Nga Gjeneral Piro Ahmetaj
Kam ndjekur me vëmendje të shtuar, sigurisht i “shokuar nga pasojat”, por dhe “profesionalisht i zhgënjyer” nga dështimi i Inteligjencës dhe sistemit të mbrojtjes Izraelite, kur në 7 Tetor 2023, Hamasi (i shpallur organizatë terroriste nga ShBA/BE) goditi me breshëri raketash qytetarë të pafajshëm të grumbulluar në festë publike.
Paraprakisht, nëpërmjet rrjeteve sociale por edhe miqve/kolegëve të fushës të sigurisë në Jeruzalem/Telaviv, kam shprehur dhimbjen njerëzore për mijëra “jo viktimat”, por dëshmorët e luftës kundër terrorizmit barbar.
Ndërsa në këtë artikull, do përpiqem të hedh dritë me: (I) konsideratat gjeopolitike rreth sulmit terrorist; (II) historinë e konfliktit dhe përpjekjeve për paqen në rajon; (III) peshimin (edhe pse s’ka të krahasuar) të fuqisë ushtarake; (IV) rekomandime për rikthimin e bashkëjetesës paqësore, si dhe (V) impakte dhe këshilla gjeopolitike për aktorët politike të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare. Më konkretisht:
- Shtatë mësime & 7 mesazhe strategjike nga akti terrorist i 7 Tetorit 2023:
Së pari, për të dy shtetet sovrane (R.Sh & Kosovë) të një Kombi nuk ka opsion të dytë, përveçse ti bashkohej/t pa hezitim “flamurit të solidaritetit të mbarë botës së qytetëruar” duke dënuar pa hezitim frymëzuesit politik dhe autorët e akteve kriminale të Hamasit, të cilët duke goditur barbarisht mbi popullsinë e pafajshme Izraele, e skalitën 7 Tetorin 2023 si një ndër aktet terroriste nga më çnjerëzoret në historinë moderne të njerëzimit.
Nga ana tjetër, më e pakta i gjej qesharake që “opinionistë të vetë-prangosur nga sindroma e Stockholmit” i risjellin opinionit oshilacionet gjeopolitike të Enver Hoxhës: “Izraeli një kobure në duart e SHBA/UK…., një Shtet i krijuar nga imperializmi dhe sionizmi reaksionar”.
Së dyti, përtej emërtimit patriotiko-fetar (HAMAS = Lëvizja e Rezistencës Islamike) “terroristët e pa Fe” që çirren si monstra: “Allāhu ʾakbar ose Zoti është i madh” edhe pasi vrasin barbarisht qytetarë të grumbulluar në festë publike; kur u presin kokat fëmijëve të pafajshëm; kur marrin zvarrë pengje pleq/gjyshër, gra dhe vajza, apo edhe kur përdorin si barrikada (ç) njerëzore bashkëqytetarë nga Rripi i Gazës”, kurrësesi nuk kanë të përbashkët me kuranin dhe as me vlerat e fesë Islame !
Në të kundërt, frymëzuesit që fshihen si minj në transhetë e Rripit të Gazës, e keqpërdorin fenë për axhendën e tyre politike dhe i diskreditojnë vlerat e besimit Islam, që në asnjë rrethanë nuk frymëzon vrasjet makabre. Në të kundërt, si besimet e tjera komplementare, edhe ajo Islame mbjell paqe, tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëjetesë paqësore, pavarësisht Fesë, etj.
Së treti, ende mbetet në kuadrin e teorive konspirative nëse ky akt ishte “klonuar nga Kremlini në kokën e terroristeve të Hamasit”, por është e sigurt, që ky akt-barbar, i shërben përpjekjeve të dëshpëruara të RusisëPutiniste, për të hapur një front të ri lufte krahas asaj në Ukrainë. Por do të dështoje, ashtu si në përpjekjen për ta tërhequr Kinën në luftë me Tajvanit; apo për ta frymëzuar Beograd-in deri në marrëzinë e “pushtimit ushtarak të veriut të Kosovës, e cila prej Marrëveshjes së Kumanovës (06/1999) mbetet ende nën përgjegjësinë e trupave të NATO-s/KFOR-it“.
Së katërti, ashtu si 11 Shtatori 2001, edhe kjo ngjarje demonstroi jo vetëm “dështimin e frikshëm” të inteligjencës Izraelite, por 7 Tetori 2023, konfirmoi gjithashtu se, “garancia 100% te mëvetësia e mbrojtjes strategjike si dhe imunitet 100 % në luftën kundër terrorizmit nuk ka për të patur”. Bashkë me këtë mësim, del domosdoshmëri kritike, për të bashkëpunuar në luftën me të keqen e përbashkët/terrorizmin.
