Emisioni “Në shënjestër” ka zbardhur për herë të parë dosjen hetimore që ka të bëjë me historinë e majorit të aviacionit Sokol Feka i cili në janar të 2015 u rrëzua duke drejtuar një helikopter me 1 ton kanabis në bord në Spanjë. Në këtë incident humbi jetën dhe një pilot tjetër spanjoll.
Dokumentari:
Në qiellin e Malagas në Spanjë një helikopter me dy persona në bord po kryen fluturimin e tij mbi komunën Gaucin. Edhe pse është ende dimër, dhe moti duket të jetë ideal për të fluturuar në këtë pjesë të gadishullit iberik, nuk duket të jetë kështu për dyshimet e komandës ajrore ushtarake vendase.
Të cilët vërejnë se si një fluturues i paautorizuar po lëviz mbi qiellin e tyre.
Çka rrit menjëherë dyshimet te ata se mund të kenë të bëjnë me një transportues që po kryen trafikun e drogës nëpërmjet gadishullit Iberik. Dita sapo ka zbardhur. Helikopteri i dyshuar është zhdukur prej orësh nga radarët e Institutit të Forcave Ushtarake Spanjolle.
Në drejtim të vendit ku u konstatua prania e tij për herë të fundit, në malet që rrethojnë komunën Gaucin në Malaga, nisen në kërkim trupa të Gardës Civile. Pas një bastisje të vendit, zbulimi nuk është fort i pëlqyeshëm. Helikopteri me trupat e dy personave në bord, të dëmtuar rëndë, është rrëzuar pasi është përplasur me një shtyllë elektrike.
Edhe pse telegrafikisht ky duhet të ishte njoftimi i një fatkeqësie ajrore, që kishte ndodhur mbi qiellin e tyre, zbulimi i radhës për autoritetet spanjolle, pas identifikimit të njërit prej trupave në bord, do të ishte edhe më shqetësues. Pasi jo vetëm mjeti fluturues, i lyer me bojë të zezë, nuk i përkiste aeronautikës spanjolle, por edhe vetë piloti pas identifikimit do të rezultonte të ishte i një kombësie tjetër.
Dhe më keq akoma, do të figuronte të ishte ushtarak në forcat ajrore të një vendi tjetër. Që në këtë kohë ishte i anëtarësuar në NATO. Por ajo që do ta rëndonte edhe më shumë pozitën e statusit të tij si ushtarak dhe të vendit nga ku vinte, do të ishte sasia e drogës e gjetur në helikopterin e rrëzuar.
Që sipas medias vendase mendohej të varionte deri në 1 ton kanabis sativa. Por kush ishte ushtaraku i forcave ajrore shqiptare që u gjend në këtë udhëtim jo fatsjellës edhe për të, që vuri në pozitë të vështirë edhe vendin e tij të origjinës.
Dhe në këtë rast edhe Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes dhe atë të Jashtme, që papritur u gjendën përballë një incidenti diplomatik.
Ku panë se si një ushtarak i tyre që duhet të ishte në krye të detyrës, papritur ishte përfshirë në një aktivitet të paligjshëm në trafikimin e lëndëve narkotike në në një vend tjetër, po të NATO-s.
Si u përfshi ai në narkotrafik? Cila ishte karriera e tij si pilot dhe çfarë e shtyu atë të ndërmerrte një fluturim të tillë, që më pas do të rezulonte fatal edhe për vetë jetën e tij?
Cilat ishin hetimet që u kryen për aktivitetin e tij të paligjshëm dhe a ishin këto hetime të plota, apo dikush u përpoq ti mbyllte sa më shpejt, për të shmangur përgjegjësinë edhe të atyre që cilësoheshin eprorët e tij?
Por edhe të vetë shtetit shqiptar, që dukej se nga ky incident ishte damkosur keqasi në marrëdhëniet e tij diplomatike, në sytë e partnerëve euroatlantikë.
Ky ushtarak, i cili mbante edhe gradën major do të ishte Sokol Feka. Një nga djemtë i cilësuar si krenaria e fluturimit shqiptar. Djali i një ish-ushtaraku, që kishte jetuar gjithmonë me sytë dhe ëndrrën nga baza e avionëve MIG në Kuçovë.
Qyteti, ku do të lindte dhe do të zhvillonte gjatë rritjes profesionale një pjesë të mirë të karrierës së tij si pilot.
