Imazhet satelitore dhe të dhënat e aviacionit amerikan sugjerojnë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për të testuar një raketë me energji bërthamore, por edhe mund ta ketë testuar së fundmi një të tillë me një rreze prej mijëra miljesh. Lëvizjet e avionëve dhe automjeteve brenda dhe pranë një baze në rajonin e largët të Arktikut duket se janë të ngjashme me përgatitjet e testimit të raketës Burevestnik ose SSC-X-9 Skyfall në vitin 2017 dhe 2018.
NYT ka bërë një krahësim të pamjeve satelitore. Avionët amerikanë të vëzhgimit kanë pikasur një alarm në zonë gjatë dy javëve të fundit sidomos për pilotët rusë që janë paralajmëruar të shmangin hapësirën ajrore aty pranë. Rusia ka kryer 13 teste në të kaluarën midis viteve 2017 dhe 2019. Të gjitha ishin të pasuksesshme, sipas një raporti nga Nisma e Kërcënimit Bërthamor, një organizatë jofitimprurëse e fokusuar në kontrollin e armëve. Fatkeqësisht këto teste mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Një raketë e lëshuar në vitin 2019 u rrëzua dhe shpërtheu gjatë përpjekjes për rikuperim duke vrarë 7 persona, sipas zyrtarëve amerikanë.
“Është e rrezikshme në fazën e testimit dhe zhvillimit” – tha Daryl G. Kimball, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kontrollit të Armëve. Nuk është e qartë nëse Burevestnik është testuar përsëri që nga viti 2019, por edhe nese do të kishte pasur një testim të suksesshëm, “ajo do të ishte ende vite larg përdorimit në terren”, shtoi zoti Kimball.
Në testet e mëparshme, raketa nuk dot arriti të fluturojë në një distancë pranë rrezes së projektuar në rreth 14 000 milje. Zyrtarët amerikanë vlerësuan se gjatë fluturimit të saj më të suksesshëm testues, që zgjati pak më shumë se 2 minuta, raketa fluturoi 22 milje përpara se të rrëzohej në det. Në një provë tjetër, reaktori bërthamor i raketës dështoi të aktivizohej, duke bërë që ajo të rrëzohej vetëm disa milje nga vendi i lëshimit.
Që një provë të ketë sukses, reaktori bërthamor i raketës do të duhet të niset në fluturim, në mënyrë që raketa të mund të qëndrojë më shumë në ajër. Raketa mund të mbajë një kokë luftarake konvencionale, por në praktikë, ka të ngjarë të mbajë edhe një ngarkesë bërthamore, megjithëse më të vogël se shumica e armëve të tjera me aftësi të tillë. Nëse përdoret në kohë lufte, raketa mund të ketë potencialin për të shkatërruar zona të mëdha urbane dhe objektiva ushtarake.
Rusia ka treguar pak për dizajnin specifik të raketës Burevestnik. Presidenti Vladimir Putin ka thënë se ajo është me energji bërthamore. Raketa mendohet të lëshohet nga një motor rakete me lëndë djegëse të ngurtë përpara se një reaktor i vogël bërthamor të aktivizohet gjatë fluturimit duke lejuar që raketa të qëndrojë në ajër për një kohë të pacaktuar.
Burevestnik është një nga 6 armët strategjike, bashkë me raketën balistike Kinzhal dhe automjetin hipersonik avangard, që Putin prezantoi në një fjalim të vitit 2018. Ai pohoi se armët mund të mposhtin dhe manovrojnë mbrojtjen aktuale të SHBA. Duke iu drejtuar Perëndimit, ai tha: “Ju keni dështuar të frenoni Rusinë”.
NYT ka analizuar imazhet satelitore para dhe pas. Imazhet e marra mëngjesin e 20 shtatorit tregojnë shumë automjete të pranishme në një platformë lëshimi në bazë, duke përfshirë një kamion me një rimorkio që duket se korrespondon me dimensionet e raketës. Një strehë që zakonisht mbulon vendin specifik të nisjes ishte zhvendosur rreth 50 metra. Nga pasditja, rimorkio ishte zhdukur dhe streha u zhvendos përsëri në pozicionin e saj origjinal.
Imazhet e shkrepura më 28 shtator tregojnë se platforma e nisjes është sërish aktive, me një rimorkio të ngjashme të pranishme dhe strehën përsëri të tërhequr.
Më 31 gusht, autoritetet ruse lëshuan një njoftim aviacioni për një “zonë të përkohshme rreziku”, duke këshilluar pilotët të shmangnin një pjesë të detit Barents dhe 12 milje nga vendi i nisjes, i njohur si Pankovo. Njoftimi që atëherë është zgjatur disa herë. Të dielën u tha se njoftimi ishte shtyrë deri më 6 tetor. Rusia lëshoi një njoftim të ngjashëm edhe përpara një testimi të Burevestnik në 2019-ën.
Për më tepër, dy avionë rusë të përdorur posaçërisht për mbledhjen e të dhënave nga lëshimet e raketave u parkuan rreth 100 milje në jug të vendit të lëshimit në fillim të gushtit, në bazën ajrore Rogachevo.
Edhe kjo është vënë re nga imazhet satelitore. Avionët janë në pronësi të Rosatom, kompanisë ruse të energjisë atomike. Ata qëndruan në atë bazë të paktën deri më 26 shtator. Gjatë testeve të raketës Burevestnik në vitin 2018, në afërsi ishin edhe avionë të të njëjtit lloj. Aktiteti i shtuar në zonë u vu re edhe nga një avion zbulues i Forcave Ajrore të SHBA që ka kryer dy misione në brigjet e ishullit Arktik më 19 dhe 26 shtator.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje për NYT. Ekspertët thonë se raketa është e rrezikshme jo vetëm në aftësinë e saj për të mbajtur një kokë të fuqishme bërthamore, por për potencialin e saj për të çliruar emetime të dëmshme radioaktive nëse do të shpërthente ose do të keqfunksiononte gjatë një prove.
Nëse vihet në përdorim, Burevestnik do të konsiderohej pjesë e arsenalit bërthamor të Rusisë duke e bërë atë subjekt të një traktati për reduktimin e armëve bërthamore që Moska nënshkroi në vitin 2011. Kjo marrëveshje kufizon numrin total të kokave bërthamore. Por me traktatin, i njohur si “START i ri” dhe që skadon në shkurt 2026, raketa mund të bëhet “përparësi në një garë të pakontrolluar armatimi” nëse asnjë marrëveshje e re nuk do të zëvendësonte traktatin që skadon. Në fund të fundit një test i raketës do të ishte një “shenjë se Rusia po lëviz në drejtimin e gabuar” – tha Kimball.