Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rëndë të regjistruar në fillim të korrikut ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë barbare me shkopinj bejsbolli dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja, pasi këta të fundit denoncuan në polici dëmet që u shkakton në banesat e tyre gurorja e Rrajave në Borizanë të Fushë Krujës.
Prokurori Ylli Bashaj ka mbyllur hetimet në ngarkim të të pandehurve; Eni Kullaj, Andi Rraja, Ineidi Raja, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja e Edison Meta. Ashtu siç pritej, ata akuzoheb për veprat penale “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Kanosje” ndaj Bilbil e Jashar Majës.
Ka dalë akti i ri i ekspertimit më datë 18 shtator, i cili ka dalë sërish në konkluzionin se dëmtimet hyjnë në kategorinë e plagosjes së lehtë me dashje, pavarësisht thyrjeve të kockave apo plagëve në kokë.
Ky përbën një skandal pasi dhuna ishte barbare dhe pamjet e saj bën xhiron e rrjetit, ku dukej dhe vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja, Xhelal Rraja, i cili në dukje mbante dhe një armë zjarri tip pistoletë në dorë. Video shkaktoi zemërim në publik dhe solli lënien e mandati nga ana e deputetit Rrahman Rraja, si dhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi
Fillimisht, Prokuroria e Tiranës e regjistroi procedimin penal më 8 korrik për “plagosje të rëndë me dashje”, pas publikimit të pamjeve tronditëse të dhunës që shkaktoi zemërim publik. Por, përmes një shkrese që mbante datën 8 gusht, i njëjti institucion thoshte se bazuar tek ekspertizat mjeko-ligjore, akuza është “plagosje e lehtë me dashje”.
“Referuar kartelës ditore të SUT Tiranë rezulton se në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës pa dëmtime të indit trunor, plagë në lekurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë, si edhe shembje e indeve të buta të kokës, trupit dhe gjymtyrëve. Këto dëmtime janë shkatuar me mjet të fortë mbretës.
Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qënë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën mba 9(nëntë) ditë” thuhej në raportin mjeko ligjor të firmosur nga Elton Serani dhe mban datën 24 korrik 2023.
Arsyetimi skandaloz nga ana e ekspertit mjeko-ligjor, duket i qëllimshme për të shpëtuar nga burgu të afërmit e ish-deputetit socialit Rrahman Rraja, pasi dy vëllezërit dhe djali i tij, janë ende në arrati. Kodi Penal parashikon dënime nga 3-10 vjet burg për plagosjen e rëndë me dashje dhe nga gjobë deri në 2 vjet burg për plagosjen e lehtë me dashje; kjo e fundit vetëm me kushtin që viktimat të paraqesin ankim.
NGJARJA
Siç thuhet edhe në dosjen e prokurorisë, rreth orës 12 të datës 06.07.2023 shtetasi Bilbil Maja i shoqëruar edhe nga kushëriri i tij Jashar Maja, kanë qenë të ulur në një tavolinë në një lokal në Thumanë, kur kanë vënë re se aty u paraqitën shtetasit Xhelal dhe Flamur Raja, të cilët ishin të armatosur me nga një armë të llojit pistoletë. Kur janë afruar pranë tavolinës së tyre, në dosje sqarohet se Rrajat i kanë thënë Bilbilit që të shtrihej në dysheme. Në këto momente ky i fundit ka vënë re se, ne lokal kane hyrë edhe katër persona të tjerë, mes te cilëve, ai ka njohur personin që njihej me pseudonimin ‘Çaku’ dhe që është pronar i gurores, që ndodhet në zonën e tyre. Te katër personat kanë patur në duar shkopinj, qe përdoren për lojën e bejsbollit e me to kanë sulmuar Bilbilin duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Gjatë sulmit që është bërë prej tyre, ka fiksuar se, edhe shtetasi Flamur Rraja e ka goditur me pjesën e shulit të pistoletës, po ashtu edhe shtetasi Xhelal Rraja, e ka goditur me pjesën e fundit të pistoletës në trup.
