Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, kritikon ashpër kryeministrin Edi Rama në lidhje me idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën, duke thënë se është shumë e rrezikshme pasi iu jep serbëve mundësinë për të diskutuar çështjet historike tashmë të mbyllura më 1999 dhe 2008. Në një intervistë për KosovaPress, Nesho thotë se Rama nuk duhet të kishte propozuar as draft për Asociacionin ndërsa komenton edhe masat ndëshkuese ndaj Kosoves të vëna nga Bashkimi Evropian.
Prej 26 majit situata në komunat më veriore të Republikës është tensionuar, ndërsa gjatë kësaj kohe kemi parë një rol shumë aktiv të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në zgjidhjen e kësaj situate. Fillimisht, ai propozoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e më pas propozoi mbylljen e liderëve në një konferencë deri në zgjidhjen e situatës. Nesho thotë se Rama “nuk ka aftësi intelektuale” të jetë i përfshirë në projekte të tilla dhe se me këto ide nuk po i shërben interesit kombëtar. Ambasadori shqiptar thotë se Asociacioni është thjesht një tjetër mjet i presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës.
“Çështja e projektit të Asociacionit nuk ka asnjë vlerë, vetë Rama nuk ka ndonjë aftësi intelektuale që të projektojë ose të jetë i angazhuar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtës… 00:20 Çështja e projektit të asociacionit të paraqitur nga Rama, është thjesht dhënia oksigjen Vuçiqit, i cili kërkon të realizojë projekte të tij, por jo t’i zgjidhi as çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, as të bëhet pjesë e perëndimit. Projekti i Vuçiqit, unë kam insistuar disa herë, është një projekt tjetër. Minimalisht do të qëndrojë për arsyeje se lidhjet e tij, historike por edhe aktuale, influenca e madhe e nacionalizimit rus brenda territorit të Serbisë e ka projektuar Serbinë si një vend satelit dhe asnjë regjim në Serbi nuk mund ta ndryshojë kaq lehtë këtë situatë… Çështja e Asociacionit është gozhda që Vuçiqi kërkon për të destabilizuar dhe të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës, sepse ky konflikt nuk duhet të ekzistojë as nëpër tezat e të drejtës ndërkombëtare, sepse nuk është një konflikt i tillë”, deklaroi Nesho.
Ideja tjetër e kryeministrit Edi Rama për një koferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, për ambasadorin Nesho është e papranueshme. Sipas tij, këto janë ide që i shërbejnë vetëm projekteve serbo-ruse për ndryshime të reja gjeopolitike në Ballkan.
“Çështja e konferencës edhe kjo nuk ishte nga padituria ose mënyra për të shprehur diçka origjinale gjë që gjithmonë kryeministri shqiptar e ka bërë. Kjo ishte diçka e para menduar për të realizuar ato projekte që serbët kërkojnë me domosdo. Dhe kryesorja që kërkon si Serbia dhe Rusia në Ballkan është ndryshimet e reja gjeopolitike në Ballkan… 06:00 Projekti i fundit edhe deklarata e Ramës që të mbyllen në një konferencë është tepër e rrezikshme për t’ju dhënë mundësi serbëve për të ridiskutuar çështjet historike tashmë të mbyllura”, thekson Nesho.
Nesho deklaron se presidenti serb Vuçiç dëshiron që të mbajë në pafundësi situatën nën tension në veri me shpresën që një ditë edhe çështja e Rusisë të rikthehet dhe të bëhen ndryshimet gjeopolitike që ëndërron.
“Serbia po provokon në veriun e Kosovës. Do të ishte në dëshirën e saj që ky provokacion të ishte i pambyllur. Me shpresë që një ditë çështja e Rusisë do të rikthehet dhe ai mendon që duke u bërë aleat nga njëra anë me Rusinë dhe me Kinën, duke mbajtur këto ekuilibra, por edhe duke qëndruar në karrigen që i jep BE, do të bëjë një lojë. Loja e Vuçiqit është një lojë e niveleve të vogla të filozofisë së Titos. Do ta mbajë Serbinë me një vend të paangazhuar, kërkon të marri edhe nga mendjelehtësia e shqiptarëve, kërkon të bëjë një bllok, duke ju thënë atyre që me krijimin e një blloku asnjanës dhe të paangazhuar në Ballkan ne do të jemi qendra e vëmendjes dhe do të luajmë politikë të madhe”, deklaron Nesho.
Nesho flet edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se janë të palogjikshme por Evropa po zgjedh rrugën më të lehtë. Ai thotë se Perëndimi nuk është mësuar t’i thonë jo asnjëherë dhe shpesh shqiptarët kanë qenë qesharakë.