Djaloshi që do të niste studimet në Akademinë e Aviacionit në vitin 1993 dhe do të diplomohej në vitin 1996, por që shpejt do të kishte përpara një karrierë të ndritur në fluturim prej gati 18 vite. Nga të cilat 8 të fundit të jetës së tij të shkurtër, i kishte kaluar në regjimentin e helikopterëve të bazës së Farkës.
Aty ku së fundmi kishte qenë instruktor fluturimi, pasi më parë kishte shërbyer si oficer aktiv në struktura të ndryshme të Forcave Ajrore, duke mbajtur detyra deri te komandant ekuipazhi. Por cilat ishin ditët e fundit të Sokol Fekës? Dhe si u gjend ai në pararojën e narkotrafikut? Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, gjithçka duket se nis në ditët e para të janarit të vitit 2015.
Periudha kur rezulton se 41 vjeçari Sokol Feka, vazhdon të kryejë detyrën e tij si pilot aktiv në forcat e armatosura ajrore shqiptare.
Por cilat ishin hetimet që u kryen për aktivitetin e tij dhe përgjegjësia e vetë autoriteteve shqiptare, dhe a u përpoqën këto autoritete ta mbyllin këtë çështje pa e hetuar deri në fund?
Sipas hetimeve të kryera nga Ministria e Mbrojtjes e kohës dhe shkresës kthim-përgjigje, që ky dikaster i drejtonte regjimentit 3003 në Farkë, rezulton se major Sokol Feka ishte larguar jashtë Shqipërisë, gjatë periudhës së lejes së tij vjetore.
Por Feka nuk kishte lajmëruar eprorët e tij për largimin jashtë vendit, gjë të cilën si ushtarak në detyrë, ai e kishte detyrim.
Ndërkohë që më datë 2 shkurt 2015, vetëm disa ditë pasi kishte ndodhur incidenti me ushtarakun Sokol Feka, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Adriatik Llalla, të nisë hetimet lidhur mbi ngjarjen e ndodhur në Spanjë.
“Nisur nga ngjarja e ditëve të fundit, ku një pjesëtar i Forcave të Armatosura, major Sokol Feka, humbi jetën gjatë angazhimit në një aktivitet kriminal trafiku drogë në Spanjë, ju drejtohemi me këtë kërkesë për nisjen e hetimeve.
Nga verifikimet e deritanishme nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes rezulton se major Sokol Feka ka qenë me leje të zakonshme në momentin e ngjarjes dhe nuk ka marrë leje për të dalë jashtë vendit.
Nisur nga rëndësia e ngjarjes dhe domosdoshmëria e zbatimit të ligjit, nga të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura, kërkojmë nga ju nisjen e veprimeve hetimore për të zbardhur përfshirjen e ushtarakut në
Fjalë në veprimtarinë kriminale si dhe lidhje eventuale që ai mund të ketë patur brenda apo jashtë Forcave të Armatosura, që kanë mundësuar angazhimin e tij në aktivitetin kriminal. Ministri i Mbrojtjes, Mimi Kodheli”, thuhej në deklaratën e Ministrisë.
Por ndërsa Ministria e Mbrojtjes vinte në dukje faktin që majori Sokol Feka, edhe pse ishte me leje të zakonshme, ishte larguar jashtë Shqipërisë pa autorizimin e eprorëve të tij, në mesin e muajit janar dhe deri ditën kur u mësuar se humbi jetën në Spanjë, e vërteta del se ushtaraku shqiptar kishte udhëtuar jashtë Shqipërisë edhe në periudha të tjera të mëparshme.
Madje, vetëm një muaj, para se të kryente fluturimin me drogë në Spanjë. Ky fakt u zbulua nga dëshmia e kolegut të tij, Vladimir Ademi. Ky i fundit shërbente si teknik helikopteri në regjimentin e helikopterëve në Farkë.
Por që kishte kryer disa udhëtime nga Shqipëria drejt Spanjës, të cilat çuditërisht përkonin me lëvizjet e kolegut të tij, Sokol Feka, në drejtim të këtij shteti.
Ku sipas tij po kaq rastësisht ai ishte takuar në aeroport dhe kishte fjetur në të njëjtin hotel ‘Ibiza’ në Malaga me majorin tashmë të ndjerë, Sokol Feka.
Udhëtime që ishin kryer në mesin e muajit dhjetor 2014, rastësi, të cilat nuk mund të kalonin pa u vënë re edhe nga grupi hetues, që ishte ngritur për të hetuar këtë ngjarje.