“Nga sulmi i dhunshëm dhe goditjet e vazhdueshme shtetasi Bilibil Maja ka humbur ndjenjat dhe është përmendur vetëm kur ka qenë në spital, e ku ka mësuar nga personeli mjekësor se, kishte frakturë ne kokë. Pas disa minutash sulmi të dhunshëm, agresorët, që janë shtuar me kalimin e kohës, i kanë lënë se shtrirë të dëmtuarit dhe janë larguar me mjetet me të cilët kishin ardhur. Të dëmtuarit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe shtetasi Bilbil Maja ndodhet në situatë të rëndë shëndetësore.”, thuhet në dosjen hetimore.
EKSPERTIZA
Në dosjen e prokurorisë, sqarohet se nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor Nr. 1620 të datës 24.07.2023, mësohet se në trupin e shtetasit Jashar Maja u konstatua plagë në lëkurën e kokës si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mbrojtëse, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë s’i pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.
“Ndërsa nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor 1621 të datës 24.07.2023, mësohet se, në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë mprehës, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë.
Ndërsa nëpërmjet te dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor Nr 2017 të datës 18.09.2023, mësohet se, dëmtimet trupore të shtetasit Bilbil Maja, te shkaktuara në datën 06.07.2023, të përshkruara me hollësi në aktin e ekspertimit, janë shkaktuar me mjet te forte mprehëse, nuk janë te rrezikshme për jetën e te dëmtuarit ne momentin e shkaktimit, dhe si te tille janë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjelle si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për pune, në masën mbi nëntë ditë. Përfundimisht dëmtimet e shtetasve Bilbil e Jashar, Maja janë konsideruar të tilla, që përkojnë me kriterin mjekësor të veprës penale të ‘Plagosje e lehte me dashje’ parashikuar nga neni 89 i K.Penal e ajo është kryer në bashkëpunim pavarësisht rolit dhe për fshirjes në dhunë të secilit prej pjesëmarrësve dhunues.”, thuhet në dosje.
ARSYETIMET E PROKURORISË PËR ZBUTJEN E AKUZËS
Ndërkohë, në dosjen e prokurorisë thuhet se “gjatë ngjarjes në fjalë shtetasit Flamur dhe Xhelal Rraja, duket se kane përdorur sende që nuk mund t’i konsiderosh si armë zjarri, vetëm për shkak të formës së tyre, te pasqyruar në pamjet e regjistruara apo te stampuara në pamjet fotografike. Sendet në fjalë, nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes, apo edhe pas saj, e si objekte materiale, që në vetvete përmbajnë elemente të veprës penale velem në rastin kur konkludohet nga ekspertë të fushës se ata plotësojnë kushtet teknike të armëve të zjarrit. Në mungesë të tyre, nuk mund të vërtetohet fakti kriminal se ato, por edhe të tjerë, plotësojnë kushtet teknike të armëve të zjarrit, apo të ftohtë, por mungesa e një fakti të tille, nuk vë në dyshim bindjen e krijuar tek viktimat e veprave penale, se ato ishin arme të vërteta dhe janë përdorur për të goditur ata, por edhe ju janë drejtuar të dëmtuarve, duke i kanosur seriozisht ata.”, thuhet më tej në dosje.
PSE NISI KONFLIKTI
Ndër të tjera në dosjen e organit të akuzës thuhet se “shkak për ngjarjen e mësipërme është bërë një konflikt që ka filluar nga shfrytëzimi i gurores në pronësi të fisit Rraja dhe që punimet e kryera për nxjerrjen e materialit inert, nëpërmjet shpërthimeve me eksploziv janë bërë shqetësim për banorët e zonës. Për shkak të shqetësimeve të krijuara ata janë drejtuar institucione të ndryshme për të ndërhyrë në eliminimin e tyre, por nuk është arritur në zgjidhje të tillë. Veprimet e kryera në bashkëpunim, nga te gjithë personat nën hetim, te regjistruara e të pasqyruara në rrjetet sociale, kanë mbështetur qëllimin e tyre për t’u mbyllur gojën për çdo iniciativë denoncuese jo vetëm viktimave te veprave penale, Bilbil e Jashar Maja, por edhe banorëve të tjerë të zonës.”.
Por, kush është prokurori që po shpëton nga burgu Rrajat?
