Rei Meta, djali i anëtares së KLP-së Nurihan Seiti (Meta), u la sot në burg nga gjykata e Vlorës pas seancës gjyqësore për ngjarjen e së hënës ku grushtet e tij mbi 55-vjeçarin Armando Meshaun, i shkaktuan vdekjen inxhinierit të ndërtimit.
Shkak për sherrin mes 33-vjeçarit dhe të ndjerit në një kancelari, në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë është bërë një apartament.
Sipas dosjes hetimore, në dëshminë e tij Rei Meta ka treguar se ndodhej të hënën në Vlorë për të takuar një mikun e tij, por kishte hasur me viktimën, për të cilin pretendon se prej 7-8 muajsh nuk i hapte telefonin, edhe pse kishin për të diskutuar për pronën që u bë “mollë sherri” mes tyre.
Meta ka rrëfyer se pasi është takuar rastësisht me 55-vjeçarin, e ka ftuar atë për kafe, por Meshau kishte refuzuar duke i thënë se “kishte punë”. Më pas Armando Meshau ka hyrë në kancelarinë ku ndodhi përplasja fizike.
33-vjeçari ka zbuluar më tej se me viktimën kishte lidhur një kontratë sipërmarrjeje në vitin 2020 si komision për gjetjen e një trualli në fshatin Radhimë.
“Kam nënshkruar një kontratë sipërmarrje si komision për gjetjen e një trualli në Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që unë do të shpërblehesha me 60 m2 apartament dhe në këmbim do i jepja Armandos 7000 euro“, ka dëshmuar Meta.
Pasi është bërë ndërtimi ai sqaron se ka kërkuar të merrte pjesën e tij por nuk ka mundur, pasi Meshau i kishte ndërprerë komunikimin edhe pse kishte marrë 7 mijë euro prej Metës.
Referuar dosjes, pasi kanë hyrë në kancelari dyshja kanë debatuar sërish po për pronën në Radhimë dhe kjo konfirmohet edhe një prej dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.
Siç u pa dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, pas një debati verbal mes tyre, Armando Meshau çohet në një moment nga karrigia ku ishte ulur para kompjuterit dhe e godet i pari me grusht Rei Metan. Më pas, ky i fundit e godet disa herë rresht me grushte në kokë deri sa e lë të vdekur në vend. Fillimisht, Meshau bie në karrige dhe më pas në tokë, teksa një djalë i afrohet t’i japë ndihmë.
Meta pasi e ka qëlluar me grusht është larguar nga vendi i ngjarjes, por ishte dorëzuar në polici, pasi kishte mësuar se Meshau kishte ndërruar jetë.
Debati mes Metës dhe Meshaut:
Rei Meta: Hajde pimë një kafe dhe të flasim për kontratën që kemi
Armando Meshau: Nuk kemi se çfarë flasim bashkë
Rei Meta: Kemi kontratën që kam të për marrë një pronë
Armand Meshau: Ik shiko hallin se nuk më bën gjë mua
Rei Meta: Hajde të ulemi dhe të flasim dhe të merremi me gjyqe, hajde flasim
Më pas, Meshau është futur në një internet kafe, ku ka vijuar sërish debati dhe ku sherri agravoi.
Rei Meta: Të kam paguar për shërbimin, dua dokumentet
Armando Meshau: Jo me mua këto muhabete
Rei Meta: Fol pak më qetë me mua se ka dhe njerëz të tjerë përreth që nuk na njohin
Armando Meshau: Seriozisht e ke ti?