Pjesë nga dosja hetimore:
Nga verifikimet e lëvizjeve së kuadrove ushtarak jashtë shtetit dhe pa lejen e eprorëve është saktësuar se efektivi i këtij shërbimi, shtetasi Vladimir Ademi ka udhëtuar jashtë kufirit pa lejen përkatëse në periudhat 17 dhjetor 2014 deri më 29 dhjetor 2014 dhe nga data 20 janar 2015 deri më datë 31 janar 2015. Periudha kohore këto të cilat janë të përafërta me ato të lëvizjes së efektivit Sokol Feka.
Sipas autoriteteve tona ligjzbatuese, fillimisht efektivi Vladimir Ademi, ishte drejtuar në rrugë tokësore në drejtim të Kosovës.
Aty nga ku më pas kishte fluturuar në drejtim të Spanjës.
Pjesë nga dosja hetimore:
Nisur nga këto përkime në lëvizjet e këtij shtetasi, si dhe vendit të frekuentuar është saktësuar se më datë 17 Dhjetor 2014, Vladimir Ademi ka udhëtuar në drejtim të Kosovës.
Ku pasi ka ndenjur një ditë atje ai më pas ka udhëtuar drejt Spanjës nga Aeroporti i Prishtinës me tranzit në Stamboll për të arritur në Malaga pasditen e 19 dhjetorit 2014.
Këtu duket se fillon edhe rastësia e tij e udhëtimeve të përbashkëta me kolegun, Sokol Feka, të cilin, efektivi Ademi, siç është shprehur përpara grupit hetues, e ka takuar në aeroportin e Malagas, me të zbritur aty nga fluturimi që kishte ndërmarrë nga Prishtina.
Dosja Hetimore:
Ndërkohë që ka qenë në aeroportin e Malagës duke pritur ardhjen e një të njohure të tij, Vladimir Ademi thotë se ka takuar majorin Sokol Feka, me të cilin ka qëndruar në të njëjtën dhomë hoteli në Ibiza.
Edhe pse tha që takimi midis tyre ishte i rastësishëm, efektivi Vladimir Ademi, dëshmoi përpara oficerëve të policisë gjyqësore, se ai qëndroi në muajin dhjetor për afro 10 ditë, në të njëjtin hotel në Malaga me kolegun e tij, Sokol Feka.
Por duket se ushtarakut Ademit, i pëlqeu aq shumë Spanja, sa në muajin janar ai u rikthye sërish aty, ku edhe këtë herë po rastësisht ai takoi kolegun, Sokol Feka.
Ndërkohë që edhe këtë udhëtim drejt rrezeve të vendit iberik, efektivi Ademi, ashtu si kolegu i tij, nuk e kishin raportuar te eprorët e tyre.
Dosja Hetimore:
Pas një qëndrimi 10 ditor në Spanjë ku thuajse gjatë gjithë kohës ai kishte qëndruar me Sokol Fekën, Vladimir Ademi është kthyer në Tiranë për të udhëtuar sërish më datë 20 janar 2015 drejt Spanjës, pa leje të eprorëve.
Periudhë në të cilën ai pretendon se është takuar po rastësisht me Sokolin gjatë lëvizjeve në Spanjë dhe më gjerë.
Do të ishin këto rrethana të cilat çuan në dyshimin e grupit hetues, se kishin të bënin me një bashkëpunim të efektivit Ademi dhe majorit të ndjerë Sokol Feka, në trafikimin e lëndëve narkotike jashtë vendit.
Dosja Hetimore:
Në procesverbalin e datës 4 shkurt 2015 janë marrë deklarime nga shtetasi Vladimir Ademi në cilësinë e personit që tregon rrethanat e hetimit.
I pyetur se ku ka qenë nga data 17 dhjetor 2014 deri më datë 29 dhjetor 2014, ky shtetas deklaroi se:
Më datën 17 dhjetor 2014 ka dalë nga pika kufitare e Morinës, rreth orës 12.00 dhe ka vajtur si turist në Gjakovë, Kosovë.
Pasi ka qëndruar rreth 4-5 orë ai më tej ka vajtur në qytetin e Tropojës tek disa miq të tij.
Më datë 18 dhjetor 2014, ai thotë se është kthyer përsëri në Gjakovë dhe më pas rreth orës 22.30 është nisur nga aeroporti i Prishtinës për në Spanjë, ku rreth orës 01.00 të datës 19 dhjetor 2014 ka arritur në aeroportin e Stambollit, ku ka qëndruar tranzit.