Bëhet fjalë për prokurorin Ylli Bashaj, i cili ka një karrierë të gjatë në prokurori e cila është zhvilluar në Prokurornë e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyësor Tiranë. Ai nuk i ka mbyllur ende “hesapet” me procesin e Vettingut.
Fillimisht, ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), ku seanca në shkallën e parë të vetingut u mbajt më 12 Qershor, dhe u përball me pyetje nga KPK që kishin të bënin kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000.
Në përfundim, ai u konfirmua në detyrë, pasi KPK vlerësoi se problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë, pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve në vlerën 133 mijë lekë në një vit në rastin kur vlera e një apartamenti me sipërfaqe 93.09 m2 i blerë në vitin 2000 është çmuar 28 mijë USD, ose 1.2 milionë lekë nëse do të konsiderohej se ishte blerë për 36 mijë USD, e përqendruar në një vit të vetëm, si dhe duke vlerësuar faktin se subjekti ka një karrierë më shumë se 30- vjeçare si prokuror, është konkluduar se nuk janë të mjaftueshme për të sjellë penalizim.
Por, më 30 Qershor, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) institucionit të Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Ylli Bashaj, duke e cilësuar të pasaktë dhe në vlerësim të gabuar të provave.
“Një hetim dhe analizë e duhur e elementeve të mbledhura dhe një vlerësim i duhur i provave, ka gjasa që t’i drejtonte organet e verifikimit drejt një vendimi që çon në shkarkimin e subjektit të rivlerësimit”, shprehej ONM.
Lidhur me blerjen e apartamentit, ONM vëren se KPK vlerësoi se çmimi i blerjes ishte 28 mijë USD, por e konsideron si një supozim këtë vlerë dhe çmon se duhej të ishte vlerësuar me më shumë kujdes dhe nuk duhej të ishte përdorur për arsyetimin dhe konkluzionet përfundimtare.
Sipas ONM, megjithëse subjekti ka këmbëngulur se ka paguar 28 mijë euro për apartamentin, provat janë kontradiktore pasi ka rezultuar se është marrë dhe një kredi 8 mijë euro për blerje apartamenti.
“Duke pasur parasysh përmbajtjen e kontratës së shitjes ku thuhet se çmimi është paguar tërësisht jashtë zyrës së noterit dhe deklaratave bankare që dëshmojnë për lëvrimin e 8.000 USD, vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se çmimi real që duhet të konsiderohet për apartamentin është 36 000 USD dhe jo 28 000 USD”, thuhej në rekomandim dhe shtohet se përgjigjet e pyetësorit dhe komentet që ka siguruar subjekti nga shoqëria ndërutese nuk mund të konsiderohen si prova të besueshme.
“Në të vërtetë, në Shqipëri nuk ndodh rrallë që vlera e deklaruar në kontratën e shitjes së një pasurie të paluajtshme të jetë më e ulët se vlera reale e rënë dakord ndërmjet palëve, që blerësi të financohet nga banka me një pjesë të çmimit të deklaruar në kontratë e cila nuk është”, vëren ONM dhe konkludon se është i pabazuar në prova konkluzioni i KPK se shuma e kredisë ka shërbyer për shlyerjen e vlerës 28 mijë euro.
Në vijim, ONM vlerëson se prokuroi Bashaj nuk ka dorëzuar asnjë provë të besueshme dokumentare për dy hua, një në shumën 2000 USD dhe tjetrën 1500 USD. Po ashtu, në rekomandim kundërshtohet edhe konstatimi i KPK, se huadhënësit kishin pasur mundësi financiare për këto shuma.
“Duket se KPK-ja i ka përcaktuar kapacitetet financiare të huadhënësve duke u hequr vetëm kostot e jetesës nga të ardhurat e tyre. KPK as nuk ka pyetur dhe as ka hetuar nëse huadhënësit kanë pasur fëmijë, nëse kanë blerë pasuri të paluajtshme apo kanë bërë investime të tjera, si dhe as nuk kanë kontrolluar nëse kanë detyrime apo shpenzime të tjera financiare për familjet e tyre”, evidenton ONM dhe e cilëson si të vështirë të ndajë të njëjtin qëndrim me Komisionin për këto gjetje.
