhe rregullat që kanë ndihmuar në ruajtjen e sigurisë globale dhe përparimit ndër dekada,” tha ai.
Ish-Sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger tha gjatë takimit se “jam i bindur… se dy vendet kanë një aftësi të veçantë për të sjellë paqe dhe përparim në botë.”
“Dhe ato kanë një aftësi të veçantë për të shkatërruar botën nëse nuk janë bashkë,” shtoi ai.
Konferenca u mbajt në prag të vizitës së planifikuar të Ministrit të jashtëm kinez Wang Yi në Washington për të biseduar, mes tjerash, për planifikimin e takimin ndërmjet presidentëve Xi dhe Biden.
Nga e enjtja deri të shtunën, zoti Wang pritet të takojë Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe Këshilltarin amerikan për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan. Ka gjasa që ai të takohet edhe me Presidentin Biden.
Sipas drejtores menaxhuese të programit të Indo-Paqësorit Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara Bonnie Glaser, bisedat mes dy zyrtarëve do të përfshijnë një mori çështjesh. Ajo i tha Zërit të Amerikës se çështjet që do të diskutohen “përfshijnë Izraelin dhe Gazën, Ukrainën, Tajvanin, Detin e Kinës Jugore, bashkëveprimin ushtarak kinezo-amerikan, inteligjencën artificiale dhe fentanilin.”
Senatori John Cornyn tha se ai dëshiron të shohë administratën e zotit Biden më të prerë me Kinën.
“Fatkeqësisht, administrata duket shumë e gatshme t’i përulet Partisë Komuniste kineze dhe ata e kuptojnë këtë si dobësi. Do të preferoja të shihja një qëndrim më të fortë,” tha ai.
Këmbimi i letrave dhe vizita e ministrit Wang duken si shenja të një ngrohjeje të marrëdhënieve para një takimi të mundshëm ndërmjet Biden dhe Xi në kuadër të takimit të APEC-ut.
Megjithatë, Pekini ende nuk e ka pranuar zyrtarisht ftesën e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në takimin e APEC-ut në San Francisko. Disa analistë i kanë thënë shërbimit kinez të Zërit të Amerikës se besojnë që vonesa për konfirmimin e pjesëmarrjes së zotit Xi është strategjike: Pekini shpreson të shfrytëzojë këtë moment dhe ta detyrojë SHBA-në të bëjë lëshime për çështjet si ndalesa e re ndaj Kinës për eksportin e çipave.
Pekini po ashtu mund të shpresojë që Uashingtoni të ndryshojë vendimin e tij dhe të lejojë shefin ekzekutiv të Hong Kongut John Lee, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, që të marrë pjesë në takimin e APEC-ut.
Analisti Craig Singleton nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive i tha Zërit të Amerikës se “Pekini si duket po pret që Uashingtoni të zbusë qëndrimin e vet kritik – veprim që ka pak gjasa të ndodhë nga administrata Biden.”
Timothy Heath nga Korporata Rand i tha Zërit të Amerikës se “Wang Yi pritet të bëjë përpjekje për të krijuar kushtet për një takim të mundshëm ndërmjet (presidentëve) Xi dhe Biden në kuadër të takimit të APEC-ut në nëntor. Wang do të synojë të zbusë tensionet duke shkëmbyer pikëpamje mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.”/VOA