Në mëngjes të po kësaj date, në orën 10.30. Vladimir Ademi thotë se është nisur nga Stambolli dhe ka shkuar në qytetin e Malagës në Spanjë.
Kur ka arritur në aeroport në Spanjë, në momentin që po priste të vinte një mikesha e tij e quajtur Lorina Linka, me origjinë rumune, ai ka takuar kolegun e tij, Sokol Feka, i cili e ka thirrur në emër.
Vladimiri tha më tej në dëshminë e tij, se gjatë takimit në aeroport me kolegun e tij, ai pati mundësinë të shkëmbente një bisedë të shkurtër me të.
Gjatë kësaj bisede, Sokol Feka, del se i ka kërkuar kolegut të tij që të ndanin një dhomë dyshe në hotelin ku ai vetë do të qëndronte, gjë të cilën Vladimiri del se e ka pranuar.
Edhe pse e dyshimtë është, përse Vladimiri nuk shkoi të flinte në banesën e mikeshës së tij, apo të kishte rezervuar më herët një hotel, përpara se të mbërrinte në Spanjë.
Por duhet të priste takimin rastësor në aeroport me kolegun Sokol Feka, për të siguruar fjetjen për atë natë dhe ditët e tjera në vazhdim të qëndrimit në Spanjë.
Dosja Hetimore:
Vladimiri e ka takuar Sokolin dhe e ka pyetur se çfarë po bënte aty dhe ai i tha se kishte ardhur për disa punë të tija personale.
Në momentin që ka ardhur mikesha e Vladimirit, Sokoli e ka pyetur se ku do të rrinte duke i thënë nëse do të kishin mundësi të rrinin bashkë në të njëjtin vend.
Vladimiri ka rënë dakord dhe së bashku me Sokolin dhe mikeshën e tij kanë vajtur në hotel ‘Ibiza’, ku Vladimiri ka prenotuar një dhomë dyshe me emrin e tij.
Në dhomë ka qëndruar me Sokolin, ndërsa mikesha e tij ka qëndruar në shtëpinë e saj.
Gjatë qëndrimit të parë në Spanjë në muajin dhjetor, Vladimir Ademi, rrëfeu për grupin hetues edhe përditshmërinë e kolegut të tij, Sokol Feka.
Duke mos parë asgjë anormale në sjelljen e këtij të fundit.
“Vladimiri thotë se gjatë ditës rrinte me mikeshën e tij dhe Sokolin, ndërsa pasdite Sokoli largohej për problemet e tij personale.
Në Spanjë Vladimir Ademi tregon se ka qëndruar nga data 19 deri më 29 dhjetor 2014”.
Por ndërsa në muajin dhjetor kanë kaluar në Malaga ditë të këndshme në praninë e njëri-tjetrit, Vladimir Ademi rezultoi se u kthye në Shqipëri në të njëjtën ditë me Sokol Fekën. Madje duke ndjekur të njëjtin itinerar fluturimin në kthim me të.
Por ndërsa muaji dhjetor qëlloi me plot rastësi të bukura midis tyre, Vladimir Ademi dhe Sokol Feka, u rikthyen sërish në Spanjë, këtë herë në mesin e muajin janar.
Dosja Hetimore:
Më 29 dhjetor Vladimiri së bashku me Sokolin janë kthyer në Shqipëri me itinerarin Malaga-Romë-Rinas.
I pyetur se ku ka qenë nga data 20 janar 2015 deri më 31 janar 1015, Vladimir ka deklaruar se, kur është kthyer nga Spanja më datë 29 dhjetor 2014 biletën ja kishte prerë vajtje-ardhje mikesha e tij Lorena Linka dhe për këtë fakt më datë 20 janar 2015 ai është nisur dhe ka shkuar përsëri te mikesha e tij në Spanjë.
Ashtu si në udhëtimin e parë të kryer në muajin dhjetor, edhe në muajin janar rastësia e deshi që Vladimir Ademi të takohej sërish me kolegun e tij Sokol Feka në një terminal aeroporti. Këtë herë jo në Malaga, por në atë të Rinasit.
Dosja Hetimore:
Gjatë udhëtimit në muajin janar itinerari që Vladimiri ka ndjekur ka qenë Rinas-Romë- Malaga.