Në rekomandim thuhet se mosdeklarimi i shlyerjes së borxheve, është një pasaktësi shtesë ndaj pretendimeve të subjektit. Vëzhguesit ndërkombëtarë çmojnë se konfirmimi i Bashajt është rezultat i një hetimi jokoherent dhe jo të plotë të kryer nga KPK në krriterin e pasurisë.
“Provat e përdorura nga KPK për konkluzionet dhe vendimin e saj janë larg të qënit të besueshme ose në përputhje me provat e tjera të mbledhura gjatë këtij procesi rivlerësimi”, citohet në rekomandim dhe theksohet se KPK duhej të kishte arritur një përfundim tjetër në përputhje me atë që është paraqitur në rekomandim.
Pas rekomandimit të ONM-së dorëzuar institucionit të Komisonerëve Publikë lidhur me vendimarrjen e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit Ylli Bashaj, Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, më 12 korrik. Nino çmonte se rrethanat e rezultuara nga hetimi administrativ i Komisionit në kriterin e pasurisë, duhen rivlerësuar nga Kolegji.
Lidhur me apartamentin 93.09 m2, Nino vlerëson se rrethanat e rezultuara nga hetimi administrativ i Komisionit, duhen rivlerësuar nga Kolegji në drejtim të arritjes së konkluzionit mbi saktësinë dhe vërtetësinë e deklarimeve të subjektit të rivlerësimit për vlerën e blerjes së kësaj pasurie.
Në konsideratë dhe të rekomandimit të ONM-së, Nino vëren probleme në dy marrdhënie huaje të Bashajt. “[…]Përveç mospërputhjeve të deklarimeve mbi shumat e huave nga individët e mësipërm në deklaratën e vitit 2003 dhe atë ‘Vetting’, mbetet i provuar dhe mosdeklarimi nga ana e subjektit të rivlerësimit në deklaratat periodike vjetore, dorëzuar pranë ILDKPKI-së, i ecurisë së marrëdhënies së huave dhe shlyerjeve të tyre. Këto marrëdhënie interesi të krijuara mes palëve, duhet të ishin deklaruar rregullisht që nga momenti i krijimit dhe deri në shuarjen e tyre, në deklarimet periodike të subjektit pranë ILDKPKI-së”, shprehet Komisionerja Publike.
Ajo çmon se deklarimet kontradiktore lidhur me shumat e marra hua; mosdeklarimet nga subjekti i rivlerësimit në deklaratat periodike vjetore të shlyerjes së tyre; si dhe mungesa e provueshmërisë me dokumentacion provues lidhur me marrjen, kthimin dhe mundësisë financiare të huadhënësit për të dhënë vlerën, janë rrethana që duket se duhet të analizohen dhe rivlerësohen nga Kolegji.
Po ashtu, Nino i kërkon Kolegjit që të vlerësojë zërat e analizës financiare lidhur me vlerën reale të blerjes së pasurisë dhe burimeve të ligjshme të deklaruara nga subjekti si burim krijimi, kryesisht për huat nga personat e tjerë të lidhur.
Komisionerja Publike arsyeton se proporcionaliteti vlerësohet rast pas rasti, duke pasur parasysh disa aspekte në drejtim të pajtueshmërisë së përmbajtjes së deklarimeve me provat e tjera.
Lidhur me shkollimin e vajzës së subjektit për periudhën tetor 2013 – prill 2014, Nino konstaton se dokumentacioni i vënë në dispozicion nga subjekti i rivlerësimit, nuk është në formën ligjore të kërkuar, që të konsiderohet me vlerë provuese dhe për të krijuar bindjen se në llogari ka kaluar vetëm bursa dhe jo transferta të tjera.
Në përfundim, Nino vlerëson se shkaqet e ankimit në vlerësimin e kriterit të pasurisë do të duhet të gjejnë përgjigje gjatë vlerësimit të çështjes në Kolegj dhe bazuar në konkluzionet e arritura të ndryshohet ose të lihet në fuqi vendimi i Komisionit për prokurorin Ylli Bashaj.
Mbetet të shihet nëse a do të shkarkohet apo jo nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vettingut, pas ankimimit nga ONM.