Kur kandidatët ishin të mbërthyer nga ethet e zgjedhjeve parlamentare të 2021, në fshatin Borovë, Kolonjë, një i moshuar u afrua kurioz për të dëgjuar kandidaten socialiste Olta Xhacka. Ajo që i ndodhi banorit u kthye së pari një grindje me truprojat dhe më tej objekt i hetimeve për krimin e ‘pengimit të zgjedhjeve”.
Çështja e monitoruar nga Qendra FOL tregojnë se si u mosfilluan çështjet mbi zgjedhjet e kaluara por dhe se si po ‘mbyllen’ referimet e zgjedhjeve lokale të 2023, të bazuara në denoncimet e politikës. Prioritet kanë vetëm prangosjet në flagrancë dhe hetimet që bazohen në përgjime. Në dy raste të monitoruara rezulton se nga përgjimet kandidati për kryetar i bashkisë Himarë përfundoi në burg nga metodat speciale për dyshimet e shitblerjes së votës. Një qytetar i dyshuar për korrupsion në zgjedhje, i identifikuar si Bedri Murati, u arrestua në flagrancë në zonën e Krujës, mbasi iu gjetën para dhe lista votuesish që jetojnë jashtë Shqipërisë.
I moshuari kurioz
´Shtetasi Lulëzim Rakipi është pyetur në cilësinë e personi që ka dijeni për veprën penale. Ndër të tjera ka deklaruar se atë ditë ka qenë në banesë, pasi ka dalë ka shkuar në qendër të lagjes ku Partia Socialiste po zhvillonte një takim elektoral me banorë të fshatit. I është afruar kandidates për deputete znj. Olta Xhacka të cilës i ka kërkuar një sqarim. Ajo e ka pranuar dhe e ka mirëpritur. Para se të takonte kandidaten, shoqëruesit e saj janë afruar dhe e kanë goditur“-, shprehet në fashikull i dyshuari, që u hetua nga prokuroria . Edhe një person i dytë që u hetua për të njëjtën vepër rrëfehet : “Ora e saktë nuk më kujtohet , më morën në telefon dhe më thanë “ kanë goditur Vangjelin”, një i moshuar dhe i afërm i imi. Shkova dhe aty pashë njerëz të grumbulluar , pashë që po godisnin shokun tim disa shoqërues të deputetes . U afrova dhe më shtynë edhe mua, por unë mora Lulëzimin dhe u largova”, pranon për policinë gjyqësore i dyshuari, i dytë. Të dy banorët nga monitorimi rezulton se shpëtuan nga akuzat e prokurorisë që e mbylli cështjen.
Megjithtë akuzat për korrupsion, përdorimi i funksionit publik për veprimtari publike dhe pengim në zgjedhje u lakuan edhe në këto zgjedhje. Por nga ana tjetër, monitorimi në fokus i Qendrës FOL vërteton se në finale të drejtësisë shifrat e atyre që ngarkohen me përgjegjësi janë të ulëta krahasuar me fluksin e denoncimeve dhe referimeve parazgjedhore. Në një fashikull tjetër tregohet se si nga moskompetenca e SPAK , cështja u mbyll në një prokurori të zakonshme. Fashikulli tregon se para zgjedhjeve parlamentare të 2021 , tre kryetarët e bashkive të Korcës Sotiraq Filo, Gëzim Topciu, kryetar i bashkisë Maliq dhe Eduart Duro në atë kohë kryetar i bashkisë Devoll , përfunduan të kallëzuar në prokurorinë e posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar . Denoncuar nga një tjetër subjekt politik përmes Endrit Braimllarit, nga monitorimi i Qendrës FOL rezulton se aktet e referuara në datë 21 prill u regjistruan në datë 27 prill. Rezulton se SPAK shpalli mos kompetencën dhe më pas në 10 maj 2021 hetimi mbyllet nga prokuroria e Korcës. Në vendimin e vënë në dispozicion për Qendrën FOL thuhet se “ në kallëzim referohet se kryetarët e bashkive të mësipërme gjatë fushatës zgjedhore janë parë në krah të kandidatit të PS, duke i vendosur në dispozicion këtij kandidati të gjitha materialet, makineritë apo edhe personat që punojnë në bashkinë Korcë për të zhvilluar fushatën. “ Brenda një kohe të shkurtër, rezulton se prokuroria e Korcës qe në gjendje të konkludonte se nuk kishte prova për shpërdorim detyre dhe po ashtu nuk kishte prova se përpara fushatës të kishte patur emërime apo punësime klienteliste. Edhe prokuroria e Fierit për të njëjtat zgjedhje parlamentare vendosi mosfillimin e 11 denoncimeve, të cilat më pas rezulton se nuk u kundërshtuan në gjykatë. Prokuroria më e madhe në vend, ajo e kryeqytetit për zgjedhjet parlamenare të 2021 dorëzoi në gjykatë vetëm dy cështje . Pesë të tjera u mosfilluan, 5 procedime u pushuan dhe dy u pezulluan. Për të tjerat statusi i tyre është i paqartë.
