Janë 3 dokumenta “bombë”, ku Ilir Beqja në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, ka firmosur gjatë periudhës 2015, kohë kur zhvillohej procedura konçesionare për sterilizimin e paisjeve kirugjikale.
Dokumentat ngrenë dyshime të arsyeshme mbi përgjegjësinë penale të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e ish-ministri Beqja, për të cilin SPAK ka ndarë hetimet dhe kryen verifikime më të gjëra.
Tre dokumentat në ditët në vijim mund të sjellin ngritjen e akuzës zyrtare për ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili 3 muaj më parë u paraqit në SPAK dhe dëshmoi për gati 9 orë.
Në dokumentacion e administruar në dosjen e SPAK, duket qartazi se Ilir Beqja ka firmosur tre dokumentat kryesorë të konçesionit 10 vjeçar të sterilizimit, biznes ky që i është dhuruar pikërisht mikut të ish-ministrit, shtetasit Ilir Rrapaj.
Beqaj, është njeriu kryesor dhe “strumbullari” i kësaj afere korruptive që i hapi rrugën lejimit të procedurave të tjera konçesionare në Shëndetësi, si në shërbimin e Hemodializës, shërbimin e laboratorëve dhe shërbimin e analizave të “Che-Capit”.
Njeriu kryesor dhe që ka mashtruar përmes faturave fiktive, vlonjati Ilir Rrapaj, që prej ditës së djeshme është arrestuar nga SPAK së bashku zv/ministrin, Klodian Rrjepaj dhe 6 zyrtarë të tjerë të Shëndetësisë, që kanë shërbyer si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Dokumenti i parë që implikon dhe bën protagonist kryesor Ilir Beqjan në konçesionin e sterilizimit është pikërisht dokumenti që ministri ka firmosur, për hapjen e procedurës së konçesionit 10 vjeçar.
Në cilësinë e titullarit Beqja ka hapur procedurën dhe njëherësh përmes një urdhëri të brendshëm, ka formuan grupin e njerëzve me në krye Klodian Rrjepaj, për formimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.
Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat kishte për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.
Sipas dokumentave më datën 4 Maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe në datë 26 Maj, autoriteti kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë.
Sipas këtij dokumenti këtu, renditja e operatorëve konkurues dhe pikëzimi i tyre është firmosur nga titullari i Institucionit Kontraktues, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, që monitorohej nga Beqja ka shpallur konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga “Action Laundry,” S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente” me 42.83 pikë.
Më 8 qershor 2015, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga kompania e “Action Laundry” e renditur e dyta paraqiti një ankesë në KPP duke kundërshtuar renditjen e operatoreve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga “Servizi Italia S.p.a”.
Me datë 22 qershor 2015, KPP-ja pranon pjesërisht ankesën e “Action Laundry” dhe i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi vëren se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.
Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.
Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.
Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.
Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur “Sani Service” Sh.p.k.
Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.
Investimi i Rrapajt nëpërmjet e “Investital Llc” për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh, ishte vetëm 8 mijë euro.
Pas shpalljes fitues të grupit të kompanive të udhëhequr nga Ilir Rrapaj, dhe themelimit të kompanisë konçesionare “Sani Service”, është sërisht ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja që ka firmosur kontratën konçesionare 10-vjeçare.
Ilir Beqja ka firmosur për llogari të Autoritetit Kontraktual Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa për kompanisë konçesionare ka firmosur, administratori i “Sani Service”, Admir Daca./Ora News/