Së pesti, në Kremlin, Iran, Korenë e Veriut, dhe gjithandej (përfshi në Shqipëri) në mendjet e ndryshkura duke u përpjekur ti japin dimension fetar dhe “legjitimuar” aktit terroriste, që: “vret barbarisht apo ngre barikada/pengje me trupa njerëzorë të pafajshëm”, kanë vënë në sprovë, të drejtën sovrane dhe ndërkombëtare (artikulli 2 dhe 51 i kartës së OKB) të vendimmarrjes për (vetë) mbrojtjen me çdo çmim të integritetit teritorial, të jetës së qytetarëve dhe përdorimin e fuqisë ushtarake të Izraelit deri në asgjësimin e autorëve, terroristeve të Hamasit.
Së gjashti, ndërsa përtej rrethanave specifike të Izraelit për mbijetesë, “ushtrimi i të drejtës së hakmarrjes shëmbullore ndaj terroristëve”, vjen edhe si një sfidë dhe kambanë e përbotshme, pasi: “nëse terroristet e Hamasit, duke vrarë/therur fëmijë të pafajshëm apo duke përdorur si barrikada, pengje, pleq/gjyshër, vajza dhe gra, etj. akte çnjerëzore”, do të gjunjëzojë Izraelin, nuk do krijonte kjo një preçedent fatal për të hedhur në erë rregullat, sistemin e sigurisë dhe vlerat e qytetërimit ?
Ndërsa, për këdo kalemxhi të mirëpaguar, pyetja mbetet: “nëse Izraeli dorëzohet sot, dhe nesër në një akt të ngjashëm kështu do gjunjëzohej edhe Washingtoni, Berlini, Londra, Parisi dhe çdo vend demokratik ndaj terroristeve çfarë pasojash do të ketë mbi paqen, shoqërinë njerëzore, harmoninë fetare, bashkëjetesën paqësore” ?!
Nga ky këndvështrim, pra kur Izraelit nuk mbetet opsion tjetër, “hakmarrjen shembullore ndaj organizatës terroriste të Hamasit”, e gjej në të drejtën e mbijetesës si dhe kontribut për të mbrojtur vlerat e mbarë botës së qytetëruar” !
Së shtati, mbështetja diplomatike nga vendet demokratike si dhe prezenca e menjëhershme ushtarake e ShBA në rajon (e cila konfirmon “me vepra” mbështetjen pa kompromis të Izraelit në luftën me terrorizmin) është jo vetëm për shkak të një lobi të fortë në vendimmarrjet e Washingtonit. Ndërsa kështu, marrëdhëniet ShBA-Izrael meritojnë edhe një koment shtesë: “shumica dërrmuese e 194 shteteve (përfshi Shqipërinë) e kanë vetëshpallur ShBA aleat strategjik, ndërsa Izraeli është ndër të vetmet shtete të konfirmuara zyrtarisht nga Washington-i si aleat Strategjik për mbrojtjen e interesave gjeopolitike të ShBA-ve në rajon”!
- II. Historia e konflikteve dhe e përpjekjeve për paqe :
Përtej aktit terrorist të 7 Tetorit, konfliktet dhe përpjekjet për paqe në Rajon kanë një histori të gjatë dhe i ka rrënjët në “Palestinën historike”, që përfshin Izraelin e sotëm, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Nga ana tjetër, konflikti edhe pse rrotullohet brenda “dimensionit fetar” mbetet një çështje e rrënjosur thellë dhe e shumëanshme, që përfshin çështje të territorit, refugjatëve, sigurisë, identitetit dhe interesave kombëtare. Me këtë rast, sjellim në vëmendje disa nga ngjarjet peshë nga fundi i shekullit të 19-të – fillimin e shekullit të 20-të:
Siç mund te dihet gjerësisht, në fund të shekullit të 19-të, komunitetet hebraike anembanë Europës u përballën me persekutim dhe diskriminim, ndërkohe lëvizja zioniste, e udhëhequr nga Theodor Herzl, u shfaq si projekt për krijimim e një atdheu hebre në Palestinë.
Pas Luftës së Parë Botërore (1947), Kombet e Bashkuara propozuan një plan paqe i cili rekomandonte ndarjen e Palestinës në dy shtete, hebreje dhe arabe, me Jerusalemin si qytet ndërkombëtar. Ndërsa udhëheqësit hebrenj e pranuan planin, udhëheqësit arabë e refuzuan kategorikisht. Më 14 maj 1948, David Ben-Gurion shpalli themelimin e Shtetit të Izraelit. Të gjitha shtetet arabe, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Sirinë dhe Irakun, e kundërshtuan dhe u përfshin në Luftën e Parë Arabo-Izraelite.
