Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri rezultojnë të jetë pronarët realë të kompanisë që ka përfituar koncesionin e inceneratorit të Tiranës, ashtu si në rastet e Elbasanit dhe Fierit.
Gjetjet vijnë nga hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës, që ka kërkuar sekuestrimin e tre firmave që janë përdorur nga Zoto dhe Mërtiri. Këta të fundit kanë angazhuar persona të tjerë në ‘letra’ për të fshehur faktin se janë pronarët realë. Kërkesa nga prokuroria është pranuar nga Gjykata e Posaçme më 28 Korrik. GJJKO ka vendosur sekuestrimin e kompanive “Integrated Energy B.V. S.P.V.”, “Integrated Technology Services” sh.p.k., “F.M.O.” sh.p.k, bashkë me pasuritë në pronësi të tyre, përshirë inceneratorin e Tiranës.
Sipas akuzës, dy “bosët e inceneratorëve” Zoto e Mërtiri kanë përfituar përmes një skeme me fatura tatimore të falsifikuara 409,428,000 Lekë.
Zoto e Mertiri pronarët real të inceneratorit të Tiranës
Sipas SPAK, “nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V””.
Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Akuza thekson se është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.
4 mld lekë fatura fiktive
Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve të nisura më 2020, rezulton se Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë. Referaur hetimeve, Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
“Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit”, thuhet më tej në njoftimin e SPAK.
Sekuestrimet
Bazuar në kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95, datë 28.07.2023, ka vendosur pranimin e kërkesës së SPAK dhe vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë si më poshtë:
- 1.1. Personi juridik “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k., me Nipt L72031013B, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
- 1.2. Personi juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me Nipt L02302032C, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
- 1.3. Pasuria e paluajtshme në zotërim të shoqërisë “F.M.O.” sh.p.k, lloji pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 611 m2, me adresë Durrës.
Me ekzekutimin e vendimit të gjykatës është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Roli i Veliajt
Iniciatori i projektit për koncensionin 30-vjeçar ishte pikërisht kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ndaj të cilit deri në këtë fazë të hetimeve SPAK nuk ka ngritur ende akuzë penale. Boldnews ka raportuar më herët kronologjinë e akteve që i hapën rrugën koncesionit që siç po del nga hetimet, është një tjetër aferë që ka çuar paratë e buxhetit te Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, komunikon me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilit i sugjeron nisjen e procedurave koncensionare. Ahmetaj duket fillimisht skeptik për mundësitë buxhetore. Koka i shpjegon se projekti parashikon që impianti të ndërtohet me shpenzimet e kompanisë private dhe kostot do të mbulohen në 30 vjet, nëpërmjet pagesave për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e Qarkut të Tiranës. Në një shkresë të datës 27 Dhjetor 2016, pra tre muaj përpara se Erion Veliaj të jepte dakordësinë e tij, Lefter Koka informon Ahmetajn se “..Bashkia e Tiranës merr përsipër të mbulojë kostot e depozitimit për minimum 700 ton mbetje në ditë”.
Po ashtu, në 1 Shkurt 2017, Lefter Koka i shkruan sërish Arben Ahmetajt: “…Bashkia Tiranë ka marrë përsipër që do të vërë në dispozicion të pagesave për depozitimin e mbetjeve vlerën prej 1 milionë eurove, që konvertohet në 34.365 ton mbetje në vit”.
Nuk është e qartë se si janë marrë përsipër këto detyrime nga Bashkia e Tiranës, kur, të paktën deri në atë kohë, nuk kishte asnjë vendim të Këshillit Bashkiak që e lidhte institucionin e drejtuar nga Veliaj me procedurat koncensionare. Në vijim, Arben Ahmetaj i kërkon Lefter Kokës që të marrë konfirmim me shkrim nga Qarku Tiranë, si përfituesi kryesor i projektit koncensionar, ku përfshihen disa bashki.
Në 27 Mars 2017, Erion Veliaj, i përgjigjet Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit se është parimisht dakord me projektin e propozuar. Kaq mjaftoi që skepticizmi i Arben Ahmetajt të rrëzohej. Lefter Koka e informon Ministrin e Financave se Bashkia e Tiranës është dakord.
Ahmetaj shprehet pa komente, një mënyrë aprovuese për procedurën koncensionare, përsa kohë që Bashkia Tiranë ishte shprehur dakord. Ahmetaj anashkalon faktin se kishte këmbëngulur që aprovimi të jepej nga i gjithë Qarku dhe jo vetëm nga Bashkia e Tiranës.
Pra, duket qartë që dakordësia e Veliajt i ka hapur rrugën koncensionit 30-vjeçar. Në 28 Shtator 2017, një muaj pas miratimit të kontratës koncensionare, Erion Veliaj merr autorizimin nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për detyrimet ndaj kompanisë private, që, siç deklaroi ai, lidheshin me depozitimin e mbetjeve. Por, pyetja thelbësore vijon të mbetet-po nëse Këshilli Bashkiak nuk do t’i jepte autorizimin Veliajt, çfarë do të ndodhte me kontratën koncensionare?
Si ka mundësi që Lefter Koka dhe Arben Ahmetaj, e bashkë me ta e gjithë qeveria, i dhanë udhë koncensionit të Sharrës, pa u shprehur më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës për të marrë përsipër faturën e depozitimit dhe në mungesë të aprovimit nga bashkitë e tjera të Qarkut Tiranë? Erion Veliaj këmbëngul se ai ka dhënë vetëm dakordësinë në parim për projektin.
Lexo edhe:
Roli i Veliajt në “aferën” e Sharrës. Si u hap rruga e kontratës 128 mln euro (dokumentat)