Nga Boldnews.al
Gjyqtarja kushtetuese, Marsida Xhaferllari, njëkohësisht bashkëjetuese e ish-kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike “të vulës”, Enkelejd Alibeaj, ka bashkuar votën me shumicën e kolegëve të saj për të rrëzuar padinë e 35 deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin shpalljen anti-kushtetuese të projektit “Durrës Yacht Marina”.
Në fakt, nuk bëhet fjalë për një vendim të thelluar, të analizuar lidhur me detajet e Marrëveshjes së kundërshtuar dhe efektet e saj ekonomike dhe sociale.
Gjykata Kushtetuese, si çka ndodhur rëndom, i është shmangur thelbit të problemit, duke shpallur se nuk është kompetente për të shqyrtuar anti-kushtetutshmërinë e një ligji që ratifikon Marrëveshjen Ndërkombëtare.
E thënë më thjesht, Gjykata Kushtetuese sërish tregoi se nuk ka forcën institucionale dhe integritetin profesional për t’u përballur me vendimmarrjet e shumë-debatuara të kryeministrit Edi Rama.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë në mes të qershorit 2023, u shpall së fundmi, së bashku me argumentat, si edhe me mënyrën e votimit.
Nga ajo që lexohet në vendim, rezulton se tetë nga nëntë anëtarë të Kushtetuese kanë votuar në favor të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenit nga Dubai, Mohamed el Alabar.
Gjyqtarët e shumicës drejtoheshin nga kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçja, si edhe anëtarët Gent Ibrahimi, Marjana Semini, Ilir Toska, Elsa Toska, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.
Gjyqtarja e vetme në pakicë është Sonila Bejtja, e cila ka mbajtur qëndrimin se Gjykata Kushtetuese, jo vetëm duhet t’i hynte themelit të çështjes, por edhe duhet të kishte shfuqizuar ligjin e posaçëm, i cili miratoi Marrëveshjen për shkatërrimin e Portit më të madh tregtar të vendit, atij të Durrësit dhe dorëzimit të miliona metra katror truall të tij në favor një projekti betonizimi.
Marrëveshja e dyshimtë
Në nëntor të vitit 2015, qeveria e Edi Ramës miratoi një Marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për mbrojtjen e investimeve. Ky akt i parë u përforcua nga një Marrëveshje e dytë, e nënshkruar mes palëve në nëntor të vitit 2020.
Në këtë Marrëveshje, palët kanë rënë dakord për një listë të projekteve specifike, konkretisht: rizhvillimi i Portit të Durrësit; mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil; investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.
Në Dhjetor të vitit 2020, Parlamenti miratoi një ligj të posaçëm, i cili ratifikoi Marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kjo Marrëveshje u miratua me 96 vota deputetësh, një pjesë e të cilëve ishin anëtarë të “opozitës së emëruar”, pas dorëzimit të mandateve nga ligjvënësit demokratë, në vitin 2019.
Në Dhjetor të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, i dha statusin e investitorit strategjik projektit “Durrës Yacht Marina”, në zbatim të Marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Projekti do të realizohet nga subjekti “Symphony Real Estate Development” sh.p.k., i cili, sipas vendimit, do të realizojë një projekt të integruar me port turistik dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë dhe shërbime në funksion të tyre. Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe afërsisht 79 ha, në zonën e Portit të Durrësit, i ndarë në 2 faza zhvillimi.
Kompania investitore ishte e regjistruar në zonën off-shore të ishujve Kajman.
Më tej, qeveria shqiptare, po në dhjetor, miratoi vendimin për transferimin e pasurive të paluajtshme të Portit Tregtar të Durrësit në favor të investitorit strategjik, për një total prej 80 hektarësh truall.
Në Korrik të vitit 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike bëri disa ndryshime në vendimin e mëparshëm. Sipas këtij ndryshimi, projekti do të realizohety nga “Eagle Hill Real Estate”, e cila ka kompaninë mëmë të deklaruar në Dubai.
Për këtë kompani dihet vetëm që zotërohet në 40 përqind nga biznesmeni Mohamed el Alabar, ndërkohë që nuk ka të dhëna për pjesën tjetër të aksioneve, të cilat përbëjnë edhe shumicën vendimmarrëse.
Padia në Kushtetuese
Në nëntor të vitit 2022, një grup prej 36 deputetësh të opozitës parlamentare, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit dhe Marrëveshjes së ratifikuar me atë ligj, i cili i hapte rrugën projektit “Durrës Yacht Marina”.