(1950-1960): Në vitin 1956, Izraeli, së bashku me Britaninë dhe Francën, pushtuan Egjiptin gjatë krizës së Suezit por presioni ndërkombëtar dhe rrethanat e luftës së ftohtë, i detyroi të tërhiqeshin. Lufta gjashtë ditore (1967): Konflikti 6 ditor midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, përfshiu Egjiptin, Jordaninë dhe Sirinë, rezultoi me pushtimin nga Izraeli të Gadishullit Sinai, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Lufta e Yom Kipurit (1973): Egjipti dhe Siria filluan një sulm të befasishëm ndaj Izraelit gjatë festës hebreje të Yom Kipur, por Izraeli jo vetëm e zmbrapsi sulmin, por mori edhe më shumë territore. Marrëveshjet e Camp David (1978): të ndërmjetësuara nga SHBA, i normalizuan marrëdhënieve midis Izraelit dhe Egjiptit, i cili u bë vendi i parë arab që njohu Izraelin.
(1987-1993): Protestat dhe kryengritjet palestineze kundër pushtimit izraelit në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës shënuan Intifadën e Parë. (1993): Negociatat sekrete të Marrëveshjet e Oslos, themeluan Autoritetin Palestinez dhe siguruan një kornizë për vetëqeverisjen në pjesë të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.
Përpjekje të tjera, si Samiti i Camp David (2000), Samiti i Tabës (2001) dhe Konferencën e Annapolis (2007), nuk kanë arritur gjithësesi të prodhojnë ndonjë zgjidhje të qëndrueshme në rajon. Marrëveshjet e Abrahamit (2020): Izraeli normalizoi marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe duke thyer qëndrimin tradicional arab për mosnjohjen e Izraelit pa një zgjidhje për çështjen palestineze.
III.Mbi kapacitetet/fuqinë ushtarake së Izraelit (FMI) dhe organizatës militante (terroriste) Hamas.
Fuqia ushtarake midis Izraelit dhe Hamasit, janë tërësisht të pakrahasueshme, pasi Izraeli është një shtet sovran me një ushtri të modernizuar, ndërsa Hamasi është vetëm një organizatë militare/ushtarake. Megjithatë:
Fuqia ushtarake e Izraelit: Ka një forcë të armatosur prej rreth 160-170 mijë forcë aktive (shërbim i detyrueshëm ushtarak) si dhe rreth 500 mijë forcë rezervistë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përbëhen nga forcat tokësore, forcat ajrore, forcat detare si dhe njësi të specializuara.
Ka një industri të avancuar të mbrojtjes dhe merr ndihma dhe mbështetje të konsiderueshme ushtarake nga ShBA. Posedon sisteme të avancuara të armëve, duke përfshirë: Iron Dome, një sistem anti-raketë i krijuar për të kapur dhe asgjësuar raketat dhe predha artilerie si dhe Sistemi Arrow që është një familje raketore anti-balistike; Avionë luftimi të avancuar, duke i dhënë Izraelit epërsi ajrore të pakonkurueshme në rajon. Zotëron po ashtu Tanket Merkava të gjeneratës së fundit, që po i shohim edhe në shtetërrethimin e shpallur mbas aktit terrorist të 7 Tetorit.
Pavarësisht “dështimit” në këtë rast, Izraeli konsiderohet lider global për kapacitetet Inteligjencës dhe sigurinë kibernetike, fushë që po bashkëpunon edhe R.Sh, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkan.
Fuqia ushtarake e Hamasit: Harakat al-Muqawama al-Islamiya (Levizja e Rezistencës Islamike), themeluar në 1987, organizatë politike & ushtarake (e shpallur terroriste nga ShBA/BE) që kontrollon Rripin e Gazës, pjese e territoreve Palestineze, ka prezencë edhe në West Bank.
Aftësitë ushtarake përbëhen kryesisht nga forca të parregullta të inkuadruara në Brigadat Izz ad-Din alQassam. Aktualisht, ka disa mijëra luftëtarë aktivë si dhe mund të rekrutojë një numër më të madh rezervistësh. Është i njohur për rrjetin të gjerë të tuneleve në Gaza, i cili përdoret për kontrabandë dhe sulme të befasishme, si dhe në sulmin terrorist të datës 7 Tetor 2023.
