Vrasja Martin Çeços në muajin Qershor të vitit të kaluar, është një nga ngjarjet më makabre të ndodhura në zonën e Kolanecit në Maliq të Korçës.
Pak ditë më parë “Ora News” raportoi se për vrasjen e Martin Çeços, prokuroria e Korçës, kishte marë të pandehur Valter Mollaj, kushëririn e tij Edlir Mollaj, Bleti Angjon dhe Martina alias Tina Pajollarin.
Ndaj kësaj të fundit viktima Martin Çeco, kishte shfaqur ndjenja sentimentale, por Tina i ka treguar se kishte lidhje intime me disa burra të matuar në fshat, njëri prej të cilëve quhej, Valter Mollaj.
Mollaj e mbante me bukë Tina Pajollarin, ndërsa kjo e fundit i shërbente tek stalla e bagëtive.
Për shkak zbulimit të pëlqimit nga ana e Martin Çeços, dhe xhelozisë së krijuar nga Valter Mollaj, ky i fundit ka kërcënuar Martin Çeçon, duke i thënë: “…Po vij të ta bëj mishin copa-copa me thikë…”.
Martin Çeço, e ka ndjerë veten të frikësuar dhe ka filluar të qajë, telefonin e tij e ka marrë babai i Martinit, Nevzati, i cili teksa bisedon me Valter Mollajn, është kërcënuar nga ky i fundit duke i thënë se: “…xhaxhkë, ti vetëm një plumb do…”.
Në mesditën e datës 11 qershor 2022, Martin Çeço, katër ditë para se të vritej dhe hidhej në ujërat e rezervuarit të Kolanecit, i ka dërguar një foto motrës së tij, ku është duke qarë dhe i shkruan se:
“…do vij nesër unë Klarida, se me ç’jam mërzitur sot kurrë ndonjëherë s’jam mërzitur, kurrë si sot, sikur më ra bota në kokë sot…”.
Dhe më tej Martin Çeço vijon ti shkruajë të motrës, duke i thënë se: “…pashë një ëndër sikur më erdhi…”.
Sipas dosjes hetimore që “Ora News” disponon, një nga dëshmitarët dhe bashkëautorët në vrasjen e Martin Çeços është Bleti Angjo, çobani i deleve të Valter Mollaj.
Ky i fundit në dëshminë e tij ka implikuar, Valterin, Edlirin dhe Tina Pajollarin. Ndërsa s’qaron se është kërcënuar dhe goditur nga Valter Mollaj, për të mos folur para policisë.
Bleti Angjo s’qaroi rrethanat e njohjes me Martina Pajollari, e cila ndihmonte vellain e Valter Mollaj me bagëtitë, Emiljan Mollaj.
Sipas tij, Valter Mollaj, e kishte punësuar si çoban për bagëtitë e tij dhe Edlir Mollai, i cili është djali xhaxhait Valterit.
Bleti Angjo, ka treguar se ai dhe vëllai i mitur i Martinës, ishin në dijeni që Martina Pajollarin, e merrte në telefon një djalë me emrin Martin Çeço, i cili kërkonte Martinës të pinin kafe bashkë, por ajo e refuzonte dhe shprehet se ka vënë re që Valter Mollaj bëhej xheloz për komunikimin e Çeços me Martina Pajollarin.
Pasi Valter Mollaj kishte vite që kishte një lidhje jashtë martesore me Martina Pajollarin dhe sipas Bleti Angjos, ai ja kontrollonte shpesh telefonin për të parë nëse viktima i kishte shkruar përsëri.
Në datën 12 qershor 2022, kuptoi që ata komunikonin në “Messenger” dhe i tha Martina Pajollari t’a telefononte viktimën dhe të tallej me të duke i thënë të takoheshin e të pinin një kafe pastaj t’i thoshte se ishte e dashura e Valter Mollaj dhe ajo atë gjë bëri.
Sipas Bleti Angjos, ai ka shkuar në vendin e krimit pa vullnetin e tij, por duke u detyruar nga Valter Mollaj, i cili ishte i dhunshëm me të dhe para se të niseshin ai ju tha atij, Edlir Mollaj dhe Martina Pajollari se do shkonim në Kolanec, pasi ai do e vriste Martin Ceçon.
Para se të niseshin në fshatin Kolanec ai i kishte thënë viktimës në telefon: “…po vij të ta bej mishin copa-copa me thikë…”.
Nuk e kujton si erdhi Edlir Mollaj tek kasallja ku u bë telefonata me viktimen, por në shumë mundësi e njoftoi vetë Valter Mollaj duke i shkuar në shtëpi, pasi ai jeton atje pranë.
Valter Mollaj, i kishte thënë gjatë telefonatës viktimës se ku do takoheshin në Kolanc. Mollaj nuk kaloi tek ura, por mori një rrugë dheri në të majtë, që kalon nga fshati Lekas dhe kur arriten në Kolanec, Martin Çeçon e gjetën në rrugë, duke pritur.
Valter Molla i tha: “Hajde”, dhe ai u ul në vendin e pasagjerit përpara, ku ishte ulur Edlir Mollaj dhe Edliri kaloi mbrapa.
Gjatë rrugës për në rezervuarin e fshatit Kolanec, Edlir Mollaj e gjuajti viktimën pas koke dhe atij i zuri koka tek kroskoti i makinës.
Kur arritën tek rezervuari, nga makina kanë zbritur të gjithë, ndërsa Edlir Mollaj e mbante Çeçon, Valter Mollaj e gjuajti me grusht në fytyrë afër syrit.
Në këtë moment Valter Mollaj, shkoi mori litarin, që kishte në makinë, në pjesa e shoferit, ndërkohë që Edlir Mollaj mbante me forcë viktimën dhe Valter Mollaj, duke i dalë nga pas Çeços, i hodhi litarin në qafë dhe e shtrëngoi derisa e mbyti.
Sipas Bleti Angjos, ai dhe Martina Pajollari nuk bënë asgjë gjatë kësaj kohe dhe pasi Çeço ra në tokë Valteri dhe Edi e kapën nga duart.
Ndërsa Valter Mollaj i bërtiti atij: “…kape nga këmbët…”, dhe duke e ngritur peshë ecën pak metra dhe në një ledh (pjesë e ngritur toke buzë rezervuarit) e hodhën në ujë.
Menjëherë u nisën për në Marjan dhe në kthim mjetin e drejtoi Edlir Mollaj, nga e njëjta rrugë e keqe me gropa dhe arritën në fshat kur po zbardhte dita.
Dëshmitari ka treguar se ditën nesërme kur do dilte në mal me bagëtitë Valter Mollaj, e ka gjuajtur dhe e ka kërcënuar me fjalët: “…mos trego se do të të vras dhe vetëm nga frika e tij nuk tregova që në fillim se, në vendngjarje, ishte dhe Martina Pajollari…”./OraNews