Me “ton të tërbuar” e përshkroi BBC fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për rebelimin e mercenarëve të Wagnerit.
“Dukshëm i zemëruar”, shkroi New York Times, ndërsa si “të sertë” e cilësoi Washington Post.
Pa e përmendur me emër shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, Putin tha se organizatorët e revoltës në Rusi, fundjavën e kaluar, “tradhtuan” popullin rus.
Ai tha se ata deshën ta shohin Rusinë “të mbytur në grindje të përgjakshme”.
Në fjalimin që mbajti mbrëmjen e kaluar, pas orës 22:00 sipas kohës lokale në Moskë, Putin u zotua se organizatorët e rebelimit do të sillen para drejtësisë.
Trupat e rregullta të Wagnerit i quajti “patriotë” dhe tha se ato do të lejohen t’i bashkohen ushtrisë ruse, të shkojnë në Bjellorusi ose të kthehen në shtëpi.
“E përsëris: zgjedhja është e juaja”, tha Putin.
Wagner është një ushtri private mercenarësh, që lufton së bashku me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë.
Me në krye Prigozhinin, njësia u rebelua kundër sistemit ushtarak rus, në fundjavë. Pasi mori kontrollin e qytetit Rostov-on-Don dhe u nis drejt Moskës, Prigozhin e urdhëroi atë të tërhiqet nëpër baza.
U bë e ditur se udhëheqësi bjellorus, Aleksandr Lukashanko, ndërmjetësoi një marrëveshje midis tij dhe regjimit rus, “për të shmangur gjakderdhjen”.
Në bazë të marrëveshjes, Prigozhin do të zhvendosej në Bjellorusi, ndërsa akuzat kundër tij dhe grupit të tij për rebelim, do të hidheshin poshtë.
Fjalimi televiziv i Putinit të hënën ishte paraqitja e tij e parë publike që nga e shtuna, kur tha se rebelimi kërcënon vetë ekzistencën e Rusisë dhe se ata që qëndrojnë pas tij, janë tradhtarë dhe do të ndëshkohen.
Putin theksoi se çdo përpjekje për shantazh ose trazira në Rusi, do të dështojë, dhe pretendoi se Perëndimi do që rusët “ta vrasin njëri-tjetrin”.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë thanë se rebelimi i shkurtër ishte pasojë e një lufte brenda sistemit rus.
Ai tha se as SHBA-ja, as aleatët e saj nuk ishin të përfshirë.
Ekspertët ushtarakë thonë se rebelimi mund të ketë marrë fund, por se ai vazhdon ta dëmtojë Putinin.
“Mendoj se është sfida më serioze që Rusia ka pasur qysh në vitin 1991, kur KGB-ja ka bërë përpjekje ta rrëzojë regjimin e Michael Gorbachevit. Kjo përpjekje për grushtshtet ka dështuar. Por unë, definitivisht, do ta vija këtë të fundit në atë nivel”, thotë për Radion Evropa e Lirë Hal Kempfer, oficer i pensionuar i Korupusit të Marinës amerikane.
Sipas tij, Putin, gjatë 23 vjetëve sa ka qenë në pushtet, nuk ka pasur ndonjë kërcënim të tillë ndaj sundimit të tij.
“Ai e ka atë fasadën e njeriut të fuqishëm, të ashpër, që ka kontroll mbi gjithçka… por kur shikoni trupat ruse që janë mënjanuar dhe kanë lënë Wagnerin të lëvizë, ai ka pasur shumë pak kontroll mbi këtë [situatë] dhe është dashur të bëjë marrëveshje me Prigozhinin, që të tërhiqet”, thotë Kempfer.
Po, si ra Putin në ujdi me ish-aleatin që fillimisht e akuzoi për tradhti?
“Nëse Putin do të përpiqej të bënte diçka, ai nuk ishte i sigurt se ushtria ruse do t’i merrte armët dhe do ta luftonte Wagnerin. Nëse do ta sulmonte Prigozhinin, nuk e dinte nëse do të krijonte një martir, dhe kjo do t’i kthehej bumerang”, thotë oficeri i pensionuar i ushtrisë amerikane.
Në një demonstrim tjetër të kontrollit të hënën, Putin thirri një takim me shefat e tij të sigurisë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu – një kundërshtar i madh i Prigozhinit, i cili nuk ishte parë që nga e shtuna.
Takimi u përfol shumë në rrjetet sociale – nëse ishte ose jo i vërtetë.
“Takim i çuditshëm mes presidentit Putin dhe shefave të tij të sigurisë”, shkroi ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, në Twitter.
“Por, a janë ata në të njëjtin vend? Të gjithë duken sikur shikojnë një ekran”, shtoi ai.
Kempfer, i cili ka shërbyer edhe si zyrtar inteligjence në ushtrinë amerikane, thotë se “askush nuk e di me siguri se ku ndodhet Putini”.
“Kremlini thotë se ai është në Kremlin, por ka raporte të shumta që thonë se disa avionë që lidhen me të dhe njerëzit e tij të ngushtë, u ngritën të shtunën”, thotë Kempfer për Radion Evropa e Lirë.
As vendndodhja e Prigozhinit nuk dihet me siguri. Të hënën, ai publikoi një audio-deklaratë në aplikacionin Telegram, por nuk është e qartë se prej ku.
Kreu i mercenarëve tha se rebelimi ishte përgjigje ndaj planeve të Qeverisë për të marrë kontrollin direkt të Wagnerit.
Rusia tha më herët se “formacioneve vullnetare” do t’u kërkohet të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes – gjë që u pa si kërcënim i drejtpërdrejtë i kontrollit të Prigozhinit mbi Wagnerin.
Ky grup u themelua në vitin 2014. Për madhësinë e tij ka shifra që variojnë nga 25.000 deri në 50.000 pjesëtarë.
Ai është nën sanksionet e Bashkimit Evropian për pjesëmarrje në pushtimin rus të Ukrainës, ashtu si dhe në listën e zezë të SHBA-së./Rel