Zotëron kryesisht armët të lehta si automatikët dhe mitralozët qe përdoren për luftën terroriste dhe guerile, ndërsa eksplozivët, raketat dhe mortajat që përdoren ndaj Izraelit si armë kryesore e shantazhit. Gjithsesi përtej befasisë dhe dështimit në rastin e 7 Tetorit, mbi 85 % e raketave të Hamasit janë kapur dhe asgjësuar nga sistemi i “Kupolës së Hekurt të Izraelit”.
Në përmbledhje, kurrësesi Hamasi nuk ka as tiparet, as strukturën e C2; as kapacitete dhe as aftësi për tu krahasuar me fuqnë ushtarake të një komb sovran si Izraeli. Për më tepër, Izraeli ka kapacitete dhe fuqi ushtarake jo vetëm për ta “mposhtur Hamasin” por për t’u përballur dhe dominuar të gjitha vendet Arabe së bashku.
- IV. Parime dhe rekomandime për zgjidhjen e konfliktit dhe rikthimi te masat të ndërtimit paqes në rajon:
Paraprakisht më duhet të qartësoj fortë se, për sa trajtoj në këtë opinion, kurrsesi nuk kanë të bëjnë me zgjidhje shteruese aq më pak paragjykime mbi sovranitetin territorial, identitetet kombëtare, apo rrënjët e konflikteve mes Izraelit dhe vendeve Arabe. Gjithsesi, po paraqes disa rekomandime për situatën pas dhe përtej rastit të fundit:
- Për situatën mbas 7 Tetorit: vendet në konflikt, komuniteti ndërkombëtar, NATO/BE, etj duhet ta dënojnë zyrtarisht se pa asnjë hezitim aktin terrorist të 7 Tetorit 2023, në vazhdën akteve kriminale të Hamasit që minojnë bashkëjetesën paqësore mes popujve në rajon dhe kërcënojnë balancat gjeopolitike dhe vlerat e qytetërimit.
Për më tepër nuk ma lejon as, grada e lartë ushtarake (gjeneral*) por as eksperienca në NATO të bëjë “moralizime populiste” mbi detyrimet kushtetuese ndaj Forcave të Armatosura të Izraelit për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, si dhe as më pak ta paragjykoj të drejtën që ka Izraeli të përdorë në mënyrë të përshkallëzuar fuqinë ushtarake (përfshi hakmarrjen shembullore për ta asgjësuar dhe shkulur nga rrënjët Hamasin), për të rivendosur gjendjen në terren si dhe besimin e qytetarëve Izraelit te standardet e sigurisë.
Ndërsa, frymëzuesit dhe terroristët duhet të çohen sa më shpejt të jetë e mundur para drejtësisë Izraelite dhe Gjykatës ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Sigurisht duhet vetëpërmbajtje dhe respektimi konventave ndërkombëtare, duke përdorur arme me preçizon të lartë kundër terroristëve, infrastrukturave dhe lidhjeve të Hamasit; duke hapur korridore humanitare dhe mjekësore për popullsinë civile si dhe duke shmangur në maksimumin e mundshëm viktima të pafajshme (megjithëse në masën 100 % është mision i pamundur).
Thënë këto, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të duhet të ndalen përpjekjet diplomatike nga Izraeli, vendet Arabe dhe komuniteti ndërkombëtar. Më tej për të krijuar frymën e mirëbesimit do duhet një akt falje si dhe një marrëveshje paraprake me faktorët lokal te moderuar që zgjidhjen e konfliktit dhe bashkëjetesën paqësore nuk e shohin kurrsesi nëpërmjet akteve terroriste.
- Ndërsa përtej aktit terrorist të 7 Tetorit, situata në terren dhe historia e pas-konflikteve na mëson se rruga drejt paqes kërkon përkushtim, kompromis dhe përfshirje të të gjithë faktorëve relevant.
Edhe konflikti izraelito-arab është një çështje komplekse gjeopolitike e shtrirë në dekada dhe që përfshin një mori faktorësh historikë, fetarë, kulturore, territorialë, identitetin kombëtar, interesa ekonomike, etj. Prandaj, një zgjidhje e qëndrueshme përfshin adresimin e ktyre faktorëve dhe sigurisht do duhet të prevalojnë mekanizmat diplomatike mes Izraelit, Palestinës dhe vendeve të tjera.