“Kush po armatoset 110 për qind me armë, sa të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor? Po rrezikohet nga populli liridashës i Kosovës, që ka qenë gjithmonë i shtypur atje, a po nga shqiptarët apo nga vendet tjera të NATO-s? Ky është një nonsens që vet Evropa e kupton. Po dëshira e saj në shumë raste vë dhe sanksione të tilla të palogjikshme, se e ka më të lehtë në dy drejtime. Ne jemi dashamirës ndaj perëndimit dhe në shumë raste bëhemi qesharak me pranimin e çështjeve që ata shtrojnë dhe këtu kemi një element për herë të parë Osmanin dhe Kurtin, të cilët kanë dhënë gjoksin dhe nuk pranojnë presione të tilla dhe për çështjen kombëtare është më se e sigurt që duhet të mbash qëndrime të tilla dhe nuk mund të bësh kompromis për çështjen kombëtare”, deklaron ai.
Ambasadori shqiptar deklaron se është e paimagjinueshme që Kosova të dalë kundër interesave të saj pas çdo kërkese nga ndërkombëtarët. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë unik për t’i treguar botës së provokimet vijnë nga Serbia.
“Nuk mund të vlerësosh ti në pafundësi se jemi partnerët tënd, ne të kemi ndihmuar që ti të krijosh dhe ti të bëhesh vegël në çdo moment edhe kundër interesave të tua. Kjo është e paimagjinueshme edhe në këtë kuptim unë mendoj që elementi agravues që duhet dhe ne të gjithë duhet të punojmë, sidomos me ndërkombëtarë, është çështja që e provokimeve që vijnë nga Serbia”, shton ai.
Nesho thekson se liderët e Kosovës e kanë dëshmuar që qëndrojnë besnik parimeve por nuk duhet të këmbëngulin në pafundësi. Sipas tij, Kurti mund të tregohet më elastik në disa kërkesa, siç është që kryetarët e Komunave të mos shkojnë në objektet e Kuvendeve Komunale.
“Ne duhet të rezistojmë, ajo që e tremb perëndimin është uniteti dhe reagimi, opinioni publik në Kosovë dhe Shqipëri. Unë jam gjithmonë që pavarësisht që edhe diplomacia duhet ushtruar nga institucionet qeverisëse të Kosovës, që në shumë raste duhet të jemi më elastikë. Pavarësisht që Qeveria e Kosovës e ka fituar luftën si në opinionin publik shqiptar, ashtu edhe në ndërkombëtar që qëndron në principe dhe në vlera, që qëndron për mbrojtjen e sovranitetit e saj. Por, shumë gjëra të tjera mund të jenë edhe të tejkaluara, nuk ka nevojë që të shkohet me këmbëngulje në pafundësi… 36:59 Të jetë më elsatike, të bashkëpunojë dhe të bëjë lëshimë kur nuk janë të rëndësishme p.sh. shumë gjëra jo të rrimë në ndërtesë, jo të bëjnë atë, pika kryesore u vendos, veriu i Kosovës nuk mund të jetë pronë e bandave dhe kriminelëve si të Vuçiqit ashtu edhe të njerëzve të tjerë që kërkojnë të pasurohen duke krijuar zona të caktuara jostabilitieti brenda në Kosovë”, deklaron Nesho.
Së fundmi, një pjesë e opinonit publik në Kosovë si dhe disa eurodeputetë në Parlamentin Evropian kanë adresuar kritika ndaj përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për njënshmëri duke i mbajtur anën Serbisë. Nesho, me një gjuhë diplomatike, thotë se kritikat e eurodeputetëve tregojnë që diçka nuk shkon, mirëpo thotë se më shqetësuese është fakti se disa shtete evropaine i besojnë shumë ish-ministrit të Millosheviç, Aleksandër Vuçiç.
“Derisa kjo çështje po sensibilizon njerëz të ndershëm, diplomatë dhe politikanë në Parlamentin Evropian, tregon që diçka nuk shkon. Ne kemi ditur qysh përpara që Lajçaku në veprimtarinë e tij ka qenë një njeri që ka shërbyer si në Moskë dhe ka qenë i baraz larguar nga interesat e perëndimit dhe lindjes, por menduam që ky do ishte pikërisht një kompromis. Këtu çështjet kanë ndryshuar për arsye, sepse në këtë moment krize, perëndimi nuk ka kohë të merret me ballkanin, nuk ka kohë për t’i futur deri në fund siç bën, për arsye se ka frontin e Rusisë, Ukrainës, frontin e vendeve baltike, interesat e detit të veriut që janë tepër të ndërlikuara nga veprimet shtesë dhe të paimagjinuara që Rusia mund të bëjë në kushtet e dështimit që po mëson në Ukrainë. Ne nuk vuajmë vetëm nga negociatorët, sepse kjo është në vëmendjen e gjithë liderëve evropianë, ne vuajmë nga sëmundja që ka një pjesë e tyre për t’i dhënë një rol të ekzagjeruar dhe një besim të tejskajshëm që kanë ndaj nacionalistit Vuçiq, i cili nuk ka ndryshuar asnjë gjë, vetëm veshjen edhe asnjë gjë tjetër”, shprehet Nesho.
Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar ndërsa në vazhdimësi janë sulmuar edhe gazetarët e kameramanët shqiptarë. Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.