Gjatë kohës që ishte në aeroportin e Rinasit, ai thotë se ka takuar përsëri kolegun e tij Sokol Feka me të cilin kanë udhëtuar sëbashku deri në Romë. Këtu sipas Vladimirit ata janë ndarë pasi Sokoli ka qëndruar në Romë ndërsa ai vetë ka shkuar në Spanjë. Në Spanjë Vladimiri thotë se ka qëndruar te shtëpia e mikeshës së tij Lorena Linka.
Ku gjatë kohës së qëndrimit në këtë shtet, ai ka takuar Sokolin, gjatë një udhëtimi që Vladimiri thotë se po bënte me mikeshën e tij për në qytetin e Marbejës.
Ky është edhe momenti i fundit, kur Vladimir Ademi thotë se pa majorin Sokol Feka në Spanjë. Ai tha se e mësoi lajmin për humbjen e jetës së kolegut të tij vetëm pasi u kthye në Shqipëri. Por në dëshminë e tij, Vladimir Ademi, tregoi për grupin hetues se gjatë qëndrimit në Spanjë, si ai ashtu edhe Sokoli kishin blerë karta telefonike për përdorim.
Dosja Hetimore:
Vladimiri thotë se ka blerë në Spanjë një kartë telefoni celular në emrin e tij, po ashtu sipas dijenisë së tij edhe Sokoli kishte blerë një kartë telefoni celular.
Vladimiri nuk është takuar më me Sokolin. Edhe pse e kishte marrë disa herë në telefon ai thotë se Sokoli nuk i është përgjigjur. Ndërkohë që më datë 31 janar 2015 Vladimiri është kthyer në Shqipëri.
Lidhur mbi dëshminë e kapitenit Vladimir Ademi se gjatë qëndrimit në Spanjë kishte blerë dhe kishte përdorur një kartë telefonike të kompanive celulare vendase, autoritetet shqiptare i kërkuan homologëve spanjolle të dhëna nëse ky informacion ishte i saktë apo jo.
Dhe nëse po, cilat ishin bisedat që kishin kryer Vladimir Ademi, mikesha e tij rumune dhe Sokol Feka, gjatë qëndrimit në Spanjë.
Dosja Hetimore:
Prokuroria i kërkoi informacion Spanjës nëse Sokol Feka, Vladimir Ademi dhe Lorena Linka figurojnë ose kanë figuruar në regjistrat e tyre si subjekte që kanë blerë ndonjë kartë telefoni me parapagesë që iu përket atyre kompanive ose janë zotërues të ndonjë kontrate telefonie
duke treguar të gjithë të dhënat që disponojnë mbi atë blerje ose kontratën dhe në rast se po, të mundësohet trafiku i thirrjeve dhe mesazheve hyrëse dhe daljeve ne periudhën e përfshirë nga data 1 dhjetor 2014 deri më datë 31 janar 2015 si dhe harta e antenave BTS-stacionet nga të cilat u lidhën kur kryen apo morën komunikimet.
Kjo përgjigje nga autoritetet spanjolle nuk do të vononte të vinte. Sipas shkresës së mbërritur nga kolegët në vendin iberik, askush prej dy ushtarakëve shqiptarë, apo edhe mikesha rumune e Vladimir Ademit, nuk rezultonte të kishte përdorur numra celularë të kompanive vendase.
Po kështu në këtë shkresë dyshime ka edhe për vetë shtetasen rumune. E cila nuk figuron me gjeneralitetet e paraqitura nga ushtaraku shqiptar.
Dosja Hetimore:
Më datë 25 shkurt 2015, Spanja i përgjigjet Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Të gjithë operatorët telefonikë komunikojnë me shkrim se nuk ekziston asnjë numër fiks apo celular i lidhur me emrat apo pasaportat e shtetasve Sokol Feka, Vladimir Ademi mbajtës të pasaportave shqiptare dhe Lorena Linka për të cilën nuk njihen të dhëna të tjera.
Më datë 6 shkurt 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda, lëshoi urdhërin e arrestit për efektivin e regjimentit të Farkës, teknikun e helikopterëve, Vladimir Ademi, si edhe për majorin Hamit Koxha.
Urdhërndalimi që u vu në zbatim nga Policia Ushtarake, ku të dy ushtarakët akuzoheshin se kishin thyer disiplinën.
Dosja Hetimore:
6 shkurt 2015
Policia Ushtarake ka arrestuar dy efektivë, të dyshuar si të lidhur me trafikun e drogës, transportin e të cilit ishte duke e kryer piloti Sokol Feka që humbi jetën në Spanjë.