Një opsion i diskutuar gjerësisht si zgjidhje është krijimi i dy shteteve sovrane, Izraelit dhe Palestinës, që do të përfshinte negociatat për kufijtë, refugjatët dhe Jerusalemi si kryeqytet i përbashkët për të dy vendet sovrane. Bashkē me këtë, adresimi i çështjes së refugjatëve palestinezë, përmes kompensimit, zhvendosjes ose kthimit sipas kushteve të dakordsuara paraprakisht.
Masat e mirëbesimit reciprok përfshijnë de-militarizimin, balancat e fuqisë ushtarake dhe garancitë e sigurisë për Izraelin, lirimi i të burgosurve, bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet kulturore. Sigurisht, aktorët ndërkombëtarë, OKB, ShBA, BE si dhe ata rajonale, kane një rol thelbësor në suksesin e negociatave për paqe të qëndrueshme.
- V. NË SHTESË, si në çdo dhjetëra vlerësime me peshë në fushën e sigurisë, dëshiroj që edhe këtë artikull ta përmbyll me “impakte dhe rekomandime strategjike” për faktorët dhe aktorët në Tiranës dhe Prishtinën zyrtare:
Patjetër që gjej paralele dhe impakte mbi interesat mbarëkombëtare, pasi sulmi terrorist i Hamasit ndodhi jo rastësisht vetëm 2 javë mbas aktit terrorist, që bandat mercenare të frymëzuara nga oshilacionet e Ministrit të Millosheviçit dhe interesat e Rusisë-Putiniste, ndërmorën ndaj Kosovës.
Gjithashtu dua ta përsëris se “jo për meritë të protagonistëve të mbi-pushtetshëm, që mjerisht as rezolutën të përbashkët (në letër) mes dy Kuvendeve nuk munden të realizojnë”, por falë gjakut të dëshmorit të kombit Afrim Bunjaku dhe profesionalizmit elitar te FSK si dhe mbështetjes së aleatëve strategjik
(USA/NATO), Kosova fitoi një betejë historike: “duke shmangur një skenar të Krimesë për t’i kthyer manastiret e Kosovës në depo armësh, bunkerë terroristesh dhe barikada të civilëve te pafajshëm”!
Nuk mund të mos shpreh neverinë ndaj një përpjekje për të baraz(sh)vlerësuar përpjekjet e çlirimtarëve të Kosovës me ato të grupit terrorist të Hamasit! Përtej “revoltës patriotike“, përgjigja është e vërteta, që: “në asnjë rast të vetëm nuk janë goditur popullsia e pafajshme; kurrë nuk janë marrë pengje fëmijë, pleq, gra apo vajza Serbe”. Përkundrazi, projekti i shenjtorit Rugova privaloi dhe me ndërhyrjen legjitime të NATOs Kosova u çlirua nga pushtuesit Serb.
Thënë këto, Tirana dhe Prishtina zyrtare do duhet të konfirmojnë solidaritet dhe mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe reciprocitetit të mirënjohjes që ka Izraelit ndaj kombit tonë për shpëtimin e Hebrejve nga nazistët gjatë Luftës II-të botërore, por edhe për tu rreshtuar pa kompromis krah ShBA-ve (aleate strategjike e Izraelit) që ka luajtur rol përcaktues jo vetëm për çlirimin dhe faktorizimin gjeopolitik të Kosovës, por edhe specifikisht për njohjen si “surprizë e mençur” në dhomën ovale (në kuadër të Projektit të Presidentit Trump) nga Izraeli në kuadër të paketës 12 miliard €, përfshi autostradën e paqes, linjën hekurudhore, portin në ujërat e thella të Adriatikut, etj.
Ndërsa e risjellë në kontekstin e interesave gjeopolitike, kombi ynë ka arsye të forta ndërsa autoritetet shtetërore e kanë detyrim shtetëror jo vetëm të “vendosin numër telefoni për të ndihmuar bashkëqytetarët Shqiptare për transportin nga zonat e konfliktit” por dhe të dënojnë “me një zë të përbashkët” terrorizmin si dhe të mbështesin përpjekjet e Izraelit në këtë betejë me të keqen e përbashkët/terrorizmin.
Në përmbyllje përsëris se “përtej luftës, paqja mbetet mision i vështirë por opsioni i vetëm”. Kështu jam besimplotë se Izraeli jo vetëm do t’i ndëshkojë në mënyrë shembullore terroristet por paqja dhe vlerat e qytetërimit do të triumfojnë mbi terroristet e Hamasit, Rusinë-Putiniste, Kim-Jong-un, Iranin dhe ndaj çdo mendje tjetër të deformuar në botë.
*Ekspert për SK, Rajonin & NATO,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut;
Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe Ish:
Këshilltar Ushtarak i Presidentit të R.Sh;
Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO.