Gazetari Ferdinand Dervishi ka komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm Taulant Balla më herët gjatë ditës lidhur me dyshimet për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS.
Duke ballafaquar deklaratat e ministrit për çështjen në kohë të ndryshme, ai shprehet se ai bie në kontradiktë me ato cc;ka thotë.
Në një shënim në “FB” të titulluar “Skandali i TIMS ose djalli që fshihet nën tri lëkura”, ai shkruan se nuk është aspak çudi që Balla “të lajë duart” me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Muhamet Rrubullaku edhe me Drejtorin e AMP Ardi Veliu. “Kjo sepse, këta të dy i kanë luajtur rrengun, duke e dërguar dosjen hetimore në një prokurori disa shkallë më të ulët se SPAK dhe me rekorde të manipulimit të dosjeve”, shton.
“Një veprim i djallëzuar, pasi hetimi sipas metodave te SPAK, qysh në hapat e para, do të rrethonte me laps te kuq pikërisht emrat e dy drejtorëve që i kanë prishur mendjen Ministrit të mos dërgohet dosja në SPAK. Të parin, emrin e drejtorit të Përgjithshëm, Rrumbullaku, për “shpërdorim detyre” gjatë procesit të emërimit të “ekipit të ri” të Ballës, që ndërmorri sulmin ndaj sistemit TIMS, dhe, të dytin, emrin e Drejtuesit të AMP, Ardi Veliu, i cili nuk hetoi këtë proces të paligjshëm emërimesh”, e mbyll reagimin Dervishi.
Reagimi
Skandali i TIMS ose djalli që fshihet nën tri lëkura
Sot Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili po shfaqet edhe në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, edhe në rolin e drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, edhe në rolin e ndërmjetësuesit me prokuroritë, edhe në rolin e i inicuesit të standarteve të reja hetimore, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Çështjeve Evropiane, paska garantuar se të dhënat e TIMS, janë të mbrojtura dhe se nuk ka pasur rrjedhje të tyre. Deri këtu, ai, me të tijën, është ok. Por vijimi i deklarimit ishte befasues. Ministri qartësoi se për incidentin e datës 2 gusht 2023 “… i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, përfshirjen e menjëhershme të SPAK. Ka qenë dhe rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqej nga Prokuroria e Tiranës.”
Pra Ministri i Brendshëm, të cilit dikush duhet ti thojë se mban post politik dhe del jashtë detyrës së tij sa herë rekomandon apo urdhëron se ku duhet te shkojnë dosjet hetimore të policisë, u paska kërkuar, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe Ardi Veliut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që dosjen hetimore të sulmit ndaj sistemit TIMS ta dërgojnë të hetohet nga SPAK, por ata nuk paskan qenë dakord.
Për habi, kjo deklaratë e Ministrit të Brendshëm bie ndesh me deklaratën e tij të datës 30 gusht 2023, kur mohoi të kishte kallëzim penal për ngjarjen dhe njëkohësisht pohoi se dosja ka shkuar në Prokurori, duke u bërë qesharak për të gjithë juristët dhe njohësit e Kodit të Procedurës Penale, pasi çdo dosje hetimore, e dërguar në prokurori, përbën në vetvete një kallëzim penal.
E thënë nga Ministri Balla më 30 gusht: “Lidhur me atë që ju thoni për kallëzim, nuk është e vërtetë që ka një kallëzim, por unë kam kërkuar që të dhënat që ka disponuar agjencia e mbikëqyrjes policore të vlerësohen edhe nga ana e prokurorisë nëse ka ndonjë element, kjo është një standard i ri që do të vendoset në të gjitha strukturat e varësisë në të cilën unë kam nderin të drejtoj që në të gjitha rastet edhe kur ka një bindje që ka elementë të veprës penale, kjo ‘ti vihet prokurorisë për t’i vlerësuar.”
Pra më 30 gusht 2023 jemi në nivelin e kërkesës për një vlerësim nga Prokuroria për “ndonjë element” të veprës penale, sipas një standarti minimalist të shpikur nga ministri-gjitholog, ndërsa sot ai e ngre stekën dhe thotë publikisht se paska kërkuar që hetimi të bëhet nga buldozeri i SPAK!?
Kujt ministër ti besojmë, Taulantit të datës 30 gusht 2023 apo Ballës së datës 4 tetor 2023?
Më tej, në deklaratën e sotme, Ministri Balla thotë se ishin Drejtorët Rrumbullaku dhe Veliu, të cilët i rekomanduan që dosja hetimore për sulmin ndaj TIMS ti shkonte Prokurorisë së Tiranës dhe jo SPAK.
E në këtë pikë, sa duket, djalli fshihet nën tri lëkura. Me këto deklarime, ka të ngjarë që Ministri Balla, të jetë duke u përpjekur të rregullojë “biografinë” përballë skandalit që ka autorësinë e “ekipit të ri” të tij, të propaganduar me “ide inovative” dhe nuk është aspak çudi që, në funksion të kësaj përpjekjeje, të lajë duart me të dy, edhe me Drejtorin e Përgjithshëm Muhamet Rrubullaku, edhe me Drejtorin e AMP, Ardi Veliu. Kjo sepse, këta të dy i kanë luajtur rrengun, duke e dërguar dosjen hetimore në një prokurori disa shkallë më të ulët se SPAK dhe me rekorde të manipulimit të dosjeve.
Një veprim i djallëzuar, pasi hetimi sipas metodave te SPAK, qysh në hapat e para, do të rrethonte me laps te kuq pikërisht emrat e dy drejtorëve që i kanë prishur mendjen Ministrit të mos dërgohet dosja në SPAK. Të parin, emrin e drejtorit të Përgjithshëm, Rrumbullaku, për “shpërdorim detyre” gjatë procesit të emërimit të “ekipit të ri” të Ballës, që ndërmorri sulmin ndaj sistemit TIMS, dhe, të dytin, emrin e Drejtuesit të AMP, Ardi Veliu, i cili nuk hetoi këtë proces të paligjshëm emërimesh.