Major Hamit Koxha dhe kapiteni Vladimir Ademi janë arrestuar për thyerje disipline ndërkohë që është ndaluar edhe nëntetari Niko Z., mbiemri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Koxha dhe Ademi janë të dy teknikë avionësh dhe kanë patur miqësi shumë të fortë me Fekën.
Të dy këta kanë shkelur disiplinën duke udhëtuar jashtë vendit pa leje, dyshime që hidhen edhe për një seminar në Spanjë.
Nga verifikimet kryera nga grupi hetues rezultoi se Vladimir Ademi, nuk ishte paraqitur në detyrën e tij në repartin ushtarak nr.3006 Baza Ajrore Farkë, për periudhat 17 deri më 29 dhjetor 2014, si dhe 20 deri më 31 janar 2015.
Duke mos paraqitur shkaqe të arsyeshme lidhur mbi lëvizjet e kryera jashtë vendit në këto data.
Dosja Hetimore:
I pyetur nëse kishte marrë leje nga komanda apo ndonjë instancë tjetër për të lëvizur jashtë shtetit, Vladimir Ademi deklaroi se: në të dyja rastet i ka kërkuar leje eprorit të tij, major Hamit Koxha, duke i thënë se i nevojitej leja e zakonshme dhe ai ia ka dhënë.
Përsa i përket daljes jashtë shtetit, Vladimir Ademi thotë se nuk ka marrë leje tek asnjë instancë, pasi nuk e ka ditur që për të dalë jashtë shtetit duhet marrë leje tek eprorët.
Por duket se shkeljet në këtë pikë, ishin më të rënda se vetë fakti i largimit pa autorizim të ushtarakut Ademi, jashtë vendit.
Shkelje të rënda disiplinore që janë konstatuar edhe nga një shkresë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të kohës, Gjeneral Major Jeronim Bazo, ku vihet re se ushtaraku Vladimir Ademi, nuk është raportuar nga eprori I tij për mungesat në punë.
Madje del se edhe është paguar rregullisht, pavarësisht këtyre mungesave të pajustifikuara.
Dosja Hetimore:
Shkresë Datë 4 shkurt 2015
Gjeneral Major, Jeronim Bazo, shef i Shtabit të Përgjithshëm.
Nga verifikimi i dokumentaconit në sekretarinë e bazës ajrore Farkë rezulton se kapiten Vladimir Ademi gjatë periudhës 20 janar 2015 deri më datë 29 janar 2015 nuk është raportuar nga eprori i tij i drejtpërdrejtë për mungesat e kryera në punë, me përjashtim të datës 30 janar 2015.
Problemi i konstatuar ndërmjet, major Hamit Koxha me detyrë komandant i skuadronit të mbështetjes së fluturimit dhe Vladimir Ademit qëndron se eprori është kontradiktor në raportimin e evidencës ditore.
Mbasi më datë 23 janar 2015 megjithëse nuk e ka patur në punë, kapiten Vladimir Ademin e ka propozuar për dhënie leje vjetore të paguar.
Vetëm më datë 30 janar 2015, pas publikimit të ngjarjes, ai e ka raportuar me propozim për mospagim të ditës së punës.
Në këtë urdhër me datë 30 janar 2015, ku kërkon ti jepet masa disiplinore ‘gjobitje në pagë 1/21 e pagës për dy muaj’ për kapiten Vladimir Ademin, me detyrë shef i seksionit të kontrollit të cilësisë në skuadronin e mbështetjes së fluturimit.
Në vazhdën e hetimeve të kryera për këtë ngjarje që cënoi rëndë imazhin e Forcave Ajrore Shqiptare, Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në pyetje edhe majorin Hamit Koxha. Ky i fundit ishte eprori direkt i teknikut të fluturimit Vladimir Ademi dhe majorit Sokol Feka, që humbi jetën në Spanjë, duke transportuar me helikopter 1 ton kanabis sativa. Dëshmi nga ky doli edhe një tjetër shkelje e rëndë disiplinore… Ajo se si lejet e zakonshme nuk jepeshin përmes shkresave zyrtare dhe kalimit nga zyrat e kuadrove, por nëpërmjet komunikimeve në rrjetet sociale.
Siç kishte ndodhur edhe me efektivin Vladimir Ademi.
Dosja Hetimore:
Major, Hamit Koxha, me detyrë komandant i skuadronit të mbështetjes, reparti ushtarak nr.3006 Farkë tha në dëshminë e tij se rreth datës 16 dhjetor 2014 e ka takuar në zyrë kapiten Vladimir Ademin.
Ky i fundit i ka kërkuar disa ditë leje për arsye familjare.
Hamit Koxha thotë se pasi ka biseduar me shefen e personelit i ka thënë se Vladimiri ka edhe 25 ditë leje të mbetur nga viti 2014.
Rreth datës 22 Dhjetor 2014, Koxha thotë se Vladimiri i ka kërkuar nëpërmjet rrjetit social facebook që të vazhdonte lejen për zgjidhjen e problemit dhe ai i ka dhënë miratimin të vazhdonte lejen.
Por ndërsa ka thyer në këtë formë rregullat e komunikimit të brendshëm administrativ, komandanti epror nis të shqetësohet për mungesën e kapiten Vladimir Ademit në punë, ky shqetësim nis të rritet pas mësimit të lajmit se major Sokol Feka ka humbur jetën në Spanjë.
Ndërkohë që efektivi Ademi nuk i përgjigjet thirrjeve të komandës, për t’u paraqitur në detyrë.
Dosja Hetimore:
Më datë 19 janar 2015, Vladimiri i ka kërkuar përsëri leje për probleme familjare meqenëse kishte akoma leje të mbetur nga 2014.
Por për këtë periudhë, pra janar 2015, Hamit Koxha ka vënë në dijeni komandantin e repartit Nën/kolonelin K.H, i cili i ka thënë të ndiqte situatën vetë.
Më datë 30 janar 2015, Koxha ka telefonuar disa herë Vladimirin por telefoni i dilte i fikur dhe më pas ka telefonuar bashkëshorten e tij e cila i ka thënë se Vladimiri ka të atin sëmurë dhe është në Ersekë.
Por ndërsa leja i përfundonte më datë 29 janar, dhe bashkëshortja e tij më datë 30 janar iu përgjigj komandantit epror se Vladimiri ndodhej në Ersekë te babai i sëmurë, efektivi i bazës së Farkës, tha në dëshminë e tij në prokurori se ishte kthyer në Shqipëri më datë 31 janar 2015.
Pra në këtë rast rezulton se nuk ishte e vërtetë që kapiteni Ademi ishte në Ersekë, gjatë kohës që eprori ishte vënë në kërkim të tij.
“Më datë 31 janar 2015 unë jam kthyer në Shqipëri nëpërmjet itinerarit Malaga-Valencia-Barcelonë.
Në Barcelonë kam hipur ne autobuzin e linjës ‘Eurolines’me të cilin kam udhëtuar deri në Romë.
Më pas po me autobuz kam lëvizur në itinerarin Napoli-Bari dhe nga Bari kam ardhur me traget ne Portin e Durrësit.
Lajmin për vdekjen e Sokol Fekës, e kam mësuar në momentin që unë kam ardhur në Durrës.
Ishte bashkëshortja ime e cila me tregoi se Sokoli kishte humbur jetën në Spanjë gjatë një aksidenti ajror”, deklaroi Vladimir Ademi.
Por dyshimet e Prokurorisë e Krimeve të Rënda në lidhje me ushtarakun Vladimir Ademi, ishin se ai kishte bashkëpunuar me majorin Sokol Feka, në trafikimin e lëndëve narkotike.
Kjo, nisur edhe nga shumë rastësi, që përkonin me lëvizjen e dy efektivëve të forcave ajrore shqiptare drejt Spanjës, në të njëjtat periudha dhe në të njëjtin vend.
Në këtë rast, qytetit të Malagës në Spanjë.
Dosja Hetimore:
Pavarësisht se personi nën hetim Vladimir Ademi pretendon se është takuar rastësisht me shtetasin Sokol Feka, dyshohet se këta dy shtetas kanë bashkëpunuar në trafikimin e lëndëve narkotike të kryer në Spanjë.
Ku edhe ka humbur jetën piloti, major Sokol Feka.
Sa më sipër Prokuroria e Krimeve të Rënda sugjeron fillimin e çështjes penale ndaj Vladimir Ademit, për veprën penale të trafikimit të narkotikëve kryer në bashkëpunim me Sokol Fekën dhe veprën penale të ‘mosparaqitjes së oficerëve aktiv në repart’.
