Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar propozimin e tij për planin e sekuencimit të implementimit të Marrëveshjes Bazike.
Kurti ka thënë se ky ka qenë propozimi i vetëm sot në Bruksel, ndërkohë letrën e palës ku kërkohet Asociacioni dhe më pas zbatimi i marrëveshjeve të tjera, e ka quajtur kushtëzim.
Në tabelën ku Kurti ka listuar radhën e implementimit të neneve të Marrëveshjes Themelore, themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e ka ndarë në disa faza. Aty nuk përmendet ndonjë periudhë kohore.
Pas pikës së parë ku kërkon miratimin e Deklaratës për personat e zhdukur, Kurti ka propozuar të vazhdohet me nenin 7 të marrëveshjes, ku duhet bëhet marrëveshje për prezantimin e draft-statutit nga Ekipi Menaxhues, draft-statut që duhet të përfundohet nga Kosova.
Më pas, sipas këtij propozimi, ky draft-statut i propozohet Bashkimit Evropian.
Nga këtu bëhet një kalim tek neni 2 dhe më pas edhe tek neni 1 i Marrëveshjes Bazike. Tek neni 2, kërkohet që BE-ja të paraqes marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e zbatimit tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe informon OKB-në dhe informon Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë Parlamentare se të dy palët janë pajtuar me parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, për respektim të integritetit territorial, ku palët trajtohen si anëtare të barabarta të komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu tek neni 2, kërkohet heqja e fusnotës dhe përfaqësimi nga UNMIKU në forumet rajonale.
“Të dyja palët sillen, trajtojnë dhe deklarojnë publikisht se i zhvillojnë marrëdhëniet ndërkombëtare me njëra-tjetrën në bazë të parimeve të parashikuara në Kartën e OKB-së dhe e trajtojnë palën tjetër si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera tek propozimi i Kosovës.
Dokumenti vazhdon me Nenin 1, ku kërkohet njohja e dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare.
”Procedurë e brendshme ligjore për zbatimin e njohjes së dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulave doganore, të lëshuara brenda juridiksionit të pranuar”, thekson propozimi.
Pasi të jetë bërë implementimi i këtyre pikave, kryeministri Kurti në propozimin e tij rikthen çështjen e Asociacionit, duke bërë një ndërlidhje mes Nenit 1, Nenit 7 dhe Nenit 10.
Kurti këtu propozon që të niset procesi negociues mbi Statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës siç e quan ai.
Më pas bën një rikthim tek nenet 2, 3 dhe 4 e 5.
Tek neni 2 dhe 3, thuhet se palët do të përmbahen nga kërcënime apo përdorimi i forcës apo të përfshihen në çfarëdo praktike të përdorimit të forcës ndaj njëra-tjetrës, në pajtim me Kartën e OKB-së.
Tek këto dy nene, Serbia duhet të zotohet se heq dorë nga të gjitha pretendimet territoriale dhe pajtohet për demarkim të kufirit në një periudhën 2 vjeçare
“Palët përmbahen nga mos-intervenimi në çështje të brendshme dhe njohin juridiksionin reciprok në territoret respektive. Marrëveshja zyrtarizon heqjen dorë nga Serbia nga të gjitha pretendimet territoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe palët pajtohen për demarkim të kufirit në një periudhë dy-vjeçare”, thuhet tek propozimi i këtyre dy neneve.
Në nenet 4 dhe 5 që propozohen si pasuese të neneve të lartcekura, Kosova propozon ndërmarrjen e hapave thelbësore në lidhje me anëtarësimin dhe statusin e vendit kandidat të Kosovës në BE, për anëtarësim në Këshill të Evropës, nënshkrim të programit të Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe drejt njohjeve të mbetura.
Gjithashtu në këto dy nene, Serbia përmes komunikimit zyrtar me të gjitha organizatat ndërkombëtare, zotohet se i ndalon të gjitha pengesat ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku përjashtohen si mundësi, votimi kundër dhe lobimi në publik, direkt, indirekt apo në formës konfidenciale, përfshirë edhe përmes palëve të treta.
“Shefi i BE-së Borrell nënshkruan letër dëshmie që konfirmon mos-pengimin nga Kosova dhe Serbia ndaj proceseve të tyre respektive për pranim në BE. Shtetet anëtare të BE-së do të njoftohen për dokumente të tilla ligjërisht detyruese”, thuhet në propozimin e Kosovës.