Telefonat që ‘tradhtuan’ zgjedhjet
Përgjimet zbuluan sërisht fenomenin e shitblerjes së votës edhe në zgjedhjet e 14 majit. Blerës dhe shitësit e votës ekspozohen në tregtinë e paligjshme.
Numri 06…49: Ka ndonjë lek o vëllai, se e kam nda mendjen vetëm unë i përmbys këto …, ka nonji gjo a s’ka?
Klodian Kapidani: Tani s’ka o vëlla, tani do ti gjej unë ty, ditën e fundit e?
Në pranga përfundoi 39-vjeçari Klodian Kapidani, që është mbajtur nën përgjim nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit , mbas vendosjes nën përgjim nga prokuroria e Tiranës që sipas monitorimit shpall moskompetencën në datën 8 maj 2023 dhe e delegon hetimin pranë prokurorisë së posaçme. SPAK rregjistron hetimet dhe në nëntë qershor urdhëron arrestimin e të dyshuarit për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” . Sipas dosjes hetimore që Qendra FOL disponon Kapidani bisedon për mbërritjen e disa qytetarëve që do të votonin në këmbim të parave. Palët kanë frikë se mos qytetarët i kanë mashtruar , duke marrë paratë e duke mos votuar.
Kapidani: Shife njëherë kur të vijë Vini, që a erdhi a s’erdhi!
Numri 226: Deri tani nuk ka ardh akoma.
Kapidani: Mirë prit, aty rrin, vetëm ma shif, të lutem se i kam pagujt lekët.
Biseda është zhvilluar pasditen e 14 majit rreth orës 18:00, vetëm 60 minuta para mbylljes së qendrave të votimit. Pas zgjedhjeve, palët grinden mbasi përfaqësuesi i pesë personave që kishin votuar kërkon paratë e papaguara.
Numri 535: Ça thotë Vini? Do Vini një milion lekë për pesë vota!
Kapidani: Ëëë?
Numri 535: Do vini 1 milionë lekë për pesë vota.
Kapidani: Ku di gjë unë? Çfarë votash?
Numri 535: Votat që kanë votuar dje.
Kapidani: Mbasditë eee.
Numri 535: Do një milion ai.
Kapidani: Ee.
Këto biseda bindën prokurorinë antikorrupsion që të lëshonte urdhërin e arrestit dhe më pas edhe gjykatën që la në burg deri në përfundim të hetimeve Klodian Kapedanin. Edhe pse ky i fundit pretendoi se nuk mbante mend asgjë nga bisedat që kishte kryer në telefon pasi ishte nën efektin e alkoolit.
Hetimet për shitblerje votash
Për zgjedhjet vendore të mbajtura të dielën e 14 majit në të gjitha prokuroritë e vendit, përfshi edhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion janë rregjistruar 73 kallëzime. Sipas të dhënave të siguruara nga “Qendra FOL”, rezulton se 31 prej këtyre kallëzimeve janë depozituar nga partitë politike, ndërsa pjesa tjetër me referim të Policisë së Shtetit apo individë. Vetëm në prokurorinë e posaçme SPAK, janë regjistruar 42 kallëzime penale, ku 21 prej tyre janë kryer nga subjekte politike. Deri më tani në këtë prokurori janë regjistruar 20 procedime dhe për një rast është vendosur mosfillim. Për 6 kallëzime është vendosur ridërgimi në prokuroritë e rretheve, ndërsa pjesa tjetër është në proces verifikimi. Ndërsa në një tjetër përgjigje zyrtare për Qendrën FOL, rezulton se në prokuroritë e rretheve janë regjistruar 31 kallëzime gjatë fushatës elektorale dhe pas zgjedhjeve vendore. Për 3 prej kallëzimeve hetuesit kanë vendosur që të mos regjistrojnë procedimet, ndërsa për 28 rastet e tjera po kryhen veprime hetimore, por pa rregjistruar ndonjë emër konkret. Kallëzimet lidhen me veprat penale të blerjes së votës, votim familjar, apo përdorimin e administratës për fushatë elektorale. Rezulton se Berati është qarku me më shumë kallëzime penale, pasi në këtë prokurori janë regjistruar 7 padi për zgjedhjet. Hetuesit kanë kërkuar informacione shtesë për 6 prej këtyre kallëzimeve ndërsa një prej tyre e kanë transferuar në Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa në Prokurorinë e Elbasanit janë regjistruar 5 kallëzime e ndjekur nga ajo e Vlorës me katër kallëzime. Më pas vijnë me nga 3 kallëzime prokuroritë e Durrësit, Kukësit e Gjirokastrës të ndjekura me nga 2 kallëzime nga prokuroritë e Fierit, Dibrës e Tiranës dhe në fund renditen prokuroritë e Korçës, Shkodrës e Sarandës me nga një kallëzim. Në të njëjtën kohë janë referuar edhe 18 raste në prokuroritë e rretheve dhe po kryhen veprime hetimore sa i takon veprave penale që cënojnë zgjedhjet. Kështu hetime po kryhen për veprat penale duke nisur nga “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, “Pengimi i zgjedhësit”, “Shkelja e së drejtës së zgjedhjes” deri tek “Kanosja e Falsifikimi i vulave e stampave”.
Sipas raportit të kriminalitetit të bërë publik nga Prokuroria e Përgjithshme për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në 25 prill të vitit 2021 në prokuroritë e vendit u regjistruan 47 procedime penale që preknin fushën e zgjedhjeve. Por në total u dërguan në gjyq vetëm 7 çështje penale .
Dosja e Alfred Belerit
Dosja ndaj kryetarit të sapo zgjedhur në siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Alfred Belerin të arrestuar për blerjen e votave në bashkinë e Himarës po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Beleri së bashku me Pandeli Kokaveshin që ishte pjesë e stafit në fushëtën zgjedhore u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Vlorës. Në dosje thuhet se hetimi nisi më 8 maj pas informacioneve të siguruara nga policia se një grup personash në zonën e Himarës përfshi edhe Belerin jepnin nga 50 deri në 200 euro në këmbim të blerjes së votave.
“Më datë 8 Maj 2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë regjistroi procedim penal mbi referimin e bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, datë 8 maj 2023, për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, në ngarkim të personave nën hetim Dhionisios Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi. Dyshohet se personat e përfshirë i përkasin subjektit politik ‘Bashkë Fitojmë”. Nga të dhënat dyshohet se këta shtetas kundrejt përfitimeve materiale të marra nga kandidati për Kryetar Bashkie i Aleancës Politike ‘Bashkë Fitojmë’, subjektit Dhionisios Alfred Beleri, marrin shuma me vlera monetare nga ky i fundit dhe i shpërndajnë ato kundrejt premtimit për votë nga shtetas të ndryshëm në Njësinë Administrative Horë- Vranisht dhe fshatrave që përmbledh kjo njësi administrative”. Dyshohet se në vazhdim në prokurorinë e Vlorës u paraqit një person me inicialet A.R., që pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë për të zbërthyer tentativat e shit-blerjes së votave. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se shtetasi A. R., ka kontaktuar me Belerin për ti siguruar vota në këmbim të shumave monetare. I infiltruari ka folur me Belerin duke i sigururuar një liste me 13 persona me premtimin se ata do të votonin në favor të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në këmbim të shumave monetare.
“Gjatë bisedës Fredi Beleri i premtoi shtetasit A.R se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për të, nëse ai bindej pas verifikimeve që ai do të kryente, se vota ishte hedhur pro tij. Në këtë bisedë, Fredi Beleri, i premton shtetasit A.R se shumën monetare do t’ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes”, thuhet në dosjen hetimore.
Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e 12 majit shtetasi që bashkëpunoi me prokurorinë, u paraqit në ambientet e lokalit G., në Potam në pronësi të Belerit dhe mori shumat monetare nga Pandeli Kokaveshi pranë tualeteve të lokalit. Alfred Beleri u arrestua më 12 maj, dhe gjykata e apelit nuk lejoi zbutjen e masës së sigurimit personal.
/Qendra Fol