Ndërkohë që ligji për ‘Statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë’ parashikon se:
‘Ushtaraku aktiv për shkak të detyrës ose shërbimit i ndalohet të bëjë pushime ose të shkojë për vizita tek të afërmit e tij jashtë vendit pa marrë leje me shkrim’.
Për këtë arsye Prokuroria e Krimeve të Rënda u kërkoi autoriteteve homologe spanjolle, nëse ata dispononin informacione të vlefshme të mbledhura gjatë fazës së hetimit, të cilat mund tua vinin në dispozicion edhe partnerëve shqiptarë.
Dosja Hetimore:
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi autoriteteve ligjzbatuese të Spanjës të dinë:
1-Nëse ka filluar ndonjë verifikim apo procedim penal ku përfshihen shtetasit shqiptar Sokol Feka dhe Vladimuir Ademi.
Ku sipas informacioneve shtetasi Sokol Feka ka humbur edhe jetën. Për këtë qëllim të na vihen në dispozicion të gjitha aktet proceduriale të tij.
2-Të na mundësohet marrja e të dhënave për hyrje-daljet në Spanjë për periudhën kohore nga data 1 dhjetor 2014 deri më 31 janar 2015 për shtetasit shqiptarë: Sokol Feka, Vladimir Ademi.
3-Të mundësohet verifikimi-kqyrja e hotel ‘Ibiza’, në qytetin Malaga për të evidentuar qëndrimin atje të shtetasve Sokol Feka dhe Vladimir Ademi në muajin dhjetor të vitit 2014.
Por këto hetime nuk u mbyllën kurrë, dhe po kështu nuk u mësua asnjëherë se çfarë ndodhi me majorin shqiptar të fluturimit Sokol Feka në Spanjë.
Cilat ishin komunikimet e tij me grupin e narkotrafikantëve në Marok, aty nga ku thuhet se kishte pasur edhe pikënisjen me lëndën narkotike të ngarkuar në bord?
Kur kishte nisur kjo marrëdhënie dhe si kishte rënë ai në kontakt me këta narkotrafikantë?
A ishte Sokol Feka një rast i izoluar brenda forcave ajrore shqiptare, apo kishim të bënim me një grup të mirëorganizuar?
Që po shfrytëzonte edhe aftësitë e pilotëve tanë në trafikimin e drogës, duke pasur parasysh faktin që majori Sokol Feka ishte i përgatitur të fluturonte edhe gjatë natës, në kushtet e mungesës së dritës.
Cila ishte roli i efektivit Vladimir Ademi në këtë ngjarje dhe ai ishte i përfshirë në narkotrafik në Spanjë, me kolegun e ndjerë Sokol Feka?
Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda priti gjatë nga homologët e saj spanjollë, një përgjigje lidhur mbi dyshimet e tyre, një fije shpresë u pa të dukej vetëm në vitin 2018. Kur disa prej këtyre përgjigje erdhën dhe dosja në ngarkim të kapitenit Vladimir Ademi, u rihap edhe njëherë. –
Dosja Hetimore:
Më 15 maj 2018, gjyqtarja Ilirjana Olldashi me kërkesë të prokurorisë për Krime të Rënda vendosi rifillimin e hetimeve, pasi dosja ishte pushuar në pritje të të dhënave nga autorutetet e drejtësisë në Spanjë. Gjykata arsyeton se: nga të dhënat e marra nëpërmjet letërporosisë nga autoritetet spanjolle të drejtësisë rezultojnë të pakonfirmuara, madje të pavërteta deklarimet e efektivit Vladimir Ademi si për vendin e qëndrimit të tij në Sanjë apo edhe për personin që sipas tij e priste atje.
Në analizë krahasuese dhe logjike të dhënat e marra nëpërmjet letërporosisë nga autoritetet spanjolle të drejtësisë, me të dhënat që kanë sjellë vendimmarrjen e prokurorëve për pushimin e hetimit të procedimit penal,
kjo gjykatë vlerëson si prova të reja dhe të rëndësishme që sjellin revokimin e pushimit të kësaj çështje.
Por kur kanë kaluar 5 vite nga kjo riçelje e hetimeve, ende asgjë nuk duket në horizont për mire, për ti dhënë sadopak dritë kësaj ngjarje që tronditi jo pak shtetin shqiptar.
Por edhe një pikëpyetje e madhe… Kush është i interesuar që kjo ngjarje ku një pilot shqptar humbi jetën në një vend të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, duke trafikuar kuintalë me drogë, të mos hetohet e plotë.