Tek pasi të jenë implementuar këto nene, Kurti propozon rikthimin përsëri tek Asociacioni, duke propozuar përfundimin e negociatave për Statutin e instrumentit për vetëmenaxhimin për serbët e Kosovës.
Pas kësaj, propozimi i Kosovës rikthehet tek nenet 1 dhe 2 , ku Kosova dhe Serbia zbatojnë një bashkëpunim normal për fqinjësi të mirë dhe angazhohen për komunikim të rregullt qeveri-qeveri për të ndjekur raporte miqësore bilaterale.
”Të dyja palët miratojnë sjelljen e duhur ndërshtetërore dhe fjalori i zyrtarëve publikë duhet të pasqyrojë letrën dhe frymën e Marrëveshjes Bazike, duke përfshirë përmirësimin që t’i referohen Kosovës dhe Serbisë dhe të ndërpresin referencën për Prishtinë dhe Beograd apo me ndonjë emërtim tjetër. Të dyja palët marrin një qëndrim miqësor dhe ndërpresin çdo përpjekje përçarëse ose dëmtuese të palës tjetër në të gjitha fushat, përfshirë bojkotimin e ngjarjeve ndërkombëtare. Fundi i çdo përdorimi të asimetrisë në nivel dypalësh dhe shumëpalësh – përfundimi i përdorimit të fusnotës”, thuhet në propozim.
Pas arritjes në këtë fazë, Kosova propozon sigurimin e legalitetit të Statutit të Asociacionit apo të instrumentit të vetëmenaxhimit, duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Në vazhdim të propozimit, parashihet shuarja e strukturave ilegale të financuara nga Serbia e që funksionojnë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Shërbimet që përbëjnë përgjegjësi komunale do të kalojnë në komunat e Kosovës në përputhje me ligjin e Kosovës, nëse është e përshtatshme dhe ligjore. Komunat pastaj mund të fillojnë të bashkëpunojnë përmes partneriteteve në ofrimin e përbashkët të atyre shërbimeve që ata i konsiderojnë relevante në përputhje me ligjin e Kosovës dhe konventat e Këshillit të Evropës”, thuhet në vazhdim.
Më pas propozohet që të niset me sekuencimin e implementimit të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara të dialogut që mbete të vlefshme dhe detyruese, e që në propozim përfshihen në kuadër të nenit 10.
Raporti Kosovë-Serbi më pas propozohet të avancohet përmes rregullimeve praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme dhe të themelohen misionet.
Pas kësaj, vazhdohet me Nenin 7 përsëri, ku propozohet të bëhet formalizmi i statutit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të bëhet sigurim i nivelit të fortë të mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modele ekzistuese evropiane.
Në fundin e propozimit, Kosova liston nenin 6, ku parashihet rregullimi i raporteve dypalëshe, heqjen e barrierave ekonomike Kosovë-Serbi, rifillimin e transportit hekurudhor dhe bashkëpunimin direkt në mes të agjencive të zbatimit të ligjit dhe lidhjes së marrëveshjeve në të gjitha fushat e parapara në të.
Pika e parafundit e propozimit të Kosovës është organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e një projekti të përbashkët nga palët.
Në fund, është propozimi në kuadër të Nenit 6, për miratimin e kornizës e parimeve dhe fillimit të procesit formal të dialogut drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dokumenti i plotë:
Aneksi: Miratimi i Deklaratës për personin e zhdukur (e përfunduar prej të dy palëve).
Neni 7:
Marrëveshja për prezantimin e draft Statutit nga ekipi menaxhues (e përfunduar nga Kosova).
Neni 7:
Ekipi menaxhues paraqet draft-statutin në Dialogun e Nivelit të Lartë të lehtësuear nga BE-ja (i përfunduar nga Kosova)
Neni 2:
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së paraqet marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e zbatimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe informon Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe informon Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se të dy palët janë pajtuar me parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të respektohet integriteti territorial respektiv dhe të trajtohet pala tjetër si anëtare e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila e zëvendëson nevojën për përdorimin e fusnotës dhe përfaqësimin e UNMIK-ut në forumet rajonale. Të dyja palët sillen, trajtojnë dhe deklarojnë publikisht se i zhvillojnë marrëdhëniet ndërkombëtare me njëra-tjetrën në bazë të parimeve të parashikuara në Kartën e OKB-së dhe e trajtojnë palën tjetër si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Neni 1:
Njohja e dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare. Procedurë e brendshme ligjore për zbatimin e njohjes së dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulave doganore, të lëshuara brenda juridiksionit të pranuar.
Nenet 1, 7 dhe 10:
Nisja e një procesi negociues mbi Statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës.
Nenet 2 dhe 3:
Palët do të përmbahen nga çdo kërcënim apo përdorim i forcës apo të përfshihen në çfarëdo praktike të përdorimit të forcës ndaj njëra-tjetrës, në pajtim me Kartën e OKB-së. Palët përmbahen nga mos-intervenimi në çështje të brendshme inter se dhe njohin juridiksionin reciprok në territoret respektive. Marrëveshja zyrtarizon heqjen dorë nga Serbia nga të gjitha pretendimet territoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe palët pajtohen për demarkim të kufirit në një periudhë dy-vjeçare.
Nenet 4 dhe 5:
Ndërmerren hapa thelbësorë në lidhje me anëtarësimin dhe statusin e vendit kandidat të Kosovës në BE, për anëtarësim në Këshill të Evropës, për nënshkrim të programit të Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe drejt njohjeve të mbetura. Në komunikim zyrtar me të gjitha organizatat ndërkombëtare, Serbia i ndalon të gjitha pengesat ndaj anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, ku përjashtohet votimi kundër, si dhe lobimi publik, direkt, indirekt, apo në formë konfidenciale, përfshirë përmes palëve të treta në këtë drejtim. Shefi i BE-së Borrell nënshkruan letër dëshmie që konfirmon mos-pengimin nga Kosova dhe Serbia ndaj proceseve të tyre respektive për pranim në BE. Shtetet anëtare të BE-së do të njoftohen për dokumente të tilla ligjërisht detyruese.
Nenet 7 dhe 10:
Përfundimi i negociatave për Statutin e instrumentit për vetëmenaxhim për serbët e Kosovës.
Nenet 1 dhe 2:
Kosova dhe Serbia zbatojnë bashkëpunimin normal dhe për fqinjësi të mirë dhe angazhohen në komunikim të rregullt qeveri-qeveri për të ndjekur raporte miqësore bilaterale. Të dyja palët miratojnë sjelljen e duhur ndërshtetërore dhe fjalori i zyrtarëve publikë duhet të pasqyrojë në letrën dhe frymën e Marrëveshjes Bazike, duke përfshirë përmirësimin që t’i referohen Kosovës dhe Serbisë dhe të ndërpresin referencën për Prishtinë dhe Beograd apo me ndonjë emërtim tjetër. Të dyja palët marrin një qëndrim miqësor dhe ndërpresin çdo përpjekje përçarëse ose dëmtuese të palës tjetër në të gjitha fushat, përfshirë bojkotimin e ngjarjeve ndërkombëtare. Fundi i çdo përdorimi të asimetrisë në nivel dypalësh dhe shumëpalësh – përfundimi i përdorimit të fusnotës.
Nenet 7 dhe 10:
Sigurimi i qëndrueshmërisë ligjore të Statutit dhe pranimi duke miratuar dekrete dhe rregullore përkatëse, të cilat do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Nenet 1, 2, 3 dhe 10:
Strukturat ilegale të financuara nga Serbia të cilat operojnë në territorin e Kosovës shpërbëhen. Shërbimet që përbëjnë përgjegjësi komunale do të kalojnë në komunat e Kosovës në përputhje me ligjin e Kosovës, nëse është e përshtatshme dhe ligjore. Komunat pastaj mund të fillojnë të bashkëpunojnë përmes partneriteteve në ofrimin e përbashkët të atyre shërbimeve që ata i konsiderojnë relevante në përputhje me ligjin e Kosovës dhe konventat e Këshillit të Evropës.
Neni 10:
Sekuencimi i implementimit të detyrimeve përkatëse që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara të Dialogut që mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Neni 8:
Bëhen rregullimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme dhe themelohen misionet.
Neni 7:
Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe sigurimi i nivelit të fortë të mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 6:
Ngritja e grupeve të veçanta të punës të kryesuara nga BE dhe përfundimi i kornizave negociuese për marrëveshjet dypalëshe të përmendura në nenin 6 (b) të Marrëveshjes dhe përfundimi i marrëveshjeve prioritare për bashkëpunimin dypalësh për (a) heqjen e barrierave ekonomike, (b) rifillimin e transportit hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe (c) bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit dhe vazhdimi i lidhjes së marrëveshjeve në të gjitha fushat tjera të parapara në të.
Neni 9:
Organizimi i konferencës së donatorëve; përgatitja e një projekti të përbashkët nga palët.
Neni 6:
Miratimi i kornizës dhe parimeve dhe fillimi i procesit formal të dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.