Paditësit argumentonin se Marrëveshja “Rama-Alabar” binte në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të nënshkruar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Sipas paditësve, Marrëveshja duhej shpallur anti-kushtetuese, pasi:
– Marrëveshja është me karakter politik dhe kërkon domosdoshmërisht përfshirjen e Presidentit të Republikës, sipas neneve 4 dhe 7 të Kushtetutës. Në rastin konkret, Marrëveshja është nënshkruar nga Këshilli i Ministrave;
– Janë shkelur procedurat e nënshkrimit të Marrëveshjes dhe ratifikimit të saj, pasi nuk janë bërë transparente mënyrat se si është arritur Marrëveshja, si janë realizuar negociatat, nuk kuptohet se kush është struktura përgjegjëse që ka kryer bisedimet, si edhe nuk gjendet mendimi i Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Drejtësisë, të cilat janë të detyrueshme në shqyrtimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare;
– Ligji ratifikues i Marrëveshjes “Rama-Alabar” nuk është shoqëruar me relacion financiar.
Po ashtu, paditësit deklaruan para Gjykatës Kushtetuese se Marrëveshja bie ndesh me;
– Identitetin kombëtar, pasi parashikimet e saj jo vetëm shmangin detyrimet për konkurrim të hapur dhe transparent, por cenojnë edhe këtë identitet, duke qenë se Porti i Durrësit ka një histori 3000-vjeçare.
– Parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike, pasi synohet hyrja në negociata me të përzgjedhurin e selektuar paraprakisht për të tjetërsuar një tokë publike për investim, ndërsa shteti nuk ka parashikuar të marrë asgjë në këmbim të dhënies së pronës publike ose kur do e marrë atë.
– Parimin e barazisë para ligjit dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike, pasi në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës është përcaktuar një trajtim preferencial i shoqërive shtetërore ose private të propozuara nga palët e Marrëveshjes, pa një procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.
Përfaqësuesit e Parlamentit dhe të Këshillit të Ministrave i kundërshtuan këto pretendime në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që institucioni i Presidentit të Republikës nuk e konsideroi aspak të arsyeshme të përfshihej në këtë histori, pasi nuk dorëzoi asnjë qëndrim apo opinion.
Vendimi i Kushtetueses
Shumica dërrmuese e gjyqtarëve kushtetues arritën në përfundimin se Gjykata Kushtetuese nuk e ka tagrin që të shqyrtojë ligjet ratifikuese të Marrëveshjeve Ndërkombëtare, duke rrëzuar në këtë mënyrë me një të rënë të lapsit të gjithë shkeljet e renditura nga paditësit, deputetë të opozitës.
Në një vendim prej 48 faqesh, ku pjesën më të madhe e zë historiku i rastit, si edhe mendimet paralele e kundër, argumenti i shumicës së gjyqtarëve kushtetues për të rrëzuar kërkesën e mirë-argumentuar të paditësve përmblidhet vetëm në një paragraf:
“Në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës, çështja e kontrollit të kushtetutshmërisë së marrëveshjeve ndërkombëtare pas ratifikimit të tyre nuk përfshihet në kategoritë e çështjeve për të cilat Gjykata ka juridiksion për të vendosur.
Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit që kanë të bëjnë me përmbajtjen e Marrëveshjes, përkatësisht ato në lidhje me cenimin e:
- i) identitetit kombëtar, për shkak të historisë 3000-vjeçare të Portit të Durrësit;
- ii) parimit të shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike, pasi synohet hyrja në negociata me të përzgjedhurin e selektuar paraprakisht për të tjetërsuar një tokë publike për investim;
iii) parimit të barazisë para ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike, pasi, në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës, është përcaktuar një trajtim preferencial i shoqërive shtetërore ose private të propozuara nga palët e Marrëveshjes, pa një procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente; iv) parashikimeve të MSA-së, pasi nuk lejohet një proces konkurrimi i hapur dhe transparent, nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues”.
Ky vendim është miratuar saktësisht kështu nga gjyqtarët Holta Zaçaj, Gent Ibrahimi, Ilir Toska, Marjana Semini, Sandër Beci dhe Elsa Toska.
Ndërkohë, dy gjyqtare të tjera, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, kanë dhënë një “mendim paralel”. Ato bashkohen me pjesën tjetër të gjyqtarëve se padia duhet rrëzuar, por kanë një këndvështrim tjetër për mënyrën e argumentimit.
Në thelb nuk ndryshon asgjë, pasi edhe vota e tyre është kundër padisë së deputetëve të opozitës.
Sonila Bejtja rezulton se është gjyqtarja e vetme kushtetuese që ka votuar pro rrëzimit të Marrëveshjes Rama-Alabar.
Për gjyqtaren në pakicë, “kontrolli kushtetues që shtrihet mbi ligjin ratifikues e përthith edhe marrëveshjen ndërkombëtare si pjesë e tij. Ritheksoj se kjo nënkupton që ky kontroll përfshin të gjithë procedurën si një e tërë, pra në të gjitha elementet e saj, që prej fillimit të saj (organi kompetent, autorizimi dhe tagrat e tij) dhe deri në realizimin e procedurës parlamentare. Për rrjedhojë, qoftë edhe konstatimi i një të mete kushtetuese në procedurën e ratifikimit të ligjit, do të bënte që të binte bashkë me të edhe Marrëveshja si pjesë përbërëse dhe e pandarë e tij”.